Tiranë, 20. 07. 2015 – Të vendosur vetëm pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit, por janë me mijëra kilometra larg të jetuarit të një jete normale. Kjo është familja e Emin dhe Fatiha Bashës, të cilët kanë nëntë fëmijë dhe prej 17 vitesh jetojnë në një ish-qendër shëndetësore të fshatit Bulçesh të Tiranës. Sot, kjo qendër është kthyer në një gërmadhë, ku çka është jashtë futet edhe brenda. Më i madhi prej nëntë fëmijëve të kësaj familjeje është 18 vjeç, ndërsa i vogli vetëm 2 vjeç. Të ardhur në jetë rresht pas njëri-tjetrit, për prindërit e tyre janë bekimi më i madh, edhe pse, për shkak të kushteve të vështira dhe pamundësisë ekonomike, nuk mund t’u plotësojnë fëmijëve të tyre as gjërat më minimale. Mirëpo, pavarësisht mungesës së ushqimit dhe një strehe të përshtatshme, të vegjlit shkëlqejnë në mësime. Ata përpiqen që edhe të sigurojnë të ardhura për familjen. Më i madhi prej fëmijëve, si punë të tij të përditshme pas mësimit, ka mbledhjen e shisheve, për të nxjerrë pak lekë. Mirëpo, veç tij edhe fëmijët e tjerë përpiqen të ndihmojnë të vëllain dhe në çdo cep apo kazanë ku gjejnë kanoçe, i grumbullojnë në shtëpi. Familja Basha nuk merr asnjë lloj ndihme ekonomike apo përkrahje nga shteti.
Historia e familjes
Çifti Emin dhe Fatiha Basha kanë nëntë fëmijë. Të ardhur në jetë njëri pas tjetrit me një diferencë të vogël moshe, nëntë fëmijët e familjes Basha jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike. Sapo futesh në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Bulçesh të Tiranës, të zë syri një ndërtesë të rrënuar, mure të plasaritura, një derë të kalbur. Qysh në hyrje të saj, e merr me mend se sa e vështirë është gjendja në të cilën ata jetojnë. Hapim atë perden e hollë, të vënë në derë, si për të mbuluar atë realitet që ndodhet brenda atyre mureve, mirëpo është e vështirë të ndodhë. I vogli i shtëpisë, dyvjeçari, sapo na sheh, rend me vrap të thërrasë të ëmën. Më pas e zonja e shtëpisë na fton brenda. Aty gjendja është akoma më keq se ç’duket nga jashtë. Praktikisht shtëpia nuk ka asgjë brenda. Dy divanet e prishura, disa krevate të bërë copë dhe një lavaman të shkatërruar. Në dhomën që nuk është më shumë se 16 metër katrorë flenë nëntë fëmijët e kësaj familjeje. Një pjesë përtokë, e të tjerë në disa krevate prej suste të shkatërruar. Rresht pas njëri-tjetrit, në një dhomë ku nuk hyn as drita e diellit. Tjetra shërben si dhomë pritjeje për miqtë dhe një tjetër që kanë si kuzhinë. Ndonëse vetëm formalisht janë të tilla, pasi në të vërtetë, këto të ashtuquajtura dhoma nuk kanë asgjë. E vetmja gjë që kishin me shumicë kjo familje, ishin fasulet. Të futura në bidonë, fasulet rrinin në cep të derës, sepse bufe nuk ka. Ishte vetëm një dollap i vjetër ku fusin bukën, kripën dhe vajin, pasi vetëm këto gjeje në “bufenë” e tyre. Më tutje ishte një frigorifer i vjetër dhe një furnelë, por asgjë më shumë. Dushi, lavatriçja, soba apo edhe pajisje të tjera të domosdoshme për çdo familje, për ta cilësohen si luks. “Jeta sa vjen dhe vështirësohet. Të rritësh nëntë fëmijë nuk është aspak e lehtë. Unë jam pa punë, burri pa punë, vetëm kur gjen ndonjë gjë të përkohshme duke transportuar hekura. Ndihmë ekonomike nuk marrim, më vështirë më nuk bëhet”, tregon 41-vjeçarja. Vuajtjet dhe sfidat e jetës e kanë vrarë së tepërmi. Rrudhat e saj tregojnë për një zonjë disa herë më të moshuar, por në këtë realitet asgjë nuk duket siç është realisht. Ndërkohë, familja pretendon se kanë fituar gjyqin për një shtëpi në zonën e Laprakës, e cila është e tyre, pasi u është dhënë nga shteti, në kohën kur liqeni i Bovillës u zuri tokat, por që nuk zbatohet vendimi i gjykatës.
Nëntë fëmijët
Prej 17 vitesh kjo familje jeton në një ish-qendër shëndetësore. Djali i madh ishte vetëm një vjeç kur e vendosën aty, ndërsa tetë fëmijët e tjerë janë lindur dhe rritur aty. Me një ëmbëlsi dhe pafajësi fëminore, ata tregojnë se janë nxënës të shkëlqyer. Sigurisht do të donin dhe ata të kishin libra të rinj, të visheshin mirë si bashkëmoshatarët e tyre apo edhe të kishin një dhomë të tyre. Mirëpo, këto janë vetëm ëndrra, sepse u duhet të përballen çdo ditë me larjen e rrobave me dorë, larjen me kanoçe, mungesën e ushqimit, rrënojat e shtëpisë që u bien në sy dhe me probleme pa fund. “E mira është se jemi të gjithë rresht pas njëri-tjetrit dhe kemi mundësi që të marrim rrobat dhe librat e njëra-tjetrin. Eh, do të thoni çfarë e mirë është kjo se çdo gjë e vjetër humb vlerë, por them është më mirë se asgjë”, tregon me gjysmë zëri vajza 17-vjeçare. Veç kësaj, ajo shprehet se nisën të punonin së bashku me të motrën në një fabrikë, por që i larguan, pasi nuk kishte më punë. “Duam të punojmë, por nuk kemi një mundësi punësimi. Filluam një herë në një fabrikë, por ra puna”, tregon 17-vjeçarja. Ndërkohë, i vëllai përpiqet sado pak të ndihmojë familjen e tij, duke mbledhur shishe, të cilat më pas i shet. Të ardhurat që nxjerr janë minimale, por është e vetmja zgjidhje që ka për të nxjerrë lekët për thesin e miellit. Vetëm këtë mundet të sigurojnë, sepse të tjerat edhe për shumë kohë do të vijojnë të mbeten ëndrra. Të përballur me jetën e vështirë ata shpresojnë se duke u arsimuar mirë, duke qenë shembullorë, do të arrijnë që një ditë t’i japin fund kësaj vuajtjeje. Ajo që të bën përshtypje është optimizmi i tyre dhe dëshira për ecur përpara. Nuk i mposht dot, as uria dhe as paragjykimi nga shokët e tyre. Me kokën lart kanë vendosur që t’i bëjnë ballë çdo sfide. E nëse prindërit për një sërë arsyesh nuk arritën t’u siguronin një jetë normale, ata do të bëhen të zotët e vetes, sepse sot mbijeton kush lufton fort.
(Nga Ilda Hoxha)
………………………………………………………………….
Nuk është vetëm çifti Emin dhe Fatiha Basha me nëntë fëmijët që jetojnë në këtë mjerim! Ka edhe qindra familje të tjera!
Shikoni këtë videimaterial:
Tiranë, jeta në mjerim brenda një tuneli!