Prishtinë, 21. 03. 2013 – Evolucioni nuk e ka vendin vetëm në shkencën e biologjisë. I gjori Darvin, sa kohë dhe angazhim i është dashur të shkrijë mend për të konstatuar ndryshimet evolutive, të trajtave kaluese të botës shtazore, prej një lloji në llojin tjetër, prej majmunit te njeriu ynë, e që është dashur të kalojnë miliona vjeçar. Mirë e ka gjetë Darvini! Më mirë do ta kishte pasur sikur të ishte marrë me evolucionin në shkencën e politikës, ku ndryshimet evolutive mund të maten me shpejtësinë e dritës! E jo me periudha mijëra vjeçare, sepse , më në fund, kush ka ymer dhe durim për të pritur aq gjatë që t’i shohë dhe përjetojë ndryshimet e pritura! Kurse më së paku këtë durim mund ta gjesh te shqiptarët!
Kështu po i ndodh edhe pinjollit tonë, Krye shefit të Kosovës dhe politikanit nr.1. Sipas të gjitha gjasave këtij nuk ia paska dashur hiç lëndën e biologjisë, e më së paku disiplinën e evolucionit të Darvinit. Dhe nuk ka pasur faj. Ky dëshiron sa është vetë gjallë dhe deri sa t’i ketë dhënë Zoti ymer, me ia zgjidhë të gjitha problemet shtetit të Kosovës, e jo me ia lanë varur në qafë gjeneratave që do të vijnë pas tij! Kushedi, ndoshta Zoti ua ka dërguar shqiptarëve të Kosovës (dhe jo vetëm këtyre!) mu këtë ‘profet’-politikan për ta rehatuar këtë popull njëherë e përgjithmonë, e që kurrë nuk u gëzua e kurrë nuk i pati tri ditë të mira! Dhe këtë askush s’e di më mirë se Krye shefi ynë, e le më të mendojë për të dhe të vuajë më shumë se ai! Siç po e dëgjojmë shpesh një shprehje: njeriu i duhur në kohën e duhur!
Bruksel, 20 Mars 2013: Hadhim Thaçi, znj.Eshton dhe Ivica Daçiq.
Evoluimi nga bisedat 100% teknike në 100% politike!
E po, atëherë, Zoti mos na lashtë pa një njeri të mençur e të dijshëm, sikur që është Krye shefi ynë, politikani nr. 1! Përndryshe ky milet i shkretë do të merrte fund me çka ka! Si i pari i shtetit që është, i takonte që të ofrojë edhe ide të reja dhe që ato t’i shpaloste para opinionit ndërkombëtar dhe para popullit të vet për përmbajtjen e tyre! Ato mund të mos ishin ide krejt origjinale të tij, se mund t’i kishte fryrë dikush në vesh nga anash, por rëndësi ka se kush i shpalos i pari.
Ide fantastike: bisedime teknike me Serbinë! Si shteti më i ri i Evropës duhej dëshmuar edhe me ide të reja. Edhe me qëllime dhe veprime fer dhe moderne. Për të mirën e dy popujve, të shqiptarëve dhe serbëve. Prishtinës dhe të Beogradit! Për qarkullimin e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të ideve! Kryekëput për bisedime teknike! Ani që Serbia kishte kryer veç disa vjet më parë gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës; ani që Beogradi nuk kishte pranuar asnjë faj për të gjitha të zezat që i kishte shkaktuar atyre, e lë më të kërkojë falje për të gjitha këto; ani që më e keqja, ajo as që merr mundin për t’ia kthyer eshtrat e mijërave shqiptarëve të varrosur në fshehtësi nëpër djerrinat dhe moçalet në tokën e saj!
Dhe përkundër kësaj, pse të mos ketë dialog me Serbinë?! Si shteti më i ri në Evropë, nuk mund të shkohet përpara me ide dhe qëllime të demoduara, primitive, jashtë kohës moderne! Të parët tanë kanë thënë: i mençuri dhe i dijshmi lëshon udhë, e jo budalla, jo ahmaku! Nuk duhet me u ba me mend të Serbisë! Shyqyr që më në fund u ‘shkoqëm’ prej saj! Tani dorën në zemër, nuk duhet me ua hupë meritat edhe atyre që na kanë ndihmuar. Prandaj për hatër të tyre, me lëshue pak pe bre! Bisedime teknike më! Po edhe nëse nuk dalin bash bisedime të pastra teknike, siç theksonin dhe parandienin disa liderë opozitarë,nuk bën që të injorohen me të parën! Njeriu i mençur dhe largpamës duhet të jetë elastik, dialektik, evolutiv, por jo dogmatik! E shyqyr Zotit që nga gjiri popullit tonë gjithmonë gjendet ndonjë njeri i mençur dhe i dijshëm që nuk na lë në lloç dhe na nxjerr nga kriza! E ne, ja ku e kemi Krye shefin tonë, politikanin nr. 1, i cili nuk shkel në dërrasë të kalbur, sepse i disponon të gjitha këto cilësi! Ai, jo vetëm që e ka kuptuar, por i është nënshtruar për mrekulli procesit të evoluimit! Ligjeve të dialektikës! Prandaj mos u bëni shumë merak dhe mos u dëshpëroni nëse këto bisedime gjatë udhës kanë humbur kuptimin që të quhen teknike e jo politike! Duhet ecur me kohën. Ec me kohën!
Po. Tashmë bisedimet midis Prishtinës e Beogradit mund të quhen ‘të pastra’ politike! Politike dhe diplomatike! Me pjesëmarrje të politikanëve nga Prishtina dhe Beogradi dhe diplomatë nga Perëndimi. Evropa dhe Amerika. Prandaj, mos u dëshpëroni! Nuk jemi vetëm! Në këtë dialog ndërmjetësojnë edhe diplomatë të kalibrit botëror. Por të kuptohemi, jo për bisedime teknike, por 100% politike! Për territor të Republikës së Kosovës, të Veriut të Kosovës. Të maskuar si ‘asociacion i komunave serbe’. Me shumicë të banuar prej entitetit serb, të arritur brenda pak vitesh! Mos u ngutni dhe mos paragjykoni asgjë para kohe! 2 Prilli është afër. Më në fund gjithçka do jetë e zgjidhur sipas Kushtetutës së Ahtisarit. Kushtetuta jonë është e shenjtë! Asgjë përtej saj! Nuk ka Ahtisari ‘plus’! Nuk ka këtu farë pikash të Ban Ki Munit! Nuk ka pushtet ekzekutiv për serbët në veri! Nuk lëshon pe Krye shefi ynë. Duke mbrojtur Kushtetutën e Ahtisarit, 12 orë qëndroi pa asnjë kompromis! Rroftë Ahtisari! Rroftë Krye shefi i Republikës! 2 Prilli (jo 1 Prilli) s’është larg. Do të sqarohen të gjitha!… Fleni dathun!