TEFIK RAMADANI: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 – PËRMBYSËN IDENË E JUGOSLLAVIZMIT

Pashtriku.org, 19. 03. 2013 – Viti 1981, do të mbetet i shënuar në historinë e re të Kosovës, sepse, pikërisht këtu ndodhi ajo thyerja e domosdoshme e diskursit të imponuar politikë nga pushtetë – mbajtësit komunist, mbi zgjidhjen e drejtë të çështjes nacionale të Shqiptarëve në Jugosllavi. Pikërisht këto ngjarje provuan dhe dëshmuan, se të drejtat dhe pozita politike e shqiptarëve nën Jugosllavi, nuk ishte e zgjidhur. Revolta e madhe e popullit pritej të shpërthente për çdo dite. Dhe, ajo shpërtheu me tërë vrullin e saj, me 1 dhe 2 Prill 81, në demonstratat tanimë të njohura. Me një prill, që nga ora nëntë, filluan të grumbullohen njerëzit e revoltuar. Turma u rrit tej mase mbasdite, kur punëtorët filluan të dalin nga puna. Pa frikë mund të them, se atë ditë në Prishtinë ishin grmbulluar mbi 50.000 njerëz. Dhe, ajo ditë ishte madhështore. Atë ditë, publikisht, nga goja e atyre mijëra njerëzve u kërkua për Kosovën statusi i Republikës, kërkesë kjo, që u përhap në të katër anët e globit.
Unë isha bashkë me dy kolegët e mi, Eshtref Ismajlin nga Shumi i Strugës, mësimdhënës në shkollën teknike të Prishtinës dhe Sheremet Cakajn, mësimdhënës i matematikës, me të cilin punoja së bashku në shkollën e mjekësisë në Prishtinë. Afër nesh, në këndin para kino vllaznimit, ishin nxënësit e mi, klasa e laborantëve medicinal, me sa më kujtohet, në krye me Skënder Krasniqin dhe Vehbi Tahirin, të cilët nuk më lejonin tu afrohesha. Gjendeshim fare pranë lisit, afër Komitetit Krahinor, në të cilin rreth ores 17, hypën dy veta, për t’i lexuar kërkesat në emër të demonstruesve. Kërkesat me megafon i lexoi personi me mustaqe dhe me një kapelë franceze në kokë, për të cilin më vonë do të mësoj se ishte z. Hydajet Hyseni, nga Përlepnica e Gjilanit. Protesta ishte plotësisht e qetë, pa as me të voglin incident. Ishte mrekulli të degjojë dhjetëra mijëra njerëz, të shndërruar në një gojë, që brohorisnin, duam Kosovën Republikë.

Por, mrekullia nuk zgjati shumë. Fiks në ora 19:15 minuta, filloi sulmi i pamëshirshëm i policisë, me bomba gazi lotësjellës dhe shkopinjë gome. Prej policëve të qartur, iknim nga mundnim. Tek te shtëpia e pleqëve kam arritur të shkëputem prej masës së tronditur. Mbërrita vonë në banesë. Vetëm Arta e vogël po flinte. Ajo kishte lindur në janar 81. Sot, kur me pyet se në ç`kohe ka lindur, unë i them se, ti ke lindur bashkë me Republikën, dhe shpresoj shumë, se ti do e gëzosh atë (këta rreshta janë shkruar në vitin 1989). Por, ajo që ndodhi të nesërmen, me dy prill, ishte diçka e papritur. Ajo ditë i përngjante luftës së vërtetë. Sulmet bëheshin edhe gjoks me gjoks. Ne ishim duarthatë, ndërsa policët të armatosur gjer në dhembë. Atë ditë ranë edhe viktimat e para. (Azem Vllasi fliste për 11 viktima por, numri i saktë i të vrarëve kurrë s’është treguar).
Me dy prill, unë isha kryesisht të halla e sporteve “25 Maj“. Për të gjuajtur policinë, gurë kishte mjaft, sepse, pikërisht ato ditë shtrohej rruga para hallës së sporteve. Më ka mbetur në kujtesë shtëpia e Delibashiqëve, nga e cila pandërprerë shtihej me pushkë në drejtim tonin, me ç`rast vritet një i ri dhe plagoset një fëmi. Pas kësaj, me vinçin që ishte aty, tre demonstrues provojnë ta dëmtojnë këtë shtëpi, por pasi nuk munden, ia shtinë flakën. Drejtuesi i vinçit, një punëtor i „Ramiz Sadikut“ (gjithnjë mendoj se ishte Rrahman Bahtiri, anëtar i FNÇ’së), kërcen nga kabina, duke e lëshuar vinçin mbi pizgauerët e policisë, me ç`rast para menzës së studentëve i shkatrron tre prej tyre. Shtëpia e Delibashiqëve, me vite të tëra është lënë ashtu e tymosur nga zjarri, dhe me dritare të thyera, me të vetmin qëllim që, kështu të akuzoheshin shqiptarët për „dhunën“ e ushtruar mbi serbët.
Kjo ditë, ishte e rendë për Prishtinën, dhe për tërë Kosovën. Atë ditë u pa, se pushteti komunist, serbo-jugosllav, ishte po ai që ishte gjithmonë: i egër, shovenist dhe i pa mëshirshëm. Po atë ditë, dikund nga ora 21:00, në emër të udhëheqjes së Kosovës, doli me një deklaratë për opinionin, kryetari i kryesisë së Kosovës, z.Xhavit Nimani. Në atë deklaratë, ai tha për herë të parë, se fjala është për „tentim kundërrevolucionar“, dhe për forca armiqësore, që dëshirojnë ta shkaterrojnë vëllazërim – bashkimin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë. Udhëheqja e pavendosur e Kosovës, të cilën ngjarjet e vitit 81 e kishin gjetur në një gjum të thellë (A.Vllasi thotë, se elita politike e Kosovës nuk kishte njohuri se, çfarë po ndodhte), filloi t’i kryente “detyrat” që ia kishte imponuar qendra në Beograd. Ndërsa të nesërmen, përmes radios, popullit iu drejtua edhe prijësi dhe “heroi i Kosovës”, z.Fadil Hoxha i cili e tha atë “margaritarin” e tij të njohur, kur studentët dhe pjesëmarrësit e demonstratave i pagëzoi me epitetin “plehu i Kosovës”, dhe ” bira e minit do t’u kushtoi 300 grosh”. Vërtetë, mijëra shqiptarëve iu gjetë bira e minit. I gjori xha Fadil e kishte rastin të bëhej hero i Kosovës. Por jo, tani ishte e qartë, se heronjtë e vërtetë të Kosovës si: Shaban Polluzha, Gjon Sereçi, Emin Duraku, Xhevdet Doda, Ymer Berisha, Marie Shllaku, hoxha Idriz Velekinca (Gjilani) e shumë të tjerë, që moti hanin dhe.
Me fjalët e udhëheqjes së pavendosur të Kosovës u hap rruga e ndjekjes së pamëshirshme të shqiptarëve, dhe sulmit mbi çdo gjë shqiptare, e cila ndjekje po vazhdon edhe sot, dhe nuk dihet se kur do të përfundoj. Menjeëhere, partia (LKJ në Kosovë), me „aminin“ e qeverisë në Beograd, filloi aksionin famoz të diferencimit dhe të burgosjeve masive të shqiptarëve. Bartës të këtij aksioni ishin edhe shumë shqiptarë, që asokohe mbanin pozita të ndryshme në organet e partisë dhe pushtetit jugosllav. Diferencimi mori hov, sidomos pas ndërrimit të z.Mahmut Bakalli, dhe ardhjes së z.Azem Vllasi në krye të Komitetit Krahinor të LKJ’së. Së pari filloi në Universitet. Pjesa më e madhe e intelektualëve heshti, ose pa bërë zë i ngrinte gishtat, për të dënuar demonstratat si kundërrevolucionare. Të paktë ishin ata si (Prof.Gani Jashari, Prof. Hajredin Hoxha, Dr.Skender Karahoda e ndonjë tjetër) që i denonin demonstratat në mënyrë energjike.
Akademikët Ali Hadri, Gazmend Zajmi, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Nexhat Daci e tj., kurrë nuk i dënuan demonstratat si kundërrevolucionare (kujto Akademik Hadrin, kur i thotë Azem Vllasit, vëllaçko, ruaje njërin gisht për vete, se për mua njëri të mjafton), ndërsa mund të thuhet lirishtë se, intelektualët e vetëm, që hapur e mbrojtën kërkesën për Republiken e Kosovës ishin: i nderuari Mr. Ukshin Hoti (intelektuali dhe luftëtari me i sarifikuar për Republikën e Kosovës), Mr.Halil Alidemaj, regjisori Ekrem Kryeziu e ndonjë tjetër, por, ata u burgosën menjëhere.
Viti 1981, do të mbetet i shënuar në historinë e re të Kosovës, sepse, pikërisht këtu ndodhi ajo thyerja e domosdoshme e diskursit të imponuar politikë nga pushtetëmbajtësit komunist, mbi zgjidhjen e drejtë të çështjes nacionale të Shqiptarëve në Jugosllavi. Pikërisht këto ngjarje provuan dhe dëshmuan, se të drejtat dhe pozita politike e shqiptarëve nën Jugosllavi, nuk ishte e zgjidhur. Për shkak se „pushtetëmbajtësve jugosllavë në Kosovë“, pranvera e vitit 81 ua hoqi maskat e „baballarëve të kombit“, ata edhe sot e kësaj dite, edhe pse rrallë flasin, mundohen ti njollosin këto ngjarje, dhe drejtuesit e tyre ti denoncojnë si të shitur.
Sipas strukturave shtetërore Jugosllave në Kosovë, ngjarjet e vitit 1981, janë vepër e pushtetit Serb, me qëllim që Kosovës ti merret autonomia politike. Këto struktura kishin filluar të besonin në idenë e jugosllavizmit, dhe në bindjen e rrejshme, se Kosova në Federatën Jugosllave e kishte statusin e Republikës, asaj i mungonte vetëm emri. Nuk e kuptonin dot, se Jugosllavia e Titos, kishte vdekur, dhe ishte varrosur, bashkë me Titon në Dedinje. Me apo pa ngjarjet e vitit 81, Beogradi do t’ia merrte autonominë Kosovës (siç e quante Ukshin Hoti, autonomi e brishtë, të cilën edhe një fllad vere e rrëzon për tokë). Ata kishin pritur vetëm vdekjen e Titos.
– Autori është i Dipl. Heilpädagog/Defektolog, ish’pjesëmarrës në demonstratat e pranverës 1981 dhe ish i burgosur politik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura