SI U VRA KOLONELI HOLANDEZ, THOMSON NË MBROJTJE TË DURRËSIT NË QERSHOR 1914

SI U VRA KOLONELI HOLANDEZ, THOMSON NË MBROJTJE TË DURRËSIT NË QERSHOR 1914

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 1 shtator 2021

Në vitin 2003 Bashkia e qytetit të Durrësit, në rrugën e quajtur “Thomson” (në afërsi të Torrës Veneciane) vendosi këtë Monument – BUST në bronz, të kolonelit holandez J.W.I.K Thomson, ndërsa në vitin 2000 ishte shpallur “Qytetar Nderi” i këtij qyteti të lashtë. Ky monument ndodhej pranë vendit ku ishte konaku i Princ W.Widit, në mars – shtator 1914.

_______

Lodewijk Willem Johan Karel Thomson lindi më 11 qershor 1869, në Voorschoten afër Hagës, në Holandë – në një familje ushtarakësh dhe vdiq në Durrës, më 15 qershor 1914. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa më pas u shpërngul në Rotterdam, ku përfundoi shkollën reale. Pas mbarimit të programit trevjeçar të shkollës pasuniversitare, ai u regjistrua në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Breda më 1884, ku në vitin 1892 u gradua toger dhe fitoi titullin “Kryqi i Nderit’.

Pas një sërë misionesh në ushtri në vende të ndryshme të botës, si dhe vlerësimit me një numër dekoratash për trimëri si “Urdhri i Luanit të Holandës”, “Kalorësi i Urdhrit me Shpatën e Suedisë”, etj., Tomsoni vjen për herë të parë në Shqipëri në nëntor 1912 si atashe ushtarak, për të ndjekur nga afër luftimet gjatë Luftës Ballkanike. Më 14 shkurt 1913, ai ndoqi zhvillimet në Serbi e Mal të Zi. Në vitin 1913 qeveria holandeze mori një kërkesë nga Fuqitë e Mëdha për të dërguar në Shqipëri oficerë, të cilët do të ndihmonin në organizimin e Xhandarmërisë së shtetit të ri shqiptar.

Thomson ishte përzgjedhur nga Mbretëria e Holandës për këtë mision 3 vjeçar dhe së bashku me një tjetër oficer të lartë dhe 17 ushtarë holandezë mbërritën në Vlorë, më 10 nëntor 2013. Në maj 1914 në Shqipëri nisën revoltat. Esad Pasha, ministër i Brendshëm qëllimisht e la Jugun e Shqipërisë që të përkeqësohej dhe favorizoi kryengritjen e Harif Hyqmetit duke armatosur në fshehtësi popullin e Tiranës për ta dërguar në Jug.

Më 18 maj 1914 marshimi i kryengritësve u zbulua ndërsa në Durrës u panë shenja të grushtit të shtetit. Esat Pasha, për të dobësuar krahun e qeverisë, kërkoi dorëheqjen e komandantit të rezistencës majorit Sluys, por kjo kërkesë e tij nuk u mor parasysh dhe ai u shkarkua nga posti ministror. Nga ana tjetër, Thomsoni armatosi nacionalistët e Tiranës dhe më 19 maj 1914, forcat e komanduara prej tij rrethuan dhe goditën me artileri sarajet e Esat Pashë Toptanit. Esat Pasha u dorëzua dhe u dëbua në Itali, pas betimit se nuk do të kthehej më në Shqipëri.

Ndërsa kryengritja kishte marrë përmasa të mëdha dhe duhej një plan për izolimin e tyre, pas negociatave me rebelët, qeveria vendosi ta shtypë kryengritjen me forcë. Plani u hartua nga kolonel Thomson, i cili u emërua dhe komandant i rezistencës. Me këtë plan do shtypej kryengritja, por në fakt ngjau ndryshe.

Plani i kolonel Thomsonit u dekonspirua. Më 15 qershor 1914, 300 bujq të organizuar nga oficerët e Esat Pashës rrethuan Durrësin, 400 të tjerë u vendosën në Porto Romano, 800 të tjerë bllokuan Urën e Dajlanit dhe të tjerët u vendosën në rrugën që të çon për në Kavajë. Thomson siguroi në fillim depot e municionit e për të dalë përtej urës, i duhej të vinte nën kontroll kodrat e Rrashbullit. Koloneli Thomson udhëhoqi personalisht sulmin kundër kryengritësve dhe u vra në përpjekje e sipër për ta thyer këtë kryengritje.

***

Për vrasjen e Koloneli Thomsonit, Fan Noli ka shkruar poezinë e famshme “Thomsoni dhe Kuçedra”.

FAN S. NOLI: THOMSONI DHE KUÇEDRA

Te Ura, te Ura

Vraponi, o burra.

Me armë, me topa, me kordhë e me shpata.

Se dolli kuçedra e errët nga nata,

Se ngriti bajarakun e lyer me gjak

Dhe sulet prej Shjakut në Durës me vrap.

Kuçedr’ e Turqisë,

Hyen’e urisë,

E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari

Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,

Si gjarpër zavarniset, i sillet përqark,

Me dinin [1] në gojë, me helm në bark.

Kuçedrën e vranë

E ahasi më parë

Thomsoni nëVlorë, kur vinte prej detit

Me akatërqnd krahë, lubi’ e Dovletit; [2]

Ee zuri për gryke, e shtriu përdhe

Nga thonjt’ i rrëmbeu të mjerin Atdhe.

Pastaj për së dyti

Në Durrës e mbyti

Dhe kokën ia shtypi me top nga Kalaja,

Kur hodhi Esadin [3] nga Froni nga maja,

Nga foraca në pluhër, nga burgu në det,

Me grush prej rrufeje, që ngrin e që tret.

Kuçedra e thyer,

Në turp e përlyer

Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës

Dhe ngrihet me forcë, në Gjol, afër Urës.

Shqiptari i verbuar vërsulet në det,

Shkel Flamur dhe Nënë dhe vëllezër po vret.

“Dy herë të ktheva,

Të shtriva, tëndeva,

Po parapë u-ngjalle dhe prapë u-ngrite,

Prit-më, the, prit-më!” Dhe prapë-iu vërvite,

Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,

Kalorës i huaj që vdiqe për ne!

Nga Ura, nga Ura

Po ikni, o burra?

Ju ikni, po hije e kalorsit [4] s’ikën!

Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,

Se urën e ruan, se Urën e mbron

Stihia – Shqiponjë, me qip e me thonj.

Te Ura, te Uara,

Vajtoni o burra,

Thomsonin e ngratë që ju vetë e vratë,

Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,

Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,

Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe.

_____________

 [1] Din – fj.  arab. fe, besim, kult.

 [2] Dovlet – fj. arab. shtet, pushtet, emën që i jepet shtetit turk.

 [3] Esadi – Kryefeudali Esad Pashë Toptani.

 [4] Kalorësi – Koloneli Tomson.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura