Pashtriku.org, 10 shkurt 2018: Ky tekst përbën parathënien për librin 2-vëllimësh Illyrish-Albanische Forschungen – Studime iliro-shqiptare, me pjesëmarrjen e prof. dr. Konstantin Jireček, prof. dr. Milan Šufflay, shefit të Seksionit Theodor Ippen, profesor E. C. Sedlmayr, arkivuesit dr. Josef Ivanič, Ëeiland Emmerich von Karácson, drejtuesit të Seksionit mbretëror hungarez Béla Pech dhe Karl Thopia.
Përgatitur nga dr. Ludwig von Thallóczy
Vepra që paraqitet në dy vëllime, përmban një numër studimesh dhe punimesh, me përmbajtje pjesërisht historike, pjesërisht etnografike – të së drejtës zakonore, të cilave u bashkëngjiten edhe punime aktuale që lidhen me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë si dhe shpjegime për të shkuarën e afërt të Shqipërisë. Autorët e këtyre punimeve të renditur në mënyrë kronologjike dhe sipas përmbajtjes janë dijetarë dhe shkrimtarë nga të dyja shtetet e Monarkisë.
Botuesi ka marrë përsipër që punimet e dijetarëve të çështjeve iliro-shqiptare, që janë publikuar tashmë në revista të ndryshme, t’ia paraqesë edhe një rrethi tjetër lexuesish, të cilët për këtë territor kanë patur interes të vazhdueshëm dhe jo vetëm të lindur në sezonin e ashtuquajtur ballkanik 1913/1914.
Për dijetarët e monarkisë është thuajse një detyrim nderi, që të kujdesen për këtë fushë studimesh, duke qenë se ishte konsulli i përgjithshëm austro-hungarez, Johann Georg von Hahn (1811–1869), ai që përmes librit të tij “Albanesische Studien – Studime shqiptare” (1854) na e bëri më të afërt Shqipërinë, madje dua të them, e lidhi me ne.
Pas tij ishte Benjamin von Kállay, politikani më i njohur i Orientit në Hungari, i cili gjatë mbajtjes së detyrës si ministër (1880-1903) mbështeti me këshilla dhe vepra të gjitha përpjekjet shkencore për ta sjellë më afër e për ta lidhur edhe më shumë Shqipërinë me ne. Në saje të tij u përgatit historia e parë e shkruar e vendit. Gjithashtu, edhe alfabeti shqip dhe krijimi i gjuhës së shkruar shqipe ishin dy nga pikat e programit të tij për Ballkanin. Punimet shkencore të epigonëve, mes të cilëve në radhë të parë vlejnë të shquhen ata të prof. Konstantin Jireček dhe Milan v. Šufflay, për shkak të burimeve të reja të përdorura, na sjellin një pasurim me vlerë të njohurive historike mbi Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me vendet fqinje. Punimet nga fushat e etnografisë dhe të drejtës zakonore shqiptare, veçanërisht studimi udhëçelës i shefit të seksionit Theodor Ippen, janë me rëndësi për etnologjinë krahasuese.
***
Vëllimi II përmban dy punime nga ekspertë të mirënjohur, të cilët trajtojnë kushtet bujqësore dhe hidrografike të Shqipërisë. Në pjesën e dytë të vëllimit II publikojmë punime të mbajtur rreptësisht objektivë që lidhen me historinë e Shqipërisë së thirrur në jetë përmes Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe të rënë qysh para Luftës I Botërore. Përmes publikimit të këtyre studimeve dhe projekteve, ne synojmë të sjellim provën që Austro-Hungaria në gjithë përpjekjet e saj lidhur me Shqipërinë iu përmbajt saktësisht marrëveshjeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, duke mbajtur veçanërisht parasysh që përmes vendimeve të këtij takimi çështja shqiptare ishte kthyer në çështje europiane.
Nga ana tjetër, Monarkia udhëhiqej rreptësisht nga marrëveshja e cila më 6-7 Nëntor 1897 u lidh gojarisht në një takim në Monza mes ministrit të Jashtëm Austro-Hungarez Kontit Goluchoëski dhe ministrit të Jashtëm italian Visconti-Venosta, marrëveshje e cila në vijim u lidh edhe me shkrim në një shkëmbim shënimesh në vitin 1900/1901. Kudo ku ka patur arsye është bërë përpjekja që të gjenden mjete dhe mënyra që interesat e Austro-Hungarisë të sillen në linjë me ato të Italisë.
E mbajtëm këtë publikim larg çdo politike. Dhe trajtimin e temave më aktuale nga e shkuara e afërt e bëmë nga këndvështrimi i kërkimit historik, në mënyrë që të jepnim një material për vlerësimin zyrtar dhe tërësisht objektiv të ngjarjeve që po rrjedhin në Ballkan.
Nuk është e mundur të vlerësohet se sa e vështirë do të jetë që fijet e zhvillimeve më të reja të lidhen në mënyrë objektive në një tablo të qartë. Por kjo detyrë për botën e sotshme e atë që pason, lehtësohet, kur studiuesit bashkëkohës shpjegojnë qëllimet e secilit veprim të ndodhur.
Falënderime jepen këtu për ministrin hungarez të Kulturës Béla von Jankovich, i cili duke vlerësuar qëllimet e këtij botimi, mundësoi shtypjen e tij.
Dhjetor 1915
Postime të Lidhura
BRAHIM AVDYLI: E VËRTETA PËR SHQIPTARËT
Zvicër, 23. 06. 2014 – (Die wahre Geschichte der Menschheit kann geschrieben werden, nur wenn es in der…
SAIMIR LOJLA: GJENET, POPUJT DHE GJUHËT
Pashtriku.org, 17. 06. 2013 – Shkrimi i mëposhtëm është nxjerrë nga libri i shkruar nga Profesor Luigji Luka…
ILIRJAN GJIKA: AMANTIA – QYTETI ANTIK QË PRET KAZMAT E ARKEOLOGËVE
Fier, 16. 09. 2015: E ndodhur vetëm 35 km larg nga qyteti i Vlorës në Amantia mund të…
BESNIK Z.IMERI: GJUHA SHQIPE
Vlorë, 25 Mars 2020: Përmbi za q’lshon bylbyli / Gjuha shqype m’shungullon; / Përmi erë që m’nep zymbyli…