Tiranë, 23. 10. 2013 – (Shënime për librin “Orëndreqësi qiellor” i Moikom Zeqos, Helga’s secret, 2013) – Në mungesë të një kritike letrare strukturale, e cila hesht ndaj vlerave të mirëfillta letrare që botohen sot në Shqipëri e ndjej si një obligim të ve në dukje një fenomen të ri, i shfaqur me kohë në krijimtarinë e njerit prej krijuesve më të rëndësishëm të brezit tim, i mirënjohuri Moikom Zeqo, i cili befason nga viti në vit, me çdo krijim që nxjerr në dritë, një krijues me një frymëzim të pashtershëm dhe shumëdimensional.
Kjo shtysë nuk ka arsye miqësore, as për të përmendur vlerat e padiskutueshme të krijmtarisë letrare të mikut tim. Arsyeja vjen nga dëshira për të sensibilizuar një dukuri poetike të këtij autori, e rritur dhe e shumëfishuar në vite, e cila e ka zanafillën qysh në fillimet e viteve shtatëdhjetë, kur Moikom Zeqo, djalosh 22 vjeçar, nis punën në Lidhjen e Shkrimtarëve. Revizionimi optik i një poezie metaforike u vërejt qysh atëhere nga të gjithë. Nga sa kam vërejtur unë, ndër shkrimtarët e viteve shtatdhjetë, edhe pse ka pasur prurje të dukshme, pakkush e ka rritur cilësisht dhe kulturalisht krijimtarinë e vet, duke e ushqyer vazhdimisht me dije dhe imagjinatë, si dhe duke i qëndruar konsekuent stilit dhe bërthamës tematike, e cila ngërthen në vetëvete, ndjenjë e mendim, filozofi, dije dhe estetikë, si dhe një kulturë universal.
Në poezinë e Zeqos ka një vizion metaforik të jetës, ku brenda vetëdijes së saj ndërthuren intuitivisht ndjenja dhe mendimi, intimja dhe universalja. Libri i fundit “Orëndreqësi qiellor”, e nxjerr më në pah këtë tipar, ndonëse, mund të them se nuk është më i rëndësishmi në të gjithë krijimtarinë e bollshme të këtij autori, por, as nuk është në të njëjtin rrafsh me librat e tij të tjerë, “Orëndreqësi Qiellor” është një piketë e ndritshme në rrugëtimin e tij të gjatë poetik.
Gjatë krijimatarise sime kam konstatuar se ka dy lloj poetësh, poetë që pasurojnë krijimtarinë e vet në mënyrë horizontale, dhe poetë, të cilët në rrugëtimin e vet thyejnë klishe, duke u ngjitur dhe zhvilluar përmes spirales së rritjes dhe ndryshimeve të vazhdueshme. Moikom Zeqo bën pjesë në kategorinë e atyre poetëve që synojnë të ecin në rrugë të pashkelura e ngjiten në ca zona të virgjëra. Këtë gjë ai e ka arritur me një vërshim të madh sasijor dhe cilësor.
Librin “Orëndreqësi qiellor” do ta përkufizoja me fjalët e kritikut Gjergj Zhej, si një “interpretim i shpenguar i vlerave ritmike dhe instrumentuese të vargut” Me “Orëndreqësi Qiellor” Zeqo ka synuar atë që poeti i madh Majakovski do ta quante: “Përtëritje e çdo dukurie që unë hetoj tek tingulli”. Në vitet shtatëdhjetë një ndër admiruesit e mëdhenj të poetëve botërore ishte poeti Majakovski, disa syresh janë rrekur t’ia imitojnë stilin, jo shpirtin as figuracionin futurist, mirëpo, përsa i përket guximit eksperimetues figurativ, vetë Moikom Zeqo i afrohet këtij moderniteti futurist, gjë që pakkush e ka vënë re.Te libri “Orëndreqësi Qiellor” ky neofuturizëm është i organizuar rigorozisht, në rima kapricioze. Modeli i ri i kësaj poezie ka lindur te Moikom Zeqo së bashku me ritmin, si një nevojë e brendshme, për ta trasmetuar mendimin poetik, kësaj radhe edhe përmes një konstanteje metrike, që është muzikaliteti i brendshëm.
Sa i përket figuracionit letrar, ndryshe nga Kadareja që përdor kryesisht krahasimin, ose Agolli që operon me detajin jetësor, apo Rreshpen, që kalon në vegime mistike, Moikom Zeqo ia beson emocionet metaforave. Aristoteli e quante metaforën ”mbretëresha e tropoeve letrare”. Në një nga poezitë e tij të hershme vetë Zeqo thotë: Të flasësh me dialektin e metaforave që vetëm zogjtë e dinë.” Libri i tij më i ri, “Orëndreqësi qiellor”, i cili mund të quhej dhe ”pjesa e munguar e librit “Centauri i ri” e çon gjer në kult këtë “mbretëreshë të tropeve”
“Orëndreqësi qiellor” është një libër modest, i vogël për nga shumësia e faqeve, por është i pajisur me një një studim të mirëfilltë të poetit Petrit Nika, i cili të befason me gjuhën profesionale, të cilës do t’ia kishte zili çdo “kritik titullar” që merret me këtë zhanër të vështirë. Nika e përcakton poezinë e Moikomit: ”një dije e thelluar në lëmijët e historisë, filologjisë, filozofisë dhe ekzistencës.” Poetika e Zeqos është, ”poetika e qenies dhe poetika e historisë”, – thotë autori. Kjo dominante është një vijimësi e librit “Centauri i ri”, por dhe në një spirale rritjeje përsa i përket modernitetit të shprehjes figurative të cilën do ta quaja me plot të drejtë “një futurizëm modern” i cili ka lindur dhe rritet në poezinë tonë me Moikomin.
Libri hapet me poezinë që emërton librin, “Orëndreqësi Qiellor”
Ku është e bukura? Ku është Arkadia?
Pse Korbi i Poe-s thotë kudo “Never More”?
Veç trafiku i pandalshëm me drita,
Është ëndrra e një orëndreqësi qiellor.
Do të mjaftonte vetëm kjo strofë për të kuptuar çfarë të veçante sjell autori me këtë libër të ri, një prurje të re, jo thjesht, si tematikë, por dhe në organizimin e vargut dhe në metaforat futuriste, që mbajnë vulën e patjetërsueshme të origjinalitetit të këtij autori. Kjo veti vihet re po të shikosh edhe titujt e disa poezive: “Kirurgu kozmik”, ”Vajtocat lulëkuqe”, ”Pricërit e zjarrit”, ”Thellësitë janë kuaj”, ”Kishat e gjumit”, ”Bujtina e braktisur e Purgatorit”, ”Qiejt e rinj”, ”Epose pluhuri”, ”Vagina e kitarës”, ”Pagjumësia e Zotave”, ”Thoi i engjëllit”, “Bota e poshtme e përrallës”, ”Pasaporta qiellore”, ”Pesë oqeane misteri”, ”Hyu i erërave”, ”Engjejt e internetit”, “Rrufe në akull”, ”Penda e Gabrielit”, ”Ofelia me mjekër”, “Letra e pasvdekjes”, “Kuajt fluturues”, “Tërmeti i trëndafiltë”, ”Poema e universit”, ”Kuajt e erës”, “Dialekt metaforash” etj. Në fakt, e gjithë poezia e Moikom Zeqos është një dialekt metaforash, është një gjuhë poetike e cila do përkthyer nga zogjtë për ta kuptuar njerëzit, ose duhet të kesh kulturën e duhur dhe të jesh i prirur për ta njohur këtë gjuhë, pasi ajo aq sa gjendet brenda këtij realitetit aq gjendet dhe brenda irealitetit ndjenjë- mendim, një ngjizje intuitive e cila krijon një materie të veçantë poetike.
Në vazhdën e këtij figuracioni që unë do ta quaja pa frikë “futurizëm”, unik në poezinë shqipe, Zeqo modelon një materje të thurur me imazhe dhe tinguj, ndjenjë dhe mendim, filozofi, dije dhe shkencë. Të gjitha këto, të organizuara në rima dhe ritme, sikur të kishte pasur parasysh shqetsimin e kritikut të shquar izrailito-amerikan, Harold Bloom, i cili pyeste miqtë e tij kritikë: “Përse disa poezi të ndërtuara me rimë na mbeten në mend?”
Moikom Zeqo shkruan pambarimisht; poezi, prozë, studime, ese filozofike, pa i dhënë rëndësi nëse do të kuptohet nga bashkëkohësit e vet. Kjo gjë pak rëndësi ka për autorin,pasi ajo nënkupton formimin e lexuesit dhe nuk është shqetësuese për një autor, i cili nuk synon të zbresë tek lexuesi, por pret me një heshtje modeste që lexuesi ta ndjekë atë lexuesi të ngjitet në hapësirat e imazheve ku jeton autori. Moikom Zeqo s’mund ta ulë kuotën e vizionit poetik, përkundrazi, ai në rrugëtimin e tij të gjatë poetik, gati pesëdhjetëvjeçar, në kurbën e krijimtarisë së tij ka synuar ngjitje të pandërprerë. Atij do të mjaftonte për t’ia kuptuar poezinë e tij qoftë dhe “një autor”, një ide që e përmendtte shpesh, nobellisti Ezra Paund.
Në pasthënie poeti Petrit Nika i bën një përcaktim të saktë poezive të Zeqos, kur thotë: “Për nga stili i veçantë, midis klasikes dhe modernes, dhe një lloj lakonizmi apo “senticizmi” në numërin e limituar të strofave, ligjërata poetike e Moikomit sjell një gjeografi dhe kohë pa kufij, sjell aspekte historike dhe sociologjike, të qenësisë njerëzore, të moralit, të filozofisë, të etikës, të religjionit dhe mitologjisë, duke krijuar një kuotë enciklopedike brenda tekstit poetik.”
Për nga idetë që trajton poezinë e Zeqos mund ta klasifikonim globaliste, jo vetëm si referim, por si vetëdije e një kanosjeje globale. Në këto poezi ndeshim dramën e njeriut pa përkatësi, e pa kufij shtetesh, ndeshim dramën e kërcënimit global, por dhe dramën e njeriut të thjeshtë i cili shkëputet për ditë e më tepër nga natyra dhe nga natyra e vetë njerëzore.
“Homo sapiensis”, sipas Zeqos, sot po zëvendësohet me “Homo kiberniticus” Në një nga poezitë e këtij libri ai e çon dhe më tej këtë ide kur thotë :”Kibernitika po e klonon vet shekullin” (Valkira)
Në fund, për të shuar kureshtjen e lexuesit, do të vija në dukje disa vargje por dhe për të ilustruar mendimin e mësipërm që poezia e Moikom Zeqos përshkohet nga një figuracion futurist.
”Në brendësi të qenies ideja s’ka flatër”, “Çfarë argjendari prej muzgut bën kurorën e mbretit?”, ”Skifterët mitikë të pikëllimit të madh”, ”Dita e porsalindur thinjet si stres”, ”Kujtesa ka tatuazhe në lëkurë të planetit”, ”Bluja e detit ndryshket nga vjeshta.”, ”Si ta vesh parzmoren prej muzgu të shiut?”, ”Ulërin në shi luani i shën Markut.”, ”Kujtova se më erdhën tre të Bukurat, por qenë: Brenga, Ankthi dhe Vdekja”, “Email-et më rrethojnë gjithandej si një kor.”, ”Buajt mitikë të Butrintit tërheqin plugun e mijëvjeçarëve të fjalës.”, ”E dashur, ku je? E largon mungesën, me flokë rontgeni në gjithësi.”
Po i mbyll këtu këto shënime rreth librit të tij më të ri, duke i uruar mikut tim Moikom Zeqo, mos t’u shteroftë pena kurrë!