SYLEJMAN PIREVA: RRËFIMET RRËNQETHËSE TË PACIENTES ME ‘ZORRË’ NËPËR KËMBË

 (Prishtinë, 16. 01. 2013) – Papastërtia – Kush është ai më i pari që ka thënë se “pastërtia është gjysma e shëndetit” ?! Kjo s’është aspak e vërtetë! S’ka shumë rëndësi kush është ai i pari apo i dyti që ka menduar kështu, por ia paska huqur keq! Kështu na e patën shpjeguar mësuesit tanë qysh në klasën e parë fillore, por siç duket më shumë për shkak të edukatës! Nëse u bën puna vaki që ta shihni pisllëkun e përjetuar, për të cilin flasin plot gërdi pacientet tona që kanë pasur fatin ta përjetojnë keq, do të thoni se asgjë s’paskan ditur mësuesit e gjorë, ose ashiqare paskan gënjyer! Ose thënë ndryshe, ne nuk paskemi mësuar asgjë prej tyre! Po si është e mundur që kjo të ndodhë mu në institucionin shëndetësor?! Prandaj pra! Jam i sigurt (tek e përmenda fjalën pacientet), se edhe ti, lexues i nderuar, po e kupton se ku po aludoj! Atje ku më së shumti do duhej të gjente përdorim këshilla e mësipërme e mësuesve tanë: në klinikat e spitalit më të madh dhe më të njohur të shtetit të Kosovës! Në (Krye)qytetin e Kosovës!

Kujtoj se s’ka nevojë që ta bëj përshkrimin e kësaj gjendjeje të ‘pisavtë’ në të gjitha klinikat e këtij spitali (sepse s’ma lejon hapësira e gazetës), por po ndalem në përshkrimin vetëm të asaj më kryesores, më të famshmes: Klinikës së Gjinekologjisë! “Fabrikës” së prodhimit të qenieve njerëzore! Sepse as për ndonjë fabrikë zor që do të dëgjoje një kësi rrëfimi rrëqethës, siç i kishte ndodhur një pacienteje sa ishte e shtrirë atje për kurim! Të asaj klinike, drejt së cilës i kemi të ‘kthyer sytë të gjithë’, kur dihet se shumica e femrave tona përjetojnë lindjet e para, por edhe të tjerat me radhë. Por përjetimet e lindjeve, të dhimbjeve pra, që mund të merren si të natyrshme, do të harrohen shumë më lehtë dhe më shpejtë se përjetimet ku shtrihen ato për të lindur ose për t’u kuruar!… Në krevate të vjetruar e të amortizuar sikur të ishim në kohë lufte! Shtretër të ndyrë, çarçafë, jastëkë të vjetruar dhe të papastër, mbulesa të holla si në verë! As qentë për të mos lakmuar që të shtrihen në to! Mjerë ajo paciente që s’i ka kushtet për t’i ndërruar ato, duke ia sjellë burri ose dikush tjetër prej shpie më të mira e më të pastra! Aq më vështirë kur qëllon stina e dimrit! Dhomat e ftohta dhe fare pa ngrohje! Dikush nga pacientet do të ketë sjellë me vete ndonjë kalorifer, por pastaj prit kritikat se ‘ora e rrymës sa mund po sillet’! Por të gjitha këto s’janë kurrgjë, për pa të rrokë ‘zori’ e me shkue në WC! Ujët të përzier me të fëlliqtë!… O ku-ku medet, deri në zog të këmbës! Mjerë ajo që e rrok ‘zori’, se veç n’i mbathtë çizmet, përndryshe s’ka pse ia mësyn ‘atje’! Ose le t’i përvjelë pizhamet deri në gju, por ku me i la këmbët e të mbathurat mbasandaj se?! O mjerim!… Hajt merre ‘obrokun’ e haje pastaj, nëse të hahet, pas gjithë përjetimit të kësaj skene! Të vjen me vjellë dhe me i qitë zorrët përjashta! Spital se jo mahi!
“Bontoni” i mjekëve dhe i motrave!
“Kur shkova në klinikën e gjinekologjisë, nuk dija nga të orientohem. Mu kujtua emri i një doktori…, i pyeta, ku gjendet zyra e tij? Më thanë në katin e sipërm. Aty hasa në një doktor tjetër dhe iu drejtova për ndihmë, duke i shpjegu se si e kam punën dhe qysh kam qenë në ambulancën e shtetit, Ajo kishte pasur gjakderdhje jo normale). A e dini çfarë m’tha? “Nuk më intereson jeta jote private, ku ke qenë, te kush je kontrollu, je e lirë të dalësh, shko kah të duash”, edhe pse i thash nuk po di kah të orientohem”… janë këto vetëm disa nga rrëfimet origjinale të një pacienteje, e cila e zhgënjyer deri në palcë, ishte në gjendje të fliste me orë të tëra, për të gjitha ato që kishte parë dhe përjetuar për disa ditë sa kishte qëndruar aty, qoftë për nivelin e pastërtisë kurrfarë, qoftë për sjelljet e personelit mjekësor, qoftë për diagnostifikimin e pasaktë të sëmundjes, kur dy vetë nuk pëlqejnë midis tyre dhe japin udhëzim të ndryshëm për të njëjtën gjë! Qysh ta kuptosh se cili e ka më mirë dhe kujt t’i besosh më parë?!
Po të mos ishte solidarizimi midis vetë pacienteve të sëmura, sa për kujdesin e disa motrave, të cilat janë të detyruara që t’u gjenden sa më afër, ato mund të kalojnë çaste edhe shumë më të vështira! Sidomos netët dhe vikendet janë të padurueshme! Kuptohet, ato që janë më pak të sëmura u dalin në ndihmë pacienteve në gjendje më të rëndë shëndetësore, për disa shërbime që munden dhe dinë t’ua ofrojnë, edhe pse nuk është punë e tyre! Por puna më e vështirë për to del kur shoqja e dhomës kërkon që ta shoqërojnë për në WC! Dhe jo vetëm për shkak të sëmundjes dhe pafuqisë së saj, por edhe për ‘pis-hanën’ që i pret atje (siç e thamë më herët)! Ndodh shpeshherë që pacientet më të ligshta të përjetojnë alivanosjen në gjysmë të korridorit dhe vetëm atëherë alarmohet situata dhe ndërmerren masat! E kur pacientja nis të këndellet, fillon të marrë kritikat e motrës se “për çka me u ngritë nga krevati kur e di veten se në çfarë gjendje je?!” Veç që nuk i thonë që herëve të tjera le ta bëjë nevojën në shtrat! Po, sepse motrat e shtrijnë muhabetin të tubuara së bashku në një dhomë, me kafetë përpara, duke u kakarisur ha-ha-ha e hi-hi- hi, madje duke ia marrë edhe ndonjë kënge në kor si në ditë dasme!
Ku është Ministria e Shëndetësisë?!
A thua është në dijeni Ministria e Shëndetësisë, apo thënë më drejt, ministri i saj, i cili edhe vetë është me profesion doktor, se të gjitha këto janë duke ndodhur dhe janë të vërteta?! Nëse jo 100%, atëherë jo më pak se 99%?! Sikur të provonte ai vetë që në një rast të bëhej “tebdil” dhe të shkonte për t’u bindur vetë, me sytë dhe veshët e tij! Mbase kjo do të kalojë një ditë, por vetëm pasi të kryhen zgjedhjet në këtë institucion të cilat kanë marrë nër udhë dhe kurrsesi të ftillohen për së mbari! Zoti iu ndihmoftë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura