TЁ VRARЁ PA VARRЁ!

Të vrarë e të pa varre

(Kjo poezi u kushtohet Aliut, Jahjas dhe Lucie Geo-Fushës, të zhdukur pa gjurmë nga sllavo-komunistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Familja Fusha, që për dekada mbeti në pritje të së vërtetës, ngre zërin kundër heshtjes së imponuar dhe thërret për ndriçimin e kësaj ngjarjeje përtej propagandës dhe frikës.)

Jahja Fusha, shtatlartë e shpatullgjerë,
me guxim dha kushtrimin:

“Bashkohuni, Prishtinë, Shkup, Preshevë e Tiranë,
se këtij vendi gjithmonë Shqipni i kanë thanë!
Zgjohuni, Shkodër, Ulqin, Hot e Grudë,
Sjenicë e Pazari i Ri —
ta mbrojmë të shenjtën Shqipni!”

Ai, edhe në Lidhjen e Dytë të Prizrenit,
më 16 shtator 1943, si delegat i saj,
me fjalën e tij të matur e me peshë
zemrat e të gjithëve i çoi peshë.

Jahjaja apeloi kudo ndër shqiptarë
që Shqipnisë zot me i dalë.

Ai tha:

“Po nuk u mbrojt sot Shqipnia,
do të na mallkojë Perëndia
dhe gjatë do të na sundojë serbo-sllavia.”

Shtriga e tërbuar nga zemërimi
mblodhi sahanlëpirës e zagarë:
vrau Aliun
dhe kidnapoi Jahjan me Lucien.

Ekzekutoi Lucien shtatzënë,
me tortura shtazarake,
e mbyti Jahjan.

U humbi gjurmët
dhe i la pa varre.

Të shitur e paçavure
i këndonin Jugosllavisë
e vëllazërim-bashkimit;
s’çanin fare kokën në ç’mjerim
ishte zhytur Shqipnia —
verbërisht ishin dhënë pas internacionalizmit proletar,
pamëshirshëm varnin e masakronin burra e djem shqiptarë.

Të punojmë e të ndriçojmë historinë,
të mos i harrojmë ata
që me jetë mbrojtën Shqipërinë.

Me luhatje, diktate e inate
nuk shkruhet historia,
as nuk bëhet kurrë unike Shqipëria.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 9 shkurt 2026

—————

Nënë gjakovare

(Kushtuar nënave gjakovare)

Nënë gjakovare, shqiponjë mbi Çabrat,
gurrë burimi e Erenikut.
Djemtë dhe vajzat e tua,
tmerr për armikun.

Mbaje kokën lart,
ndjehu krenare,
të vetmin djalë Atdheut ia fale,
të njeh e gjithë bota,
nënë gjakovare.

Gjaku i fëmijëve të tu,
dritë për Gjakovën
dhe Kosovën.

Nënë gjakovare,
nënë e një dhembjeje të madhe,
që rëndon si plumb në zemër,
gjakun e bijve e bijave të saj
kurrë nuk e harron, gjithnjë krenare,
simbol i nënës së vërtetë shqiptare.

Arif Ejupi
Gjenevë, 23 mars 2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura