SHPALLJA E PAVARËSISË – AKT ME RËNDËSI HISTORIKE

SHPALLJA E PAVARËSISË – AKT ME RËNDËSI HISTORIKE

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 23 Nëntor 2021                      

Fitoret e shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan, në të mirë të aleatëve ballkanikë. Patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim”. Duhej të mblidhej një kuvend kombëtar që do të parandalonte copëtimin e Shqipërisë dhe do të ruante tërësinë tokësore të saj. Nismën për këtë veprim e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Trepalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej një “komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë vendi; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mbledhja e Bukureshtit nuk përcaktoi qartë në do të kërkohej autonomi a pavarësi. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin Leopold Berhtold (Leopold Berchtold, 1863-1942) si dhe me ambasadorin italian.

Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Por, autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze dhe greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.

            Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Më 19 nëntor 1913 Ismail Qemali deklaroi në Trieste se “…sapo të mbërrinte në Shqipëri do të shpallej pavarësia dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme…”. Në Vlorë tanimë ishte formuar komisioni për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar. Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij arritën në Durrës më 21 nëntor 1912. Bashkë me atdhetarët durrsakë vendosi t ngrinte në qytetet flamurin kombëtar. Kundër këtij veprimi reaguan autoritetet osmane të ndihmuar nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhespot Jakovi.

            Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës dhe të Krujës Ismail Qemali me shokët u nisën për në Kavajë. Që andej kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës. Më 25 nëntor arritën në Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur … “ shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij.

Më 26 nëntor 1912 ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me të cilën porositeshin t’i mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin në gatishmëri. Ndërkohë ushtria serbe i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi dhe Tirana, ndërsa më 27 nëntor – Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Në mbrëmjen e 27 nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.

Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan, duke arritur në 63 vetë, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës dhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Delegatët të Kuvendit ishin: nga Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora; nga Shkodra: Luigj Gurakuqi; nga Berati: Sami Vrioni, Ilias Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara; nga Skrapari: Xhelal Koprenca, Hajredini Cakrani; nga Lushnja: Qemal Mullai, Ferit Vokopola, Nebi Sefa; nga Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu; nga Mati: Ahmet Zogu, Riza Zogolli, Kurt Agë Kadiu; nga Ohri dhe Struga: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Soilliu, Hamdi Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima; nga Durrësi: Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikoll Kaçorri; nga Tirana: Abdi Toptani, Murat Toptani; nga Shijaku: Xhelal Deliallisi, Ymer Deliallisi, Ibrahim Efendiu; nga Kruja: Mustafa Merlika-Kruja; nga Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Qemal Karaosmani, Dervish Biçaku; nga Peqini: Mahmud Kaziu; mga Gramshi-Tomorrica: Ismail Qemali Gramshi; nga Gjirokastra: Azis Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli; nga Përmeti: Veli Këlcyra, Syrja Vlora; Tepelenë: Feim Mezhgorani; nga Janina: kristo Meksi, Aristidh Ruci; nga Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Aziz Tahir Ajdonati; nga Delvina: Avni Delvina; nga Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo; nga Pogradeci: Hajdar Blloshmi; nga Kosova, Gjakova dhe Plava-Gucia: Rexhep Mitrovica, Bedri Pojani, Salih Gjuka, Midhat Frashëri, Mehmet pashë Derralla (i Tetovës), Isa Boletini, Riza Gjakova, Hajdin Draga, Dervish Ipeku, Zenel Begolli, Qerim Begolli; nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Dhimitër Zografi Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.

Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor. Për shkak të rrethanave të luftës nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj. që ndodheshin në burgun e Beogradit, si dhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.

Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze dhe greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.                                       

Kuvendi Kombëtar i Vlorës – Kuvendi i zhvilloi punimet e tij nga 28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912. Kuvendi mori vendime që ndërlidheshin me hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe me njohjen ndërkombëtare të tij. Duhej të zgjidheshin qeveria dhe Pleqësia. Duhej caktuar një përfaqësues që do të shkonte në Evropë, për të mbrojtur çështjen shqiptare. Detyrë parësore ishte njohja e pavarësisë.

            Kryetar të qeverisë Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin, ndërsa nënkryetar dom Nikollë Kaçorin. Ismail Qemali vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Propozimi i tij u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Pas kësaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit. Oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj. me fjalime të zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.

*   *   *

Qeveria e përkohshme e Vlorës – Pasi u zgjodh në detyrë të re, I. Qemali dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Në vend të tij u zgjodh myftiu i Dibrës, Vehbi Agolli, ndërsa nënkryetar Lef Nosi. Nga Kuvendi i Vlorës, më 4 dhjetor 1912 doli edhe qeveria e përkohshme. Anëtarë të qeverisë u zgjodhën Luigj Gurakuqi – ministër i Arsimit, Myfit Libohova – ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet pashë Derralla – ministër i Luftës, Abdi Toptani – ministër i Financave, Mithat Frashëri – ministër i Punëve Botore, Petro Poga – ministër i Drejtësisë, Pandeli Cale – ministër i Bujqësisë dhe Lef Nosi – ministër i Postë-Telegrafëve. I. Qemali mbajti edhe portofolin e ministrit të Punëve të Jashtme.

            Pas kësaj Kuvendi zgjodhi Pleqësinë e cila do të kishte 18 anëtarë. Kryetar u zgjodh Vehbi Agolli.

Për shpalljen e Pavarësisë, Ismail Qemali i njoftoi Fuqitë e Mëdha, shtetet ndërluftuese ballkanike dhe qeverinë e Rumanisë. Ai kërkoi largimin e ushtrive të shteteve të Aleancës Ballkanike nga trojet shqiptare. U deklarua qëndrimi asnjanës i shtetit shqiptar në Luftën Ballkanike.

*   *   *

Shpallja e pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo mbylli një epokë luftërash e përpjekjesh shekullore për t’u liruar nga zgjedha e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut dhe për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar synimet e rilindësve. Hapi edhe një epokë luftërash dhe përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga fqinjët grabitqarë, për ta siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.

Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje, për të vazhduar në Ulqin, në Tivar, në Tuz, në Plavë e Guci, në Hot e Grudë, deri në Malësi.

Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave që i dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullit shqiptar dhe e të gjitha trojeve shqiptare.

Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo e drejtë buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin dhe me historinë e vet. Këtë të drejtë populli shqiptar e kishte fituar me sakrifica të mëdha në llogoret e luftës. Ishte një e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.

Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit (1878) dhe ajo e pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore të zinxhirit të ngjarjeve të lëvizjes kombëtare. Shqipëria ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi osman. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë dhe politikë të brendshëm dhe të jashtëm, që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke determinuar ritmet e zhvillimit të saj. Ngecja ekonomike dhe shoqërore e Shqipërisë ishte një faktor që e vonoi shtrirjen e forcave organizuese dhe drejtuese të lëvizjes kombëtare që si pasojë e vështirësoi dhe vonoi shpalljen e pavarësisë. Fuqitë e Mëdha gjatë shekullit XIX përkrahën popujt e krishterë të Ballkanit – serbët, grekët, rumunët dhe bullgarët për t’i formuar shtetet e tyre të pavarura, ndërsa ndaj çështjes shqiptare mbajtën një qëndrim mospërfillës.

Shqiptarët janë popull me tri fe, me shumicë myslimane. Por i bashkon një ndërgjegje e vetme kombëtare. Ndarja në tri fe, me shumicë myslimane ndikoi që Evropa e krishterë t’i shohë si një popull i huaj për të dhe i afërt me turqit myslimanë. Këtë fakt e shfrytëzonte sidomos Rusia para kancelarive perëndimore.

Shqiptarët mund ta arrinin qëllimin duke u bazuar në forcat e veta dhe kur të krijohej një koniunkturë ndërkombëtare e favorshme për ta. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike u ndeshën interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Atdhetarët shqiptarë, nga platforma politike për autonomi kaluan në atë të pavarësisë. Kjo u realizua kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha hoqën dorë nga ruajtja e status quo-së në gadishull dhe kur planet e fqinjëve grabitqarë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Trepalëshe.

Vendimi historik i shpalljes së pavarësisë drejtohej jo vetëm kundër politikës së fuqive të Antantës (Anglisë, Francës, Rusisë) dhe grabitqarëve ballkanikë, por edhe planeve të caktuara të fuqive të Lidhjes Trepalëshe (Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë). Austro-Hungaria dhe Italia, në atë kohë ishin për autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit. Pavarësinë e saj e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet. Ata e shihnin popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, drejt Adriatikut dhe si mbështetje për depërtimin dhe shtrirjen e tyre në Ballkan.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, siç u pa nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) të gjashtë Fuqive të Mëdha, nuk arriti të bashkonte në një shtetet të vetëm të gjitha territore etnike dhe historike shqiptare dhe popullsinë shqiptare. Megjithëkëtë, shpallja e pavarësisë pas pesë shekujsh robërie nën sundimin osman, përbën ngjarjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar gjatë shekullit XX.

Sundimi pesëshekullor osman në Shqipëri, kishte për pasojë:

– copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve (1913);

– ngecjen ekonomike të Shqipërisë gjatë gjithë shekullit XX;  

– lindjen e regjimeve antidemokratike dhe diktatoriale;

– shtypjen e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë – në Greqi, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, përfshi edhe gjenocidin dhe pastrimin etnik të trojeve shqiptare.

Me formimin e shtetit të pavarur shqiptar u krijuan premisat dhe baza shtetërore dhe politike për ta mbajtur gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të kauzës shqiptare në Ballkan.            

*   *   *

            Konferenca e Ambasadorëve (17 dhjetor 1912 – maj 1913) – Me fillimin e konfliktit ballkanik çështja shqiptare u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Austro-Hungaria dhe Italia ishin për një Shqipëri autonome ose të pavarur dhe me kufij sa më të gjerë, por nën ndikimin e tyre. Për Austro-Hungarinë Shqipëria do të ishte një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik. Për Italinë, Shqipëria do të ishte si një bazë për depërtimin drejt Lindjes. Në anën tjetër, Rusia përpiqej për shtrirjen e ndikimit të vet në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.

Të shqetësuara për “paqen evropiane”, Fuqitë e Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme.

Më 17 dhjetor 1912, përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha – Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë u mblodhën në Londër për të shqyrtuar problemet e shtruara nga Lufta Ballkanike (1912). Konferenca u drejtua nga ministri i Jashtëm anglez Eduard Grej (Edward Grey). Që në ditën e parë, konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare: e ardhmja politike e Shqipërisë dhe caktimi i kufijve.

*   *   *

Grabitqarët ballkanikë (Serbia, Greqia, Mali i Zi) -Që në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, shtetet aleate të Ballkanit i paraqitën Konferencës pikëpamjet e tyre për ndryshime territoriale, që duhej të bëheshin në gadishull pas lufte. Përveç krahinave greke të Thesalisë, Greqia kërkonte edhe vise të Shqipërisë së Jugut (të vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi shqiptare, kompaktësia e së cilës nuk cenohej nga grupet e vogla grekofone të rretheve të Delvinës dhe të Dropullit, edhe këto të përziera me popullsi vendase. Qeveria serbepërfshinte në listën e kërkesave të saj edhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni. Mali i Zi ngulte këmbë për aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe kërkonte që si kufij të tij me Shqipërinë të caktohej lumi Mat, ose të paktën Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik.

Konferencës së Londrës i paraqiti një memorandum edhe Qeveria e Vlorës. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë e atëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën dhe Janinën. Në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë. Memorandumi hedhtë poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial” për aleatët që fituan në luftë. Theksohej edhe fakti se kryengritjet shqiptare kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm në çështjen e përbashkët të popujve të Ballkanit. Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit turk në Ballkan.

Lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Monarkia e dyfishtë doli në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Ajo synonte ta përdorte shtetin shqiptar si faktor të ekuilibrit të ri në Ballkan. Duhet theksuar se në raste të caktuara, për kompromise në dëm të shqiptarëve ishte edhe Vjena. Ajo i paraqiti Konferencës një projekt-hartë të Shqipërisë.

Një projekt-hartë e dytë iu paraqit Konferencës edhe nga Rusia, e cila parashikonte një cungim edhe më të madh të tokave të Shqipërisë. Sipas këtij projekti, jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbeteshin Shkodra dhe e gjithë treva veriore e Shqipërisë deri në kufirin me Malin e Zi. Mbeteshin jashtë edhe të gjitha qytetet dhe tokat me popullsi shqiptare të vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit deri në liqenin e Ohrit. Në jug mbeteshin jashtë Shqipërisë Korça, Delvina, Saranda dhe gjithë Çamëria.

Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca dhe nga Anglia. Në shenjë proteste, Vjena i njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej nga Konferenca. Tani Italia u rreshtua në anën e Vjenës.

Shënim: Në vitin 2014, busti i kontit Leopold Berhtold u vendospranë bashkisë së Shkodrës.

*   *   *

Konferenca e Ambasadorëve nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik. Ajo vendosi të mos përfillte asgjë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e vendit. Nuk i përfilli aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet hegjemoniste dhe ekspansioniste të shteteve ballkanike. Me kufijtë që u caktuan në Londër, jashtë Shqipërisë mbeti më tepër se gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare. Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra: Kosova në veri, Çamëria në jug, të cilat jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më pjellore me nëntokë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe kishin dhënë kontribut të madh në luftën me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane.

Më 12 gusht 1913 Eduard Grej deklaroi: “… kjo zgjidhje do të japë shkas për kritika të mëdha… kufijtë e Shqipërisë u caktuan kësisoj në të mirë të paqes në Evropë”. Me fjalë të tjera, Konferenca e Ambasadorëve në Londër flijoi Shqipërinë dhe shqiptarët “për hir të paqes në Evropë”. Hipokrizi dhe qyqari e paparë në historinë e botës. Pas një viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Ç’u bë me paqen në Evropë?! Ku mbeti, zoti Grej, paqja në Evropë?!

*   *   *

Sot shqiptarët ballafaqohen me çështjen e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Për ta zgjidhur drejtë këtë çështje, duhet të marrin mësim nga e kaluara. Duhet t’ia bëjnë me dije Perëndimit se janë popull perëndimor, madje jo me fjalë por me vepër. Duhet të funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave. Sot e kësaj dite Beogradi, Athina dhe Moska u thonë kancelarive perëndimore: “Mos i mbështetni shqiptarët. Ata janë përçues të interesit turk, arab dhe iranian në Ballkan dhe Evropë”. Vlera kombëtare shqiptare me përmasa botërore janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Ismail Kadareja.

Aleate e përjetshme e bijve të Ilirisë dhe të Arbërisë është Amerika. Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Çlirimi i Kosovës nga UÇK-ja, me ndihmën e Amerikës, është rast që ndodh në mbarë rruzullin tokësor, një herë në dy mijë vjet. Kosova është zemra e shqiptarizmit dhe dhimbja e shqiptarizmit. Kosova është tokë e shtrenjtë dhe e shenjtë e kombit shqiptar. Ajo s’ka për t’u shtruar kurrë para hordhive të egra barbare serbe, të mbështetura nga Rusia. Kosova, sa më parë duhet të bëhet anëtare e NATO-s. Në Kosovë duhet të vendoset sa më parë një bazë ushtarake e fuqishme dhe e përhershme e ShBA-së. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re (1850-2021), Rusia vepron kundër interesave jetikë të kombit shqiptar.

Shqiptarët duhet të dëshmojnë para ShBA-së se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik. Dielli shqiptar lind në Perëndim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura