TEUTA KAMBERI LLALLA: FËMIJËT SHQIPTAR – INSTRUMENT EKSPERIMENTAL PËR TË JETËSUAR PROJEKTET E BEOGRADIT

Tetovë, 09. 01. 2013 – (Kjoft mallku ai bir shqyptari, qi ket gjuhë t’perëndisë, trashëgim q’ia la i pari trashëgim s’ia len ai f’misë. – At Gjergj Fishta) – Prej shumë vitesh shqiptarët në trojet etnike në ish-Jugosllavisë ishin kthyer në mjete eksperimentesh nga pushteti sllavo-serb-maqedonas. Ku u eksperimentua me ndjenjat shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve, por populli ynë rezistoj duke sakrifikuar tej masë sesa të poshtërohej dhe të asimilohej.
Pas viteve 1990, me ardhjen e pluralizmit u mendua se projektet-eksperimentale u ndaluan dhe nuk do të zbatoheshin më. Por viteve të fundit dikush i shpalosi këto projekte duke i nxjerrë nga arkiva e shtetit sllavo-maqedonas për ti praktikuar përsëri mbi popullatën shqiptare, konkretisht mbi elektoratin që e votojë.
Më 29 Dhjetor 2012 u tha se libri ,,Shoqëria,, për klasën e pestë do të tërhiqet nga qarkullimi, por qeveria nuk lajmërojë që kur do të tërhiqen edhe librat ku ofendohet kombi shqiptar. Por përse qeveria nxitoj të tërheqë librin ,,Shoqëria,, dhe jo edhe librat e tjerë? Sipas informacioneve në media ky libër u tërhoq pasi u vërejt se në këtë tekst shkollor nuk janë përfshirë të dhëna për Kuvendin, Qeverinë dhe Bashkimin Europian. Pra, librat ku preken interesat e shtetit dhe BE tërhiqen nga qarkullimi, ndërsa ato ku ofendohen shqiptarët dhe etnitë e tjera vazhdojnë të qarkullojnë nëpër shkollat tona. Për fat të keq ende vazhdon odisea e zhdukjes së termit Abetare për fëmijët shqiptar, mungesa e librit të Shenjtë të gjuhës shqipe dhe askush nga deputetët dhe partitë tona nuk ka reaguar, por kanë heshtur sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Me vetë dhënien e librave falas nga ana e shtetit të Maqedonisë doli qartë se shteti kishte për qëllim të edukojë nxënësit me tekste ku injorohet kombi dhe gjuha shqipe. Këto janë projekte të vjetra, të njohura për shqiptarët, të cilat kur ekzistonte ish-Jugosllavia nuk gjetën terren që të zbatoheshin sepse intelektualët, studentët, por edhe klasa vasale politike shqiptare i bojkotuan. Ndërsa sot në Maqedoni ne po i pranojmë me qetësi duke mos i kundërshtuar këto tekste të shëmtuara, pra mungon zëri i kundërshtimit nga ana e ministrave, deputetëve shqiptar, intelektualët në përgjithësi janë strukur në guackën e interesave personale, ndërsa shoqëria civile është e izoluar, diku me anë të joshjes në të holla, por edhe të proceseve të montuara gjyqësore. Gabimet e ashtuquajtura teknike në librat shkollor nuk janë të rastësishme, por qëllimdashëse duke na asocuar në ndarjen e filozofisë së mendimit kombëtar. Fëmija im që mëson në shkollat në Maqedoni do të edukohet ndryshe nga një fëmijë shqiptar që mëson në shkollat shqipe në Mal të Zi, Preshevë, Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë.
Në kohën e sotme kur të gjithë shqiptarët nga kryeministrat Sali Berisha, Hashim Thaçi, analistë, politikanë etj., po flasin për bashkimin kombëtar me rrugë të ndryshme, kulturore dhe sportive, sllavo-maqedonasit e nxorën me strategji projektin e teksteve shkollore ku shqiptarët paraqiten njerëz mali dhe heqjen nga qarkullimi të ABETARES. Pra në formë diplomatike të pandishme për opinionin, sllavët i lanë armët, filluan përçarjen për ti shkëputur nga trungu vogëlushët shqiptar të Maqedonisë. Ka më se 6 vite që është zhdukur termi ABETARE, nuk ka zyrtarisht libër ABETARE, ministria e arsimit e ka zëvendësuar me termin libri i Gjuhës shqipe. Me librin e gjuhës shqipe nxënësit do të punojnë deri në vitin e katërt në shkollë të mesme. Dhe jo rastësisht ministria e arsimit në Maqedoni e ka zhdukur termin Abetare, sepse për Abetaren është bërë gjithë ajo luftë, është derdhur shumë gjak, është libri i Shenjtë i gjuhës shqipe. Libri i Abetares ka një histori të veçantë. Qeveria sllave arriti të preki në një vend delikat, duke e zhdukur një pjesë të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe, kjo nuk është pa qëllim, por habiten se si kanë pranuar shqiptarët që punojnë në byronë e arsimit të cilët kanë firmosur zhdukjen e termit Abetare.
Prandaj ne si Lëvizje me qendër në SHBA, Programi Unik Shqiptar dhe me degët e saj në Maqedoni dhe Itali u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të na përkrahin për tu siguruar nxënësve të klasave fillore librin e dashur, Abetaren e gjuhës shqipe falas deri sa përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Maqedonisë dhe në qeveri të bëjnë përpjekje që emri ABETARE të zyrtarizohet. Nuk është e drejtë që libri i Abetares të zhduket, të zëvendësohet me një emër tjetër vetëm për fëmijët shqiptar në Maqedoni. Shqiptarët vërtetë janë të ndarë territorialisht në disa shtete, por ne jemi të gjithë vëllezër të një gjaku dhe gjuhe, prandaj nuk duhet të tolerojmë që në foshnjore të na ndajnë dhe të mësuarin e gjuhës amtare.
Eksperimenti me mësimin e gjuhës sllavo-maqedonase
Paraqitja e projektit eksperimental nga qeveria sllavo-maqedonase me vasalët shqiptar 2008-2011, që vogëlushët shqiptar me detyrim të mësojnë në moshën gjashtë vjeçare gjuhën sllave-maqedonase e ka fillin e projektit në Beograd. Bartësi i këtij projekti antishqiptar ishte një njeri i quajtur Sasho nga Dellçeva. I cili para se të zbatohej projekti eksperimental në fshatin Shemshovë, dërgoj 5 ditë në ekskursion prindërit shqiptar të cilët kishin vendosur që fëmijët e tyre të bëheshin mjet eksperimenti duke i dërguar këta vogëlushë për të mësuar në një shkollë sllavo-maqedonase në një fshat që banohet nga sllavo-maqedonasit dhe jo në shkollën shqipe të Shemshovës. Projekti eksperimental filloj të zbatohet në shtator të vitit 2009 me një klasë të përzier që përbëhej nga rreth 26 nxënës të cilët 16 i përkisnin etnisë shqiptare dhe të tjerët etnisë sllavo-maqedonase. Një pjesë e madhe e prindërve të këtyre fëmijëve shqiptar u punësuan në institucionet shtetërore, në veçantë në polici pasi bënë kurban fëmijët e tyre për tu asimiluar që në foshnjore.
Projektet eksperimentale me klasa të përziera vazhduan duke hapur klasa të shkollave të mesme afër fshatit Shemshovë ku shqiptarët të nënshtruar tashme të mësojnë me sllavo-maqedonasit. Atë që nuk u realizua në fund të viteve 1980, sllavët e realizuan me triumf pas vitit 2008. Për fat të keq shumë shqiptar u kthyen në laborator eksperimentesh të ndjenjave kombëtare, gjuhësore dhe vlerave njerëzore të tyre. Neve si qytetar të Republikës Multietnike të Maqedonisë nuk na “pengon” mësimi i gjuhës që përdoret dhunshëm në administratën shtetërore, por në fillim duhet të mësojmë dhe të dashurojmë gjuhën tonë amtare shqipe. Sepse pa mësimin e gjuhës sonë amtare, do mbetemi të egër e në errësirë. Do të jemi si ai njeriu në male që ka veshë, por nuk dëgjon, ka sy por nuk shikon, ka mend e gjë nuk dinë.
Është derdhur shumë gjak, janë therur shumë shqiptar, janë helmuar shumë mësues të shkollës shqipe. Pra këto që kemi arritur janë fituar me sakrifica të mëdha ndër shekuj dhe sot dikush për të ruajtur karrigen e tij politike dhe për shijuar erën dhe çorbën qeveritare sakrifikon fëmijët, një brez të tërë vogëlushësh shqiptar për të arritur qëllimet e tij personale në dëm të çdo gjëje shqiptare, të gjuhës, kulturës dhe traditave të bukura që janë trashëguar nga gjyshi tek nipi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura