Durrës, 16 prill 2021: Me Donika Gërvallën si Ministre e Jashtme e Kosovës, diplomacia shqiptare për herë të parë do të zhvillojë e zbatojë një diplomaci të përkushtuar dhe të mirëfilltë kombëtare.
Kjo pasi në të kaluarën e deri më tani diplomacia shqiptare si ajo në Shqipëri, ashtu edhe ajo në Kosovë ka qenë e plogësht, joaktive dhe jo në nivelin që kërkon diplomacia, por inferiore karshi diplomacisë rajonale në Ballkan dhe asaj europiane.
Ajo ka funksionuar ashtu dhe tipikisht si pasqyrë e politikës dhe qeverive shqiptare të cilat më shumë janë interesuar për interesa personale e partiake përfitimesh e pushteti dhe për të promovuar e reklamuar ideologjira e politika partiake se sa për interesin kombëtar shqiptar.
Pra më sakt akoma diplomacia shqiptare ke ekzistuar pothuajse formalisht me zyra, ambasada e konsulllata të mbushura me të punësuar në poste e detyra sa për rroga e ziafete.
Këtë shkrim po e filloj me një përshëndetje dhe mirënjohje votuesve në Kosovë që me 14 Shkurt 2021 bënë ndryshimin e madh kombëtar: ndëshkuan krimin dhe korrupsionin e lartë shtetëror, ndëshkuan politikën e papërgjegjshme dhe të interesave personale mbi ato kombëtare dhe sollën në pushtet një elitë me të vërtetë kombëtare, me misionin dhe vizionin “Kombi dhe Kosova mbi politikën dhe mbi interesat personale”.
Kam rreth 4 vite që kam mbështetur fort me dhjetra shkrime e opinione ardhjen në pushtet të VETEVENDOSJES, pra, të Albin Kurtit dhe të Vjosa Osmanit, të cilët që në vitin 2018 i pata parashikuar si Kryeministër KURTIN dhe si Presidente OSMANIN. Ndjehem shumë mirë që ky parashikim dhe dëshirë e imja u realizua me 14 Shkurt 2021.
Por sot në këtë shkrim dua të përqëndrohem shkurtimisht në faktin se Donika Gërvalla si Ministre e Jashtme e Kosovës, ajo është me meritë Ministrja e Duhur në Ministrinë e Duhur, në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.
Ndjehem shumë mirë për faktin se ajo e meriton këtë detyrë me përgjergjësi të lartë kombëtare, dhe se çdo shqiptar është edhe i bindur se Znj. Gërvalla është më se e duhura dhe më se e merituara në atë ministri, për faktet se ajo është bija e Heroit të Kombit Jusuf Gërvalla, pra ajo së pari ka një trashëgimi patriotike e kombëtare, rritur dhe edukuar me patriotizëm dhe kombëtarizëm të lartë, gjë e cila përben tiparin kryesor dhe më të duhurin që duhet të ketë një politikan e politikane.
Me këtë rast dua të përshendes Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin të cilët ia besuan diplomacinë shqiptare Znj. Gërvalla, pra diplomacia shqiptare për herë të parë si ajo në Shqipëri ashtu edhe ajo në Kosovë ka në krye të saj personalitetin e duhur patriot, të përgjegjshëm kombëtarisht, të guximshëm dhe të aftë e të përgatitur intelektualisht e profesionalisht për t’u përballur dhe për të sfiduar diplomacitë serbo-ruse por edhe ato serbofile në Europë dhe botë.
Duke e njohur mirë diplomacinë e shtetit 100 vjeçar në Shqipëri dhe atë të këtyre viteve në Kosovë, them se diplomacisë shqiptare nuk i ka interesuar shumë politika dhe interesi kombëtar gjithëshqiptar por më shumë interesi politik dhe ai ideologjik i pushtetit dhe i politikës personale, partiake dhe të regjimeve që kanë sunduar në Shqipëri si dhe as diplomacisë së këtyre viteve të shtetit të Kosovës.
Ministritë e Jashtme, ambasadat e konsullatat shqiptare kanë qenë mbushur me individë që as kuptimin nuk ia dinë termit diplomaci; mbushur me individë me lidhje politiko-klanore, familjare dhe më shumë Ministria e Jashtme dhe ambasadat e konsullatat kanë qenë dhe kanë shërbyer si streha militantësh e injorantësh, duke i parë dhe shfrytëzuar ato si mundësi e shanse biznesi e punësimi, dhe që asnjëherë nuk e kanë kryer si duhet misionin diplomatik, atë të përfaqësimit dhe të promovimit të intersave kombëtare të shteteve shqiptare.
Pra diplomacia e Shqipërisë por edhe ajo e Kosovës ka qenë reflektim dhe pasqyrim i vetë politikës së qeverive dhe të interesave qeveritare e të pushtetit se sa të interesave të shtetit e të kombit. Dhe jam i sigurtë se Znj. Gërvalla do të bëjë VETING-un në diplomaci, në Ministrinë e Jashtme, në ambasadat dhe në konsullatat e Kosovës.