SHERADIN BERISHA: SI U PREZENTUA SHQIPËRIA DHE KOSOVA NË PANAIRIN NDËRKOMBËTAR TË LIBRIT – NË FRANKUFRT

Frankfurt, 18. 10. 2013 – Nga 09 deri më 13 tetor 2013 në Frankfurt të Gjermanisë u mbajt edicioni i 65’të Ndërkombëtar i Panairit të Librit. Në hapjen e këtij edicioni, drejtori i Panarit, Jürgen Boos, ka shprehur optimizmin për fatin e ‘industrisë së librit’, përkundër rënies së shitjes në këto dy vitet e fundit nga 0.8-1.4 %. Sipas të dhënave të organizatorit sivjet kanë marrë pjesë mbi 7.300 botues nga 100 shtete të botës, ndërsa ishin të pranishëm rreth 1.500 shkrimtarë nga e gjithë bota, 600 agjentë letrarë si dhe u realizuan mbi 3.600 aktivitete të ndryshme që lidhen me librin dhe botimin e tij. Në këtë edicion mysafir nderi ishte Brazili, dhe nën moton “Brazili – një vend plot zëra” ky shtet, në stendën e tij të madhe ka prezantuar ecuritë zhvillimore në botimin e librit. Në këtë event të madh ndërkombëtar u ndanë edhe dy çmime të rëndësishme: Çmimi i Paqes i Librarëve Gjermanë, iu nda bjelloruses – Svetlana Aleksieviç, ndërsa Çmimi Gjerman i librit: hungarezes – Terezia Mora. Panairi i Librit në Frankfurt (Frankfurter Buchmesse) është njëri prej evenimenteve më të mëdha të librit në botë dhe mbahet rregullisht nga viti 1949, ndërsa origjina e tij është rreth 500 vjeçare.


 * * *
Në Panairin e sivjetmë, morën pjesë tri shtëpi botuese nga Shqipëria: “Onufri” me drejtor Bujar Hudhrin, “Minerva” me drejtor David Hudhrin dhe “Botimpex” me drejtor Edvin Begajn, ndërsa Kosova (në Sallën 5.1 me stendën E150) u përfaqësua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) me seli në Prishtinë, nën drejtimin e nënkryetarit të SHBK-së, Besian Zeneli. Në kuadër të SHBK-së, u prezentuan 25 shtëpi botuese dhe insitucione akademike, të cilat me botimet e tyre (edhe në gjuhën angleze) kishin ndërtuar gjithë mozaikun e arritur brenda një viti kalendarik. Me këtë rast u prezentuan: “Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”, “Asociacioni për Integrimin Kosovar Demokratik – AIKD’99”, “ALB-MED”, “ALBAS”, “Anton Pashku”, “Artini”, “BSS”, “Buzuku”, “Cuenus”, “Dija”, “Drita”, “Dukagjini”, “Faik Konica”, “Instituti Albanologjik i Prishtinës”, “Instituti i Historisë”, “Koha”, “Libri Shkollor”, “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”, “Mendimi Pozitiv”, “Pa”, “Rugova Art”, “Tenda”, “Titanik”, “Universiteti i Prishtinës” dhe “Zëri”.
* * *
Gjatë ditëve të panairit, lexuesit shqiptar dhe ata të huaj patën mundësi të njiheshin me shumësinë e librave shqip, dhe paraqitjen e stendave të botuesve shqiptarë karshi shtëpive tjera botuese. Derisa Brazili (si mysafir nderi i këtij edicioni) ka shpenzuar rreth gjashtë milion euro për stendën dhe prezentimin e botuesve të librit brazilian, shteti shqiptar nuk ka dhënë asnjë cent për një stendë për tri shtëpitë botuese që morën pjesë në panair. Këtë fakt të hidhur e mësuam nga drejtori i “Botimpex” z. Edvin Bega. “Si çdo vit tjetër edhe sivjet ne botuesit shqiptar marrim pjesë në këtë panair me shpenzimet tona, pra nuk kemi asnjë ndihmë financiare nga qeveria shqiptare, gjegjësisht nga Ministria e Kulturës.” – thotë z. E.Bega. Edhe Bujar Hudhri (drejtor i Onufri’t) shpreh indinjatë për Indiferentizmin e pakuptimt të shtetit ndaj botuesve shqiptar, për prezentim sa më dinjitoz të librit shqip në këtë panair ndërkombëtar.
* * *
Ndërkaq, në krahasim me botuesit nga Shqipëria, Shoqata e Botuesve të Kosovës (*) ka bërë një prezentim më dinjitoz. Nënkryetari i SHBK-së z.Besian Zeneli (i cili përfaqëson edhe Shtëpinë Botuese “Buzuku” në panair), ka thënë për pashtriku.org, se: “Stenda ku prezentohen librat e botuesve nga Kosova është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), edhe pse mjetet për këtë qëllim nga kjo ministri (në xhirollogarinë e SHBK-së) janë derdhur me vonesë”. Në këtë edicion të librit, SHBK-ja ka prezentuar rreth 300 tituj në gjuhën shqipe dhe angleze, të botuar kryesisht në dy vitet e fundit. Me këtë rast vlen të veçohet, “Monografia për Kosovën” e botuar në gjuhën angleze, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Në panair përfaqësuesi i “Buzuku’t”, Edon Zeneli ka takuar edhe shkrimtarin e njohur francez Maithas Enard, me të cilin ka biseduar për romanin e tij: “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët (Parle-leur de batailles, de rois et d’éléphants), i cili këto ditë do të botohet (nga Buzuku) në shqip, me përkthim të Izet Sylajt. Në këtë roman shtjellohen ngjarje të vitit 1506, me kryepersonazhët e çuditshëm skulptorin gjenial Mikelanxhelo dhe poetin prishtinas Mesihi.
* * *
Të shtunën, më 12 tetor 2013, në ambientet e stendës, u zhvilluan njëkohësisht edhe dy aktivitete të rëndësishme me karakter kulturor e kombëtar: Fillimisht në stendë u shpalosën 3 flamuj kombëtar me mbishkrimet “Ҫamëria, Shkupi dhe Presheva”, që simbolizonte ndarjen e trojeve shqiptare në Konferencën e Londrës – 1913, dhe në këtë atmosferë Kuq e Zi, u promovuan dy vëllime me poezi: “Buzëqeshja e trishtë” i autorit Hasan Qyqalla, botuar nga Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë 2013; dhe vëllimi “Në shesh të shpirtit” i autorit Muhamet Luma”, botuar nga e njejta shtëpi botuese, në maj të këtij viti. Për këto vëllime folën, Sevëme Fetiqi, Vjollca Kaçiu dhe autorët e librit: Hasan Qyqalla dhe Muhamet Luma, ndërsa veprimtarja e njohur Sindi Zonja, recitoj poezinë “Moj Evropë…”, si porosi dërguar Fuqive të Mëdha, për padrejtësitë që i janë bërë shqiptarëve në këto 100 vjet! Gjatë ditës së shtunë grupi i veprimtarëve: Ahmet Sadiku, Stefan Tirana, Sindi Zonja, Qazim Sylejmani dhe Vjollca Kaçiu, kanë kryer një aktivitet të gjerë, duke shpërndarë (tek shtëpitë më të mëdha botuese dhe pjesëmarrësit e shumtë në panair) materialet në gjuhën gjermane dhe angleze: “Bashkimi i Shqipërisë së vogël, fillimi i Drejtësisë së Madhe” bashkë më Peticionin – për anulimin e vendimeve të Konferencës së Londrës – 1913.
* * *
Edicioni i 66’të Ndërkombëtar i Panairit të Librit për vitin 2014, do të mbahet nga 08 deri më 12 Tetor 2014, ndërsa mysfirë nderi do të jetë Finlanda.
_______________
(*) Shënim për SHBK-në:
Shoqata e Botuesve të Kosovës është themeluar në janar të vitit 2000 nga: Abdullah Zeneli – “Buzuku”, Daut Demaku – “Rilindja”, Mithat Lepaja – “Dija”, Eqrem Basha – “Dukagjini” dhe Bajram Shatri – “Libri shkollor”. Në Kuvendin e anëtarëve të SHBK’së, të mbajtur në 12 prill 2010 është zgjedhur Bordi i ri në përbërje: Daut Demaku – “Mendim pozitiv”, Besian Zeneli – “Buzuku”, Mithat Lepaja – “Dija”, Beshir Zyberi – “Albas” dhe Ali Mehmetaj – “Titanic” dhe Bordi ka zgjedhur kryesinë: Daut Demaku, kryetar; Besian Zeneli, nënkryetar dhe Mithat Lepaja, sekretar. Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) ka për qëllim afirmimin e veprimtarisë botuese të Kosovës si në vend ashtu edhe jashtë. Një nga format më të suksesshme që libri të gjendet sa më afër lexuesit është organizimi tradicional i panairit të librit në Prishtinë si dhe pjesëmarrja e botuesve të Kosovës me stendë të përbashkët në panairin e përvitshëm të Librit që mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.

======================

– NGA PANAIRI I LIBRIT NË FRANKFURT –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura