SHKOLLA SHQIPE NË ZVICËR …

Shkolla Shqipe Zvicër/ Hapet pika shkollore në Effretikon të Kantonit të Zyrihut!

… Përpjekjet nuk kanë të ndalur. Gjatë gjithë vitit shkollor kemi bërë çmos që të hapim sa më shumë klasa dhe në orët mësimore të gjuhës e të kulturës kombëtare të përfshijmë sa më shumë fëmijë të mërgimtarëve shqiptarë, me të vetmin qëllim që ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.

Mësuesja Alma Mico me nxënësit e Shkollës Shqipe në Effretikon të Kantonit të Zyrihut

E premtja e datës 12 maj 2023 solli buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve të cilët të lumtur, të gëzuar u ulën në bankat shkollore të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, në pikën shkollore në Effretikon. Gëzimi shihej qartë jo vetëm në fytyrën e nxënësve por edhe të mësueses Alma Mico, e cila mundohej në mënyra të ndryshme t`ua bëj sa më të lehtë orën mësimore në këtë ditë fillimi të mësimit të gjuhës amtare.  

Një gëzim dhe kënaqësi e veçantë shihej edhe në fytyrat e prindërve duke i parë fëmijët e tyre në klasë duke shfletuar abetaren e gjuhës shqipe, leximi e shkronjave apo shqiptimi e fjalëve.

Nxënësit  Floriani, Ronisi, Ronesa, Albini, Ismajli, Amirja, Lina, Amina, Dorela, Ensari, Anuri, Almiri, të cilët erdhën  në orën e parë dhe të tjerët të cilët do t`iu bashkëngjiten në ditët në vazhdim e shikonin mësuesen me një gëzim të veçantë sepse për ta kishte filluar një ditë e re, një ditë ku ata do të mësonin edhe gjuhën shqipe.

Një angazhim në shërbim të arsimit shqip, në shërbim të shkollës shqipe, koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, së bashku me mësuesen Alma Mico dhe nxënësit e shkollës shqipe në Effretikon, të Kantonit të Zyrihut

Dhe fare në fund duke ju dëshiruar nxënësve dhe mësueses suksese pafund urojmë dhe apelojmë te të gjithë bashkatdhetarët që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të premte nga ora 17-19:00. Adresa e Shkollës është Schulhaus Watt, Lindenstrasse 68307 në Effretikon.

“Shkolla Shqipe” – Zvicër

Sektori për informim

********************************

“SHKOLLA SHQIPE” ZVICËR

FTESË PËR REGJISTRIMIN E NXËNËSVE PËR VITIN SHKOLLOR 2023/24

“Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me  mësimin e gjuhës së vet.” F. Shiroka

Të dashur Prindër,

Për të qenë sa më afër jush dhe për t’i mësuar ABC-në nxënësve shqiptarë, “Shkolla Shqipe” ka ”shtrirë krahët” pothuajse në të gjitha kantonet e Zvicrës, me premtimin që do jemi çdo vend, aty ku prindërit shqiptarë shfaqin interes, që fëmijët e tyre t`i vijojnë mësimet edhe në gjuhën amtare.  

Me kënaqësinë, vullnetin dhe dëshirën e madhe për përhapjen e njohurive të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare për fëmijët e komunitetit shqiptar në Zvicër, i bëjmë THIRRJE të gjithë prindërve shqiptarë, që fëmijët e tyre, të moshës shkollore (nga klasa e parë deri në klasën e tetë), t’i regjistrojnë  në klasat shqipe.

“Shkolla Shqipe” dhe stafi i saj, me mbështetjen e Ambasadës së RSH në Bernë, si dhe Ambasadave të RKS-së dhe të RMV-së po bën çdo përpjekje për të siguruar, që fëmijët të kenë një arsimim cilësor dhe me standarde dhe programe të përbashkëta të miratuara nga dy ministritë e arsimit, asaj të R. së Shqipërisë dhe R. Kosovës.

Përpjekjet vazhdojnë për tu shtrirë dhe hapur klasa shqipe në çdo cep të Zvicrës në mënyrë që të jemi sa më pranë fëmijëve shqiptarë dhe tu ofrojmë mundësinë gjithsecilit për të mësuar gjuhën, kulturën dhe historinë kombëtare.

Ndaj e përsërisim dhe një herë THIRRJEN me lutjen më të sinqertë që t’i regjistroni fëmijët tuaj në “Shkollën Shqipe” në Zvicër. Ju mirëpresim kurdoherë!!

Bashkohuni me ne! Të mësojmë shqip!

Mund të na kontaktoni në çdo kohë:

“Shkolla Shqipe” –  Zvicër
Tel: +41 76 321 26 94
[email protected]
www.shkollashqipe.ch

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura