XHAVIT ÇITAKU: KULTIVIM DHE RUAJTJE E POEZISË SHQIPE NË MËRGATË

Boras, Suedi 10 prill 2017: Pos krijuesve shqiptar në festivalin ”Sofra Poetike”, që u mbajt në Borås të Suedisë, morën pjesë edhe shkrimtarë suedez dhe të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë vend skandinav. Befasi në këtë eveniment solli Zyrtarja e lartë e Komunës së Boråsit, Ida Lidemark, e cila mirënjohjen nga QKA “Migjeni” për kontributin e saj në mbështetjen që i jep kësaj shoqate, e mori në veshje kombëtare shqiptare.
Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Borås të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të gjashtë organizuan manifestimin letrar i titulluar “Sofra poetike 2017, Borås”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga Shqipëria, Kosova, Italia, Norvegjia, Danimarka dhe disa vende tjera evropiane si dhe poet e miq suedez. Para se të filloi ky aktivitet kulturor të pranishmit bën një minut heshtje për viktimat e sulmit terrorist në Stokholm.
Këtë tubim të fjalës së shkruar e bëri edhe më madhështor shënimi i dhjetë vjetorit të punës e aktivitetit të suksesshëm të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe gazetës së përmuajshme “Dituria” në këtë qytet. Sipas njërit nga organizatorët të këtij evenimenti, Sokol Demaku tha se ky manifestim që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë shtet të largët ku jetojnë mijëra mërgimtarë shqiptar. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare. Më pas ai foli edhe rreth aktivitetit të pasur e me përmbajtje që po zhvillon Shoqata kulturore shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, e cila është bërë një faktor i rëndësishëm në kultivimin dhe ruajtjen e gjithçkaje që është shqiptare si dhe në integrimin e shqiptarëve në rrjedhat e shoqërisë suedeze. Kulmin e suksesit kjo shoqatë e ka arritur kur pas një pune të madhe dhe kontakteve të zhvilluara me organe e institucione kompetente u bë e mundshme që në kuadër të saj të funksionoj me mjaft sukses radio e kanali televiziv lokal si dhe gazeta “ Dituria”. Po ashtu, anëtarët e kësaj shoqate po organizojnë aktivitete të shumta kulturore që po tubojnë jo vetëm pjesëtar të komunitetit shqiptar, por miq të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë komunë e më gjerë. Ndërkaq, Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH” Papa Klementi i XI Albani”, të pranishmit i informoj lidhur me aktivitetin e madh që po zhvillon ky asosacion . Ai me shifra e fakte konkrete vuri në dukje se anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, kanë bërë punë të madhe në botimin e librave të rinj dhe në fusha të tjera të krijimtarisë. Më pas ai tha se poezia si një fuqi magjike po krijon miqësi të reja dhe një bashkëpunim të mirëfillt, jo vetëm ndërmjet komunitetit shqiptar këtu në Suedi, por edhe të etnive tjera sikurse që po tregon shembulli i sotëm ku janë të pranishëm krijues të kulturave të ndryshme.

Me poezitë e tyre u paraqitën u paraqitën Hamit Gurguri, Axin Welat, Bajram Muharremi, Fetah Bahtiri, Remzi Basha, Emine Hoti, Idriz Gashi, Griselda Doka, Hatixhe Xani Ahmeti, Lili Bimi, Ndue Lazri, Zyhdi Dervishi, Viron Kona. Duartrokitje të gjata e frenetike mori gjimnazistja Dorontina Hasani e cila interpretoj aq bukur në piano si dhe këndoj mrekullueshëm dy këngë.
Në këtë tubim mori pjesë edhe Zyrtarja e lartë e Komunës ës Boråsit, Ida Lidemark, e cila pos tjerash tha se në këtë komunë jetojnë rreth 3500 pjesëtarë të komunitetit shqiptar të cilët me sukses janë integruar në shoqërinë suedeze dhe janë një shembull i mirë i punës, mësimit ndihmës së zhvillimit të përgjithshëm në mjedisin ku ata jetojnë. Kjo zyrtare befasoj për të mirë për shkak se mirënjohjen që e mori nga QKSH “Migjeni”, për shkak së ajo gjithnjë mbështet më madhe veprimtarisë e saj, ishte e veshur në veshje kombëtare shqiptare.
Poezia është e fuqishme me mesazhet e saj
Në këtë tubim të rëndësishëm poetik, u lartësua poezia si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Në poezitë e lexuara me këtë rast motiv kryesor i krijuesve ishte dhimbja për atdheun, pastaj në këto krijime jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi. Zaten të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye ky manifestim tash e gjashtë vjet me sukses ka futur përsëri kulturën shqiptare dhe poezinë në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”. Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Poezinë e vlerësuan lartë edhe Viron Kona, Zyhdi Dervishi, Nuri Dragoj,krijues e publicist nga Shqipëria, ndërkaq Ndue Lazri, kryetar i Federatës Gjithshqiptare në Itali, kërkoj pos tjerash, që me këmbëngulje prindërit dhe e gjithë forca tjetër intelektuale të angazhohen për përfshirjen e të gjithë fëmijëve në mësimin e gjuhës amtare në mënyrë që të mos vjen në shprehje në asnjë moment asimilimi i tyre këtu në dhe të huaj.
Shembulli i Griselda Doka se si duhet të ruhet gjuha e të parëve tanë
Griselda Doka ka lindur dhe është rritur në Krahinën e Kalabrisë në Itali. Edhe prindërit, gjyshet e stërgjyshërit, po ashtu. Kur ajo mori mikrofonin e po fliste aq bukur, rrjedhshëm e pastër gjuhën e ëmbël shqipe, të gjithë të pranishmit duartrokiten gjatë. Të lumtë i thanë. Dikush në pëshpëritje me njëri- tjetrin e ca të tjerë më zë pak më të ngritur. Ajo buzëqeshi në shenjë falënderimi. Griselda Doka është kryetare e Shoqatës “ Shqiponja” dhe foli rreth punës së madhe që ky asosacion bën për të mirën e komunitetit shqiptar- arbëresh në atë pjesë të Italisë. Me një krenari shqiptare ajo përmendi faktin se si kanë arritur që të fillojnë punën me nxënësit shqiptar për ta mësuar e kultivuar gjuhën amtare. Këtë detyrë dhe obligim kaq të rëndësishëm e kemi amanet nga të parët tanë që duhet ta përcjellim brez pas brezi, përfundoi ajo. Griselda është edhe poete. Për poezinë e saj të shkruar bukur e me përmbajtje, ajo u shpërblye nga Juria e këtij festivali. Shembulli i Griseldes duhet t’iu shërbej të gjithë mërgimtarëve tanë.
U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira
Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, katër i ndanë Shoqata “ Migjeni dhe katër të tjera Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “ Papa Klementi XI Albani. Do theksuar se kësaj radhe në garë morën pjesë një numër i madh i poetëve nga shumë vende evropiane, Kosova e Shqipëria. Të shpërblyerit janë Hatixhe Xani Ahmeti, Zyhdi Dervishi, Teuta Haziri, Griselda Doka, Elhame Gjyrevci, Emine Hoti, Ndue Lazri dhe Bahtije Breznica. Po ashtu nga një falënderim për paraqitjen me krijimet e tyre poetike i morën edhe Luise Halvardsson, Axin Welat, Anna Matsson, Kristina Bjarnadottir, Mauritz Tistelo dhe Peter Nilson, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë.
Në këtë tubim u promovuan 13 Librat të autorëve shqiptarë që jetojnë e veprojnë në këtë vend skandinav, e një libër nga Kosova, si: 1. Thesari Kombetar nr. 5-6, referoj Prof. dr. Zyhdi Dervishi, 2.Sokol.Demaku, Viron Kona ”Poleni Viking” referoj Prof. dr. Nuri Dragoj, 3.Fetah Bahtiri ”Fragmente të zgjedhura”, referoj, Hysen Ibrahimi, 4.Bajram Muharremi poezi ”Vullkan i fjetur” referoj Osman Ahmetxhekaj, 5.Sokol Demaku ”Me shqiptarët në Borås” referoj Remzi Basha, 6. Behide Hasani ”Një jetë veprimtari humanitare” referoj Hysen Ibrahimi, Beqiri, 7.Hatixhe Xani, “Mall…larg diellit” referoj Remzi Basha, 8.Emine Hoti ”Poezitë e nënës” referoj Hamit Gurguri, 9.Elhame Gjurevci me dy libra ”EMRI ATDHE”, poezi dhe ”Luisi” roman, referoj për të dy librat z. Hysen Ibrahimi, 10.Ramdan Myrtaj ”Rrugëtimi i një jete të dhuruar”, referoj Prof. Fetah Bahtiri dhe 11.Adnan Meroci ”Në hap me Rugovën” referoj Hysen Ibrahimi. SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” ndau “MIRËNJOHJE”, për Prof. Sokol Demakun, Remzi Bashën, Xhavit Çitakun, Bedri Pacin dhe Adnan Merovcin.
SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu. Krejtë në fund, u nënshkrua para të pranishmëve MARRËVESHJE PËR BASHKËPUNIM NË MES SHOQATAVE KULTUTORE SHQIPTARE TË SUEDISË DHE ITALISË.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura