SHERADIN BERISHA: NË FRANKFURT, KOSOVA U BASHKUA ME SHQIPËRINË

 (Pashtriku.org, 16. 10. 2012) – Nga data 10 – 14 tetor 2012 në Frankfurt të Gjermanisë u mbajt edicioni i 64’të Ndërkombëtar i Panairit të Librit, i cili u hap nga ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle. Në edicionin e sivjetmë nën moton “Rimendo – Ripërtërij” morën pjesë mbi 7000 mijë Shtëpi Botuese nga 100 shtete të botës dhe u zhvilluan mbi 3200 aktivitete gjatë katër ditëve sa zgjati panairi. Për këtë edicion, mysafir nderi ishte Zelanda e Re, e cila me këtë rast prezantoj të arriturat e saj në fushën e librit. Panairi i Librit në Frankfurt (Frankfurter Buchmesse) është njëri prej evenimenteve më të mëdha të librit në botë dhe mbahet rregullisht qysh prej vitit 1949, ndërsa origjina e tij është rreth 500 vjeçare.
Në panairin e sivjetmë, morën pjesë shumë Shtëpitë Botuese nga Shqipëria dhe Kosova të përfaqësuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me seli në Tiranë dhe Shoqata e Botuesve të Kosovës me seli në Prishtinë dhe për çudi, (nuk e di a ishte rastësi apo jo) organizatorët e panairit stendën shqiptare (të librit) e kishin përcaktuar, midis stendave të librit nga Greqia dhe Serbija!

Frankfurt, 13. 10. 2012: Në Panairin e Librit…

……………………………………………

Ndonëse viti 2012 shënon edhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata e Botuesve e Kosovës dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë (me seli në Tiranë) në panair ishin bashkë – brenda një kulmi, dhe ky bashkim simbolik në ballë me simbolin e 100 vjetorit të Pavarësisë (i rrethuar me figurat më të shquar kombëtare) ka madhështuar stendën karshi stendave të Greqisë dhe të Serbisë. Në një komunikatë të përbashkët të shoqatave botues shqiptare, ndër të tjera thuhet: “Duke qenë se viti 2012 shënon edhe 100-vjetorin e shtetit shqiptar, jemi bërë bashkë duke shënuar kështu, me praninë e tyre kombëtare një kulturë, një frymë, një letërsi… Stenda është vërtetë impresive dhe paraqet një hap para drejt integrimeve gjithëshqiptare, jo vetëm në fushën e librit, të kulturës, por edhe më gjerë”. Në këtë edicion, Shtëpitë Botuese Shqiptare – duket se kanë përplotësuar edhe moton e panairit të librit “Rimendo. Ripërtërij”, duke rimenduar e ripërtërirë enterierin e stendës së përbashkët, me simbole dhe fotografi të personaliteteve të historisë dhe letërsisë sonë kombëtare.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë me seli në Tiranë, sivjet është prezentuar me disa tituj librash, të shtëpive botuese shqiptare si: “Onufri”, “Botimpex”, “Dituria”, etj. Gjatë katër ditëve të panairit, drejtuesit e Shoqatës së Botuesve Shqiptar, Bujar Hudhri dhe Eugen Bega, kanë realizuar disa takime të rëndësishme me përfaqësues të shtëpive botuese gjermane, për bashkëpunimin e tyre në të ardhmen.
Ndërkaq Shoqata e Botuesve të Kosovës – SHBK, në këtë edicion katër ditor u prezentua, nga 25 shtëpi botuese dhe institucione akademike, të cilat realisht kishin ndërtuar gjithë mozaikun e asaj që është arritur në botimin e librit shqip në Kosovë. Besian Zeneli, Nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, (gjatë takimit tonë në panair), tha se: “Shoqata e Botuesve të Kosovës në këtë panair ka prezentuar 200 tituj librash, të botuar nga 25 shtëpi botuese të Kosovës dhe botuesit në këtë edicion kanë limituar numrin e titujve të tyre”. Në pyetjen tonë se, a ju ka ndihmuar Qeveria e Kosovës në këtë event të rëndësishëm për Kosovën, Besiani thotë: “Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, na ka ndihmuar vetëm në pagesën e stendës, dhe asgjë më shumë.” Ndërkaq për të zgjeruar aktivitetet në planin ndërkombëtar, me shtëpitë botuese gjermane, takime me shkrimtarë të huaj, mediat etj, SHBK’së, i ka munguar përkrahja nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Integrimeve Europiane!
Në katalogun e SHBK’së, (që shërbeheshin vizitorët e stendës sonë), me botimet e tyre janë përfshirë këto shtëpi botuese dhe insitucione akademike: “Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”, “Asociacioni për Integrimin Kosovar Demokratik – AIKD’99”, “ALB-MED”, “ALBAS”, “Anton Pashku”, “Artini”, “BSS”, “Buzuku”, “Cuenus”, “Dija”, “Drita”, “Dukagjini”, “Faik Konica”, “Instituti Albanologjik i Prishtinës”, “Instituti i Historisë”, “Koha”, “Libri Shkollor”, “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”, “Mendimi Pozitiv”, “Pa”, “Rugova Art”, “Tenda”, “Titanik”, “Universiteti i Prishtinës” dhe „Zëri“.
* * *
Sa për informim, Shoqata e Botuesve të Kosovës është themeluar në janar të vitit 2000 nga: Abdullah Zeneli – “Buzuku”, Daut Demaku – “Rilindja”, Mithat Lepaja – “Dija”, Eqrem Basha – “Dukagjini” dhe Bajram Shatri – “Libri shkollor”. Në Kuvendin e anëtarëve të SHBK’së, të mbajtur në 12 prill 2010 është zgjedhur Bordi i ri në përbërje: Daut Demaku – “Mendim pozitiv”, Besian Zeneli – “Buzuku”, Mithat Lepaja – “Dija”, Beshir Zyberi – “Albas” dhe Ali Mehmetaj – “Titanic” dhe Bordi ka zgjedhur kryesinë: Daut Demaku, kryetar; Besian Zeneli, nënkryetar dhe Mithat Lepaja, sekretar. Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) ka për qëllim afirmimin e veprimtarisë botuese të Kosovës si në vend ashtu edhe jashtë. Një nga format më të suksesshme që libri të gjendet sa më afër lexuesit është organizimi tradicional i panairit të librit në Prishtinë si dhe pjesëmarrja e botuesve të Kosovës me stendë të përbashkët në panairin e përvitshëm të Librit që mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.
* * *
Të shtunën, më 13 tetor 2012, në ambientet e stendës së librit shqip, në praninë e shumë krijuesve shqiptarë në Gjermani dhe në prezencën e ekipit të RTK’së, u promovua vëllimi poetik “Imazhe të Ringjallura” i autores Sevëme Fetiqi, botuar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”. Për vëllimin poetik, folën disa krijues shqiptar në Gjermani, ndërkaq fjalën kryesore e mbajti redaktori i librit Hasan Qyqalla. “Sevëme Fetiqi, tanimë është emër i njohur në letrat shqipe dhe kësaj radhe, përmes këtij vëllimi poetik, na vjen me një shtrirje shumëdimensionale, volum të ngjeshur e figuracione letrare tejet të pasura. Autorja përmes vargjeve nxjerr klithmë, lot, vaj, buzëqeshje, pezm, hidhërim, trishtim, gëzim etj., pra reflekton imazhe përqark situatave e rrethanave të caktuara me apostrofim mërgimin…” ka thënë para artëdashësve të mblledhur, z.Qyqalla. Ndërsa krej në fund ai konkludoj, se “vargjet e Sevëme Fetiqit, me gjuhë komunikuese e të kapshme transmetojnë emocion, që doemos provokojnë jo vetëm lexuesin e pasionuar, por edhe ndjenjën e kritikës, në kuptimësi bilineare, tërësisht përfillëse karshi përmbajtjes së mesazhit.”

Poetja Sevëme Fetiqi

……………………………………….

Kush është Sevëme Fetiqi?
Sevëme Fetiqi u lind më 07 maj 1961 në Vushtrri. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje, ndërsa studioi mjekësinë në Universitetin e Prishtinës. Që nga bankat shkollore ajo tregoi prirje për të shkruar poezi dhe ato i botoj në gazetat dhe revistat e kohës si: “Pionieri”, “Zëri i Rinisë”, “Rilindja”, ”Jeta e Re”, ”Flaka e Vëllazërimit”, “Bota e Re”, ”Kosovarja” etj. Në vitin 1983, botoi përmbledhjen me poezi “Rrjedh e lë gjurmë”, te gazeta studentore “Bota e Re”. Më 1985 nxori vëllimin tjetër poetik “Kurorë e kaltër” të botuar nga “Rilindja”, dhe kjo përmbledhje u shpërblye si libri me i suksesshëm i Plejadës nga gazeta “Zëri i Rinisë”. Në vitin 1998 boton vëllimin e radhës “Dëshmia e kthimit tim” po nga “Rilindja”. Në vitin 2003, poezitë e Sevëme Fetiqit botohen edhe në “Antologjinë e poezisë moderne” të Ferdinand Lahollit, dhe të njejtat janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane. “Imazhe të ringjallura” është vëllimi i saj i fundit, ndërsa në dorëshkrim e ka edhe një roman (me tematik historike), të cilin do ta boton së shpejti. Sevëmja është anëtare e Shoqatës se shkrimtarëve te Kosovës, anëtare e Shoqatës së shkrimtareve shqiptar në diasporë, dhe anëtare e Lidhjes së poetëve ndërkombëtar “Pegasi” Albania për Gjermani. Ajo jeton në Ofenbach dhe punon si mësuese në shkollën me mësim plotësues në gjuhën shqipe “Naim Frashëri”, e cila vepron në kuadër të klubit “Bashkimi kombëtar” në këtë qytet të Gjermanisë.

……………………………………..

FOTO NGA PANAIRI I LIBRIT, FRANKFURT – MË 13 TETOR 2012

================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura