TA NJOHIM JUSUFIN!

Fjalim i Nazmi Selmanaj mbajtur në ditëlindjen e 65-të të Jusuf Gërvallës, më 1 tetor 2010

TA NJOHIM JUSUFIN!

Nga Nazmi Selmanaj

Gjithmonë e kam menduar me vend që ne, shokët, miqtë e Jusufit, të gjithë ne të vdekshmit e zakonshëm, të mblidhemi në ditë të tilla, më shumë në përkujtimin e ditëlindjes së Jusufit se ndoshta edhe të vetë ditëvdekjes së tij. E kjo, ndoshta, jo aq për të nderuar Jusufin, sepse s’besoj që Jusufi e ka të nevojshme këtë gjë. Ai e ka bërë këtë me veprën e tij, më mirë se të gjitha përpjekjet tona. Por, mendoj që duhet të mblidhemi më shumë për një qëllim praktik… të konstatojmë një mungesë… një hapësirë që nuk po arrin akoma të mbushet, që Jusufi e krijoj me lindjen e tij dhe e shndërroj në zbraztësirë me vdekjen e tij.

E kam fjalën për të rikonstatuar mungesën e madhe për atë lloj njeriu çfarë përfaqësonte Jusufi. Njeriun që, si të thuash, vjen në jetë për një mision thuajse të shenjtë, përgatitet që në lindje për këtë mision dhe i gjithë formimi i tij është në shërbim të këtij misioni.

Jam kujdesur që të mos flasë shumë për Jusufin dhe të mos lëshohem në vlerësime të figurës së tij deri tani, sepse gjithmonë i jam frikësuar një subjektivizmi që, pothuajse, është i pashmangshëm kundrejt njerëzve me të cilët të lidhin momente të veçanta. Gjithmonë e kamë parë të nevojshme një distancë kohore për t’i vlerësuar me objektivitet ngjarjet. Zakonisht, pas një periudhe, gjërat bëhen vetiu më të qarta: heronjtë nuk janë më aq heronj, armiqtë nuk janë më aq armiq, veprat madhore nuk janë më aq madhore, ose veprat e këqija nuk janë më aq të këqija. Por, mendoj se me Jusufin ka ndodhë krejt e kundërta. Rrethanat aktuale e kanë bërë akoma më të madhe rëndësinë e Jusuf Gërvallës në historinë tonë moderne. Kjo për një sërë arsyesh, por njërën e cilësoj si më të rëndësishmen.

Historisë shqiptare dhe përpjekjeve tona në konsolidimin si shoqëri asnjëherë nuk i kanë munguar patriotët, njerëzit që e kanë ndjerë një shtytje të brendshme për t’i shërbyer atdheut të tyre në nevojë. Por ka një kategori tjetër figurash historike, shumë më të nevojshme, e që fatkeqësisht i kemi pasur gjithmonë të rralla. Janë ata lloj njerëzish që kuptojnë thellësisht frymën e një epoke, që ngjizin formimin e tyre intelektual në përputhje me këtë frymë dhe kanë forcën dhe guximin për ta drejtuar edhe popullin e tyre në përputhje me këto rrjedha. Jusufi ishte më shumë i kësaj kategorie. Ai ndjeu herët një lëvizje të re në drejtim të lirive të individit, të drejtave të njeriut dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje. Formimi i tij intelektual dhe moral ishte tërësisht në përputhje me këto tendenca. Prandaj, kyçja e tij në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare nuk ishte thjeshtë një impuls patriotik. Ishte një vizion i cili buronte nga një formim karakteri dhe nga një analizë pragmatike e ngjarjeve.

Bëjnë gabim të gjithë ata që Jusufin e paraqesin gjithmonë nën dritën e atdhetarit të flaktë që qëllim të vetëm ka largimin e një pushteti tiranik. Kjo gjë është një e vërtet e pamohueshme, por njëkohësisht është një ngushtim i madh i cilësive të këtij njeriu. Përpos një njeri me dashuri të pamasë për atdheun e tij, për njerëzit e jetën në përgjithësi, një shpirt i lirë në mendime e sjellje, një artist shumë-dimensional, mbi të gjitha, ai kishte një projekt që i inkorporonte të gjitha këto. Një projekt që shkonte shumë më larg se çlirimi, se një betejë apo një luftë.

E kujtoj, jo pa u skuqur, vrullin rinor të gjithë neve të tjerëve që e mendonim si të mjaftueshme të duash atdheun dhe të jesh i gatshëm për sakrifica. Atdheun e lirinë i konceptonim si ideale për të cilat vetëm ëndërrohet dhe luftohet. Prandaj, s’është e çuditshme që paqja disi na surprizoj. U ndjemë të shterpëzuar pa idealet e dikurshme dhe të befasuar nga fakti se paqja qenka akoma më e rëndë se lufta. Me një projekt afatshkurtër që përfundonte me çlirimin, ju kthyem improvizimeve të momentit për të ndërtuar paqen dhe akoma jemi po në këtë stad – improvizojmë. Improvizojmë politikën e jashtme e të brendshme, improvizojmë artin e kulturën, improvizojmë marrëdhëniet tona me të tjerët e më vetën, improvizojmë identitetin tonë. E kjo për një arsye të vetme: ky shtet, nuk ka në themel një vizion të qartë në bazë të të cilit është krijuar e zhvillohet.

E ndryshe do të ishte nëse do të arrinim të kuptonim të gjithë ne atë logjikë veprimi që adaptonte Jusufi. Projekti i tij për shtetin ishte longitudinal e transversal, njëkohësisht. Merrte për bazë të gjithë të kaluarën historike të shoqërisë sonë, të gjitha elementet kulturore e mendësinë tonë të krijuar ndër vite, dhe i inkorporonte në rrethanat e atëhershme dhe në gjeopolitikën e asaj kohe. Pra, ishte njeriu që ishte nisur të prodhonte efekte me projektin e tij, e jo i atillë që, pa projekt, planet ditore ua përshtat rrethanave të momentit.

Fatkeqësia më e madhe është se zhvillimi i këtij projekti përfundoj shumë herët, atëherë kur akoma nuk ishte shpalosur, e kur shumica nuk e kishte kuptuar mirë. Një natë janari ne humbëm njeriun që po e dërgonte popullin e vet drejt një katarsi më efekte të qëndrueshme. Njeriun që do të mund t’i jepte asaj që kemi sot një dimension tjetër. Një formë, një identitet dhe një emër të qëndrueshëm.

Prandaj, po e përfundoj aty edhe ku e nisa. Duhet të gjithë ne të bëjmë përpjekje më të mëdha për ta njohur Jusufin, e këtë ta bëjmë për vete. Sepse mund të gjejmë një model udhëheqësi, që sot e kemi më të nevojshëm së kurrë. Një njëri që është mbi ambiciet e ngushta e kacafytjet e momentit, që sheh larg e vepron arsyeshëm, që projekton në vend që të improvizoj, e që krijon në vend që të adaptoj.

__________

Foto në ballinë: Ludwigsburg (Gjermani) 1980: Nga e djathta veprimtari e heroi Jusuf Gërvalla (afër tij, vajza e Jusufit – Donika), ndërsa nga e majta bashkëveprimtari i tij Nazmi Selmanaj.

© Pashtriku.org

Letër e Jusuf Gërvallës për veprimtarin Nazmi Selmanaj

TË PUNOJMË ME NDËRGJEGJE PËR ZGJIMIN E PLOTË TË SHQIPTARIT TË ROBËRUAR

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura