UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (1)

Pashtriku.org, 12. 05. 2015 – Në qoftë se përdorimi i nocioneve në jetën e përditshme është i lidhur me dukuri të një rëndësie të caktuar shoqërore, atëherë nuk është krejt njësoj se ç’do të nënkuptohet realisht me to. Për shumicën e tyre supozohet se janë tërësisht të njohura, por një analizë pak më e thelluar e përmbajtjes së tyre nuk e përjashton mundësinë e konstatimit të kundërt, vetëm pjesërisht të saktë, ose edhe të manipulimit të qëllimshëm me përmbajtjen e tyre. Për këtë shkak, por edhe për shkaqe të tjera të lidhura me temën në shqyrtim, nuk do të ishte i tepërt precizimi i vetëm disa prej tyre, si p.sh. i termave: “politikë”, “politikë e jashtme /e brendshme”, “politikë ndërkombëtare”, “Evropë”, etj., të cilat në kontekst të rrethanave ekzistuese apo të ndryshuara, në kontekst të qëllimit të zhvillimit të proceseve dhe të paraqitjes së dukurive të caktuara, nuk mund të kenë domethënie të njëjtë e statike. Në të vërtetë, analiza e përdorimit të tyre në kontekstin e dhënë shoqëror do të ishte me rëndësi të shumëfishtë, por për shkak të qëllimit të parashtruar të temës, vetëm pjesërisht mund të përqëndrohemi në të, duke filluar nga supozimi se është në dobi të shtjellimit të saj (d.m.th. të temës) dhe jo me qëllim të shkoqitjes së kuptimeve dhe të nënteksteve që do të dilnin nga një analizë e tillë.
Nga ana tjetër, vështirësitë në precizimin e termave politikë janë të lidhura me faktin se si ligjshmëritë e zhvillimit shoqëror, ashtu dhe dukuritë që i përcjellin ato, kurrnjëherë nuk manifestohen drejtpërsëdrejti, por tërthorazi. Për disa nga këto dukuri nuk ekzistojnë terma adekuatë jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët tjera me të cilat shërbehemi më së shpeshti. Ndërkaq, për dukuritë tjera që nuk ekzistojnë tek ne, kemi huazuar fjalë të huaja, por shumë herë pa e precizuar kuptimin e tyre. P.sh. dukuria e ndarjes së shoqërisë indiane në kasta në kuptimin burimor nënkupton rregulla tejet të formalizuara të raporteve midis tyre; pjesëtarët e kastave të ndryshme p.sh., nuk guzojnë as të preken në mes tyre. Kësaj fjale tek ne më së shpeshti i jepet kuptimi i shtresës, fjalë së cilës megjithatë i mungon rigoroziteti i fiksimit të raporteve të cilat i nënkupton shprehja “kastë” e Indisë. Mirëpo, vështirësitë më të mëdha lidhen me faktin se subjektet politike, gjatë fazave të ndryshme të zhvillimit të ndonjë procesi ose të paraqitjes së ndonjë dukurie, duke e synuar kontrollimin e tyre, me metoda të ndryshme dhe përmes mjeteve të komunikimit, qëllimisht ua ndryshojnë kuptimin fjalëve dhe ua japin përmbajtjen që u përshtatet interesave të tyre në momente të caktuara politike. Shembuj të këtillë ka mjaft. E tërë historia politike e cilitdo vend në botë është e mbushur me fakte të tilla. Mirëpo është detyrë e linguistëve që të gjejnë në gjuhën shqipe fjalë adekuate për të shënuar dukuri të veçanta politike. Për këtë shkak këtu do të përqendrohemi në nocionet më me interes për temën tonë në shqyrtim.

“Zoon-politikon”- Politika – strukturë e qenies së njeriut
Termi i shquar i Aristotelit “zoon” (gr.-kafshë) e nënkuptonte pjesëtarin e polisit (qytetit antik grek). Ky pjesëtar kishte të drejtë të merrte pjesë në rregullimin e punëve të polisit-shtet. Rregullimi i punëve në polisin antik ishte i gjithëmbarshëm dhe gjithëpërfshirës. Prandaj një gjë e tillë nënkuptonte që etika, politika dhe ekonomia të shkonin bashkë, d.m.th. të ishin një. Njeriu, natyrshëm, ishte qenie shtetërore për të cilin konvergimi me shtetin ishte gjithmonë karakteristik si një “strukturë me rëndësi e qenies” (shih Vilfred Röhrich -W.D. Narra, Politika kao znanost, Zagreb, 1989, f.28).
Me fjalë të tjera, njeriu antik i kohës së Aristotelit, në polisin (qytet-shtetin) e tij e gjente formën e ekzistimit të mundshëm, më të sigurt, formën e realizimit të tij si njeri. Mirëpo ai këtë e bënte spontanisht. Në këtë mënyrë ai e kishte ndjekur karakterin e tij, një veti natyrale njerëzore. Shumë më vonë Hegeli, spontanitetin e tillë të konvergimit të njeriut me shtetin, do ta ngriste në nivelin e aktit të vetëdijshëm, dhe njeriu (d.m.th. ai i Hegelit), do ta realizojë veten në organizimin e shtetit ideal borgjez. Ndërkaq te Marksi shteti i tillë do të shuhet në “perandorinë e lirisë” të “çliruar nga detyrimi i punës (mbretëria e domosdosë)” dhe njeriu i realizuar në këtë mënyrë nuk do të ketë nevojë për politikë, sepse ai vetë do të jetë politikë.
Kjo pikë e botëkuptimit të Marksit do të tregohet në praktikë si utopi dhe do të cilësohet si e tillë. Mirëpo realizimi i plotë i njeriut në shtet për të gjithë teorikët, pavarësisht nga synimet e tyre, akoma mbetet utopi. Konvergimi i njeriut me shtetin te Aristoteli p.sh. nuk e nënkuptonte kategorinë e skllevërve, sikundër që tek Hegeli liberalizmi borgjez mbetet i kufizuar. Megjithatë, politika dhe ekonomia edhe më tutje do të shkojnë së bashku. Një sociolog gjerman kësaj do t’i japë kuptim praktik: “Autoriteti, fama ose prestigji i shtetit, -thekson ai, -ndikojnë ekonomikisht në mënyrë produktive” (shih Alfred von Martin, Sociologie der Renaissance…Frankfurt am Wein, 1949). Kjo e shpjegon njëherit edhe dukurinë negative të pranishme në shoqëritë bashkëkohore në zhvillim kur politika vihet në funksion të pasurimit privat të bartësve të saj dhe konsiderohet si rrugë e lehtë për “t’u bërë i famshëm”.

(VIJON…)

_____________

PJESA E PARË:
UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4012
***
PJESA E DYTË:
UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4014
***
PJESA E TRETË:
UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (3)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura