SHQIPTARЁT DHE FEJA

Nga Prof Enver N. Rexhaj – Prizren, më 17 nëntor 2025
Historia fetare e shqiptarëve paraqet një fenomen të veçantë në hapësirën ballkanike, për shkak të mënyrës se si përkatësia fetare nuk arriti kurrë të zëvendësojë ndjenjën e identitetit kombëtar. Ndarjet fetare, të cilat në shumë vende të rajonit çuan në formimin e kombeve të veçanta, ndër shqiptarë nuk prodhuan përçarje kombëtare, por përkundrazi, nxitën një vetëdije më të fortë për ruajtjen e unitetit etnik dhe gjuhësor.
Që prej ndarjes së madhe të Kishës në vitin 1054, territori shqiptar u gjend në kufirin ndërmjet dy qendrave të mëdha fetare: Romës dhe Kostandinopojës. Si pasojë, shqiptarët u ndanë në dy besime të krishtera, atë katolik në veriperëndim dhe atë ortodoks në juglindje. Kjo ndarje, megjithëse fetare, nuk pati përmasën përçarëse që shfaqet në vende të tjera, pasi lidhjet fisnore dhe gjuhësore mbetën faktorë më të fortë bashkues. Me pushtimin osman në shekullin XV, në territorin shqiptar u përhap edhe feja islame, duke krijuar kështu një mozaik të ri besimesh që përfshinte katolicizmin, ortodoksizmin dhe islamin.
Në këtë periudhë, kalimi i një pjese të madhe të popullsisë në fenë islame ndodhi kryesisht për arsye shoqërore dhe ekonomike, si pasojë e privilegjeve që gëzonin myslimanët në administratën osmane. Megjithatë, ky ndryshim fetar rrallëherë lidhej me një bindje të thellë shpirtërore, gjë që dëshmon se feja tek shqiptarët shpesh kishte një karakter më pragmatik sesa doktrinar. Po ashtu, kleri fetar, si në radhët e katolikëve, ashtu edhe në ato të myslimanëve e ortodoksëve, kishte një ndikim të kufizuar në jetën kulturore e shoqërore, çka e pengoi fenë të bëhej shtylla kryesore e identitetit kolektiv.
Një tjetër element i rëndësishëm është marrëdhënia ndërmjet fesë dhe pushtetit politik. Në shumë raste, besimet fetare u lidhën me fuqitë e huaja: katolicizmi me Perëndimin latin, ortodoksia me botën sllavo-bizantine dhe islami me Perandorinë Osmane. Kjo ndikoi që feja të perceptohej shpesh si e importuar, e ardhur nga jashtë dhe, rrjedhimisht, si element i huaj ndaj kombësisë. Kësisoj, në vend që të shërbente si faktor bashkues, feja shpesh u bë mjet ndikimi i huaj, ndërsa vetë shqiptarët gjetën në identitetin kombëtar një bazë më të qëndrueshme bashkimi.
Ky zhvillim historik shpjegon edhe karakterin laik të lëvizjes kombëtare shqiptare në shekullin XIX. Figura si Pashko Vasa, Sami Frashëri e të tjerë, theksuan përkatësinë kombëtare mbi atë fetare, duke formuluar parullën e njohur: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Kjo ideologji luajti një rol vendimtar në krijimin e shtetit shqiptar më 1912, ku bashkëjetesa ndërfetare u konceptua si pjesë themelore e identitetit kombëtar.
Në përfundim, mund të thuhet se raporti ndërmjet shqiptarëve dhe fesë ka qenë historikisht i veçantë: një marrëdhënie e karakterizuar nga toleranca, pragmatizmi dhe mbi të gjitha, nga primati i kombit mbi besimin. Pikërisht kjo qasje e ka ndihmuar shoqërinë shqiptare të ruajë unitetin e saj përballë ndarjeve të shumta që kanë prekur Ballkanin ndër shekuj.
——————
FUQIA E REFLEKTIMIT