Pashtriku.org, 26. 03. 2013 – Mjafton vetëm të mendosh fjalën “Kallkan” dhe menjëherë parafytyron, ose diçka të ngrirë nga të ftohtit, ose së paku, një fushë të mbuluar nga një dëborë e ngrirë, mbi të cilën fërshëllen era me një ulërimë ngjethëse. Thua se ulërijnë njëqind djaj. Mjafton ta përmendësh këtë fjalë veç një herë, dhe nëpër trup të të kalojnë mornica e vetvetiu, të kryqëzosh krahët e të mbledhësh trupin, si për t’u mbrojtur nga një frushullimë e një ere të ftohtë. Çdo gjë mund të parafytyrosh pas kësaj fjale, por çdo gjë që parafytyron është ose e vdekur, ose në vdekje.
Ndaj të duken tepër të zakonshme dhe të goditura, vargjet e poezisë “errësirë kallkan”:
“Era qan me klithma të egra errësirë kallkan”.
Dhe më pas sikur do t’a plotësojë formatin e akullsisë, vijon me vargjet ngjethëse:
Ulërijnë në vesh ogurzezat
Flakëzjarrtat vetëtima spërndritin errësirën kallkan
e digjen yjet në shuarje nga të ftohtit kallkan.
Të duket se po ecën nëpër akull…Duke qenë se më parë patëm lexuar poezinë e çeljes së vëllimit “Shfryjnë erërat”, e cila na prezantoi një stinë plot erëra çmendurake, duke qenë se mardhëm ne dhe mendimet tona te “errësirë kallkan”, dhe ca më tepër poezia tjetër “Mallkim”, na jep një panoramë të ferrit dantesk, të krijohet përshtypja e parë, se leximi i këtij libri do të jetë si një shëtitje në varreza, një ditë dimri, plot ngricë dhe erë të ftohtë.
Kopertina e librit: Have Halitaj-Elezaj “Fryjnë erërat”.
* * *
Dhe parafytyron lexim epitafësh, ose më e shumta, një kushtrim post-mortem. Sepse, kurrsesi në këtë akullnajë, nuk shpreson që të ketë mbetur gjallë ndonjë filiz jete. Prandaj befasohesh dhe nxiton të ngrohesh pak te “Sytakim”, aty ku: sydritë e syzjarr u takuan
Shikoni pak miq te artit, nuk u takua as “sorkadhja me luanin”, as thëllëza me fajkoin, as lumi me detin. U takuan sytë e zjarrtë dhe sytë e ndritur. S’di pse më kujtohet një fjalë që thotë: “Dashuria fillon nga sytë, dhe fatkeqësisht te sytë mbaron”.
Tash digjen bashkë
dritëezjarreflakë.
Me këtë gjetje kaq befasuese, autorja të përgatit për supriza të reja, duke të përmbysur komplet parafytyrimin fillestar, të zymtë e të ftohtë, të trishtë si një varrezë.
Ndonëse:
Vetullarënë natyra turfullon
ftohti hekurt kallkan
mbretëron
Dhe mbi këtë të ftohtë, ngrihet autorja dhe deklamon:
Malet flakë le të digjen
Ti mos u largo.
Sepse:
…Digjem në zjarrin tënd
në ëndrrat e tua lodroj.
Çuditërisht peisazhi ndryshoi si me magji, u zhdukën akulli dhe të ftohtit dhe era sjell aromë trëndafili. Të duket, se je në një trëndafilishte. Kalon sa në një trëndafil te tjetri dhe s’di tek cili të qëndrosh. Sepse te këta trëndafila:
nga sytë e hënës së dashuruar pikojnë yje
Dhe këta trëndafila, kanë të shkruar në petale disa emra të dashur për autoren nga Peja, disa emra që më shumë se pjesë e familjes dhe e biografisë së saj, janë rrënjët dhe lulet e pemës së jetës së saj. Të asaj peme, që i qëndroi përballë dhe i rezistoi, si furtunave dimërore të një jete nën pushtim, ashtu dhe kallkanit të një genocidi primitiv. Dhe jo vetëm që i rezistoi si gjallim, por ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se i rezistoi me dinjitet dhe personalitet.
Unë e lexova vërtet me vëmendje dhe kënaqësi, gjithnjë e në rritje këtë përmbledhje poezishë. Dhe në rast se, ndokush do të më kërkonte që me pak fjalë të thosha diçka portretizuese për këtë poete, unë do t’u thoshja miqve të mi poetë, që të presin dhe të mirëpresin surpriza të reja nga kjo simotër e tyre kosovare. Gjithsesi, surpriza të këndëshme.
Por le t’u marrim erë trëndafilave poetikë të këtij vëllimi:
Hidhmë njatë shikim
me njata sy
thëngjij zjarri…
Përqafomë
nga afër ta ndjej vetëm një çast
në kraharor vullkanin
…dhe mos fol asgjë.
Ose si te poezia:
Gjysma ime
në brendinë tënde përvëluese
ndonjëherë edhe tulatur rri.
E kush mund të largohet nga një trëndafilishte e tillë vallë?
Dhe po deshe të largohesh
Mos u buzëqesh luleve
e valës së lumit mos ia pëshpërit hallet
po deshe të më harrosh
harroi pra perënditë
E pra, të gjithë e dimë, të harrosh dashurinë është si të harrosh perëndinë. Aq e pamundur është. Sepse vetë dashuria, është një dhuratë perëndie. Sepse tjetër gjë është të largohesh dhe tjetër gjë është të harrosh. Largimi është i shpejtë, harrimi është i pamundur. Dhe këtë e thotë një vajzë, që rinia e saj u përshkua furtunshëm. Prandaj nuk është një deklaratë, por është një konkluzion.
Thashë më sipër se, vëllimi nis me akullnajë dhe kallkan. Dhe të kuptojmë se më shumë se sa akull dhe erë te ftohtë shtigjeve e brinjave, është fjala për akullin e kallkanin shpirtëror, që na imponohet. A nuk të shkakton mornica në trup edhe një shikim i shtrembër i një njeriu që do, dhe nga i cili pret dashuri? Kallkani i një shikimi qenka i tmerrshëm. Por një klithmë e tipit “alt”, a nuk e ngrin jetën në vend, si shikimi i Meduzës? Nëpër këto klithma ka rendur autorja dhe jo vetëm poetikisht, por ajo që mësojmë nëpër vargje, është fakti i një rendjeje reale. Një rendje, jo vetëm për të shpëtuar jetën, por dhe një rendje për të shpëtuar, dhe mbi të gjitha, për të rritur
një dashuri.
Të njoha rininë rebele
të pashtruar veç dashurisë
… pëshpërit ëmbëlsisht autorja, te poezia aq njerëzore që nis me fjalët e gjithë vajzave të botës, me fjalët: “Trimi im”.
Gjëmon si një simfoni bethoviane, ideja e mosndarjes dhe e mosëharrimit. Dhe mërgimi larg atdheut, rrit dhe forcon edhe ndjenjën e bukur të dashurisë dhe solidaritetit familjar, si shtegu i vetëm i të ardhmes së dëshiruar:
Dua dhimbjet të t’i largoj
* * *
…me ty
akordoj ritmin e frymëmarrjes
përgjithnjë.
Po mërgimi a nuk është një mardhje e shpirtit dhe e shpresave, a nuk rrinë ëndrrat të tulatura, si gruri nën dëborë, në pritje të pranverës së kthimit? Dhe ëndrrat arratisen e vijnë në vendlindje, ashtu siç shtegëtojnë zogjtë, viseve të ngrohta. Dhe bën shumë ftohtë në Shtutgart të Gjermanisë për këtë çikë Kosove.
Kaptova male e fusha e dete
e koka pas më mbet
gjysma ime atje
e tjetra këtej.
Dhe si për ta plotësuar portretin shpirtëror, vijon prekshëm në vargjet e tjera:
Flija me kukuvajka
e zgjohesha me zogj
e zëri i nënës më vinte jehonë.
Duke na dhënë me këto penelata të holla, një botë të tërë malli e
dhimbjeje.
Sado larg të jem
me ty jam e me mua je
Kosovë…
Ndaj ajo mbajti e rriti në zemër, si nëpër sera moderne, trëndafilat e ëndrrave të saj, të cilat i mblodhi në një tufë (në vëllimin e saj të parë poetik), dhe na i dërgoi ne.
Dhe unë, duke marrë aromën e tyre me vehte, po i rikthej në shenjë mirënjohjeje dhe urimi bashkë, kësaj poeteje të re, si një karafil, nëpërmjet jush këto shënime çasti.
________________________
SHËNIME PËR AUTOREN:
Have Halitaj – Elezaj, lindi me 25 shtator 1976 në Fierzë (ish Novosellë) të Pejës. Ka bërë studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Tundimin për artin letrar si duket e ka përjetuar qysh herët, që në bankat e fillores, duke pasur për mësues letërsie babanë, Aliun. Nusëria e saj, sikundër e shumë sishoqeve, u përshkua furtunshëm bashkë me të shoqin e përndjekur nëpër tallazet e të ’90-ave të fundshekullit që iku. Duke provuar strehëzën e mërgimit në Gjermani, ajo, ndjeu dhe përjetoi së brendshmi edhe një ndjenjë të veçantë. Jetëpërvojën e saj e shtriu në përmasa arti me vargje që dëshmojnë sa kulturë gjuhësore, po aq edhe ekuivalencë estetike. “Shfryjnë erërat” është libri i parë i saj. (Adem Gashi)