SHFAQJA “PALLATI 176”

SHFAQJA “PALLATI 176”

Rivendoset në skenën e Ulqinit shfaqja më feministe shqiptare  “Pallati 176”

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 28 Prill 2022

Në  ambientet e  Qendrës për Kulturë të Ulqinit, më 17 prill, u shfaq komedia e njohur shqiptare “ Pallati 176”. Kjo pjesë teatrale u realizua me mjeshtri nga një grup aktorësh të këtij qyteti: Bashkim Alaj (Jovan Bregu), Musa Hoxha (Perikliu), Amina Luka (Rita), Muho Uruçi (Fredi), Amra Demiri  (Elsa), Blerta Kurti (Liria), Kujtesa Kurti (Marjeta) Edis Luka  (Sandri) , Kujtesa Kurti, dhe Diandra Koçan (Irena). Ndërsa pjesë e stafit realizues janë drejtori i Qendrës  së Kulturës, Musa Hoxha, regjisorja Edina Mustafiq  dhe skenografja  Jetmira Hoxha.

“Pallati 176” është një nga ato komedi të pakta të skenës shqiptare, me disa elemente feministë, e shkruar në vitin 1968, kur sistemi diktatorial në Shqipëri ishte në fuqi, e parë me dhjetëra herë. Kjo fabulë e bukur, e veçantë, shumë e dalluar  dhe interesante pati aq sukses sa edhe sot pas 36 vitesh është po aq e kërkuar, e diskutuar dhe e shikuar. Jo vetëm brezat e asaj kohe, por edhe brezat e sotëm 12-15- vjeçar po e ndjekin me vëmendje dhe dëshirë. Se kjo vepër i rezistoi kohës dhe mbeti e suksesshme dëshmon edhe rivënia e saj në skenën e Ulqinit. Loja e aktorëve, edhe pse shumica amatorë, ishte e suksesshme. Ata me interpretimet e tyre entuziazmuan publikun, i cili i shpërbleu me duartrokitje, kurse ata i vunë vetes një notë të mirë, dhe treguan dashurinë dhe pasionin e vet që kanë për  artin skenik dhe teatrin.

Drejtori i Qendrës së Kulturës Musa Hoxha, njëherazi  edhe ideator i rivënies së kësaj shfaqje në skenën e Ulqinit, shprehet se ishte një ëndërr e tij e  kahershme që të luaj rolin e Perikliut, edhe pse  në fillim ka hezituar ta pranojë,  duke pas parasysh peshën që mbartë ky rol e kjo shfaqje.

“Kur mu  ofrua ky rol në fillim isha skeptik me i rezervuar, por duke parë një entuziazëm tek këto të rinj e të reja, e pranova. Thash pse jo!  Ka qenë një nder i madh për mua të jem pjesë e këtij ekipi, sepse energjia e mirë nuk mungoi as gjatë provave dhe as gjatë premierës. Duartrokitjet e të qeshurat e publikut ishin vula më e mirë e realizimit të kësaj pune me përkushtim e vullnet të madh”, thotë Hoxha.

Regjisorja Edina Mustafiq vlerëson se e bukura e këtij projekti është pjesëmarrja e moshave të ndryshme të artistëve që kanë përzgjedhur të jenë pjesë e kësaj shfaqjeje, të cilët me përkushtimin e tyre, dëshmuan edhe njëherë se sa e nevojshme dhe e domosdoshme është që  edhe qyteti i Ulqinit të jetë i pasuruar në këtë fushë.

“Kënaqësia më e madhe pas përfundimit të një projekti është reagimi i publikut, i cili e mirëpriti këtë  shfaqje te cilën e kemi punuar me shumë dashuri për ta, sepse i kemi të nevojshme dhe të kërkuara shfaqjet në zhanrin e komedisë në qytetin tonë”, nënvizoi Mustafiq, duke paralajmëruar së shpejti reprizën e parë

Skenografja dhe  kostumografja  Jetmira Hoxha, shpjegon se “Pallati 176” është një komedi që ka bërë bujë te madhe ne vitet ’80-të e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të jetë një ndër komeditë më të bukura shqiptare. “Duke pasur  parasysh peshën që ka si shfaqje, këtu fillonte dhe frika e pasiguria për ta risjellë në skenën tonë. Përtej vështirësive qe ka pasur i gjithë ekipi ( stafi) punues, shfaqja pati një sukses  që i kaloj pritëshmëritë  tona  dhe të  publikut.

Unë si skenografe e kostumografe dhe pjesë  e stafit realizues jam munduar që sadopak, me kushtet tona, t’i përshtatemi  në çdo detaj origjinalit të shfaqjes “Pallati 176” të vitit 1986. Unë jam tejmase falënderuese të gjithë ekipit qe punuan pa ndërprerë për rreth 3 muaj me përkushtim dhe dashuri, që kjo shfaqje të risillet në mënyrë të denjë ne qytetin e Ulqinit.

Amina Luka (aktore në rolin e Rites) pas shfaqjes u deklarua shumë e kënaqur dhe e privilegjuar që iu ofrua mundësia të  luajë këtë rol.

“ Kur u bë ftesa nga Edina, e pranova me shume kënaqësi, sepse është  nder  për  mua që të luaj këtë rol,  të luajtur në mënyrë brilante  nga e ndjera Violeta Manushi (artiste e popullit). Vërtetë ishte kënaqësi, dëshirë, nder… Por në të njëjtën kohë ishte edhe frikë e madhe. Frikë se do dalë një kopje jo e mirë e komedisë  “Pallati 176” dhe se sa unë  do arrij ta sjell atë çka publiku  priste  nga ky rol.  Mirëpo, ditën e shfaqjes e morëm përgjigjen nga publiku, i cili shfaqjen e priti shumë mirë, kishte të qeshura e duartrokitje pafund”, theksoi Luka.

 Aktorët e rinj ulqinakë  të frymëzuar  nga personazhet e tyre, të cilët  u interpretuan  në teatrin shqiptar  nga aktorët më të njohur  të Tetarit Kombëtar të kohës, si: Roland Trebicka, Elida Janushi, Violeta Manushi, Gëzim Rudi, Merita, Zoto, Eva Alikaj, Pavlina Mani, Ilir Bezhani dhe Anastas Kristofori ,  dhanë më të mirën e tyre të mundshme, duke  u munduan të harrojnë çdo gjë  që nga momenti  kur hynë në skenë. T’i lënë jashtë hallet, problemet, shqetësimet, frikën. T’i jepen   tërësisht rolit. Të  bënin  rolin  të  vërtetë. Dhe,  ia kanë arritur qëllimit. U falën humor e gëzim të gjithëve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura