SHERADIN BERISHA: RIPUSHTIMI I KOSOVËS, DHE MOBILIZIMI I SHQIPTARËVE NGA UNÇJ (1944-1945) (I)

(Pashtriku.org, 23. 02. 2013) Kush e përbënte strukturën e parë të KK të PKJ’së në Kosovë në vitin 1941?) – Dihet mirëfilli, se pas pushtimit të Jugosllavisë së Versajës, në vitin 1941, nga aleanca nazifashiste, (Gjermania, Italia dhe Bullgaria) në Kosovë u organizua Lëvizja Antifashiste e drejtuar nga PKJ, përkatësisht Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë. Qysh në fillet e para të lëvizjes antifashiste, komunistët serbo – malazezë janë përpjekur të „dominojnë“ në Kosovë edhe përmes këtij organizimi politik. Kjo dëshmohet nga përbërja e KK të PKJ’së. Struktura e parë e KK të PKJ-së për Kosovë përbëhej nga: Miladin Popoviq – sekretar politik; Borisav Vukmiroviq – sekretar organizativ; ndërsa anëtarë ishin: Dushan Mugosha, Pavle Joviqeviq, Milia Kovaçeviq, Velo Petroviq, Predrag Ajtiq, Mito Milkoviq, Çedo Mijoviq, Ramiz Sadiku dhe Ali Shukria. (!!!) Pas një kohe radhëve të PKJ’së i bashkohen: Fadil Hoxha, Emin Duraku, Xhevdet Doda, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Ismet Shaqiri, Hysni Zajmi, Elhami Nimani, Mazllum Këpuska, të cilët u kthyen nga Shqipëria, pasi i kishin vijuar mësimet në shkollën Normale të Elbasanit. Me burgosjen e Miladin Popoviqit (në verën e vitit 1941) Komiteti Krahinor i PKJ’së do të ketë një përbërje të re: Borisav Vukmiroviq – sekretar politik, Ramiz Sadiku ”kryes detyre” i sekretarit organizativ, kurse anëtarë do të jenë: Pavle Joviqiviq, Dushan Mugosha, Milia Kovaqeviq, Mito Milkoviq, Predrag Ajtiq, Aco Maroviq, Fadil Hoxha, Emin Duraku dhe Ali Shukria.1 Edhe nga kjo përbërje duket qartë, se kriteri kombëtar nuk është përfillur fare.
Pjesëmarrja aktive e shqiptarëve në luftë kundër fashizmit
Derisa në Kosovë ishte një organizim i tillë politikë (përkundër faktit se mbi 90% e popullsisë ishin shqiptarë), në qershor të vitit 1941 KQ i PKJ’së i ftonte shqiptarët në luftë të përbashkët kundër fashizmit, duke i konsideruar si faktor i rëndësishëm në vend. Qysh në Konferencën e Pestë (tetor 1940) PKJ në rezolutën e saj thotë qartë se „Çështja nacionale në Kosovë në themel është çështje e shqiptarëve të atyshëm“, por se a do të jetë kështu, zhvillimet e mëvonshme do të dëshmojnë të kundërtën.
Përkundër qëndrimeve shoveniste të komunistëve serbo – malazezë ndaj të ardhmes së Kosovës, populli shqiptar i etshëm për liri dhe mëvetësi, mori pjesë aktive në lëvizjen antifashiste. Shqiptarët në Kosovë dhe në viset tjera etnike, revoltën e parë antifashiste e shprehën në nëntor 1941, me organizimin e demostratave në Gjakovë, në Prizren, në Prishtinë, në Mitrovicë, në Shkup, në Dibër etj.

Udhëheqja politike – ushtarake e Kosovës në vitet 1943 – 45. Nga e djathta, në këmbë: Rifat Berisha, Shefqet Peqi, Miladin Popoviq, Mehmet Hoxha, Boshko Çakiq, Pavle Joviqeviq, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mita Milkoviq…(Ulur): Ismet Shaqiri dhe Jela Popoviq, të cilës nuk i duken syt.

*   *   *

Pas ristrukturimit të Komitetit Krahinor të PKJ’së, me direktivë të Komitetit Qëndror të PKJ’së, më 07 korrik 1941 u formua Komiteti Ushtarak me në krye Borisav Vukmiroviqin. Meqenëse në fillim (vjeshtë 1941) u formuan tri aradha partizane, kryesisht nga serbo-malazezët, nga shkurti 1942 u shtrua nevoja për formimin e aradhave partizane shqiptare. Kështu më 27. 09. 1942 u formua aradha e parë partizane “Zenel Hajdini”, e cila veproi në tërë teritorin e Kosovës. Kjo aradhë partizane aksionin e parë të armatosur e kreu më 3 janar 1943 në Carnalevë, me ç`rast u vranë 21 ushtarë italianë. Më 03.11.1942 u formua aradha e “Sharrit”, kurse më 15. 01. 1943 edhe aradha e “Karadakut”. Me rritjen e njësive partizane, në fillim të vitit 1943 aradha “Zenel Hajdini” u nda në dy pjesë: Një pjesë e luftëtarëve të saj, së bashku me partizanët nga malësia e Gjakovës, formuan aradhën e re “Emin Duraku”, ndërsa në fund të marsit 1943 u formua çeta partizane “Bajram Curri”, që më vonë u shndërrua në batalion, dhe së bashku me batalionin ”Perlat Rexhepi” zhvilluan një sërë aksionesh luftarake. 1/1 Me qëllim të konsolidimit më të mirë të njësive të aramtosura partizane, qysh më 20. 10. 1942 u krijua Shtabi i Përkohshëm, i cili pas disa muajve, saktësisht më 15. 04. 1943 u shndërrua në Shtab kryesor të UNÇ’së për Kosovë, ku komandant i shtabit u emrua Fadil hoxha. Ky shtab pastaj do të formoi dy Zona operative: ZO për Rrafshin e Kosovës dhe ZO për Rrafshin e Dukagjinit.
Sa njësi të armatosura ishin në Kosovë në vitet 1943 – 1944?
Pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ’së shtoi aktivitetin e saj ushtarak, në formimin e njësive të armatosura partizane në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare. Për këtë qëllim më 09. IX. 1943 SHK i UNÇJ-së për Kosovë e Metohi lëshoi një thirrje, ku kërkohej që popujt e kësaj krahine (e veçanërisht populli shqiptar) të radhiten në njësitë partizane, për të luftuar kundër ushtrisë naziste gjermane e bullgare. Prej shtatorit 1943 (por edhe më herët) e deri në nëntor 1944 në Kosovë, u formuan njësite të shumta të UNÇJ-së, duke filluar nga çetat, aradhat, batalionet e deri në brigada. Kështu brenda kësaj periudhe u formuan: Aradha Nacional-Çlirimtare Partizane (ANÇP) e Kosovës dhe Metohisë (22.X.1943); ANÇP e Shalës (gusht 1944); ANÇP e Rakoshit (në fillim të tetorit 1944); ANÇP e Drenicës (nga mesi i muajit tetor 1944); ANÇP” Curri – Rexhepi” (e formuar nga Aradha ”Perlat Rexhepi” e UNÇ të Shqipërisë dhe aradha ”Bajram Curri” e UNÇJ-së për Kosovë e Metohi (12.I.1944); ANÇP e Ibrit (4.XI.1944); ANÇP e Kosmetit (7.XI.1944); ndërkaq në nëntor 1943 u formuan Çeta Partizane e Krajës dhe e Tuzit; më 13.IV.1944 – Çeta e Kosovës; më 16.IX.1943) Çeta e Lumës, e Hasit dhe Batalioni i Parë kosovar ”Ramiz Sadiku”; në fund të tetorit 1943 – Batalioni ”Boris Vukmiroviq” dhe Batalioni i Parë i Dibrës ”Nazmi Rushiti”; më 21.XI.1943 Batalioni i Parë dhe më 29.XII.1943 Batalioni i Dytë kosovar; në gjysmën e majit 1944 Batalioni ”Kosova”; në fund të majit 1944 Batalioni Sulmues i Kosmetit; më 28.IX.1944 Batalioni Partizan ”Meto Bajraktari etj. 1/2 Po kështu, deri në dhjetor 1944 u formuan edhe tetë Brigada. Më 24 qershor 1944 në fshatin Zbazhdi (afër Strugës) u formua Brigada I-rë e UNÇ për “Kosovë e Metohi”, nga luftëtarët e Brigadës së I-rë Kosovare-Maqedone, me 3 batalione dhe 1 çetë përcjellëse. Më 9 shtator 1944 në fshatin Lilanc afër Bujanocit, u formua Brigada II e UNÇ-së për KM-në, me 4 batalione dhe 450 ushtarë. Më 16 shtator 1944 në rajonin e Vranjës, u formua Brigada III e UNÇ-së për KM-në, me 3 batalione. Më 13 tetor 1944 në Krumë të Hasit u formua Brigada IV e UNÇ-së për KM-në, me 2 batalione dhe 400 ushtarë. Më 24 shtator 1944, në fshatin Tullar u formua Brigada V e UNÇ-së për KM-në, me 4 batalione. Më 13 dhjetor 1944, u formua Brigada VI e UNÇ-së për KM-në. Më 11 nëntor 1944 në Gjakovë u formua Brigada VII e UNÇ-së për KM-në, e cila më vonë u shpall si brigadë sulmuese. Më 20 dhjetor 1944 në fshatin Ramno të Preshevës u formua Brigada e VIII e UNÇ-së për KM-në, me 3 batalione. Po në dhjetor të atij viti u formua edhe Brigada e Korpusit të Mbrojtjes Popullore të Jugosllavisë për KM-në.2 Këto formacione partizane edhe pse u formuan në arealin etnik shqiptarë, ngjarjet e mëvonshme do të dëshmojnë se ato, nuk u formuan për të mirën e shqiptarëve.
Synimet e ripushtimit të Kosovës nga Shtabit Suprem i UNÇJ’së
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane – angleze – ruse…) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Shtabi Suprem i UNÇJ-së duke i shfrytëzuar rrethanat e krijuara, më 2 shtator të atij viti Shtabin Kryesor të UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi” e degradoi në Shtab Opertativ dhe me 14 shtator ia nënshtroi Shtabit Kryesor të UNÇJ-së për Sërbi. Dhe për çudi në emër të Shtabit Operativ të “Kosmetit” do të nisin përgatitjet luftarake gjoja për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, a në të vërtet SHS i UNÇJ-së kishte për synim ripushtimin e tokave shqiptare.
Në vjeshtën e atij viti, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, më pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi… Derisa ushtria gjermane tërhiqej nga shumë fronte të luftës, ideja e Shtabit Suprem të ushtrisë gjermane për forcimin e vijës së frontit në Ballkan, u bë e parealizueshme dhe në këto rrethana armata ”E” gjermane e cila ishte e dislokuar në Greqi, mori urdhërin të tërhiqet nga ky rajon. Tërheqjen do ta bëjë nëpër Maqedoni, Kosovë dhe Sanxhak, për të kaluar nëpër Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë në drejtim të veriut. Armata ”E” për çudi nuk u pengua, (përkundër propagandës së bërë nga strategët e UNÇJ-së), por kaloi me shumë pak humbje në veri – perëndim të Jugosllavisë, ndërkohë që brigadat sllavokomuniste luftimet më të ashpra do t´i zhvillojnë në Kosovë, gjoja “kundër forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë..!! 3
Për të argumentuar këtë qëndrim, po i referohemi letrës së Miladin Popoviqit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë. Në letër ndër të tjera M.Popoviq shkruan: ”Edhe pse Kosovë – Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhet likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim – vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhet gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t´i gjykojë menjëherë e fshatarët t´i çarmatosë…”. 4
Sipas marrëveshjes UNÇJ – UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë. Më 17 tetor 1944 edhe Armata II bullgare u nis për Kosovë, ndërkohë që në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, i kishin përfunduar përgatitjet për ofensivë, njësitet e Korpusit të 13-të të UNÇJ-së (Divizioni i 22-të, i 24-të, i 25-të dhe i 46-të serb), Divizioni i 41-të maqedon, brigada e 9-të malazeze dhe të gjitha brigadat e UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi”. Operacionet ushtarake të këtyre forcave, filluan ofensivën pushtuese në tri drejtime: 1.Kurshumli-Përpallac-Podujevë-Prishtinë; 2.Lebanë-Medvegjë-Prishtinë; dhe 3.Bujanoc-Gjilan-Prishtinë. 5
Si u mobilizua Lëvizja Shqiptare për mbrojtjen e kufijve kombëtar (Si u vra koloneli Fuad Dibra me urdhër të Fadil Hoxhës!?)
Për ta përballuar këtë ofenzivë pushtuese, më 18 tetor 1944 Lëvizja Shqiptare për mbrojtjen e kufijve kombëtar do të shpallë mobilizimin e përgjithshëm për të gjithë shqiptarët nga mosha 18 deri në 45 vjeç. I tërë territori përballë forcave ushtarake jugosllave ishte ndarë në katër zona mbrojtëse:
Zona e parë, përfshinte teritorin kufitar nga Karadaku e deri në Gallap dhe Jabllanicë. Në këtë zonë komandonte Shefqet Shkupi.
Zona e dytë, në Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare ishte cilësuar vija kufitare nga Struga në vargmalet lindore të Tetovës drejt Shkupit. Me këtë sektor komandonte Fuat Osmani.
Zona e tretë, përfshinte territorin kufitar të Drenicës Veriore nga Lugina e Ibrit në veri të Mitrovicës-Çakorrit-Bjeshkët e Nemuna. Në këtë zonë përfshihet edhe Plava e Gucia me vijën kufitare deri në Tivar. Ishte paraparë të komandoj Prof. Ymer Berisha…
Zona e katërt, përfshinte territorin kufitar nga Prapashtica-Prepellaci-veriu i Shalës së Bajgorës-Lugina e Ibrit. Me këtë zonë komandonte Ahmet Selaci.
Përveç këtyre katër zonave në kufijt etnik, në brendësi të teritorit të Kosovës… ishin sistemuar edhe dhjetra çeta të drejtuara nga atdhetarë të dëshmuar. 5/1
E tërë forca mbrojtëse e këtyre zonave kufitare dhe e çetave antikomuniste duhej të kishte një numër prej 42. 000 ushtarësh, por në fakt për shkak të përçarjes që pësuan shqiptarët ( në baza ideologjike), nuk arritën të aktivizoheshin as 10. 000 ushtarë.
Ndonëse Mbrojtja Kombëtare e Kosovës e udhëhqur nga koloneli Fuad Xh. Dibra (*) (sipas organizimit strategjik të Lidhjes II të Prizrenit) në gjysmën e parë të nëntorit 1944 mori goditjet vendimtare nga forcat partizaneo-çetnike, më 1 dhjetor 1944 në një Kuvend të mbajtur në Tërpezë të Vitisë u formua “Shtabi Suprem i Kosovës” nga komandantët e njësive luftarake kombëtare, me detyrë që të drejtonte politikisht dhe ushtarakisht Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare antijugosllave. Në të vërtet përgatitjet për ngritjen e këtij mekanizmi u bënë në dy kuvende të organizuara paraprakisht nga Mulla Idris Gjilani: në Suharnë të Hashanisë, më 17 nëntor 1944 dhe “te Livadhi i Shehit” në Karadak, më 26 nëntor 1944 dhe në Kuvendin e Plitkoviqit, më 28 nëntor 1944, të drejtuar nga Adem Gllavica.

Kolonel Fuad Dibra 1886 – 1944

*  *  *

(*) Kolonel Fuad Dibra pas mbajtjes së një takimi me kryetarët e komunave të nënprefekturës së Gjilanit (në fillim të nëntorit) ishte i urdhëruar nga Komanda Supreme e Ushtrisë Mbretërore që ta lëshojë frontin në Kosovën Lindore dhe të tërhiqte ushtrinë brenda Shqipërisë londineze. Fuad Dibra nga Gjilani doli me 14 nëntor 1944, me dy kamionë dhe u drejtua “për Shqipëri!”. Njësisë së kolonel Fuad Dibrës, gjatë tërheqjes do t’i prehet rruga diku midis Prizrenit e Krakushtës (Dragashit) dhe në luftë me njësitë partizane të Shqipërisë do të vriten shumë ushtarë, kurse Kolonel Fuad Dibra do të kapet rob. Ai, më vonë do t’i dorëzohet Shtabit të AP të UNÇ të Kosovë e Metohisë, dhe sipas dëshmive të disidentit Hysen Tërpeza, Kolonel Fuad Dibra do të pushkatohet “me urdhër të Fadil Hoxhës (!?!) (Shih Dr.Muhamet Pirraku: Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941 – 1951, fq.125).

*   *   *

Kuvendi i Tërpezës u mbajt nën patronazhin e Hysen Tërpezës, i cili me këtë hap u diferencua definitivisht nga Lëvizja antifashiste kominterniste për interesa serbomëdha në tokat shqiptare. Në këtë kuvend morën pjesë: përfaqësuesit e ish-“Grupit Intelektual të Prishtinës”, të Komitetit “Rinija Nacjonaliste për Mbrojtjen e Kosovës”, të“Batalionit të Rinisë Nacijonaliste ‘Nazim Gafurri’ të Prishtinës” dhe ish-përfaqësues të shtabeve të Zonës III të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës: Adem Gllavica, Ibrahim Këlmendi, Luan Gashi, Abdyl e Mustafë Henci, Hamdi e Shemsi Mramori, Selim Maçastena, Januz Bajçinoci, Qazim Llugaxhia, Ismail Gorani, Rexhep Okllapi, Bahtir Dumnica etj.
Kuvendi emëroi komandant të përgjithshëm Adem Gllavicën, zëvendës – komandant Qazim Sefë Llugaxhinë dhe për anëtarë të gjithë komandantët e njësiteve të armatosura, ndërsa në fund u aprovuan: një Rezolutë dhe një afishe të cilat përfundonin me thirrjen: “Rroftë Shqipëria…!” Pas ngritjes së Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare, aty nga fundi i janarit 1945, Shtabi Suprem i Kosovës e lidhi aktivitetin me Komitetit Qendror të NDSH-së me seli në Shkup, kurse nga gushti i vitit 1945 Shtabi Suprem i Kosovës u bashkua me NDSH-në me detyrën e Shtabit të Luftës të Komitetit Qendror të NDSH-së. 5/2
Si u pushkatuan me urdhër të Fadil Hoxhës shtatë luftëtarë të rezistencës shqiptare në Ferizaj?!
Tahir Zajmi në librin e tij “Lidhja e dytë e Prizrenit” theksonte se vendimin për sulm në Ferizaj e kishte marrë Ing. Adem Gllavica, Qazim Sefë Llugaxhia, Prof. Ibrahim Kelmendi, Hysen Tërpeza, Abdyl Henci etj., më 27 nëntor 1944 në fshatin Plitkoviq të Gjilanit. Lufta në Ferizaj zgjati tërë ditën e datës 2 dhjetor 1944, sepse njësive të rrethuara partizane u erdhën në ndihmë: nga Prishtina, Gjilani e Prizreni, dhe pikërisht njësitë e Brigadës 27 serbe, Brigadës III të Kosovës dhe Njësia Elite e Shtabit Operativ të Kosmetit e komanduar prej Fadil Hoxhës. Të gjendur midis kudhrës dhe çekanit dhe pa municion, aty nga fundi i ditës së 2 dhjetorit, u dorëzuan 69 luftëtarë shqiptarë, por ata nuk i shpëtuan plojës. Pasi ua morën armët, partizanët shtinë në tubën e tyre dhe i masakruan, para ndërtesës së rrethit. Në terrin e parë të natës së 2/3 dhjetorit 1944 Fadil Hoxha i veshur shqiptarçe, së bashku me një njësi prej 20 partizanësh, kryesisht gjakovarë, gjithashtu të maskuar me veshje shqiptare, me kësula të bardha, depërtoi në ndërtesën e shtabit të Brigadës II të Kosmetit. Punë e parë që bëri, ishte riemërimi i shtabit të ri të Brigadës dhe largimi i Mulla Arif Shalës nga shtabi. Në kohën sa qëndroi komandani Fadil Hoxha në shtabin e Brigadës II të Kosmetit, partizanët i sollën 7 luftëtarë të kapur, shqiptarë. Midis tyre ishte edhe Selim Maçastena (23) me dy vëllezërit: Bajramin (20) dhe Hamdiun (18) vjeç. Kishin luftuar deri në fishekun e fundit dhe kur i kishin harxhuar fishekët, kishin hyrë në një shtëpi për të pritur municionin që duhej t’u vinte! Mirëpo, u hetuan dhe i kapën. Ata i mori në pyetje vetë komandanti partizan Fadil Hoxha, i cili u interesue për qëllimin e sulmit, për komandantët kryesor, për numrin e sulmuesve, kurse në pyetjen e Fadil Hoxhës:
– ”A është Mulla Idris Gjilani me juve…?”,
Selim Maçastena iu përgjigj, qartë:
– “Ai nuk ka komandë në këtë luftë…!”
Fadil Hoxha, pasi kreu detyrën e hetuesit, mori rolin e prokurorit dhe të gjykatësit ushtarak:
– “Të pushkatohen para syve të tij”!
Në përcjellje të Fadil Hoxhës ishte edhe komisari i çetës përcjellëse të Brigadës II të Kosovës, prishtinasi Timotijeviq Muro. Ai njihej me bijtë e Mulla Emin Maçastenës: Selimin, Bajramin e Hamdiun, që nga fëmijëria dhe posaçërisht kishte marrëdhënie të mira me më të riun, Hamdiun, ndaj i ra në gjunjë Fadil Hoxhës që t’ia falte, të mos e pushkatonte! Mirëpo, komandanti Fadil Hoxha ishte vërtet i pamëshirshëm kundër “ballistëve”, kundër “reaksionarëve”, kundër “banditëve”!
I përgjegji Muros:
“Shko që andej, po ta bëjë edhe më zi…!”
Të gjitha këto zhvillime ndodhën para syve të anëtarëve të Shtabit të Brigadës së II të Kosovës, para syve të Mulla Arif Shalës e Bajram Berishës ( kusheri i Rifat Berishës) dhe përcjellësve të tyre: Islam Bublakut të Zabelit të Poshtëm e të Hasan Likës së Sankocit. 5/3

Fadil Hoxha 1916 – 2001

*  *  *

Sipas konstatimeve të Hysen Tërpezës, (më 15 mars 1993), ai (Fadil Hoxha) me njerëzit e vetë e la Ferizajin gjatë natës së 2/3 dhjetorit. Më datën 3 dhjetor 1944 njësitë e Ushtrisë Jugosllave, pasi thyen rezistencën në viset periferike, depërtuan në qytet dhe filluan “spastrimin e Ferizajit nga bandat shqiptare!” – duke vrarë shqiptarë të paarmatosur. Operacionet “për spastrimin e viseve përreth” vazhduan edhe më 4 dhjetor 1944, duke vrarë ose arrestuar çdo shqiptare që takonte, të cilët paraprakisht ishin shpallë “ballistë” e “armiq!” 5/4
Vrasja dhe masakrimi i qindra shqiptarëve të pafajshëm në Gjilan nga Spasoje Gjakoviqi dhe Fadil Hoxha!
Brutaliteti i ushtrisë partizane-çetnike kundër pjesëtarëve të Lëvizjes së Rrezistencës Shqiptare pas Luftës së Ferizajit të 2 dhjetorit 1944 solli masivizimin e rrezistencës së armatosur dhe disfatën e kësaj ushtrie të shënuar me Luftën e Desivojcës, më 19 dhe 20 dhjetor, të pasuar me Sulmin në Gjilan, më 23 dhjetor 1944. Njësitë ushtarake jugosllave të ndihmuar edhe nga repartet famëkeqe të OZN’ës, pas marrjes së Gjilanit nga luftëtarët e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare, ndërmorën një operacion shfarosës, ku rrugët e qytetit u mbushën përplotë me kufoma,midis të cilëve kishte gra dhe fëmijë. Kufomat që i mbuluan rrugët ishin kufoma të qytetarëve gjilanas të nxjerrë nga shtëpitë e tyre e të pushkatuar, sipas urdhërit global të Shefit të OZN’ës së Kosovës Spasoje Gjakoviqit dhe të Komandantit të Shtabit operativ të Kosovës e Metohisë Fadil Hoxhës. Për këtë flet qartë edhe Musa Efendia (vëllau i oficerit Ahmet Efendia nga Gjakova), zëvendës komandant i Batalionit II të Brigadës VII të Kosovës në shënimet për Historinë e LNÇ’së në Kosovë, të dhëna për Muzeun e Revolucionit në Prishtinë, më 23 qershor 1981. Sipas ushtarakut Musa Efendia, komandanti Fadil Hoxha e kishte urdhëruar njësinë e Ali Ukshinit, e cila gjendej në Shtime, që të nisej për të hyrë në Gjilan, më së voni deri në orën tre të datës 24 dhjetor 1944, për të “çliruar Gjilanin”, të cilin e kanë marrë ballistët e Mulla Idrisit”, përpos ndërtesës së OZN’së, përkatësisht të burgut. “Neve shkuam dhe e rrethuam Gjilanin. Batalionin tim, në të cilin e kisha një top, të cilin dinte për ta përdorur një oficer nga Shqipëria, e vendosa ku aty tash “Jugopetroli”/ka qenë një stacion i duhanit/, prej nga e gjuajtëm qytetin dhe pastaj u futëm brenda, duke e çliruar këtë qytet…”!?! 5/5
Pas përgjakjes së Gjilanit, më 29 dhjetor 1944 mbahet një takim i Mulla Idrisit mepërfaqësuesin e UNÇSH’së Shefqet Peçin. Sipas të dëshmive të atdhetarit Ramiz Cërnica, takimi midis Mulla Idrisit dhe Shefqet Peçit u mbajt, në malet midis fshatrave Livoç, Ponesh, Gumnishtë dhe Pasjan të Gjilanit. Mulla Idrisin në këtë takim e kanë shoqëruar rreth 20 bashkëluftëtarë, kurse Shefqet Peçin e shoqëroi komandanti i Brigadës VII të kosmetit Shaban Haxhia ”Përzha”, menjë grup partizanësh nga njësia përcjellëse e shtabit. Në këtë takim sipas dëshmitarit tjetër Tahir Zajmi, Shefqet Peqi ka arritur ta bind Mulla Idrisin që të heq dorë nga rezistenca e mëtutjeshme. Shefqet Peçi, me këtë rast Mulla Idisit i ka thënë: “Pse luftoni e derdhni gjak kot, mbasi porsa të stabilizohet gjendja, Kosova dhe gjithë viset shqiptare të Jugosllavisë pa tjetër do të bashkohen me Shqipni, gja për të cilën mund të jeni fare të sigurt?”5/6 Zhvillimet e mëvonshme, në Kosovë dhe në trojet tjera etnike shqiptare, që mbetën padrejtësisht nën administrimin e Jugosllavisë së Titos, dëshmuan të kundërtën e premtimeve të Shefqet Peçit.
Sa shqiptarë u vranë e u masakruan gjatë operacioneve të UNÇJ-së?
Gjatë këtyre operacineve të përgjakshme forcat barbare jugosllave dhe repartet e OZN’së kryen krimet më të shëmtuara, ndaj popullatës shqiptare, si dhe konfiskuan, plaçkitën, dogjën e shkatërruan pamëshirshëm pronat e tyre. Nuk harrohen dot nga kujtesa e popullit vend-kasaphanet për likuidimin e Shqiptarëve në format më mizore, dhe nën tingujt e muzikës së jevgëve, siç ishin: Kulla e Talit në Drenas (ish- Gllogoc), Hani i një serbi në Skënderaj, Kafja e Tozës në Preshevë, Kulla e Popit në Burim (ish-Istok), Hoteli i Zharkoviqit në Mitrovicë, Monopoli i Duhanit në Tetovë, Kulla e Sheremetit në Pejë, etj. 5/2 Gjatë operacioneve të ushtrisë partizane – çetnike të Titos janë vrarë e masakruar në mënyrat më mizore 47.300 shqiptarë. Kështu në: Gjilanë janë vrarë – 7854 shqiptarë, Prishtinë – 3.675, Drenicë – 4.820, Mitrovicë – 1.970, Pejë – 3.540, Ferizaj – 1.260, Podujevë – 1.670, Prizren – 1.200, Gjakove – 800, Rahovec – 750, Suharekë – 420, Dragash – 500, Preshevë – 690, Shkup – 1.450, Kumanovë – 780, Tetovë – 4.100, Gostivar – 715, Kërcovë – 490, Sangjak (Jeni Pazar) – 1.410 Tutin – 900, Bihor – 3.820, Plavë e Guci – 710, Ulqin – 515, Tivar e Dalmaci – 2.600 shqiptarë. Në këtë situatë e tërë pasuria e shqiptarëve të vrarë ishte konfiskuar, asgjësuar ose ishte plaçkitur nga kolonistët serb, që ishin kthyer sipas direktivave të Byrosë politike të KQ të PKJ-së. 6

Marije Shllaku 1922 – 1946

*  *  *

Mobilizimi i shqiptarëve për në frontin e Sremit dhe Kryengritja e Drenicës janar – shkurt 1945
Derisa Brigadat e UNÇSH’së marshuan drejt Sanxhakut, (me urdhëresën e Shtabit Operativ të Kosmetit ( 2.12.1944 ) të miratuar edhe nga Shtabi Kryesor i UNÇ të Serbisë), të gjitha brigadat e UNÇJ-së në Kosovë morën detyra konkrete për çarmatosjen e popullatës shqiptare, në emër të gjoja ”spastrimit të terenit nga bandat kriminale shqiptare”. Kjo urdhëresë vinte si përgjigje në konfirmimet e Shtabit të Divizionit 46 të Serbisë, ku thuhet, se: ”Shqiptarët e Drenicës e gjetiu,…masovikisht po u bashkohen Brigadave të Shqipërisë dhe jo atyre të UNÇJ-së”. Ndërkohë, për t´i realizuar me lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, fillon urgjentisht organizimin mobilizues të brigadave të “Kosmetit” për në Frontin e Sremit, në veri të Serbisë. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944 u përqëndrua në Drenicën heroike, Shtabi Operativ i „kosmetit“ urdhëroi komandën e vendit në Skenderaj të iniconte formimin e një brigade të autorizuar për mobilizimin ushtarak me ”vullnet” të mashkujve të aftë për luftë (për në front të Sremit) dhe me pas t´i bashkohet Brigades VII të „kosmetit“, që komandohej nga Shaban Haxhia. Në mbledhjen themeluese të kësaj brigade (më 6 dhjetor 1944) ku mori pjesë edhe kryetari i Rrethit Hilmi Zariqi me të gjithë parinë e vendit ( shumica prej tyre ish-veprimtarë politikë e ushtarak të Lidhjes së II-të të Prizrenit) për komandat të brigadës u emrua Shaban Palluzha nga Llausha. Në përbërjen e shtabit, Shaban Palluzha përfshiu shumë personalitete të Drenicës, si: Imer Fazliun, Isa Zymerin nga Prekazi, Ramë Sejdiun nga Llausha, Bajram e Miftar Bajraktarin të Llaushës, Mulla Ibrahimin të Hasanprishtinës, Mulla Ilazin të Burojës, Rexhep Gjelin të Likoshanit, Azem Aruqin të Makërmalit, Beqë Çubrelin, Jetullah Muharremin të Rrezallës, Sadik Zenelin, Feriz Bojiqin, Zeqir e Sadik Lutanin të Turiçecit, Shaban e Rifat Kotorrin, Hazir Gjakjen nga Akrashtica e Artakollit, Istref Temën e shumë të tjerë.7
Në Brigadën e Drenicës që me të drejt quhej Brigada e ”Shaban Palluzhës” populli shihte shpresën për të parandaluar masakrat serbe mbi popullsinë e Drenicës dhe të rrethinës. Kjo brigadë kishte shtatë batalione dhe fillimisht numri i luftëtarëve arrinte nga 500 deri në 700 veta, të cilët përbënin elitën komanduese dhe të luftëtarëve të Brigadës. Nga fillimi i janarit 1945 Shtabi Operativ i “Kosmetit”, urdhëroi Shtabin e Brigadës së Shaban Palluzhës, të lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, ku duhet të bashkohej me Brigadën e VII të “Kosmetit”, për të vazhduar rrugën për në Sërbi (Kurshumli – Banjë e Kurshumlisë – Prokuple – Srem). Udhëheqja më e lartë politike dhe ushtarake serbo (jugo) sllave, krahas qëllimit për largimin e Brigadës së Shaban Palluzhës nga Kosova, kishin planifikuar edhe nxitjen e incidenteve për të gjetur si pretekst intervenimin ushtarak kundër forcave të rezistencës së armatosur shqiptare.
Cilat forca ushtarake të UNÇJ’së morën pjesë kundër Brigadës së Shaban Polluzhës?
KNOJ-i për Kosovë në emër të spastrimit të terenit nga “bandat shqiptare…” veçanërisht në rajonin e Drenicës, ndërmorri një operacion të gjerë ushtarak kundër popullatës së pafajshme shqiptare. Në këto operacione antishqiptare morën pjesë: 1. Brigadat I-VI të kosmetit, të cilat përbënin Divizionin 52 të UJ-së; 2. Forcat e Divizionit 24, 26, 44 dhe 46 të Serbisë; 3. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë; 4. Brigadat e Malit të Zi (brigada e I-rë e Bokës dhe brigada e VI) 8 dhe 5. Repartet speciale të OZN-ës të drejtuara nga famëkeqi Spasoje Gjakoviq.*
Shtabi i Brigadës së Drenicës, largimin nga Kosova në njërën anë do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ushtaria jugosllave, ndërkohë që në anën tjetër vuri lidhje me personalitetet dhe me grupet e arratisura në Dukagjin, në Shalë të Bajgorës dhe në Kosovën Lindore, me qëllim të konsolidimit të radhëve për një ballafaqim të mundshëm ushtarak me pushtuesit jugosllavë. Nga mesi i janarit 1945 përfaqësuesit e Shtabit Operativ të Kosmetit: Fadil Hoxha dhe Kërsta Filipoviq ”Grofi”, i garantuan Shaban Palluzhës se do të plotësohen të gjitha kërkesat e shtruara dhe e urdhëruan atë ta lëshonte Drenicën dhe t´i bashkohet Brigadës VII të Kosovës 9, që ishte nisur për në Sremë të Serbisë. Largimi i Brigadës së Shaban Palluzhës nga Drenica deri në Podujevë zgjati katër ditë. Duke kaluar nëpër Artakoll, fshatra të Vushtrrisë, të Permalinës dhe të Llapit, njësive të Brigadës iu bashkuan rreth 3.500 veta, të cilët ndiheshin të rrezikuar nga ushtria jugosllave. Brigada e VII e “Kosmetit” (të cilës ishte planifikuar t´i bashkohet Brigada e Drenicës) sipas urdhërit 151/45 (pa datë) të lëshuar nga Shtabi Operativ i “Kosmetit”, ishte planifikuar që e ndarë në tri grupe (eshallone), të marshojnë 9.500 veta për në Frontin e Sremit (në dokumentat ushtarake evidentohen vetëm 7.500 të mobilizuar!!).

Shaban Polluzha 1871 – 1945

*  *  *

1. Eshaloni i parë me 3.300 veta, do të niset më 21.01.1945, në krye me Qamil Brovinën; 2. Eshaloni i dytë me 3.100 veta, do të niset më 22.01.1945, në krye me Shaban Haxhin; 3. Eshaloni i tretë me 3.100 veta, do të niset më 25.01.1945, në krye me Miqa Mijushkoviqin.
Këto eshallone do të udhëtojnë këmbë prej Podujevës deri në Kurshumli. Edhe brigadat VI dhe VIII të “kosmetit” me 9.000 shqiptarë, do të ndahen në dy eshalone sikurse më poshtë:
1. Eshaloni i parë me 4.300 veta do të niset më 20.01.1945 në krye me major Popoviqin dhe kapiten Vllado Simiqin.
2. Eshaloni i dytë me 4.700 veta do të niset më 21.01.1945 në krye me Glisho Sharanoviqin dhe Sllobodan Filipoviqin (në dokumentet ushtarake evidentohen vetëm 3.100 veta – vërejtja imeSh.B ). Këto eshalone, pasi do të udhëtojnë këmbë në rrugën: Gjilan – Bujanovc, nga Ristovci do të vazhdojnë rrugën me tren për në Srem. Për këtë rrugëtim të brigadave kosovare, Shtabi i Divizionit 46 serb më 17.01.1945 do të lëshojë një dokument (urdhër) sekret, në të cilin do t´i njoftonte brigadat e veta 25, 26 dhe 27 të dislokuara në Kosovë, për udhëtimin e njësive shqiptare të Brigadës VII, në rrugën Podujevë – Kurshumli… dhe u theksonte se në ato njësi konsiderohet se ka shumë dezertorë dhe kriminelë të njemendët, ndaj u urdhëruan që t´u vihej roje përgjatë rrugës (në të dy anët e Grykës së Llapit) në mënyrë që të pengojnë dezertimin e tyre.10
Rezistenca e Brigadës së Shaban Polluzhës
Derisa makineria ushtarake jugosllave vriste popullsinë e pafajshme shqiptare gjithandej Kosovës 11, sipas kujtimeve të martires shkodrane Marije Shllaku, shtabi i Brigadës së Drenicës, më 21 janar 1945 në Gryk të Llapit, mbajti një mbledhje, në të cilën ishin ftuar rreth 100 personalitete shqiptare të arratisur (në mesin e tyre ishin edhe Prof.Ymer Berisha dhe Ukë Sadiku) për të vendosur, lidhur me shkuarjen apo mosshkuarjen e Brigadës nga Kosova dhe për kahet që duhet të mirrte Lëvizja e Rezistencës Shqiptare. Në shenimet e saj (për këtë mbledhje) Marije Shllaku saktësoi: ”Bëmë një bisedë paria, për gjendjen e ngushtë që na paraqitej, të vdesim dhe të mos biem nën Serbi: edhe në paqim mundësi të shpëtojmë pa luftë. Në qoftëse jo, të çohemi të gjithë dhe të mbrojmë, por të mos e lëshojmë Kosovën”. 12
Në një takim të fundit, të mbajtur më 23.01.1945 në Gllamnik, në mes Shaban Polluzhës dhe përfaqësuesit të Shtabit Operativ të“Kosmetit”: Ismet Shaqirit, këtij të fundit iu kumtua kundërshtimi i shkuarjes së Brigadës për në Srem (Serbi), për shkak të vrasjeve dhe masakrimeve të popullsisë shqiptare që kryenin brigadat jugosllave anë e këndë Kosovës.
Pas dështimit të bisedimeve, Shtabi i Brigada së Drenicës më 23 janar 1945 i bëri përgatitjet e mundshme për daljen nga rrethimi i shumëfisht i ushtrisë jugosllave me humbje sa më të vogla. Më 24 janar 1945 brigada la Grykën e Llapit dhe marshoi drejtë djepit të qëndresës shqiptare – Drenicës. Fillimisht Brigada dislokohet përreth Gllamnikut, ndërsa Shtabi i saj vendoset në Gllamnik. Në orën 16 të asaj dite, gjatë marshimit të Brigadës nga Gllamniku në drejtim të Barilevës për të depërtuar në malet e Qiqavicës, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, Fadil Hoxha, urdhëroi njësitë e veta të shtinin 14 predha topi 13 në mesin e ushtarëve të Brigadës së Drenicës. Mirëpo, luftëtarët e brigadës u mbrojtën me sukses nga sulmet e tilla dhe pa kurrfarë humbjesh vazhduan rrugën. Ndeshja e parë ballore e Brigadës me Ushtrinë pushtuese jugosllave ndodhi më 25 janar 1945, në Artakoll. Ndonëse më 26 janar Shaban Palluzha me 500 – 700 luftëtarë besnikë, deperton në Drenicën qëndrore, pjesa tjetër e luftëtarëve që vinin nga Llapi, Permalina, Artakolli… u shkëputën (nga brigada) për të depërtuar në Shalë të Bajgorës e gjetiu, me qëllim të organizimit të rezistencës në ato rrethe.
Nga luftimet e përgjakshme deri me 31.01.19145 krijohet një “Zonë e Lirë” në të cilën do të përfshihen 20 fshatra të Drenicës, si: Tërsteniku, Bajica, Palluzha, Shtutica, Dashevci, Mikushnica, Luboveci, Oshlani, Obria e Epërme, Obria e Poshtme, Açareva, Obiliqi i Epërm, Obiliqi i Poshtëm, Krushevica dhe disa fshatra përreth. Gjatë këtyre betejave Brigada e Shaban Palluzhës ka shpartalluar disa njësi serbo-malazeze si dhe 1/3 e Brigadës 25 serbe. Brigadat jugosllave, në kuadër të të cilave ishin mobilizuar mbi 40 mijë ushtarë, ato ditë morën urdhër që të shkatërrohen me artileri të rëndë, të gjitha fshatrat e fortifikuara që bëjnë rezistencë të armatosur. Në zbatim të këtij urdhëri u dogjën e u rrënuan me tokë fshatrat: Tërstenik, Obria e Epërme, Obria e Poshtme, Plluzhina, Tica, Likoci, Rezalla, Palluzha, Krushevci dhe Dashevci, ndërsa pjesërisht u rrënuan: Polaci, Kozhica, Prelloci, Gradica dhe disa lagje nga fshatrat tjera.

(VIJON…)

…………………………….

*  *  *

_____________________________________________

SHERADIN BERISHA: RIPUSHTIMI I KOSOVËS, DHE MOBILIZIMI I SHQIPTARËVE NGA UNÇJ (1944-1945) (I)
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=1315
***
SHERADIN BERISHA: RIPUSHTIMI I KOSOVËS, DHE MOBILIZIMI I SHQIPTARËVE NGA UNÇJ (1944-1945) (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1318

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura