Si po e shpall Edi Rama vetveten “persona non grata” në Kosovë

Si po e shpall Edi Rama vetveten “persona non grata” në Kosovë

Nga Enver Robelli, 16 shtator 2021

“Shqipërisë nuk i jepen leksione”, po thotë kryeministri i Shqipërisë duke atakuar sërish Kosovën, e cila nuk iu ka bashkuar “projektit” të tij nga kazani i politikës ballkanike.

Flet për leksione politikani që s’ka lënë gati asnjë politikan të Kosovës po e ofenduar personalisht.

Flet për leksione politikani që ka përkrahur herë hapur, e herë fshehurazi prishjen e kufijve të Kosovës.

Flet për leksione politikani që në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka thënë se Kosova e Shqipëria do kenë “një president të përbashkët” – dhe këtë e ka bërë pa e pyetur askënd në Kosovë, por e ka përdorur vetëm si parullë kinse nacionaliste për t’i bërë presion BE-së në stilin: po nuk i hapët negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, ne bashkohemi me Kosovën. Kuptohet se me politikanë të tillë nuk ndodhë as njëra, as tjetra.

Flet për leksione politikani që nga Tirana dëshiron të bëjë edhe politikën e jashtme të Kosovës, por s’e thotë një fjalë mbi dëbimin e mijëra shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, të cilëve pushteti i Aleksandër Vuçiqit me vulë po ua heq krejt të drejtat civile.

Flet për leksione politikani që në Kuvendin e Kosovës është përpjekur të rishkruajë historinë e Kosovës me një fjalim provokativ, të cilin ia ka bojkotuar partia e Ibrahim Rugovës, ideatorit të shtetësisë së Kosovës.

Flet për leksione politikani që orë e çast, çdo ditë, atakon Kosovën (por jo Malin e Zi dhe Bosnjën) pse s’po bëhet pjesë e “Open Balkan”, ndërkohë që Kosova është pjesë e “Procesit të Berlinit”, ku 6 shtetet e Ballkanit trajtohen në mënyrë të barabartë.

Flet për leksione politikani që dikur thoshte “Vetëvendosje është pasuri kombëtare”, sepse atëherë i duhej për të ngacmuar Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn dhe ndonjë politikan tjetër të Prishtinës.

(Sa i përket VV-së: sulmet e Edi Ramës ndaj saj e kanë një të mirë: ndoshta ia hapin sytë shumë funksionarëve të saj që të merren me punët e Republikës së Kosovës për të cilat kanë fituar mandate dhe të lënë politikëbërjen folklorike, fushatat elektorale në Kurvelesh dhe marshet kinse patriotike në Lezhë. Në këtë mes jo pa ironi më kujtohet kur më 17 shkurt 2018 filloi mbledhja e Kuvendit të Kosovës për të shënuar 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Burrat dhe gratë superpatriotë të VV-së qëndronin të fshehur diku para Kuvendit sepse nuk dëshironin të dëgjonin himnin e Kosovës në sallën e Kuvendit, nuk donin as të çoheshin në këmbë për të nderuar flamurin e Kosovës. Kur Edi Rama e nisi fjalimin, trimat dhe trimëreshat e VV-së hynë në Kuvend – si shqiponja krejt! U pëlqente fjalimi folklorik i Edi Ramës, kur thoshte do kemi një president të përbashkët. Çfarë pat filluar si komedi, sot, në shtator 2021, është vetëm farsë).

PS. Me gjuhën e tij përçarëse, fyese, denigruese dhe agresive ndaj Kosovës, kryeministri i Shqipërisë është duke e shpallur veten “persona non grata” në Kosovë. Dhe këtë po e bën me këmbëngulje mbresëlënëse. Është pamje e mërzitshme, por është rrugë që e ka zgjedhur vetë. Një rrugë që është qorrsokak.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura