New York, 16. 06. 2014 – Shteti është fuqia supreme publike brenda një entiteti sovran politik. Sa është i fuqishëm një shtet varet drejtpërdrejtë nga fuqia e ekonomisë së atij shteti. Secili shtetas luan rol në qëndrueshmërinë e ekonomisë, porse përfaqësuesit e zgjedhur (apo të (vetë)imponuar në diktaturë), që gjerësisht njihen me emrin politikanë, janë ata që duhet të kujdesen që ekonomia dhe, si pasojë, edhe shteti të jenë vërtetë të fuqishme. Si udhëheqës të shoqërisë, politikanët formojnë mekanizmat qeverisës dhe kontribuojnë në zgjidhjen e tri problemeve kryesore të organizmit ekonomik: “çka dhe sa”, “si” dhe “për kënd” duhet të prodhohet. Liderët politik luajnë një rol të madh edhe në përcaktimin se si do të jetë ekonomia e komanduar, e tregut, apo e përzier. Mundësitë e çdo shoqërie janë të kufizuara dhe të qenurit efiçient në përdorimin e burimeve, konstatimin e përparësive krahasuese, ndarjen e punës dhe ndërshpërndarjen e kapitalit janë alfa dhe omega e parakushteve për një ekonomi të shëndoshë. Detyrat tjera ekonomike të politikës janë ndreqja e dështimeve të tregut, si p.sh.konkurrenca jofer ose ndotja e ambientit; promovimi i barazisë duke i(ri)shpërndarë të hyrat tatimore dhe shpenzimet drejt grupeve të dobëta të popullsisë; dhe krijimi i rregullave sistemore të cilat nxisin stabilitet dhe rritje makroekonomike.
Cili është roli kryesor i qeveritaro-politikanëve dhe kush e ka fuqinë vendimtare në ekonomi atëherë? Përgjigjet në këtë pyetje të dyfishtë janë:
1) roli më madhor i qeveritarëve në veçanti dhe politikanëve në përgjithësi është krijimi dhe mirëmbajtja e institucioneve; dhe
2) rolin vendimtar se sa e fortë do të jetë një ekonomi e kanë ndërmarrësit dhe vetëm ndërmarrësit.
Bota moderne dhe shteti i sotëm nuk funksionojnë pa institucione solide. Rëndësia fondamentale e institucioneve në një shoqëri është se ato janë përcaktorët e performancës shoqërore dhe sidomos asaj afatgjate ekonomike. Konsekuencat e ekzistencës së institucioneve janë të shumëfishta. Modelet ekonomike (dhe politike) bashkëkohore mbështeten në kornizën e institucioneve specifike dhe janë shumë të ndjeshme kur nuk ka puthitje mes tyre. Preokupimi i gjatë me teorinë e zgjedhjeve racionale dhe hipotezën e tregjeve efiçiente na ka errësuar kuptimin e teorive bihejvorialiste dhe sidomos çfarë i motivon njerëzit në raport me incentivat dhe mënyrën si e përpunojnë informacionin. Idetë dhe ideologjitë janë me peshë dhe institucionet ndihmojnë thelbësisht në vlerësimin se sa rëndësi kanë ato dhe në çfarë doze duhet të konsumohen.
Institucionet evoluojnë me kohë, por pas studimeve të shumta të ekonomistëve dhe mendimtarëve tjerë që merren me fenomenet shoqërore dhe zhvillimin ekonomik, verdikti është i qartë – incentivat e krijuara nga institucionet determinojnë prosperitetin dhe varfërinë, ndërkaq politika determinon vetëm natyrën e institucioneve. Institucionet parandalojnë elitat dhe grupet e interesit të shndërrohen në kasta batakçinjsh dhe kështu u japinmundësinë meritokracisë dhe lirisë të ngadhënjejnë dhe sundojnë.
Nëse politikanët arrijnë këtë, pra të bëhen gardianë të institucioneve, ky do të ishte shërbimi më i vlefshëm që mund të ofrojnë sepse vendimtarët për suksesin e një ekonomie megjithatë janë ndërmarrësit.
Teoritë e reja të rritjes dhe zhvillimit ekonomik, për dallim nga të menduarit tradicional që supozon rritjen ekonomike si funksion të punës, kapitalit dhe teknologjisë, bazohen në institucionet dhe ndërmarrësit si pedantina për përparim. Ndërmarrësit ekzistojnë në të gjitha kulturat dhe fazat historike. Vendimmarrja njerëzore përmban në vete balancën mes kostove dhe rrezikut që të arrihet profit dhe jo të gjitha shoqëritë krijojnë ambient ku ndërmarrësit mund të shtjellojnë dhe materializojnë talentin e tyre për këtë balancë. Ndërmarrësit me marrjen e rrezikut për risi dhe produkte më të reja apo më të përdorshme i lëvizin kurbat e funksioneve ekonomike drejt ekulibriumeve më cilësore. Në fakt, ndërmarrësit përmes shkatërrimit kreativ zëvendësojnë të vjetrën me të renë dhe krijojnë tregje, produkte dhe shërbime të reja duke rritur mirëqenien e përgjithshme.
Politikanët dhe qeveritarët shqiptarë si shumë kolegë të tyre në botë, siç e kemi përjetuar shpesh, shprehin tendencën të japin premtime jashtëzakonisht bujare duke aspiruar që do të bëjnë çudira me buxhetin e shteteve tona, mirëpo realiteti i zhvillimit dhe rritjes ekonomike është shumë i vrazhdë krahasuar me lehtësinë e kapardisjes retorike. Zotimet për vende të shumta pune, rritje të rrogave dhe mundësi të marrjes së huave me kamata simbolike, përkundër faktit se papunësia në vendet e shqiptarëve vazhdon të ngritet, pagat nuk mund të ndjekin as inflacionin dhe kanalet e huadhënies janë të shterura, dalin shlirshëm nga gojët e politikanëve. Megjithatë, e vërteta lakuriqe është se qeveritë nuk kanë më shumë se tri shtigje që mund t’u qepen për të zgjidhur sfidat ekonomike: të taksojnë, të huazojnë (brenda ose jashtë shtetit) dhe të shtypin para. Bile edhe këto veprime kanë limitet e tyre sepse nëse p.sh. rrit taksat për të krijuar vende pune kjo përkthehet në më pak para dhe fuqi blerëse për konsumatorët; nëse rrit borxhin e shtetit kjo do të thotë më pak fonde për bizneset; dhe, krejt në fund, nëse printon para kjo mund të ketë efekt pozitiv afatshkurtër, por në aspektin afatgjatë një akt i tillë mund të ketë rezultate katastrofale.
Kështu, nëse dëshirojmë zhvillim, përparim dhe shtete të forta, ne shqiptarët, është mirë që politikanët tonë t’i masim në krahasim me shërbimin që bëjnë në respektimin dhe ndryshimet pozitive që u bëjnë institucioneve shoqëroro-ekonomike. Sa më pak që politikanët të përzihen në ekonomi dhe sa më shumë që ndërmarrësit lejohen të veprojnë dhe shtyjnë ekonominë në një nivel më lartë, aq më shpejt do të fillojmë të mirëjetojmë, ngase sa për mbijetesë, ka kaluar mbi një shekull që po mbijetojmë. Politikanët janë burokratë, ndërmarrësit ata që sjellin ndryshimet. Shpëtimtarët tonë janë ndërmarrësit e ndershëm dhe punëtorë, assesi politikanët.