SHPRESA KRASNIQI-DODA: NE SHKONIM NË SHKOLLË, POR NUK ISHIM TË SIGURT SE A DO TË KTHEHESHIM NË SHTËPI! ISHIM NË SHËNJESTËR TË SIGURIMIT SHETËROR (UDB’ës)

Pashtriku.org, 07. 12. 2014 – “Në vitet e luftës 1998-99, ishte tepër vështirë për t’u zhvilluar procesi edukativo-arsimor. Për çdo ditë policia dhe ushtria serbe malltretonte në mënyrat më çnjerëzore, dhunonte dhe vriste popullatën me të vetmin gabim se ishin shqiptarë. Ne shkonim në shkollë, por nuk ishim të sigurtë se a do të kthehemi të gjallë në shtëpi. Pra ishim te pafuqishëm për t’i mbrojtur as nxënësit e as veten. Ishim në shënjestër të Sigurimit shtetëror (UDB-ës).” – kështu ka thënë mësuesja veterane Shpresa Krasniqi – Doda, në intervistë me intelektualen tonë të shquar, Kozeta Zylo (*).
Kozeta ZYLO: Mësuese Shpresa ju përshëndesim nga Nju Jorku i largët dhe ju falënderojmë për bashkëbisedimin. Cila ka qenë fëmijëria juaj në Prizren, dhe disa nga momentet më të spikatura gjatë kësaj periudhe?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Unë, Shpresa Krasniqi-Doda rrjedh nga një familje e mesme qytetare e ndershme, bujare dhe gjithnjë e rreshtuar drejt në Lëvizjen tonë Kombëtare. Përkatësisht unë jam fëmija i parë i Haxhi dhe Alie Krasniqit, ose siç më quante babai ‘Lulja ime e parë’. Prindërit e mi i kanë rritur dhe edukuar tetë fëmijë (gjashtë vajza dhe dy djem), respektivisht Shpresa, Shqipja, Afërdita, Teuta, Pranvera, Vlora, Shkelzeni dhe Fatosi.
Jam rritur dhe edukuar në një mjedis të qetë dhe të lumtur, kohë të cilën edhe sot e kujtoj me nostalgji. Për jetën e lumtur në fëmijëri, meritat u takojnë prindërve të mi të mrekullueshëm. Ata na mbollën virtytet më të larta. Babai im (Haxhi Krasniqi) ishte person publik, mësues i popullit, bujar dhe humanist në shpirt, por mbi të gjitha ishte atdhetar i flaktë dhe dashamir i librit në përgjithësi dhe i folklorit në veçanti. Unë u brumosa dhe u kalita me idetë përparimtare të babait, ide këto të cilat i reflektova te nxënësit e mi.

Patrioti, humanisti dhe mësuesi – Haxhi Krasniqi, babai i Shpresa Krasniqit.

Më kujtohet si sot, babai më regjistroi në Shkollën e Ulët të Muzikës, në seksionin për piano, u pranova në klasën e pedagoges Nexhibe Elezi. Babai më përqafoi duke më uruar suksese dhe dëshirë që të bëhem pianiste e famshme e Shqipërisë Etnike. Kam marr pjesë në shumë programe në festat e ndryshme, si në recitime, këngë, skeçe etj. Ndonjëherë shkruaja edhe poezi, të cilat botoheshin në revisten ‘Pionieri’.
Pra, si fëmijë i talentuar tregoja interesim për artin në tërësi. Mbi këtë bazë, babai i entuziazmuar, më regjistroi në Sh.K.A ‘Agimi’ në seksionin e folklorit, por edhe në teatrin e qytetit si aktore amatore. Duartrokitjet e publikut më gëzonin dhe më bënin të lumtur. Por, dëshiroj të theksoj se kënaqësinë dhe suksesin më të madh e kam arritur duke lexuar libra në bibliotekën e shtëpisë. Periudhën kur isha nxënëse e shkollës fillore e kujtoj me shumë nostalgji. Mbrëmjet në shtëpinë tonë ishin shumë të hareshme. Ne, fëmijët tuboheshim rreth babait dhe ai me dashurinë e pastër prindore na fliste për librin, për historinë e popullit tonë, për idealin kombëtar, për luftërat dhe krenarinë kombëtare.
Ai na thoshte: – Duhet të kemi gjithmonë ndërmend se librat e lartësojnë, e edukojnë njeriun dhe e bëjnë të lumtur atë.
Babai na caktonte se cilat libra duheshin lexuar. Sipas rekomandimit të tij, në moshë shumë të re i lexova librat ‘Afërdita’ dhe ’Afërdita përsëri në fshat’ nga S.Spasse, libra këto që u bënë udhërrëfimi i jetës sime. Unë ndoqa rrugën e Afërditës, u bëra mësuese, profesion ky i shenjtë për t’iu mësuar fëmijëve ABC-në dhe ardhmërinë.
Kozeta ZYLO: Ju keni mbaruar universitetin për mësuesi në periudhë shumë të vështirë për Kosovën, pasi Kosova ka qenë e pushtuar nën pushtetin sërb, çfarë kujtoni kur keni qenë studente dhe si e keni përballuar diskriminimin apo forma të ndryshme që përdoreshin në atë kohë nga regjimi serb?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Përpjekjet tona për Liri, Pavarësi dhe dinjitet kombëtar e njerëzor ishin të ligjshme dhe të natyrshme, ndërsa përpjekjet e Serbisë që të sundojë, që të na mbajë të pushtuar ishin të kundërligjshme dhe kundër natyrore. U munduan të na asimilojnë dhe të na zhdukin si komb, por bashkëkombasit e mi me pushkë e penë, me urti e guxim ia dolën t’i ruajnë gjuhën dhe zakonet, kompaktësinë etnike. Kohët nën regjimin serbo-sllav ishin të vështira në çdo pikëpamje. Fatbardhësisht studimet i mbarova në gjuhën shqipe, por me literaturë të cunguar dhe të kontrolluar në kontinuitet nga regjimi i kohës. Pjesa dërrmuese e shkrimtarëve shqiptarë ishin të cenzuruar. Pra, nuk e kishim lirinë e plotë të studimit. Në atdheun tonë trajtoheshim si të huaj. Rrjedhimisht synimi ynë ishte të mësojmë sa më shumë, për t’i shërbyer bashkëkombëtarëve dhe atdheut, veçanërisht në lëminë e arsimit.
Kozeta ZYLO: Si mësuese prizrenase dhe si patriote si e përjetuat luftën e Kosovës me bishën serbe veçanërisht gjatë kohës së mësimit me nxënësit tuaj të dashur? Keni pasur midis tyre në klasë nxënës nga nacionalitete të ndryshme, po serb?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Motoja e Naimit si mësues i kombit është mësimi dhe përkushtimi ndaj atdheut. Dukurinë e luftës, më bukur e ka shprehur Ҫajupi ynë i madh, kur thotë: ‘Luftën që e prish dynjanë nuk do ta doja kurrë. Por, në më prektë dikush kufinë, do të luftoja si burrë’. Kujtoj vitin 1981, kur ky vit shënoi ngjarje të mëdha për popullin tim. I tërë populli shqiptar u aktivizua në demonstrata, duke kërkuar, Liri dhe Pavarësi. Por, protesta e studentëve ishte e vendosur në kërkesat e tyre per lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e cila bëri jehonë të madhe në qarqet kombëtare dhe ndëkombëtare.
Gjatë periudhës së viteve 1975 – 2001, kam punuar si mësuese në qytetin e Rahovecit, respektivisht në SHFMU “Isë Boletini”. Rahoveci është i banuar kryesisht me shqiptarë, por ka edhe minoritete (serb dhe romë). Edhe në shkollën ku unë punoja, pos nxënësve shqiptarë, mësimet i vijonin edhe fëmijët serb dhe romë. Mbi këtë bazë nxënësit serb mësimet i vijonin paradite, gjersa nxënësit shqiptarë vijonin pasdite. Ne, mësuesit shqiptarë duhej të ishim shumë të kujdesshëm në ligjerata, klasat duhej të kontrolloheshin para dhe pas orës së mësimit, respektivisht për të zbuluar ndonjë ’pamflet nacionalist’ që do të kishte pasoja për personelin arsimor, fëmijët dhe per prindërit.
Zyrtarët e UDB-ës, na përcillnin në çdo hap. Ata i kontrollonin edhe hartimet e nxënësve. Ndaj duhej të ishim tepër të kujdesshëm në ligjerata, në temat e hartimeve etj., se mos mbase po ngjallet nacionalizmi shqiptarë. Vlen të theksohet se planprogramet ishin të reduktuara,veçanërisht në lëndët: histori, letërsi shqipe, muzikë, art figurativ etj. Pra, rrjedhimisht na mohohej e drejta për t’a mësuar historinë kombëtare, letërsinë dhe muzikën shqipe.
Në vitet e luftës 1998-99, ishte tepër vështirë për t’u zhvilluar procesi edukativo-arsimor. Për çdo ditë policia dhe ushtria serbe malltretonte në mënyrat më çnjerëzore, dhunonte dhe vriste popullatën me të vetmin gabim se ishin shqiptarë. Ne shkonim në shkollë, por nuk ishim të sigurtë se a do të kthehemi të gjallë në shtëpi. Pra ishim te pafuqishëm për t’i mbrojtur as nxënësit e as veten. Ishim në shënjestër të Sigurimit shtetëror (UDB-ës).

Shpresa Krasniqi me nxënësit, në programin festiv për nder të festës së Flamurit!

Në shkurt të vitit 1989, minatorët e Trepçës në shenjë revolte për gjenocidin që bëhej ndaj shqiptarëve u futën në zgafellë, përkatësisht në horizontet e fundit. Aty qëndruan me ditë të tëra në kushte të jashtëzakonshme. Ngjarja e minatorëve të Trepçës e tronditi tërë botën. Dhe unë si mësuese, në tubimin e arsimtarëve të shkollës sime, kërkova që të solidarizohemi me minatorët, për t’i ndihmuar familjet e tyre me nga një mëditje nga paga mujore. Mirëpo, propozimi im u prit shumë keq nga kolegët e minoritetit serb. Ata reaguan menjëherë duke kërkuar suspendimin tim nga procesi mësimor.
Në kontinuitet, unë dhe bashkëshorti im, Hetem Doda, edhe ai arsimtar në të njejtën shkollë, kemi qenë në përcjellje të UDB-ës. Për veprimtarinë e tij kombëtare, bashkëshorti im, ka qenë i arrestuar tri herë nga organet e sigurimit shtetëror serbo-sllav.
Ndaj në këto rrethana, ne ishim të padëshirueshëm për pushtetin e kohës dhe mbi këtë bazë u detyruam të largohemi nga nxënësit, nga shkolla dhe nga Kosova. Përkohësisht u strehuam në Ulqin.
Punën në procesin edukativo-arsimor e vazhdova me nxënësit tanë, të cilët ishin të përndjekur bashkë me familjet e tyre nga terrori serb që bëhej në Kosovë.
Duhet theksuar se Qeveria e Malit të Zi në bashkëpunim me të deleguarin special të UNICEF-it për shtetet e ish Jugosllavisë z.Stiven Allen dhe shefit të Zyrës UNHCR-it për Malin e Zi, z.Robert Brin, e nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për krijimin dhe fillimin e vitit shkollor për mësim joformal për 2000 nxënës kosovarë të shkollave fillore të strehuara në Ulqin dhe rrethinën e tij.
Ndaj duke mbrojtur arsimin dhe shkollën shqipe, ne e mbronim sovranitetin kombëtar në lëmin më të rëndësishëm të jetës dhe punës, pra aty ku krijohet dhe formohet njeriu, ndjenja kombëtare morali i një populli. Dhe së fundi, çdo tërbim i ka ditët e numëruara, pra edhe ai i shtetit policor serbo-sllav poashtu.
Kozeta ZYLO: Një jetë në arsim, që mund të quheni me plot gojën veterane e edukimit të sa e sa brezave, me flisni ju lutem për marrëdhëniet tuaja me nxënësit, punën e palodhshme me ta dhe a mund ta ndani ndonjë episod nga më mbresëlënësit për publikun që do t’ju lexojë?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Plot 39 vite punë e sakrificë ia kushtova arsimimit të shumë brezave. Nëntë gjenerata kaluan nëpër duart e mia, qindra nxënës. E ushtrova me shumë dashuri dhe pasion këtë profesion. Jam krenare dhe e lumtur që nxënësit e mi kam pasur rast t’i kem edhe kolegë pune, poashtu edhe fëmijtë e tyre t’i kem nxënës. Sot, ish nxënësit e mi janë mësues, profesorë, mjek, piktorë, inxhinierë, arkitektë e shumë profile të tjera, të cilat ata i ushtrojnë me shumë dashuri.
Njëzet e gjashtë vite punë kam shërbyer në qytetin e Rahovecit, respektivisht në SHFMU “Isa Boletini”, për t’u transferuar pastaj në qytetin tim të lindjes, Prizren, në SHFMU “Mati Logoreci”, në vitin shkollor 2001-02, në të cilën edhe sot punoj me shumë dashuri dhe vullnet.
Me nxënës kam qenë dhe jam shumë e lidhur, e afërt, kërkoj (gjurmoj) thellësisht në imagjinatën e tyre për t’ia zbuluar talentin. Pastaj sipas talentit të tyre, edhe përgatis aktivitete të ndryshme, si: këndin e letrarëve të rinj, vizatuesit e vegjël, recitatorët, aktruesit, sportistët e dalluar…etj. Në çdo festë kombëtare apo në fund të vitit shkollor me nxenës përgatis program të larmishëm për spektatorin dhe prindërit.
Kam mjaft raste të përjetuara me nxënës gjatë këtyre viteve.
Ishte një periudhë sa e bukur aq edhe e vështirë kur fillova punën për herë të parë si mësuese në qytetin e Rahovecit (jo larg nga Prizreni). Qytetarët e Rahovecit flisnin (edhe sot pothuaj e flasin) një gjuhë ndryshe, te veçantë, nuk kishte të bëjë aspak me gjuhën shqipe, ndërsa janë shqiptarë, por edhe me gjuhën serbe nuk ka të bëjë, se serbishten e njihja nga se e kisha mësuar si lëndë në shkollë, unë atë gjuhë fare s’e kuptoja! Të gjithë e përdornin atë gjuhë në shtëpitë e tyre. Dalloheshin ato familje që ishin martuar me një grua fshatare të rrethit të Rahovecit, fëmijët e të cilëve e njihnin gjuhën shqipe, ndërsa rahovecianët pothuaj fare! Ishte punë dyfish e vështirë për ne mësuesit, sepse fillimisht duhej t’ua mësonim nxënësve gjuhën shqipe, pastaj alfabetin, dhe kjo kërkonte kohë e durim. Kjo veprimtari vazhdoi me vite të tëra, mirëpo dita – ditës populli vetëdijësohej, shkollohej dhe gjendja përmirësohej dukshëm në këtë qytet.
Sot, një numër i vogël i qytetarëve e përdorin gjuhën ”rahoveciane”.
Gjatë punës sime shumëvjecare më ka rastis të kem shumë nxënës pa njërin prind, sidomos pa nënë, të cilëve iu kishte vdekur nëna apo ishin me prind të ndarë. Kjo ishte më e dhimbshmja. Duhej të isha dy herë më e kujdesshme me këta nxënës. I luaja dy role, edhe të nënës edhe të mësueses.
I afroja shumë pranë vetes, hyja në botën e tyre shpirtërore dhe mundohesha t’i kuptoja sa më shumë. Shpeshherë i merrja në shtëpinë time, punoja me ta edhe jashtë orarit mësimor, vetëm e vetëm që t’i bëja të lumtur dhe të aftë për jetë që mos ta ndjenin aq mungesën e nënës.
Një gjë që e kisha dhe e kam shumë të vështirë ta bëjë si mësuese, është që sa herë kam në plan-program ndonjë poezi apo këngë për festën e nënës, unë kam shumë emocione në atë orë që të flas për rolin e nënës tek fëmijët, apo të parashtroj pyetje nxënësve në lidhje me nënën. Mezi nxjerrë nga goja fjalën ”NËNË”, nuk di, ndihem në një situatë shumë të palakmueshme para këtyre nxënësve. Si mësuese në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve, kisha parasysh se ata duhet t’i edukojmë në frymën e shëndoshë familjare, me një edukatë dhe kulturë të mirë njerëzore dhe mbi të gjitha me një edukatë të mirëfillte kombëtare. Pra, fëmijët marrin një edukatë të mirë familjare, njerëzore dhe kombëtare, ata kur të rriten, pa mëdyshje do të bëhen familjarë të mirë dhe, mbi këtë bazë do t’i vejnë bazamentet e shëndosha të shtetit të tyre.
Kozeta ZYLO: Si i organizoni aktivitetet e ndryshme me nxënësit? Ju keni pranë shkollës, shtëpisë suaj, Lidhjen e Prizrenit dhe shumë muzeume të ndryshme që kanë se ç’të mësojnë nxënësit. Si e përjetojnë ata historinë e popullit tonë autoktonë kur i vizitojnë apo gjatë mësimit kur ju i shpjegoni historinë tonë?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Ne, qytetarët e Prizrenit jemi krenarë, por edhe të privilegjuar që jetojmë në këtë qytet-muze. Është ndjesi e papërshkruar kur gjendesh para Lidhjes së Prizrenit, apo kur gjendesh në kalanë e Prizrenit. Është kënaqësi të shpjegosh historinë e popullit tënd dhe t’iu thuashë nxënësve: – shikoni monumentin nga dritarja! Unë, sa herë që e shpjegoj historinë, kam emocione të veçanta dhe këto emocione mundohem t’i bart tek nxënësit sepse janë emocione të bukura. Ndjesi e papërshkruar është kur ne dalim dhe i vizitojmë ato, i prekim, na duket sikur patriotët, pjesëmarresit e Lidhjes së Prizrenit na presin aty, na shikojnë dhe na flasin, na rekomandojnë të bëhemi të ditur, t’a duam vendin tonë, t’a ndërtojmë, t’a mbrojmë gjithmonë, t’a vazhdojmë punën e tyre, sepse ata dhanë jetën për tokën shqiptare.
Nxënësit janë shumë kureshtarë të mësojnë historinë e kombit të cilit i takojnë, sepse i takojnë një populli shumë të lashtë, gjurmët e të cilit i gjejnë në qytetin e tyre të lindjes.
Qyteti ynë vizitohet nga nxënësit e tërë Kosovës dhe jashtë saj, sepse është qytet me vlera historike e kombëtare, i pasur me shumë vlera, është qytet me bukuri natyrore e njerëzore, është qytet i mikëpritjes, i bujarisë.
Kozeta ZYLO: Ju jeni e bija e të ndjerit Haxhi Krasniqi, një mësues, edukator, aktivist i dalluar i çështjes kombëtare. Cila është trashëgimia e tij për familjen dhe brezat, a keni ndonjë libër monografie apo projekt për pasurinë e babait tuaj?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Babai im, Haxhi Krasniqi la pas vetes një trashëgimi mjaft të pasur . Ai, pos që punoi si mësues me përkushtim të madh dhe me shumë dashuri, ishte edhe bibliotekist i zellshëm për punë, ku i dha shpirt, jetë dhe rol të drejtë funksionimit të librit si rrezatues i dijes, kulturës dhe arsimit. Kontributin e tij e dha edhe në fushën e gjuhësisë, ishte luftëtar i denjë për mbrojtjen e idealit kombëtar, folklorist i pasionuar, aktivist i pajtimit të gjaqeve.
Ai mbajti lidhje intelektuale me shumë personalitete të shquara të kulturës e shkencës. Përmes letrave zhvilloi një korrespondencë të dendur me: Eqrem Ҫabejn, Zekeria Rexhën, Sterio Spassen, Aleks Budën, Zekeria Canën, Aleksandër Stipçeviçin, Zihni Sakon, Qemal Haxhihasanin, Anton Cettën, Idriz Ajetin, Adem Demaçin, Rexhep Qosjen, Kadri Halimin, etj.
Përveç korrespondencës me penat më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare, ai mbajti korrespondencë edhe me shumë burra shtetërorë të superfuqive botërore, si me: Xhorxh Bushin (plakun), Toni Blerin, Shroderin, Bill Klintonin, Jozef Diogardin, duke u dërguar letra për zgjidhjen e shumë çështjeve kombëtare shqiptare, prej të cilëve me respekt të veçantë mori edhe përgjigje përkatëse.
Pas vdekjes së babait tim – Haxhi Krasniqit, katër autorë (punonjës shkencorë të Institutit Albanologjik): Dr.Mehmet Halimi, Dr.Adem Zejnullahu, Dr.Daut Bislimi dhe Mr.Naser Pajaziti, duke bërë një punë të organizuar ekipore, në marrëveshje me neve familjarëve të Haxhi Krasniqit, të cilëve u ofruam ndihmë të pakursyeshme, dhe pa kursyer veten e as mundin e tyre, i kushtuan një monografi me titull “NJERIU SKOFIAR” Jeta dhe vepra e Haxhi Krasniqit, e cila u botua në vitin 2004, në Prishtinë.
Kozeta ZYLO: Këto ditë u përurua në Tiranë në Muzeun Kombëtar libri i tretë me titull: Cereni-Historia dhe Tradita, me autor Dr.Shefqet H.Domi, ju jeni mbesa e tij, çfarë keni trashëguar prej dajës suaj dhe cili është aktiviteti i tij konkret?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Më 19 Tetor të këtij viti, në Tiranë në Muzeun Kombëtar u përurua libri i tretë i Dr Shefqet H. Domi, me titull: “Cereni-Historia dhe Tradita”, ndërsa dy librat e tjerë të tij, janë : “Zogu i Artë” (përralla për fëmijë), botuar në v. 2009 dhe “Kalaja e Dodës apo Qafa e Bilbilit”, botuar në v. 2012, si dhe ka në përgatitje librin e fundit “Kujtime dhe autobiografi – 67 vjet me bluzë te bardhë”.

Shpresa Krasniqi: Në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Kompleksin Memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Libri “Cereni-Historia dhe Tradita”, është një vëllim me përshkrime, ngjarje, etnografi e folklor nga fshati Ceren. Në materialin e mbledhur të këtij vëllimi, janë dokumentuar fise (të hershme dhe të vona), përkatësisht janë njerëzit që kanë përfaqësuar komunitetin e Cerenit brenda dhe jashtë tij, deri në dyert e perandorive, janë ritet në festa e gezime familjare, janë tradita të veçanta e të përbashkëta me fqinj e më tej, janë vendet, arat, kufinjtë, banorë që jetojnë në atë vend e që janë larguar, pra, mund të themi, një enciklopedi për Cerenin. Mesazhi i tij është: Njeriu, toka që prek nën këmbë, siguria, krenaria, janë identitet që nuk duhet nënvlerësuar. Libri i tij i dyte: “Kalaja e Dodës apo Qafa e Bilbilit”, u vlerësua si një vepër Monument i përjetësisë së Kalasë së Dodës. Kjo vepër është një trashëgimi e madhe historike, një kontribut historik për brezat e ardhshëm, një det i thellë kujtimesh, një vështrim politik, atdhetar, njerëzor, libër për dinjitet e krenari kombëtare, një galeri personalitetesh me vlera të mëdha, çka tregon se rrënjët nuk humbasin. Duke lexuar veprat e Dr. Shefqet H. Domit nga kapitulli në kapitull, shohim se autori nuk është vetëm mjek human, por Ai na prezantohet gjeograf-topograf-etnograf-arkeolog-historian-folklorist-poet-ekonomist e diplomat.  Dr.Shefqet H.Domi, ka lindur me 5 Prill 1929, në Ceren të Kalasë së Dodës. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe është diplomuar mjek i përgjithshëm. Ka kryer profilizimin në specializimin pasuniversitar të Tiranës në degën e Kimisë klinikale. Ka punuar për 45 vite rresht, deri në pension, si mjek në spitalin e Peshkopisë dhe si shef i shërbimit laboratorik të spitalit – poliklinikës në rrethin e Dibrës. Që nga viti 1995, largohet bashkë me familjen nga Peshkopia dhe vendoset në Tiranë. Me licencë nga shteti, ka hapur Qendrën laboratorike private “Domi“, ku punon nga viti 1995 dhe vazhdon të punojë me shumë vullnet e dashuri edhe në moshën 85 vjeçare.
Kozeta ZYLO: Cilat janë disa nga projektet tuaja si mësuese me nxënesit tuaj në të ardhmen?
Shpresa KRASNIQI-DODA:
Projektet e mia për nxënësit në të ardhmen (në rast se më jepet mundësia, kuptohet) janë: Formimi i klasës së shekullit 21.
Në kuadër të bibliotekës së shkollës, edhe një sallë leximi për nxënësit.
Si ne (mësuesit), ashtu edhe nxënësit, kemi dëshirë që mjedisi ynë i punës të jetë sa më tërheqës. Ai duhet të jetë i rehatshëm dhe mik për fëmijët, kështu që fëmijët të ndjehen të lumtur dhe të motivuar për të nxënë dije. Pastaj, të nxënit aktiv mundëson që të gjithë nxënësit të mësojnë si të rritur :
-të bëjnë përmbledhje si hulumtues të vërtetë;
-të studiojnë formula dhe relacione si matematikanë të vërtetë;
-të bëjnë eksperimente si shkencëtarë të vërtetë
-t’i përpilojnë vet raportet dhe videot e veta si gazetarë te vërtetë;
-t’i shkruajnë vet poezitë dhe tregimet si autorë të vërtetë;
-t’i përdorin kalkulatorët dhe kompjuterët si punonjës të vërtetë;
-të jenë kreativ si artistët; dhe
-të jenë plot risi si ndërmarrësit.

Kjo ua mundëson të gjithë nxënësve të punojnë në formë të bashkëpunimit, të bëjnë zbulime dhe të ndjehen krenarë me punën e tyre.
Një proverb e vjetër kineze thotë: Dëgjoj….harroj/ Shoh…..mbaj mend/Bëj….kuptoj.
Ndërsa në projektin tim të dytë, lidhur me hapjen e një salle të leximit në kuadër të bibliotekës së shkollës, qëllimi im është që nxënësit të fitojnë shprehinë e të lexuarit, dashurinë ndaj librit dhe analizën e saj. Për t’i realizuar këto projekte, duhet angazhimi aktiv i mësimdhënësve, prindërve, drejtorit të shkollës, komunitetit dhe biznesit vendor, por rolin kryesor e ka Ministria e Arsimit.
Dhjetor, 2014 – Prizren, Kosovë.

(*) Kush është Kozeta Zylo

Ka lindur në Tepelenë, nga prindërit Brahim dhe Liri Gjoni, një familje Mezhgoranase, me tradita patriotike dhe arsimdashëse. Pasi diplomohet në Universitetin e Elbasanit “Aleksander Xhuvani” për Gjuhë dhe Letërsi (1979), punoi si mësuese e Letërsisë shqipe dhe botërore në disa gjimnaze të Tiranës, ndërkohë kryen dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës. E spikatur që në vitet 80-te për prirjet dhe qëndrimet e saj jo konformiste, K.Zylo u përfshi energjikisht në proceset demokratike që çuan në rënien e komunizmit. Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë dhe që nga themelimi ishte në kryesinë e Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Në vitet 1994-1995, u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e saj. Është dalluar si një mësuese e apasionuar dhe mjaft aktive në shtypin e përditshëm e periodik, organizatore dhe regjisore spektaklesh të rinisë, etj. Në shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e trazirave social-politike në Shqipëri, emigron në ShBA (New York), ku integrohet në shoqërinë e atjeshme, vazhdon kualifikimet në kolegj, emërohet Këshilltare e studentëve në Bramson ORT College (2000-2004). Punoi si pedagoge disa vite në ‘Globe Institute of Technology’ në Manhattan, dhe tani është e punësuar nga Bordi i Edukimit të New Yorkut. Shquhet ndër veprimtaret më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikanë, ku është e zgjedhur zv/Presidente e org.së gruas shqiptaro-amerikane në New York. Përfaqësuese e medias pranë Institutit “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” në New York. Sekretare për shtypin në shoqatën e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në USA. Është korrespodente e gazetës “Illyria” në USA dhe në disa media. Bashkëpunëtore për vite me radhë në TV “Albanian Culture” në USA. Ka organizuar për vite radhazi së bashku me bashkëshortin e saj Qemal Zylo, ditën e Flamurit si dhe veprimtari të tjera atdhetare, kulturore si dhe për Kosovën. Përmes veprimtarisë së saj të dendur, si dhe krijimtarisë së kahershme publicistike, letraro-artistike, veçanërisht në poezi, K.Zylo ka fituar respektin e studentëve shqiptarë në New York, të komunitetit shqiptar në SHBA etj. Është e martuar me Z. Qemal Zylo dhe ka dy vajza, Valbonën dhe Klodianën.
Çmimet
1. U shpall gruaja e vitit 2008 në New York
2. Çertifikatë nga Lidhja e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane për një kontribut të shquar në Letërsi
3. Çertifkatë nga Shoqata e Dibranëve ne Amerikë për ditën e Mësuesit
4. Çertifikatë nga Akademia e Shkencave në NY për një punë të palodhur në Media
5. Çertifkatë nga TV “Kultura Shqiptare” për një bashkëpunim të ngushtë me TV dhe mirënjohje për Komunitetin.
6. Çmim nga revista “Fotjon art”
7. I jepet titulli si Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare nga shoqata mbarëkombëtare I. Qemali Vlorë.
Libra të botuar:
1. Monumenti i Lotit (2005)
2. Pranverë pa Mimoza (2006)
3. Mjelmat po te vijne (2008)
4. Bashkautore në Antologjinë “Perëndim i malluar”
4. Bashkautore në librin: “Kur e lë zogu folene”
5. Bashkautore në librin: “Itaka e fjalës”
5. Redaktore në antologjine “Zemra Prinderore”
6. Bashkautore në librin: “Antologie de poezie”  (Arber Braja)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura