Durrës, 3 mars 2019: Ka rreth 29 vite pas rënies së komunizmit dhe Shqipëria nuk po del akoma nga tranzicioni paskomunist.
Kjo për faktin se nuk është realizuar akoma standardi bazë i demokracisë që janë: zgjedhjet e lira, të ndershme, demokratike dhe të pamanipuluara.
Politika e tranzicionit në Shqipëri ka prodhuar standarde tipike zgjedhjesh demokratike “Made in Albania” të tilla si :
1-Vjedhje votash, duke i mbushur kutitë me fletë votime në favor të Partisë që ka pasur pushtetin. 2-Manipulimi me numrimin e votave, manipulimi i rezultatit dhe shpalljen e fituesit të deputetit dhe të zgjedhjeve në favor të pushtetit që organizonte zgjedhjet dhe 3- standardi më efikas dhe dominant për të gjithë periudhën e tranzicionit : shitblerja e votës me para, lekë e euro kesh ose me “klering”, pra pazar shitblerjeje votash jo vetëm me lekë por edhe me thasë mielli,orizi e shishe vaji që njihet si: vota në këmbim të thesit të miellit.
Politika e këtij tranzicioni , i gjithë establishmenti politik paskomunist është thellësisht i falimentuar dhe i dështuar si një elitë politike e kriminalizuar, e korruptuar dhe si manipulatore, hajdute dhe trafikante e votës së lirë. Me votën e popullit, kjo elitë politike ka manipuluar e spekuluar paturpësisht duke arritur deri atje sa ajo ka manipuluar dhe spekuluar rëndë dhe shumë paturpësisht e pandershmërisht sidomos me varfërinë e shqiptarëve, të cilët i ka mashtruar duke edhe ua blerë votën atyre , pra, duke shfrytëzuar edhe varfërinë, duke u ofruar atyre edhe një thes miell në këmbim të votës.
Kjo është e vërtetë pasi këtë e kanë pranuar edhe vetë shumë politikanë e deputetë shqiptarë sipas të cilëve pranohet se edhe është krijuar një shtresë prej 20% e votuesve të cilët e shesin votën edhe për një thes miell. Po të njëjtën gjë e denoncojnë edhe vetë qytetarët në biseda te zakonshme dhe në televizione ku më së shumti kjo dëgjohet prej tyre në emisione televizve e në media të shkruara, te ato media te pakta e shumë të rralla të cilat janë të pavarura nga politika , korrupsioni dhe nga paraja. Pra, kjo votë e blerë me paratë e drogës dhe me thesin e miellit është vendimtare në përcaktimin se cila parti politike i “fiton” zgjedhjet dhe e “fiton” mandatin qeverisës.
“Standard” tjeter si një antivlerë demokratike është edhe vetë Kodi Zgjedhor i cili ka ligjësuar autokracinë dhe ka asgjësuar edhe demokracinë e brëndshme të partive politike, pasi i ka bërë dhe u ka dhënë kryetarëve të partive politike shqiptare “të drejtën e pronësisë private” mbi partitë të cilat ata i sundojnë.
Kjo vihet re dukshëm sidomos te të tre partitë kryesore politike shqiptare, pasi deputetët dhe kandidatët për deputet nuk i zgjedh as populli ,por nuk i zgjedhin as partitë dhe as baza e tyre, por i cakton dhe i liston vetëm kryetari dhe një shpurë e vogel servilësh rreth tij.
Pra në parlament shkojnë deputet ata të cilët i zgjedh dëshirimi dhe vullneti i kryetarëve të partive politike.
Ky është edhe standardi “demokratik” i partive politike në Shqipëri që së bashku me standartin e “thesit të miellit”, shitblerjes së votës dhe që janë standardet të cilat e mbajnë peng demokracinë , shtetin ligjor , zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë. Këto standarde kriminale, antiligjore e antidemokratike i dinë shumë mirë edhe nderkombëtarët , të cilët mjaftohen vetëm me deklarimet e tyre se: zgjedhjet nuk plotësonin standardet demokratike por ishin më të mira se ato paraardhëse dhe prandaj janë të pranueshme.
Por po i pyesim këta vëzhgues e monitorues ndërkombëtarë se po të zhvillohen të tilla zgjedhje si këto në Shqipëri të këtyre 29 viteve, po të mbaheshin e bëheshin të tilla zgjedhje në vëndet e tyre, a do të ishin ato të pranueshme për ta!?
Si janë të pranueshme këto zgjedhje dhe nga ana tjetër, për shkak se në Shqipëri nuk funksion shteti ligjor me standardet demokratike, Ju të BE-së, për këto arsye e keni lënë Shqipërinë jashtë BE-së. Prandaj BE mjaft më me hipokrizirat e pabesirat e juaja antishqiptare. Kjo tregon se BE-së nuk i intereson se a bëhen zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri, nuk i interson BE-së as integrimi dhe as demokracia në Shqipëri pasi ata tashmë duket se e shikojnë dhe e konsiderojnë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare si një vënd eksperimental krizash elektorale, shitblerjeje votash, destabiliteti politik dhe djegie mandatesh.
Ata ndërhyjnë sa për t’u dukur sikur po iu “dhimbsen” Shqipëria e shqiptarët por realisht nuk është e vështirë që të lexohen e të kuptohen deklaratat lobuese të korruptuara të tyre në favor të njëanshmërive politike , sidomos në favor të politikës që ka pasur dhe te asaj që merr pushtetin.Ata ndërhyjnë vetëm atëhere kur gjëndja dhe situata politike në Shqipëri, kur ajo agravon e përkeqësohet në paqëndrueshmëri dhe në kaos. Pse p. sh. edhe aktualisht ashtu si gjithnjë edhe më parë , a nuk e dinë BE realitetin në Shqipëri: të shitblerjes së votës, të krimit e të korrupsionit,të varfërisë, papunësisë, të arsimit e të shëndetit si dhe përmasat e jashtëzakonshme të eksodit të shqiptarëve, apo kjo gjëndje në Shqipëri mos do të thotë se Europa dhe BE e pranojnë edhe këtë realitet si standard “demokratik” vetëm për shqiptarët, standard i cili mbeti i tillë në Shqipëri që prej rënies së Komunizmit e deri sot?!
Janë konsumuar dhe nuk durojnë dhe as nuk pranojnë më shqiptarët qëndrimet edhe te ndërkombëtarëve të cilët deklarojnë se në Shqipëri rëndësi ka stabiliteti për ta. Jo, për shqiptarët rëndësi kanë demokracia , mirëqënia , punësimi dhe ligji. Pra, në emër të stabilitetit që kërkojnë diplomatët, deputetët, politikanët apo të derguarit nga BE nuk kanë pse të vuajnë e të durojnë shqiptarët zullumet e zullumqarëve të politikës së krimit, korrupsionit, të hajdutërisë dhe të padrejtësive e mashtrimeve të regjimeve antipublike që prej 29 vitesh. BE nuk duhet të eksperimentojë dhe të përdore standarde të dyfishta ,tjetër gjë në vendet e tyre dhe tjetër gjë në Shqipëri. Pa demokraci u themi ndërkombëtarëve nuk ka stabilitet; pa zgjedhje të lira, të paminipiluara dhe jo të shitura e të blera nuk ka stabilitet politik në Shqipëri, ashtu sikurse pa këto standarde nuk do të ishin demokratike as shtetet antare të BE-së. Nuk e justifikon stabiliteti jodemokracinë në Shqipëri, ashtu sikurse nuk është e pranueshme për demokracinë as stabiliteti i vendosur nga diktaturat dhe as ai i regjimeve autoritariste, dhe as stabiliteti i vendosur nga regjimi apo i sistemi i korrupsionit dhe i maniplimit të zgjedhjeve me vjedhje votash , as me vota të shitura dhe as me votat e thesit të miellit.
Postime të Lidhura
SKËNDER SADRI KAPITI: SHQIPËRIA DHE KOSOVA!
Durrës, 7 maj 2019: Shqipëria, kryeministri dhe qeveria e tij jo vetëm se janë për ndarjen e Kosovës,…
NJË RRËFIM NGA UDHËTIMI I ANGLEZËVE NË SHQIPËRI NË KOHËN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT
NJË RRËFIM NGA UDHËTIMI I ANGLEZËVE NË SHQIPËRI NË KOHËN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT Nga Durim Abdullahu,…
MBROJTJA E KOSOVËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
MBROJTJA E KOSOVËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE Nga MA. AGIM ALIÇKAJ Ministrja Gërvalla në OKB krenare me luftëtarët…
SADRI RAMABAJA: POLITIKA SI STRATEGJI VEPRIMI DHE MISION HISTORIK
Prishtinë, 30. 01. 2014 – Lëvizja Vetëvendosje! është forca politike më tipike shqiptare e kësaj epoke. E inicuar…