UDHËTIMI I ISMAIL QEMAL VLORËS NGA STAMBOLLI DHE ZBRITJA NË DURRËS (NËNTOR 1912)

Nga Ilir Ikonomi

Sa herë afrohet 28 nëntori, më vijnë në mend peripecitë e udhëtimit të çuditshëm të Ismail Qemalit për të shpallur pavarësinë në Shqipëri. Ai u nis nga Stambolli në fillim të nëntorit 1912, shkoi në Konstancë me vapor, pastaj në Bukuresht, në Vjenë, në Budapest, përsëri në Vjenë dhe prej andej doli me tren në Trieste.

Pasditen e 19 nëntorit në Trieste grupi i tij prej 15 vetësh hipi në avulloren Brünn të Lloydit austriak. Ata ngarkuan në anije valixhe të mëdha si dhe thasë, brenda të cilëve kishte armë dhe fishekë, që disa prej burrave i kishin blerë në Trieste.

Asnjëri prej shqiptarëve që morën pjesë në udhëtimin historik, duke përfshirë edhe vetë Ismailin, nuk na ka lënë ndonjë përshkrim të hollësishëm të kësaj faze të fundit nëpër Adriatik. Fatmirësisht, arrijmë të mësojmë disa detaje interesante nga një udhëtar i paidentifikuar që ndodhej në anije. Rrëfimin e udhëtarit, të botuar në gazetën franceze Le Figaro, po e riprodhoj gati të plotë:

“U bëra dëshmitar i një fakti për të cilin Europa pa dyshim që do të flasë nesër dhe që ndoshta do të ketë një ndikim të madh mbi atë që po ndodh tani në Ballkan. Pasi i hipëm në Trieste vaporit Brünn me destinacion Patrasin, ne duhet të ankoroheshim në fillim në Brindizi, ku do të arrinim në mbrëmje. Por, sapo ishim larguar nga Triestja, në bord u përhapën zërat se do të ndaleshim në Durrës, ku princi shqiptar, Qemal Bej, me suitën e tij që ndodhej mes udhëtarëve, do të zbriste për të shpallur menjëherë pavarësinë e Shqipërisë.

Në fakt, e dalluam Ismail Qemalin në sallat e klasit të parë. Ai është një burrë në një farë moshe. I rrethuar nga një duzinë personash të tjerë, ai duket hijerëndë dhe simpatik. Atë natë, të mërkurën, na konfirmojnë se rreth orës 10 do të jemi përballë Durrësit. Pikërisht në orën e lajmëruar, me hënën që ndriçonte në qiell dhe në një det të qetë e mot të shkëlqyer, shikojmë në largësi dritat e një anijeje, që ishte avullorja Wurmbrand e Lloydit austriak. Brünn ndalet rreth 200 metra larg saj. Hidhen shkallët, pastaj varkat në të cilat zënë vend Qemal Beu dhe suita e tij për të shkuar drejt Wurmbrandit.

Ja hollësitë që munda të mbledh dhe që po jua transmetoj: Princi shqiptar do ta kalojë natën në bordin e kësaj anijeje dhe nesër do të zbarkojë ndoshta në Durrës për të shpallur atje pavarësinë e Shqipërisë… Munda të bisedoj për disa çaste me njërin prej njerëzve të suitës së princit, që e flet në mënyrë të admirueshme greqishten dhe italishten. Më tha se qëllimi i misionit të tyre ishte që t’ua jepnin Shqipërinë shqiptarëve dhe se ata nuk prisnin që Serbia të merrte në zotërim ndonjërin prej porteve të lakmuara prej saj. Me sa arrita të kuptoj, pas krijimit të një qeverie të përkohshme, ata synojnë t’ia ofrojnë fronin e Shqipërisë një princi të huaj. Besoj se e gjithë kjo lëvizje nuk është e panjohur për Austrinë, sepse Qemal Beu kishte hipur në një anije të Lloydit, e cila bëri një ndalesë të paparashikuar në itinerarin e saj. Pastaj, ai kaloi nga anija Brünn në një vapor tjetër të Lloydit, Wurmbrand, i cili për këtë qëllim priste në det të hapur përballë bregdetit shqiptar.”

Këtë rrëfim të thjeshtë, por magjepsës, po të mos e kisha konfirmuar pjesërisht nga burime të tjera arkivore, do ta kisha marrë për një përrallë të bukur. Sepse ai i ka të gjithë elementet e një përralle: burra që udhëtojnë me një mision të rrezikshëm, zbritje me valixhe në duar në mes të detit për të hipur në një anije tjetër, hëna që ndriçon në qiell dhe udhëtarët e tjerë që vështrojnë të habitur skenën.

Bregdeti adriatik është plot të papritura të këndshme. Kur njeriu vjen përmes tokës në Kepin e Rodonit dhe qëndron në majën e kodrës që bie thikë mbi det, e kupton menjëherë sesa bujare është treguar këtu natyra me trillet e saj, duke krijuar herë gjire të butë dhe herë shkrepa të frikshme. Aty ku kepi hyn në formë gjuhëze në det, domethënë mu pranë majës së asaj gjuhëze, ndodhet një fortesë mrekullisht e bukur me gurë katërkëndësh prej shtufi që e tejkalon përfytyrimin e udhëtarit.

Kjo fortesë, e cila thuhet se ka qenë ndërtuar nga mjeshtra raguzianë, me urdhër të Skënderbeut, është ndër ato pak dëshmi që tregojnë se në kohët e moçme këtu ka pasur jetë. Rreth një kilometër më tej ndodhet Kisha e Shënandout që thuhet se ka qenë ndërtuar nga Mamica Kastrioti, e motra e Skënderbeut. Është vërtet një habi sesi ky relikt i shqiptarisë i ka shpëtuar dorës së prishësit. Për mua ka qenë befasi kur gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 2011, në afreskun që zbukuron murin e absidës së kishës, nën nivelin e dyshemesë, pashë një shqiponjë të qartë me dy krerë, në formën e saj origjinale, ashtu siç e vizatonin në kohën e Skënderbeut. Ky është simboli i hershëm i Kastriotëve që do të vihej më vonë në flamurin kombëtar. Hulumtuesve u është dashur të gërmojnë për t’i nxjerrë në dritë këto vizatime të rralla dhe kjo nuk është ndonjë çudi, pasi dëshmitë më të rëndësishme të historisë së lashtë shqiptare nuk mund të gjenden veçse nën dhe. Ç’ka qenë mbi tokë i ka shkatërruar barbaria osmane.

E bëra këtë parantezë, sepse duke qëmtuar me kujdes gazetat austriake dhe hungareze të vitit 1912 dhe duke i krahasuar këto informacione me ato që na japin arkivat austro-hungareze, gjeta një hollësi interesante: natën me hënë të 20 nëntorit duke u gdhirë data 21, avulloret Brünn dhe Graf Wurmbrand janë takuar jo përballë Durrësit, por në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismailit dhe të njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra. Me sa duket, austriakët kishin zgjedhur Gjirin e Rodonit që puna të mos vihej në rrezik. Ata nuk donin t’ia linin asgjë rastësisë, sepse përballë Durrësit mund të patrullonin anije greke.

Me urdhrin telegrafik të pashifruar që kishte marrë nga drejtoria e Lloydit në Tivar, Graf Wurmbrand kishte lundruar për në Gjirin e Rodonit qysh në mesditën e 20 nëntorit për të pritur anijen ku ndodheshin shqiptarët, e cila do të arrinte në mbrëmje vonë. Me sa duket, sinjali radiotelegrafik ishte kapur nga grekët. Pra, këta tashmë e dinin se një grup shqiptarësh do të arrinte në Durrës me një anije të Lloydit.

Ismaili dhe burrat e tjerë e kaluan natën në Graf Wurmbrand, e cila herët në mëngjesin e datës 21 nëntor arriti në Durrës. Udhëtimi i shkurtër nga Gjiri i Rodonit nuk duhet të ketë zgjatur më tepër se një orë.

Ismail Qemali nuk mundi ta shpallë dot pavarësinë në Durrës, për shkak se u pengua nga fanatikët dhe nga peshkopi grek Jakovos, që nuk e donin ndarjen përfundimtare nga Turqia. Pasi priti disa ditë, ai u nis drejt jugut në mes të shiut dhe baltës dhe e shpalli pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912.

***

Udhëtimi i Ismail Qemal Vlorës nga Stambolli në Vlorë dhe disa çështje të mëvetësisë

Në foto shtëpia e familjes Vlora ku u shpall pavarësia e Shqipërisë

Nga Kastriot Dervishi

-2 nëntor 1912, niset nga hotel “Pera” në Stamboll nëpërmjet Detit të Zi dhe mbërrin në Kostancë të Rumanisë.

-5 nëntor 1912, në Bukuresht.

-10 nëntor 1912 në Vjenë.

-12 nëntor 1912 në Budapest.

-19 nëntor 1912 në Triste, prej nga niset me anije.

-21 nëntor 1912 mbërrin në Durrës.

-27 nëntor 1912 në Vlorë.

-28 nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar shpall pavarësinë dhe formon qeverinë e përkohshme. Nuo nënshkruan të gjithë delegatët, pasi atë ditë nuk kishin ardhur. Ata që erdhën me vonesë nuk nënshkruan. Kuvendi i mbylli punimet e tij më 7.12.1912.

Përtej këtyre fakteve, kujtojmë se territori etnik shqiptar, i gjendur në atë kohë si pjesë e Parandorisë Osmane, u sulmua ushtarakisht nga aleanca ballkanike. Lufta e Parë Ballkanike nisi më 8.10.1912 me sulmin e Malit të Zi ndaj territorit shqiptar. Kjo luftë përfundoi më 30.5.1913. Territori shqiptar u pushtua i gjithë, me përjashtim të një trekëndëshi midis Kavajës, Beratit dhe Vlorës. Nga kjo situatë, ndërhynë fuqitë e mëdha, të cilët mbajtën një konferencë ambasadorësh në Londër. Mbrojtën çështjen shqiptare Austro-Hungaria dhe Italia. Ishte kundër Rusia, pak më neutralë Gjermania dhe Britania e Madhe. Kompromisi i arritur ishte se u njoh pavarësia në gjysmën e territorit, për të cilin urdhëroheshin pushtuesit të largoheshin, por u njihej atyre (pushtuesve) gjysma e pushtuar. Më 29.7.1913 fuqitë e mëdha njohën shtetin e ri shqiptar, për të cilin dolën garant. Në vitet 1925 dhe 1926 u nënshkruan protokollet e kufirit me Greqinë dhe Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.

Mësimi i historisë: shqiptarët e zgjidhën pjesërisht me diplomaci çështjen e shtetit të tyre. Zgjidhja qëndronte te lufta dhe kuptimi në kohë i situatave. Me përjashtim të një qëndrese të shkurtër në Kosovë dhe luftimeve të gjata në Shkodër dhe Janinë, nuk u luftua askund tjetër. Madje në shumë qytete serbët u pritën paqësisht. Kontradiktat e brendshme dhe eksperimentet e shumta, e kanë gërryer në vite shtetin e vogël shqiptar, i cili nuk ka arritur kurrë të konsolidohet, por të mbërthehet gjithnjë nga iluzionet dhe rruga e paqartë ku duhet të ecë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura