UK LUSHI: KOSOVË, BËJE FSK-në USHTRI TË KOSOVËS

(New York, 10. 01. 2012) – Shqiptarët e Amerikës u treguan edhe njëherë të kohëshëm lidhur me Kosovën. Të shqetësuar me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe me disa pëshpërima mbi planet e Qeverisë së SHBA-së se do të tërhiqet ushtarakisht nga Kosova, me datën 12 dhjetor 2011, një dërgatë e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) u takua në New York me kongresistin Buck McKeon. Qëllimi i takimit ishte që z. McKeon, i cili është Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, të informohej mbi përshkallëzimin e situatës në veri dhe nevojën për të zgjidhur problemet atje para se të ndodhë reduktimi i planifikuar i trupave amerikane në Kampin Bondsteel afër Ferizajt.  Sapo u dha lajmi për takimin e delegacionit të LQSHA-së me kongresistin amerikan mediat u mbushën me zallamahi dhe drojë për fatalitetin që mund ta pllakosë Kosovën pas tërheqjes së ushtrisë amerikane. Mëpastaj, për çështjen e nivelit të pranisë ushtarake të huaj, që më së shumti është e rëndësishme për Kosovën, u prononcuan edhe përfaqësues ndërkombëtarë lloj-lloj rangjesh e spaletash. Të vetmit që nuk reaguan ishin autoritetet e Prishtinës.
Mirëpo janë pikërisht udhëheqësit e Kosovës që duhet të flasin dhe veprojnë sa më shpejt. Tash është koha që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të shndërrohet në Ushtri të Kosovës edhe formalisht. FSK është institucioni me të arriturat më krenare dhe me të cilin Kosova mund të mburret më së shumti. Rrënjët e Forcës së Sigurisë shkojnë thellë në fillimin e shekullit XX, kur, pas rënies së Kosovës nën okupimin serb, u organizuan përpjekjet e para kryengritëse, vazhdojnë me rezistencën e armatosur kundër pushtuesve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dalin mbi tokë me 1998-1999 kur UÇK-ja me ndihmën e NATO-s shkatërroi praninë e Serbisë në Kosovë. Pasardhësja e UÇK-së dhe pararendësja e FSK-së, Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) – po ashtu ishin një histori suksesi e jashtëzakonshme dhe tani ka ardhur momenti që FSK, si trashëgimtare e një tradite të lavdishme, të shndërrohet në Ushtri si ushtritë e çdo shteti në botë.
Arsyet për të pagëzuar Ushtrinë e Kosovës janë të shumta. Sidoqoftë tri prej tyre janë kryesore dhe të tejdukshme si kristali.
E para: ushtarët e FSK-së janë ndër trupat më të përgatitur në rajonin e Ballkanit. Ata janë stërvitur nga kuadrot ushtarake më të mira të NATO-s dhe Amerikës duke ju nënshtruar një dendurie testesh dhe sprovash nëpër të cilat kalojnë vetëm trupat elite ushtarake. Përkundër rigorozitetit, nuk ka ndodhur që pjesëtarët e FSK-së të mos shkëlqejnë. Pra profesionalisht, FSK është e gatshme të qëndrojë krah për krah me çdo ushtri të KFOR-it në mbrojtje të Kosovës dhe bile të marrë pjesë në operacione luftarake kudo që NATO është e angazhuar në rruzullin tokësor.
E dyta: ushtarët e FSK-së vijnë nga një sfond multi-etnik. Ata janë sikur popullata e Kosovës – shumica absolute, mbi 90 për qind, shqiptarë, por ka edhe boshnjakë, turq, goranë, romë dhe serbë. Ky mozaik i përkatësisë etnike dhe betimi i secilit ushtar të FSK-së, që, në qoftë se e do nevoja, do të sakrifikohet për qytetarët dhe integritetin e Kosovës, e bëjnë Ushtrinë e Kosovës të jetë ushtri më e pranuar se të gjitha ushtritë që përbëjnë KFOR-in në Kosovë.
E treta: kostoja. Një ushtar i KFOR-it përafërsisht kushton sa dymbëdhjetë ushtarë të Kosovës. Përkthyer numerikisht – me buxhetin për 6000 ushtarët e KFOR-it, që ende janë në Kosovë, do të mund të mbështeteshin financiarisht dhe operacionalisht 72 000 ushtarë të Kosovës. Kosova nuk ka nevojë për një armatë aq të madhe, sepse gjeneratat që dinë të luftojnë janë ende të gatshme dhe të pajisura me aftësi ushtarako-luftarake nga Lufta Çlirimtare 98-99 dhe do të mund të mobilizohen brenda 24 orëve po qe se sulmohet territori i Republikës. Por, një pjesë e madhe e buxhetit ushtarak të kursyer nga angazhimi i shtrenjtë i KFOR-it, tani për tani, do të mund të shpenzohej në blerjen e helikopterëve, aeroplanëve dhe armatimit modern adekuat për mbrojtjen e plotë të Kosovës.
Kosova u çlirua prej okupimit serb në qershor të vitit 1999 si rezultat i përpjekjeve të popullit të saj dhe ndërhyrjes vendimtare ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga Amerika. Republika e re u lind me 17 shkurt 2008 dhe filloi hapërimet e saj të para si shtet duke iu falënderuar në masë shumë të madhe kontributit euro-atlantik. Për çdo qytetar të Kosovës ndihmesa dhe rëndësia e NATO-s dhe Amerikës për Kosovën janë gjëra të qarta dhe të prekshme; porse si qytetarët ashtu edhe udhëheqësit e Kosovës duhet ta kuptojnë që Kosova duhet të mësohet të jetojë e mëvetësishme dhe të jetë në krye të vijës së parë të mbrojtjes në rast kërcënimi.
Amerika është e investuar në shumë pjesë të planetit ku jep kontributin për interesat e saj dhe të paqes botërore. Shteti më i fuqishëm në botë bën shpenzim racional të parave të miliona taksapaguesve të tij, përfshirë edhe taksat e afërsisht gjysmë milioni të shqiptaro-amerikanëve. Administrata e Presidentit Obama për vitin 2012, i cili është edhe vit i zgjedhjeve presidenciale, ka vendosur shkurtime dhe ribalancim të buxhetit të Departamentit të Mbrojtjes dhe ristrukturim të forcave të armatosura. Kosova nuk duhet të frikësohet nga reduktimi i trupave amerikane apo KFOR-it. Shtetet e Bashkuara mund të zvogëlojnë praninë ushtarake në Kosovë, veçse Amerika do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës. Në rast tentimi për invazion nga kushdo qoftë në Kosovë, SHBA-ja do të reagojë shpejt dhe me ashpërsi nga bazat e saj në Evropë dhe Azi. Kosova është një lloj Izraeli i Ballkanit dhe aleate e Amerikës, prandaj Amerika nuk do ta lë Kosovën vetëm. Qytetarët, mediat dhe paria e Kosovës e kanë rastin të kontribuojnë për Amerikën duke i mundësuar asaj që të ul shpenzimet ushtarake në atdheun tonë. Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin që për interes të saj dhe Amerikës të zëvendësojë ushtarët e larguar të KFOR-it me ushtarë të Kosovës.
Të gjithë që e duam Kosovën e kemi shansin që të japim pjesën tonë për paqen ballkanike dhe botërore. Ushtria e Kosovës e formalizuar dhe ligjësuar edhe de jure do të ishte faktori kryesor që do ta përmbante Serbinë nga tundimi për aventura militariste. Ç’është më me rëndësi, një Ushtri e Republikës së Kosovës do të ishte një rrethanë détente në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, çfarë padyshim do të kontribuonte thelbësisht në forcimin e paqes në Ballkan dhe kontinentin evropian. Prandaj Kosovë – bëje FSK-në Ushtri të Kosovës tash – menjëherë!
– Autori është aktivist shqiptaro-amerikan në SHBA dhe ish-ushtar i UÇK-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura