TEFIK RAMADANI: KUMUNITETI SHQIPTAR NË MANHEIM TË GJERMANISË

Manheim, 01. 12. 2013 – Para pak ditësh në Mannheim të Gjermanisë u mbajtë një konferencë me temën: Plani Aksional i Mannheim-it për Tolerancë dhe Demokraci (MAP), nën mbikqyrjen e zyrës së të autorizuarit për Integrim pranë qytetit të Mannheim-it. Ishin rreth 40 pjesëmarrës nga shoqëria civile, ekonomia, politika dhe administrata e qytetit. Në këtë konferencë ishim edhe ne, përfaqesuesit e këshillit për të huaj të qytetit Mannheim.
Shoqëria dhe shteti Gjerman, tanimë e kanë pranuar se Gjermania është një vend pranues i migranteve, i cili ka nevojë për fuqi njerëzore, por para së gjithash, për njerëz të kualifikuar dhe për kuadro akademike të profileve të ndryshme. Kushti i parë për vendosje në Gjermani, është njohja e gjuhës gjermane dhe integrimi në shoqëri. Meqë është kështu, Landi i Baden Würtembergut në të cilin ne jetojmë, ka hartuar një plan shumëdimensional, për integrimin sa më të mirë të Migrantëve, të cilin është i detyruar ta zbatoj edhe qyteti i Mannheim-it. (Sa për njoftim, në B.Würtemberg, ministre për Integrim është zonja Bilkay Öney, me prejardhje turke).

 
– Shkolla shqipe në Manheim –

Sipas këtij plani, integrimi është një proces që i përket shoqërisë në tërësi dhe jo vetëm shtetit. Vullneti dhe gatishmëria e migrantëve për t`u integruar është relevante për një jetë të përbashkët, sikurse edhe gadishmëria dhe sinqeriteti i popullsisë vendase për pranim të migrantëve. Mbi shumëdimensionalitetin e integrimit, sikur integrimi politik dhe integrimi ne shoqëri, deri më tani, na kanë munguar informata të rëndësishme.
Pikërishtë me nxjerrjen e këtij plani, ne kemi filluar të mbushim „zbraztësin e njohurive relevante“ mbi integrimin. Ky studim representativ ose hulumtim, në mesin e qytetarëve të Baden Würtembergut, ka për qëllim të dëshmoj se cili ështe bazamenti për një jetë të përbashkët, nga pikëpamjet dhe gjykimi i shoqërisë pranuese, dmth., të shoqërisë Gjermane ne B.Würtemberg. Cili ështe këndvështrimi dhe qëndrimi i popullsisë vendase mbi integrimin? Si e pranojnë ata ardhjen e të huajve dhe sa ata realisht reflektojnë mbi migrimin dhe procesin e integrimit? Si mund të menagjohet jeta e përbashkët pa probleme te medha? Ku ka distancim dhe telashe? Dhe, cilat janë mundësitë e politikës (shtetit), që procesi i integrimit të funksionoj më mirë se derimëtani dhe të jete i sukseshëm?
Vetëm përmes pjesëmarrjes direkte të vendasve në hartimin e këtij plani, mund të krijohen parakushtet shoqërore dhe sociale për një integrim të sukseshëm, që do të ishte i pranueshem për popullsinë vendase.
Studimi për të cilin po bëjmë fjalë, ështe studimi i parë i kësaj natyre në Baden Würtemberg. Përmes këtij studimi, ne ju kemi krijuar hapsirë qytetarëve të flasin dhe të shfaqin qendrimet dhe pikëpamjet e tyre. Qëllimi ynë është që politikën e integrimit, sa më shumë që ështe e mundur, t`ua përshtasim nevojave dhe dëshirave të qytetarëve. Në hartimin e kornizës së politikave të integrimit, ne jemi të obliguar të orientohemi konformë nevojave dhe deshirave të shfaqura të qytetarëve.
Për të kuptuar se ku jemi ne shqiptarët dhe sa jemi të inkuadruar ne shoqërinë Gjermane, më poshtë do të paraqes disa te dhëna nga buletini statistikor për qytetin e Mannheimit, për vitin 2012.
Qyteti i Mannheim-it ka gjithësejtë 327.700 banorë. Prej tyre 126.000 (38.7%), janë me prejardhje të huaj. Nënshtetësinë Gjermane e kanë marë 57.317 qytetarë ose 17.5 %, ndërsa me pasaporta nacionale të shteteve përkatëse, janë 69.511 ose (21.2%). Nga vendet e bashkimit Europian janë 53.200 qytetarë. Komuniteti më i madh i të huajve në Mannheim janë qytetarët Turqë-20.000 banorë. Pastaj vinë Italianët me 7.940 banorë, Polakët me 4.664 banorë e kështu me radhë.
Po ku jemi, apo sa jemi ne shqiptarët (duke përfshirë edhe tri shtetet nga Balkani- Maqedoni, Serbi dhe Mali i Zi), ku minoriteti shqiptarë ështe i pranuar zyrtarishtë?
Komuniteti shqiptarë në Mannheim ështe i pranishëm që nga fundi i viteteve të 60’-a, kur nga ish Jugosllavija, pas marrëveshjes Jugosllavo-Gjermane mbi pranimin e punëtorëve-mysafirë (Gastarbeiter), vinë për të punuar këtu. Kishte edhe ndonjë individ qe kishte ardhur më herët, menjëherë pas luftës së dytë botërore, si emigrant politik. Me shumicë vijnë në fillim të viteve 90’-a, pas keqësimit të situatës politike dhe të sigurisë, kryesishtë si refugjatë politik. Një statistikë të saktë për numrin e shqiptarëve në Mannheim nuk ka, për faktin se të dhënat zyrtare jipen ne bazë të nënshtetësise përkatëse, që këtu është e barabartë me nacionalitetin.. Ka tri vite që në të dhënat statistikore ështe futur edhe nënshtetësia Kosovare. Për të ditur më përafërsishtë numrin e qytetarëve shqiptarë, këtu më poshtë po japim të dhënat edhe nga disa vende të Ballkanit ku jetojnë shqiptarët.
Si Kosovarë në Mannheim janë të rexhistruar 1036 qytetarë. Prej tyre me nënshtësi Kosovare janë 664, ndërsa 372 kanë mare nënshtetësinë Gjermane. (Këta qytetarë e kanë dorëzuar nënshtetësinë Kosovare). Nga Shqipëria janë 214 qytetarë, prej tyre 114 e kanë marrë nënshtetësinë Gjermane. Në rubrikën ish-Yugosllavi janë 2115 qytetarë, 1835 prej tyre kanë dokumente të vjetra Jugosllave. Sa nga ata janë shqiptarë me prejardhje , nuk ka të dhëna f.2 statistikore? Ne rubrikën Serbi-Mali i Zi janë 339 qytetarë të evidencuar. Nga Republika e Serbisë janë 1212 qytetarë, prej tyre 713 me nënshtetësi Gjermane. Nga Mali i Zi janë 128 qytetarë, prej tyre 50 kanë marë nënshtetësi gjermane, ndërsa nga Maqedonia janë 545 qytetarë, 212 prej tyre kanë mare nënshtetësi gjermane.
Egziston edhe një kolonë statistikore-Serbia me Kosovë. Aty janë të evidentuar 255 qytetarë, prej tyre 95 me nënshtetësi gjermane.
Nga tri shtetet e Ballkanit (Serbi-Mali Zi-Maqedoni, bashkë me ish-Jugosllavi) janë gjithsejtë 4339 persona të evindetuar. Sa prej tyre janë shqiptarë, nuk kemi te dhena konkrete. Nëse nisemi nga kriteret demografike, duke marë parasysh shkallën e natalitetit tek shqiptarët, nga shifra prej 4339 personave, më së paku, 30% prej tyre janë të perkatësisë kombëtare shqiptare ose 1300 persona. Nëse kësaj shifre i shtohen personat me nënshtetesi Kosovare dhe Shqiptare, atëherë mund të konstatojmë se, ne qytetin e Mannheim-it janë rreth 2500 qytetarë, që gjuhë amtare e kanë gjuhën shqipe.
Më poshtë po japim edhe numrin e nxënësve Kosovarë dhe shkollat ku ata vijojnë mësimin, (të dhenat statistikore për vitin 2012)
Në shkollat fillore dhe të mesme të Mannheim-it, në vitin shkollor 2012/13 ishin gjithësejtë 41.926 nxënës, prej tyre 20.963 ose 49% Gjerman. Nxënës me prejardhje të huaj, por me nënshtetësi gjermane ishin 12.819 ose 31%, ndërsa me pasaportë të huaj ishin 8144 ose 20%. Numri i përgjithëshëm i nxënësve me prejardhje të huaj ishte 51%. Prej tyre 3684 ose 9.3% janë të përkatësisë Turke. Pas Turqëve vijnë Italianët me 1005 nxënes, ose 2.5 %.
Ndërsa nxënës kosovarë të rexhistruar, ishin gjithësejtë: 193 ose 0,5%.. Prej tyre, në paralelet përgaditore parashkolle (Grundschulförderklasse) ishin 15 ose 10.9% kosovarë. Në shkollën fillore (Grundschule) 39 ose 0.4%, në shkollën e përgjithshme-deri në klasën e 9 (Hauptschule) 42 ose 1,2%, në shkollën reale-deri ne klasën e 11 (Realschule-Werkrealschule) ishin 35 kosovarë ose 0.9%. Në gjimnaz shkonin 15 nxënës kosovarë, ose 0,2%.
Në Gesamtschule-shkollë gjithëpërfshirëse (Hauptschule-Realschule dhe Gjimnaz, të gjitha bashkarisht) ishin 6 nxënes kosovarë ose 0.4%. Në shkollat speciale- për fëmijët me pengesa në zhvillim (Sonderschule) 8 kosovarë ose 0,5%. Në shkollat profesionale: shkollat e nxënësve në ekonomi, (Gewerblicheschulen) 17 nxënes kosovarë , si dhe në drejtimet e shitjes (Kaufmänischeschulen) 8 nxënës kosovarë, ose 0,3%. Në shkollat e larta profesionale si dhe në kolegjet profesionale, bashkë me gjimnazin ekonomik, ishin 8 nxënës.

 Tefik Ramadani, përfaqesues në këshillin për integrim në qytetin e Mannheim’it.

Sa për ilustrim, po përmendim më poshtë edhe numrin e nxënësve nga shtetet e ish-Jugosllavisë: Serbë janë gjithësejtë 118 nxënës ose 0.3 %., Kroatë 164 e kështu me radhë …
Në Mannheim egziston edhe shkolla shqipe e mësimit plotësues „Shote Galica“ (Muttersprachlische Ergänzugsunterricht), e themeluar qysh në kohën e ish- Jugosllavisë (është hapur me një grup nxënësish në vitin shkollor 1985/86). Me themelimin e KASH-it, në vitin 1990 në Gjermani, i gjithë mësimi plotësues në gjuhën shqipe pavarsohet nga sistemi arsimor Jugosllav. Në Mannheim mësuesi i parë ishte Ibrahim Hasanaj, pas tij ka punuar mësuesi Sabri Potoku, ndërsa nga viti shkollor 1994/95 punon mësuesja-pedagogia Hatixhe Veliu-Ramadani.
Numri i nxënësve, varësishtë prej kohës dhe rrethanave, ka pësuar ndryshime, por funksionimi i shkollës shqipe, asnjëherë nuk është rrezikuar. Numri më i madh i tyre ështe shënuar në vitin shkollor 1994/95. Atëherë kannë qenë të rexhistruar 126 nxënes në Mannheim dhe 38 nxënës në paralelen e ndarë në Heidelberg. Eshtë interesant të theksohet se nga ky vit shkollor, të gjithë nxënësit që ndjekin mësimin, janë të lindur në Gjermani.
Në këtë numër janë të përfshirë edhe nxënësit shqiptarë nga Maqedonia dhe Mali Zi (6 nxënes). Mësimin plotësues të gjuhës shqipe nuk e vijon asnjë nxënës nga Shqipëria!
Nëse bëjmë krahasimin me numrin e nxënësve Kosovarë që ndjekin shkollat fillore dhe të mesme të Mannheim-it dhe pjesëmarrjen e tyre në mësimin plotësues, kjo shifër na del tejet e vogël. Më pak se 20 % të këtyre nxënësve, vijojnë shkollën shqipe te mësimit plotësues. Arsyet dhe shkaqet e mosvijimit të mësimit plotësues, janë të ndryshme. Për mendimin tim, shkaku kryesor qëndron te mospërgjegjësia e prindërve dhe të vetëdijsimi i tyre i pamjaftueshëm, për nevojën dhe domosdoshmërinë e vijimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Shumë prindër ende nuk po e kuptojnë faktin se njohja e gjuhës amtare është obligim i yni kombëtarë, sepse, nëse fëmijët tanë nuk e flasin dhe shkruajnë gjuhën amëtare, dhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme për kulturën dhe traditën shqiptare, asimilimi është edhe më i përshpejtuar. Gjithashtu, nuk po kuptohet fakti, se njohuria e shumë gjuhëve në bashkimin Europian, ështe një përparësi e madhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ka edhe prindë që thonë se gjuha shqipe po i penguaka fëmijët për të arritur suksese në shkollën Gjermane. Një e pavërtetë e madhe kjo. Sic thone gjermanet, një „blodsin“. Aktualishtë, në të gjitha shkollat në Gjermani, mësohen tri gjuhë të huaja (anglishtë, frengjishtë dhe në gjimnaz, latinishtë), si dhe në shumë shkolla edhe gjuha italiane, greke dhe aty – këtu edhe gjuha ruse, ndërsa nga viti i ardhshëm shkollor, varësishte prej numrit të nxënësve-migramtë, nëpër shkolla të caktuara do të futet edhe gjuha turke dhe polake. Donmethanë, gjithë këto gjuhë nuk po i penguakan nxënësit.
Arsye qe pengon dërgimin e fëmijëve në shkollën shqipe, është edhe pagesa simbolike, që prinderit duhet t‘i bejne mësueses/it. Siç dihet, mësuesit shqiptarë në Baden Würtemberg, nuk paguhen nga shteti (Landi i B.W.) Ata nuk kanë kontratë pune dhe nuk janë të siguruar. Ministria e kulturës e Baden Würtembergut, participon me një shumë të caktuar mjetesh, të cilat paguhen për grupe mësimore, përmes konsulatave përkatëse- në rastin tonë, përmes konsulatës së Republikës Kosoves në Stuttgart ( nga viti shkollor 2009/10). Mësuesit që mbajnë mësimin plotësues në Baden Würtemberg, kanë kontrata pune dhe paguhen nga shtetet përkatëse prej nga ata vijnë. Edhe mësuesit shqiptarë do të duhej t’i paguante shteti i Kosovës. Nëse nuk gaboi, vitin e kaluar ishte për një vizitë në Stuttgart, ministri arsimit z.Ramë Buja, dhe ka dhënë premtimin se së shpejti, mësuesit shqiptarë do të paguhen nga Ministria e Arsimit. Të presim dhe të shohim se a po e mban premtimin e dhënë z. Ministër?
Edhe neglizhenca e subjekteve të komunitetit tonë, qofftë të atyre kulturore apo politike, është një prej shkaqeve për mosrritjen e numrit të nxënësve si dhe përgjegjësia që bie mbi institucionet e Republikës së Kosovës, dhe sidomos mbi Ministrinë e Mërgatës. Ministria e ka për detyrë, që përmes mënyrave dhe metodave të ndryshme, të bëjë sensibilizimin e prindërve dhe qytetarëve tanë në Mërgatë, mbi domosdoshmërinë dhe rëndësin që ka shkolla shqipe në Mërgatë, si një prej faktorëve të rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës kombëtare, si dhe ngadalsimin e procesit të asimilimit.
Në Mannheim, që nga viti 1992, (atëherë kur shqiptarët shkëputen nga klubi ish Jugosllav), funksionon shoqata kulturore shqiptare, me emrin e bukur „Dardania“. Aty është zhvilluar një aktivitet i dendur dhe shumë i rëndësishëm, dhe është dhënë një kontribut i jashtëzakonshëm, në dobi të çështjes kombëtare. Në Mannheim, ne vitet e nëntëdhjeta, aktivet e tyre i kishin të gjitha partitë politike dhe shoqatat humanitare, si dhe vepronte edhe komisioni i 3%, (natyrishtë, më e fuqishmja atëherë ishte LDK-ja). Të gjitha këto subjekte aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar në lokalet e shoqatës „Dardania“. Shoqata ka dhënë gjithashtu një kontribut të madh edhe gjatë kohës së luftës. Ndihmat e grumbulluara në të holla e kalojnë 1 milion DM. Mos të flasim për ndihmat humanitare, si veshmbathje, gjëra ushqimore, barna, shtretër spitalesh e aparate medicinale. Nga këtu janë nisur edhe ushtarë, për tiu bashkuar atje në front, në Kosovë, Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Shoqata Dardania, me aktivitetin e saj gjithëpërfshirës, ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në nivel të Gjermanisë. Të përkujtojmë se pozita gjeografike e Mannheim-it është shumë e përshtatëshme, sepse Mannheimi ndodhet në udhekryqin e rrugëve veri-jug dhe lindje-perëndim.
Rrethanat kanë ndryshuar shumë, dhe mbajtja-funksionimi i një shoqate nuk është i lehtë. Eshtë meritë e kryesisë dhe kryetarit Naser Hoxha, që shoqata Dardania ende po funksionon. Të paktën, festat kombëtare dhe dita e pavarsisë së Kosovës, përkujtohen rregullisht, dhe këtu, nxënësit e shkollës shqipe, me mësuesen e tyre, e kannë një rol ndër më të rëndësishmin. Kohëpaskohe, organizohen edhe aksione humanitare, siç ishte rasti vitin e kaluar, me ndërtimin e një shtëpie në Junik.
Aktualishtë janë vetëm 50 antarë, që paguajnë anetarësinë. Dhe nëse ky numër krahasohet me numrin e qytetarëve shqipfolës në Mannheim, fatkeqësishtë, është tejet i vogël.
Kohëve të fundit po vepron edhe një shoqatë e grave dhe kohëpas kohe, po organizojnë tubime të grave. Në Mannheim funksionon edhe një qendër islamike- shqiptare, në të cilën, ata që dëshirojnë, mund ti kryejnë obligimet fetare.
Po si janë të integruar shqiptarët e Mannheimit në shoqërinë Gjermane?
Fatmirësisht, rrethanat kanë ndryshuar dhe ne sot mund të themi se si komunitet, kemi arritur një nivel solid dhe të lakmueshëm të arsimimit dhe shkollimit të fëmijëve tanë. Në Mannheim kemi mbi 100 studentë dhe akademikë të profesioneve të ndryshme, sikur inxhinier, mësues, mjeke, juristë, gazetarë, ekonomistë, politolog dhe maxhistra shkence. Mos të flasim për profesionet me kualifikim të mesëm apo të lartë, ata mund t‘i gjejsh në të gjitha firmat e Mannheim-it. (Kemi familje që kanë tre, katër e pesë fëmijë-me arsim superior). Kemi edhe individ që kanë bizneset e tyre të sukseseshme dhe punësojnë një numër të caktuar punetorësh (firma ndërtimi, sigurime dhe restorante). Ky është një potencial i jashtëzakonshëm, të cilin duhet shfrytëzuar, sepse, ata edhe Kosovës mund ti ndimojnë shumë. Deri më tani, nga institucionet e Kosovës, qasja ndaj kësaj kategorie nuk ka qenë adekuate. Të shpresojmë se në të ardhmen, kjo qasje do të ndryshoi. Kjo dëshmon se ne jemi në rrugë të mbarë për tu integruar plotësishtë në shoqërine gjermane.
Për t‘u integruar duhet të plotësohen tri kushtet e domosdoshme: njohja e gjuhës gjermane, arsimi- arsimimi dhe vendi i punës. Pastaj, respektimi i vlerave, traditës dhe kulturës së vendit si dhe respektimi dhe pranimi i sistemit juridik Gjerman. Një integrim i mirëfilltë, nënkupton edhe pjesëmarrjen në jeten social-kulturore të vendi ku jetojmë. Ky është një problem për prindërit dhe gjeneratat më të vjetra, të cilat shumë pak marrin pjesë në jetën socialo-kulturore. Ata janë të izoluar, ose sillen në kuadër të grupit të vet etnik. Edhe në këtë rrafsh, vërehet një ndryshim i theksuar, sepse, kohët e fundit, edhe ndërmjet familjeve shqiptare, komunikimi është zbehur. Këtu kemi dallime e mund të flitet edhe për konflikt në mes të gjeneratave. Të rinjët që po shkollohen, po i kundërshtojnë prindërit e tyre, në synimin që ata kanë për t‘i kontrolluar dhe mbikqyrë ata. Jo rrallë, në këtë bazë edhe po lindin probleme të rënda sociale dhe familjare, sidomos kur janë në pyetje fejesat dhe martesat pa dëshirën e fëmijëve. Këto probleme janë më shumë të theksuara te familjet dhe prindërit tradicional, me një shkallë të ulët arsimore. Se çfarë niveli arsimor do të arrijnë fëmijet, mvaret edhe prej nivelit arsimor të prindërve të tyre. Raporti mbi politikat e integrimit, që e cekem në fillim, e thotë kjartë këte.
Ne gjithnjë kemi jetuar me ëndërrën se një ditë do të kthehemi në Kosovë, atdheun tonë të dashur. Kjo ëndërr, disi, gjithnjë po na bëhet joreale. Nuk po e kemi forcën e duhur për ta bërë realitet. Faktikisht, ne me familjet tona, mbetëm për gjithmonë këtu ku jemi. Ka ardhur koha koha që ne pak më shtruar të mendojmë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë këtu. Objektivisht, ne deri tani, me të gjitha mundësitë dhe potencialin tonë i kemi shërbyer Kosovës dhe çështjes kombëtare. Shyqyr zotit që Kosova tani është bërë e pavarur dhe Mërgata nuk është më faktori kryesor për mbijetesën e Kosovës, (edhepse, shiquar realishtë, edhe sot është një faktor ndër më kryesorit).
Ne duhet të gjejmë rrugë dhe mundësi për t‘i tejkaluar ndasistë dhe përçarjet, dhe definitivishtë të behemi subjekt i cili në radhë të parë kujdeset për interesat e tij parësore këtu ku po jetojmë. Ne duhet të bashkohemi si komunitet, me përfshirjen e të gjithe atyre që dëshirojnë të jenë aktiv, pa dallime politike, regjionale apo krahinore dhe fetare, sepse ne të gjithë, në radhë të parë, jemi shqiptarë. Sikur të arrinim të organizoheshim mirë, do të bëheshim një komunitet i fuqishem, i cili do te kujdesej ne radhe te pare per vetvehten, e pastaj do te ishte edhe nje perkrahes shume i fuqishëm për Kosovën dhe zhvillimin e saj. Po supozojmë se në Gjermani jetojnë mbi 3 00.000 shqiptarë. Cfarë do të ndodhte, nëse secili prej tyre i paguan vetëm 5 € në muaj, në një fond të përbashkët, të cilin vet do ta menaxhonim ? Ne do të bënim mrekullira. Dhe shteti i Kosovës do të ishte i detyruar të na respektonte. Por, për të arritur këte qëllim, ne duhet te jemi mirë të organizuar. Si ta gjejmë formulën e cila do ti afronte dhe bashkonte diversitetet shqiptare, shpeshherë të pakapërcyeshme?!
Ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen e përgjithëshme në Kosovë dhe me ndërtimin e shtetit juridik. Aty ka, vërtetë, ende shumë punë për tu bërë7. Por jo gjithmonë, ne po e vlersojmë realisht procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Ne nuk duhet të harrojmë faktin se para një dekade kemi dalur nga lufta, e cila kishte për synimin ta pastronte Kosovën nga shqiptarët. Tokat shqiptare ndër shekuj, kishin qenë të okupuara dhe të nënshtruara. Edhe me krijimin e shtetit shqiptarë, gjendja nuk kishte ndryshuar shumë për të mirë. Në Shqipëri, përjashto këto 20 vitet e fundit, vazhdimisht ishte në pushtet sistemi diktatorial, në të cilin ne menyre sistematike shtypeshin të drejtat dhe liritë e njeriut. Mos të flasim për Kosovën dhe shqiptarët nën Jugosllavi, që ishin gjithnjë të robëruar dhe të nënshtruar. Eshtë e ditur se tek sistemet diktatoriale, dhuna është e futur në sistem. Eshtë vërtetuar shkencërisht se dhuna e zbatuar në mënyrë sistematike prodhon frikë. Dhe frika e shkatrron personalitetin e njeriut. Ne jemi të frustruar dhe kolektivisht të traumatizuar. Ne vuajmë akoma nga kompleksi i inferioritetit. Nëse meren të gjitha këto parasysh, nuk duhet të na befasoj sjellja e shqiptarëve me vetvehten.
Ne për herë të parë po kemi mundësi të flasim, edhe ate zhurmëshëm, pa u friguar nga pasojat, se do të ndiqemi për këte shkak. Dhe, për njëherë kemi gjithë këtë energji negative, që po zbrazet në opinion. (Për shëndetin mental kjo edhe mund të jetë e dobishme, sepse kështu po zbrazet“ bërllogu emocional”, i grumbulluar ndër gjenerata). Por e gjithë kjo ka krijuar një „huti“ të përgjithshme. Eshtë vu në pikëpyetje sistemi i vlerave. S‘po dihet ma kush është „patriot“ e kush „tradhtar“, kush „hajn“ e kush „kriminel“. Ndaj shtetit të Kosovës shpeshherë po sillemi si „njerku“ndaj fëmiut. Nuk poe pranojmë me „gjithë zemër“ shtetin e Kosovës. Flamuri nuk po na pëlqen. Himni gjithashtu. Edhe në përkujtimet e datave të rëndësishme, ku janë prezent edhe përfaqësuesit institucional të Kosovës, jo rrallë, ndodhë që flamuri i Republikës së Kosovës mos të duket duke valvitur. Nuk po e pranojmë faktin se duke e marë parasysh raportin e forcave në nivel ndërkombetarë, tani për tani, kaq ishte e mundëshme.
Fëmijët tanë po na thonë: si ta duam ne Kosovën, kur ju vetëm negativisht po flisni për te. Ne nuk po mund të identifikohemi me shtetin e Kosovës dhe të arriturat e tij. Me këto sjelljet tona, ne gjithnjë e më shumë po e ushqejmë një lloj „krize te identitetit“ që e ka kapluar shoqërinë Kosovare, e cila për ne dhe fëmijët tanë në mërgim, mund të jetë shumë e rrezikshme, (ne edhe në kushte normale, jemi të ballafaquar me procesin e asimilimit). S‘është për t‘u habitur që një pjesë e të rinjëve po bien pre e ideologjive ekstreme fetare. Në mungesë të një perspektive për të ardhmen, shpëtimi po kërkohet te ideologjitë fetare dhe adhurimi i zotit.
Nga e gjithë kjo që u tha, mund të konstatohet se ne jemi një shoqëri në transicion të zgjatur dhe në kërkim të vetvehtes, e cila urgjentisht ka nevojë për debat dhe dialog të hapur dhe të sinqertë, për të gjitha problemet që e preokupojnë, dhe ate, pa asnjë paragjykim.
– Autori është Defektolog dhe përfaqesues në këshillin për integrim në qytetin e Mannheim’it.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura