SKËNDER BASHA: JETËSHKRIMI IM! SI ECËM NË RRUGËN PËR LIRI!(2 – e fundit)

Therandë, 20 qershor 2017: (Fillimet e veprimit politik- ushtarak) –  Në fillim të vitit 1998 do të jem në kontakt të vazhdueshëm me Hysen Gegën, Halil Krasniqin, Ilaz Kadollin, Gafurr Elshanin e shokë të tjerë dhe do të shqyrtojmë mënyra të veprimit në rrethana të reja të krijuara në Kosovë.
Fillimet e veprimit ushtarak-luftarak, angazhimet tjera
Më 15 maj 1998, në shtëpinë time do të vije stafi komandues i njësisë së UÇK-së “Çeliku 50”, përkatësisht komandanti Habib Elshani dhe Ilaz Kadolli, të cilët shtëpinë time do ta caktojnë bazë të parë ushtarake, ndërsa mua do të më jepet detyra të krijojë e komandojë njësinë e parë të UÇK-së në këto anë. Gjatë marsit të atij viti, së bashku me Bislim Muqën, Azem Kolgecin dhe Enver Bashën, do të krijojmë bërthamën e më pas njësinë në përbërje të së cilës do të veprojnë dy skuadra, të cilat i komandonin Bislim Muqa dhe Azem Kolgeci, kurse në përbërje të njësitit kishte shtatëmbëdhjetë ushtarë, të gjithë të armatosur, të cilët deri në qershor do të bëjnë roje vëzhgimi. Në këtë kohë, njësit ishte në pritje të ardhjes së një oficeri; Kjo ishte marrëveshja ime dhe “Çeliku 50”. Krahas kësaj, këtu ishin bërë të gjitha përgatitjet për rrethanat e reja. Kështu, unë, do të këshillohem me Bajrush (Sahit) Llugagjiun e Sejdi (Miftar) Muqën, ndonjëherë edhe me Mustafë (Adem) Kolgecin; Do të regjistrojmë vullnetarë të cilët do të na i ushtrojë e përgatis për luftë “Abi” (Afrim Basha) dhe do ta caktojmë shitoren e Hamit Rraqit si qendër për grumbullimin e informatave, kurse në marrëveshje me Velime (Brahim) Loshi do të vendosim që komanda e njësisë të vendosej në shtëpinë e tyre. Gjatë kësaj kohe, mua dhe njësitin tim do ta vizitojë Idriz Hyseni nga Drenica dhe Avdi (Sadik) Kadolli, me ç’rast bashkë do ta vëzhgojmë objektin e Antenës.

Në ndërkohë, sapo kishte ardhur Sadik Halitjaha, i cili kishte marrë detyrën të formonte Batalionin II, do të më kontaktojë mua dhe bashkë do të vendosin që njësiti që po vepronte në Vraniq të ishte Togë që vepronte në kuadër të Kompanisë që mbulonte territorin e Buzhalës, Bukoshit dhe Vraniqit, e në kuadër të Batalionit II, me komandë në Budakovë. Me propozimin tim do të merremi vesh që të bisedonim me Adem B. Kolgecin mundësinë e emërimit të këtij të fundit komandant të Togës në Vraniq, dhe kështu u bë. Më pas, jam pran komandantit Sadik Halitjaha; në kontakt të vazhdueshëm me Kryesinë e fshatit dhe me këshilltarët e mijë, në realizim të kërkesave dhe të detyrave të kohës dhe të atyre që shtronin bashkatdhetarët, bashkëluftëtarët dhe rrethanat në prag të luftës. Tanimë do të veproj haptazi, nën armë, dhe do të derdh mundin në realizimin e detyrave nga më të ndryshmet në tërë zonën që pretendonte të mbulojë me veprimtari luftarake Batalioni II, për të organizuar ushtrinë dhe luftën.
Në verën e vitit 1998, me kërkesën e profesorit Shefki Muqa dhe Halil Krasniqit do të ndihmojë në pajtimin e kundërshtimeve dhe në tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes njësiteve “Çeliku-50” dhe “Lisi”. Këtë do ta bëjmë në kontakt me Feim Balajn dhe me Ukë Bytyçin.
Pas ndërhyrjes së forcave armike kundër organizimit ushtarak të UÇK-së dhe pozicioneve të saj, më 27 shtator 1998, me kërkesën e shokëve, sërish marr komandën në njësitin e Vraniqit dhe e komandoj atë për tri ditë, sa zgjati kjo përballje me forcat armike: ushtarake, policore e paraushtarake serbe. Për zëvendës timin kisha emëruar Reshat Muqën.
Me të kaluar ky rrebesh, sërish jam në organizim dhe rimëkëmbje. Për ta arritur këtë do të bashkëpunojë me Sadik Halitjahën, me Komandant “Guri”, me Kurtesh Fondajn, Halil Krasniqin, Selim Hazirajn, Mehmet Mustafën, Haqif Kadriajn, Haxhi Sallaukën, Agim Zybën, Muhamet Buzhalën etj. Kurse me t’u ndërruar komanda e Batalionit II, në nëntor të vitit 1998, komandanti i ri i Batalionit II, Fehmi Berisha nga Gurbardhi i Malishevës, më emëron: Ndihmës të tij për çështje morale e politike, si dhe për çështje informimi e marrëdhënie me civil, përkatësisht Komisar Politik në Batalionin II.
Këtu jam deri në fund të luftës, në realizim të detyrave të shumta, ku pos të tjerash më bie barra që të krijoj, në të gjitha fshatrat e pjesës Jug- Lindore të Komunës së Suharekës, Shtabet Civile të Mbrojtjes dhe të koordinojë veprimet e tyre si dhe të ruaj e të ngritë lart e me lart moralin e popullatës dhe të ushtarëve të UÇK- së, me të cilët e bënim luftën; do të ruaj e kultivojë raportet e bashkëpunimit e bashkëveprimit mes Batalionit II dhe njësisë së Komandant “Abi”, Komandant “Guri” dhe njësitet e Zonës Operative të Nerodimes, me të cilat kufizoheshim në veprime luftarake e të cilat i komandonte Ahmet Kaçiku. Në këtë kohë, nga Sadik Halitjaha e nga drenicasi Idriz Hyseni, do të jem i propozuar që këtë detyrë ta kryej pranë komandantit Tahir Sinani në Zonën Operative të Pashtrikut (ZOP). Por, me këtë, nuk do të pajtohem, me arsyetimin se këtu isha mes njerëzve që më njihnin dhe se do të jepja kontribut dhe ndihmesë më të madhe.
Si përgjigje kërkesës së komandantit të Batalionit II, Fehmi Berisha, do ta propozojë Reshat Muqën për Komandant të Kompanisë Vëzhguese- Diversante në Batalionin II, e përgatitur për ndërhyrje të veçanta e të shpejta dhe kështu ishte vendosur e bërë, e më pas ngjashëm do të veprojmë edhe kurë emërojmë Zaim Muqën komandant të Togës II në Vraniq.
Për të ruajtur karakterin çlirimtar të luftës do të bashkëpunojë me serbët lokal të fshatit Popolan dhe Dvoran. Kjo deri në mobilizimin e përgjithshëm, të dhunshëm të tyre, kur e prishën këtë marrëveshje. Qëndrimi im i parë me të përfunduar lufta, ishte: Të rehabilitoheshin të plagosurit, të rivarroseshin ushtarët dhe civilët e varrosur gjithandej, të ruhej pasuria e njerëzve dhe fondi i bagëtisë, të rehabilitohej gjendja e rënd e krijuar si pasojë e luftës.Veçmas do të kujdesem për fatin e robërve të luftës.
Angazhimet pas përfundimit të luftës
Më kishte rënë të dëgjojë se forcat serbe i kishin marrë ata në rrugëtimin e tyre për Serbi, e megjithatë, do të lus komandantin dhe zëvendëskomandantin e ZOP–it, Tahir Sinanin e Sadik Halitjahën, të urdhërojnë kontroll të hollësishëm, thyerjen e të gjitha depove në Prizren, në kërkim të ndonjë të mbylluri, robi lufte. Për t’u siguruar do pyes në çdo shtëpi a banesë që ndodhet pranë burgut të Prizrenit dhe do të kontaktojë KMLDNJ në Prizren. Më pas do t’u rri fare pranë familjeve të këtyre robërve të luftës, deri në kthimin e tyre nga burgjet serbe, pas luftës.

Qeveria e Përkohshme e Kosovës do të më caktojë bashkë-koordinator, me Riza Vatën, për komunën e Suharekës. Detyrë e jona ishte të krijonim pushtetin civil në komunë, ndërsa ishim sugjeruar që vendin e kryetarit dhe nënkryetarit të Komunës ta rezervonim për vete. Për të shmangur çfarëdo fërkimi të mëtejmë, të dëmshëm, mes krahëve politikë në terren; do të përcaktohemi që për Kryetar Komune të sillnim, nga Durrësi, Halit Berishën, kurse për Nënkryetar të sillnim, nga Vlora, Haxhi Zybën. Dhe për të realizuar këtë, në Shqipëri kishim dërguar të afërmit e tyre. Me këtë nuk do të pajtohen shokët tanë, veçmas, Besim Baraliu dhe do ta emërojnë: Haki Gashin për Kryetar dhe Ilaz Kadollin Nënkryetar të Komunës së Suharekës, vendim të cilin do ta përkrahë Ramë Buja.
Për kontributin e dhënë dhe detyrat që kam kryer gjatë luftës, komanda e Batalionit II do të më nominojë për gradën e kapitenit, ndërsa udhëheqësit e rinj komunal do të më emërojnë Drejtor në Ndërmarrjen e Pyjeve të Komunës së Suharekës. Këtu do të qëndroj deri në vjeshtë të vitit 2000, kurse me vendimin tim, të parë në këtë ndërmarrje, do t’ia ulë vetës pagën për 50 për qind, duke zbutur dallimin mes pagës maksimale dhe asaj minimale nga gjashtë me një, në tre me një. Do të angazhojë në terren të gjitha mundësitë që kisha të mbrojë pyjet.
Angazhimet në jetën civile të pasluftës
Në fund të vitit 2000 UNMIK-u, krijon Agjencionin Pyjorë të Kosovës (APK) dhe do ta shuaj Ndërmarrjen e Pyjeve, duke krijuar Njësitë Komunale të Pylltarisë. Tani caktohem Përgjegjës i Njësisë Komunale të Pylltarisë për Komunën e Suharekës dhe këtu do të jem deri kur “Partia Demokratike e Kosovës” (PDK), ta marr pushtetin në nivel qendror, me ç’rast, njerëzit e saj, më largojnë nga aty. Pas këtij zhvillimi, bëj punën e teknikut të pyjeve.
Në vitin e parë pas përfundimit të luftës, pasi arrijë ti pajtojë kundërshtitë dhe të shuaj tendencat për ndarje të ish-luftëtarëve, themelojë Degën e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK- së për Suharekë. Kuvendi do të zgjedh kryetar Nezir Kryeziun, kurse unë do të jem anëtar i kryesisë së kësaj shoqate. Meqë, kryesia e shoqates ishte jofunksionale, do të bëjë përpjekje të shumta, ta bëjmë funksionale, por pa sukses, andaj me kërkesën time dhe ndonërit nga ne, do të vet- shkarkohemi.
Po atë vit, bashkë me Bislim Muqën dhe Arben Veselajn, do të përkrahë dhe do të ndihmoj në themelimin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK- së, ku shokët do ta zgjedhin kryetar Enver Bashën, të cilin më pas, sapo ai ti vë punët në binarë, do ta heqin nga aty, në mënyrë krejt joparimore dhe atë për interesa të ngushta një grup njerëzish që në luftë kishin pasur fatin e njëjtë me të.
Veçmas do të kujdesem dhe padyshim, jam më i merituari, për demokratizimin e jetës dhe për tolerancën politike në fshatin Vraniq por edhe në nivel komune deri në zgjedhjet e para politike të pasluftës e edhe më tej.
Jeta politike pas luftës
Menjëherë pas luftës do të refuzojë ofertën tepër serioze t’i kthehem Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me “shpërblimin” se do të merrja “gjithë të mirat e botës” duke filluar nga paratë e shumta me të cilat LDK- ja atëherë po blinte aktivistët, postet në parti, në pushtet e deri te karriera e bujshme e garantuar në politikë.
Me gjithë vërejtjet dhe sugjerimet nga shokët e LPK-së do të ikë nga ajo dhe do të bëhem anëtar i “Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës” (LKÇK). Do të jem nismëtar dhe bashkë me Haxhi Zybën, Riza Vatën, Ibrahim Hoxhën, Leonard Shalën dhe shumë shokë të tjerë do të themelojë Degën e LKÇK-së në Suharekë. Në LKÇK gati gjithherë do të jem kryetar ose do të ushtrojë detyrën e Kryetarit të Degës, kur Haxhi Zyba kishte probleme me shëndetin, ndërsa do të jem edhe Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në nivel Qendror, në Prishtinë, në mandatin e fundit, para se ajo të shndërrohet në Lëvizje për Integrim e Bashkim (LIB). Në LIB, isha Kryetar i Degës për Suharekë dhe Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në nivel Qendror.
Lufta kishte përfunduar suksesshëm por megjithatë me marrëveshje (Marrveshja e Kumanovës), andaj në këtë pasluftë e sa i përkiste statusit të Kosovës çdo gjë ishte pezull. Po kontaktohesha nga përfaqësues të mekanizmave të shumtë ndërkombëtarë, madje deri te përfaqësuesi i qendrës së NATO-s në Bruksel, me të cilin ishim zgjatur plot gjashtë orë në bisedë. Në të gjitha këto takime me këta, veçmas po përmendja qëndrimin e LKÇK- së: “Se çfarëdo kthimi i Serbisë në Kosovë, për ne do të thoshte luftë”. Disa herë po më përmendnin se më karakterizon sinqeriteti, se jam i këndshëm në bisedë dhe se jam bashkëbisedues interesant. Do të më thurin edhe lavde të tjera që nuk më bënin përshtypje, ndërsa që ne kishim tërë përkushtimin të mos e humbnim paqen-pasluftën. Ishin vite të rënda, politika kosovare kishte marrë tatpjetën, e ne në pamundësi t’ia ndërronim rrjedhën, kishim dalë me kërkesën të mos dilej në zgjedhje. Kohë dhe rrethana skajshmërisht të rënda e të mundimshme, tani në plan politik. Numër i konsiderueshëm bashkëluftëtarësh i ishin kthyer LDK- së, të cilën ishte një rast i mirë ta qonim në histori ose edhe më mirë në harresë, meqë kishte ulur kokën dhe ishte përmbysur e tëra; E edhe më keq që numër poashtu i madh i tyre po i bashkoheshin PDK- së me gjithë gënjeshtrën e sajë, që në lindje, se kishte dalë nga lufta. Janë kohë kurë këta të parët (LDK) duhej të ndjeheshin keq për të bëmat, por edhe për ato që si kishin bërë, ndërsa që këta kishin ngritur kokë kundrejt çlirimtarëve, kurse të dytët (PDK) po sakatoseshin së rrahuri gjoks për të bëmat e tyre. Të lirë ishin vetëm të pamoralshmit; E unë për herë të parë kisha kërkuar ndihmën e Zotit.

Me gjithë respektin për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), s’do të pranojë të shkojë Kryetar i Degës së saj në Suharekë, në një moment vështirësie që kishte kjo parti, para se të shkonte Vesel Maliqaj kryetar. S’do të pranoj, edhe dy herë të tjera, të jem Kryetar i Nëndegës në Vraniq për t’ua ringjallur këtë nëndegë, ndërsa gjithë herë do t’i përkrahë në zgjedhje, qofshin ato lokale ose vendore.
Sado i lutur nga profesorët e nderuar, Shefki Muqa e Bexhet Berisha, s’do të pranoj të shkoj të instalohem kryetar as në Degën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Suharekën, kjo në një moment të krizës së thellë në këtë degë, para se të shkonte aty Safet Hoxha. Tashti, përcjell me shumë simpati veprimet dhe mënyrën se si i bënë veprimet politike lëvizja “Vetëvendosje” dhe jam duke e përkrahur moralisht atë.
Kisha emocione kur arritëm bashkimin e serishëm të “LIB” dhe “LB”, por meqë burrat s’po gjejnë mundësi unifikimi me subjektet tjerë që angazhohen për bashkim kombëtarë, e i vetëdijshëm se bashkimi arrihet vetëm duke u bashkuar, fillimisht, individët; Sapo i zgjedhur Anëtarë në Këshillin e Përgjithshëm të “LB”, paksa i revoltuar do të pushoj aktivitetin tim politik, në ruajtje të energjisë që ka mbetur për ndonjë veprim atdhetarë. Këtu duket të jetë hera e parë që “Ik”; Por edhe do të mësoj se ikja në të vërtetë nuk është gjithëherë një gjë e keqe. Njeriut, gjithësesi, ndonjëher iu dashka të strehohet. Ose, thjeshtë arratisem sado i vetëdijshëm që arratisja s’është liri, edhe për t’iu lehtësuar punë atyre (LDK- së në fshat) që në pasluftë ishin marrë vesh dhe i kishin vu vetes detyrë të më shkatrronin politikisht. Thënë më drejt: Kishim fituar mbi pushtuesin, dhe nuk doja të mundem e as të fitoja mbi shqiptarët. Është për keqardhje kështu si popull inteligjent që jemi, ndërsa nga mospuna jonë jemi bërë krejt injorant dhe të pa ditur. Sikur nuk ndjehemi mirë kur s’kemi kënd mbi kokë. Nga kjo vuajm e do të vuajmë edhe më, tani kur do duhej të përjetojmë një rilindje të bujshme e të fuqishme kombëtare. Sërish po vonohemi, të mjerët ne.

Letërnjoftimi im
Më karakterizon dashuria dhe respekti për njerëzit, veçmas për shokët; Sinqeriteti dhe ndjenja e bamirësisë. Flas sipas shembullit tim, nuk thërras; S’lidhem me individin, ngase aty ku është thënë më së shumti “Rroftë”, aty ka dalë gërmadhë; Te njerëzit gjithherë kam kompensuar zhgënjimet; Kurrë s’kam treguar shenja prej karrieristi; Gjithherë i jam shmangur çfarëdo klani e çfarëdo rryme; Përkulem para flamurit kombëtar dhe veprës së dëshmorëve; Më shkatërron varfëria intelektuale, psikologjia e robit, mendësia fisnore e organizimit dhe qeverisjes. Shkruaj poezi, ndoj ese, tregim te shkurter, ose analize, të cilat herë pas here i botoj aty-këtu; Dhe le shenim secilin hap a veprim tim. (…) ( FUND)

(Shkëputur nga libri në dorëshkrim: “SHËNIME BIOGRAFIKE – SI E BËMË LUFTËN”)

________________________

SKËNDER BASHA: JETËSHKRIMI IM! SI ECËM NË RRUGËN PËR LIRI!(1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6632
***
SKËNDER BASHA: JETËSHKRIMI IM! SI ECËM NË RRUGËN PËR LIRI!(2 – e fundit)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6633

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura