Nga Rexhep Kasumaj, dimër, 2024
SHFORMIMI VULLNETAR
(Një kulturë e vetëmohit të tymtë)
1.
Ndër shqiptarë zhvillohet, së fundmi, një proces i dëlirjes së madhe.
Më i veçanti i të gjithëve.
Nuk është politik, i stisur e përbetues, si motesh tiranike. As ushtri perandorake me marshtarë e munxadhënës. Por, njëkohësisht, s’është përkitës me krahun tjetër: themelvënje e vështirë deri në flijim i një ngrehe të gardhuar që i thonë shtet.
Pastaj është i prâjshëm. Paqësor e i padhunshëm askund. Aq më pak vrulltar. Madje, në ngadalësinë e tij, ngjan krejt i mpirshëm.
Është, pra, procesi fatal i vetëshformimit identitar.
Në dukje ngjan një paradoks i rrallëdëgjuar. Liri. Energji sociale. Përtëritje e racës. Emancipim. Universitete. Dije. Kulturë. Dhe sërish, dhiaresh të rrëpinta, përvijohet njëj helmi të ëmbël hemoragjia shpirtërore.
2.
Ky proces shfytyrimi, ndodh, ndaj, dy linjash paralele në përplotësinë e hënëmarrokshme.
Ndërsa m’një anë,
anatemohen e shpallen të huaj përsonalitete emblematike shqiptare të shekujve – m’anë tjetër zhbirohen biografira të atyre që, dhe n’e kanë pasur një fragment gjenealogjie, nuk janë më shqiptarë. Kanë kryer kiminë e shuarjes duke përfunduar qyshkur në oborre të tjerë. Në historinë dhe lavdinë e atyre që dinë t’i përulen hirësisë sublime.
3.
Ja, pra, merrini. Nuk janë tanët. Merreni lirisht Gjergjin. Ishte serb. Bëri gjithë atë luftë që mrekulloi Europën për principatë e prona sllave. E Kadare, për ç’na duhet? Ishte turk që, nga kompleksi i atëvrasjes apo i arratiakut të hershëm, për të zhdukur gjurmët e rrënjës, shkruan përbuzshëm për fisin e vet. Migjeni, poashtu. Ishte i gjori malazez. Merreni edhe atë. E sidomos atë mantenutën Terezë, së cilës dhe “nënë” i thërrasin. Tregtoi shpirt me t’paudhin. Le të kthehet e mallkuara mbapsht, në fund të botës. Po horrin Ismail Qemali që s’dinte dy fjalë shqip e vëllaznohej me grekë, kush e do? Ramiz Alia, që dikush e pat cilësuar profet demokracie, s’kje shqiptar. Fshijeni kujtese. Kishte gjak boshnjaku, dmth. sllavomusliman. Ç’turp që do t’printe në stinë të vështira një rom. Rugova, a s’kishte dhe ai prejardhje të largët ciganërie? E i thonë, madje, president historik! Ç’marrëzi! Po Naimi i Frashërllinjëve, ç’ishte? Ah, për të zezën tonë, kje vllah. Si mund t’a ndjejmë atë, bashkë me vëllezërit e tij, të tre arumunë? Merrini, për besë. I po këtij soji qenkësh dhe valltari i yjëve, Lasgushi dhe përralla e tij: do vijë dita të themi, mos e ngritshim këtë dolli pa Kosovën…Dhe tani ky i voni, Ademi i Jasharëve me këtë emër të dyshimtë otoman, ç’flijimtar i shpifur ishte, vallë? A s’kje veçse një humbaman që terrorizoi fëmijët e vet?!
Ja, pra, merrini të gjithë. Nuk i prehin zemrat tona. Duam të rikthejmë Karagjorgjen dhe ndonjë Kryevezir a sadrazem, vali a kajmekam të fikur. Madje, të këmbejmë Fishtën (a nuk briti vetë në kupë të qiellit se s’është më shqiptar?) me Vuk Karaxhiqin e çalë. Sepse, dhe ai, paskësh pasur kryehershëm degëzim arbnor. Po nuk e lëmë dot menjanë Markun, Mark Krasniqin që na ishte një romak i fshehtë. Punë e madhe që inspiroi e i priu frymërisht 68-ës së madhe e, me dy tre burra të tjerë, hapën Universitetin, tempullin e dijes që do të paravarroste shpirtin serbian në Kosovë. Merreni pa dhimbje, ashtu si Spassen, këtë bullgar të shkretë. Ose, sigurisht, dhe në arenën e vonë politike: të japim Thaçin a Kurtin se, me gjasë, nga një rrem shartohen diku me serbë e, kushedi malazezë Vladimiri dhe, në vend të tyre, të marrim dy madhnorë të tjerë: Zaevin e Shkupit që, si qenka shprehur vetë, heq një burimësi të kulluar e të tretur arbnore dhe pa ndërdyshje fare, atë Markovskin e harruar që i printe qëhershëm komunistëve të Maqedonisë e fliste aherë akoma shqip (rrëfim gojëdhanor i A. Vllasit). Por, o njerëz të mirë, si t’mos gëzojmë për Donaldin, Donald Trumpin që, edhe ai, ç’mrekulli o Zot, doli të ketë rrënjë puroshqiptare dhe turbullon e dridh botën. Veçse pa harruar asnjëherë kreninë tonë, Bonaparten, djaloshin aventuroz shqiptar të Korzikës që pat vënë nën këmbë gjithë Europën…
4.
Po ç’shtjellë ndjekë procesi i çuditshëm i shformimit entuziast?
Plot mall përvëlues për një tjetër ftyrë e shpirt, i ngjason në krejtësi vdekjes dimnore.
I ftohti hyn tinëzisht, ngrin gjakun dhe, duke bërë t’përftojnë hijadhë ngazëllime, thirrje, zhvendosje ngjyrash e tinguj evgjitësh, shuan krijesën shpirtvjetër.
Dhe vdekje është emri i saj!
5.
Në fakt, ne s’kemi hekura në trup. I hodhëm. Kanë mbetur ende vetëm në disa gjymtyrë të këputura. Por kjo nuk është e gjitha. S’është kjo fatkeqësia e vetme që kumton Orën e ligë.
Ne hekurat i kemi në frymë. Një nyjëtim me indin kohëthellë të mbijetesës. Të mësuar qindra vjet, nuk mund të jetojmë pa gudulisjen e tyre të qefintë në honet e e qenies së pafat. Janë përmasë, shenjë njohëse e, poaq, një diademë sylëbyrëse si drita nordike. E, që këtej, damkë e koduar e llojit n’për dredhkat e errëta ekzistenciale. Me ta kemi bërë udhën e gjatë dhe, po me ta, njëj besnikërie të përulshme robi, do shtegtojmë larg në kohët që vijnë…
6.
Tani, së mbylluri, pse t’mos bëjmë distancën reale nga një pandehmë. Nga një shfajsim. Shfajsim që stolis marrëzinë e bredhëritjes identitare ndër ftoma epokash.
E, ndaj: urren Europa shqiptarët?
Jo! Është gabim!
Janë ata vetë, që sipas një pakti të pashkruar, i dhurojnë asaj me zell e gjithmonësi, dëshminë për këtë – çdo ditë, çdo orë, e çdo frymëmarrje të tyre.
Nuk jam i detyruar të bëj zgjedhje midis Europës e Turkisë, i pat thënë, disi doktrinarisht, shtypit francez një President Kosove (H. Th.) pak vite më parë.
Por, si për t’a qortuar, një president tjetër, poashtu francez, Michel Macron, do të shpallte këtyre ditëve një mesazh të kundërt, një ftesë për reflektim të thellë qytetnues në Tiranë. Dhe, ashtu, griste përlhurën keqkuptimit tek thoshte fjalën historike: ju jeni themeluesit e Europës!
Emigrantët që s’ikim më, si dikur, drejt Azisë, por vezullisë së Europës, anise mbushur dhimbje, me fatin dhe jetën e tyre rr’fejnë Shtegun e vërtetë…