URAN BUTKA: KRYENGRITJA E DIBRËS E SHTATORIT 1913

Tiranë, 07. 11. 2013 – Kryengritja e Dibrës e vitit 1913, ishte një kryengritje popullore shqiptare kundër pushtimit serb, por edhe kundër vendimeve të Konferencës së Londrës për copëtimin e Shqipërisë dhe dhënien e Dibrës së Madhe Serbisë. Kjo konfirmohet edhe nga zv.konsulli anglez në Manastir, Greing, i cili i raporton Foreing Offise më 26 shtator 1913: Shkaku kryesor i fillimit të kryengritjes qëndron në vendimin e padrejtë të Konferencës së Londrës kundër shqiptarëve. (Raport i zv.konsullit anglez në Manastir drejtuar Foreign Offise, 26 shtator 1913).
Kryengritja nisi e kulmoi në qarkun e Dibrës, me qendër Shehrin, që u bë edhe qendra luftarake, politike e administrative e kryengritjes, ndaj edhe u emërtua edhe “Kryengritja e Dibrës”, por u përhap edhe në trevat e tjera shqiptare të Lumës, Tetovës, Kërçovës, Gostivarit, Pollogut, Ohrit, Strugës, Pogradecit, si edhe të Malësisë së Gjakovës e të Dukagjinit.
Mirëpo kjo kryengritje e rëndësishme, që dëshmonte për luftën çlirimtare dhe qëndresën kombëtare me armë në këto treva, nuk është pasqyruar si dhe sa duhet në historinë e Shqipërisë dhe të kombit. Historianët e shtetit shqiptar e kanë anashkaluar, ose formalisht sa e kanë cekur, ndërsa në botimin voluminoz “Historia e Dibrës, që nga lashtësia deri në vitin 1939”, kryengritja e vitit 1913 është dhënë e përciptë, thjeshtësuar, pa asnjë referencë dokumentare (!?), si edhe pa përmendur udhëheqësit dhe protagonistët e saj. Ndërsa historianët e studiuesit shqiptarë të Maqedonisë dhe Kosovës, kanë bërë përpjekje të dallueshme për ta trajtuar objektivisht në punimet e tyre, por ende ajo nuk ka zënë vend në tekstet e historisë, apo shkollore. Ndërsa tek studiuesit e huaj (serbë e bullgarë) ka tendencë të dukshme.
Është theksuar nga historiografia e mëparshme se kryengritja e Dibrës e vitit 1913 filloi më 19 apo 20 shtator 1913. Mendoj që ky datim, por i gjithë trajtimi i deritanishëm, kërkon ballafaqim faktesh e argumentesh, në mbështetje të dokumenteve që kanë dalë në dritë.

– Kryengritësit e Dibrës me artilerinë e zaptuar kundër ushtrisë serbe! –

Kryengritësit e Dibrës – shtator 1913.

 Nga të dhënat burimore të mirëfillta, rezulton se kryengritje shqiptare e vitit 1913 i ka fillesat qysh në fillim të shtatorit 1913, madje edhe më parë, atëherë kur u përhap lajmi se Kosova dhe Dibra do të mbeteshin jashtë trungut të shtetit shqiptar, sidomos pas vendimit të 29 korrikut të Fuqive të Mëdha. (AQSH, Fondi 845 Dosja 14 .v.1913)
Sipas gazetës “Përlindja e Shqypnies” e datës 12 gusht 1913, Elez Isufi, Ramadan Zaskoci dhe Rexhep Bajraktari, ndodheshin në Vlorë, ku biseduan me Ismail Qemalin, i cili i udhëzoi për të organizuar kryengritjen ndaj pushtimit serb në Dibër Lumë dhe Has. (Gazeta “Përlindja e Shqipnies, 12 gusht 1913)
Po ashtu, në fund të gushtit 1913, edhe Isa Boletini, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri kishin shkuar në Vlorë për të biseduar me qeverinë për organizimin e kryengritjes në Kosovë. (Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918).
Mirëpo, fatkeqësisht, një kryengritjen e përgjithshme shqiptare nuk ndodhi, madje as në trevat shqiptare që po shkëputeshin padrejtësisht e dhunshëm nga trupi i Shqipërisë: As në Kosovë, as në trevat shqiptare të Malit të Zi, as në Çamëri.Ndodhi vetëm në Dibër.
Më 24 gusht 1913, inspektori i policisë së Shkupit, njoftonte komandën superiore serbe se Elez Isufi gjendej në Dardhë dhe i ftonte shqiptarët për kryengritje në Dibër. (M.Rizvanolli, Elez Isufi kreshniku i Dibrës; Sh Hoxha, Luma në luftën për liri).
Nga ana tjetër, prefekti i Elbasanit, Aqif Pashë Elbasani, me udhëzim të qeverisë së Vlorës, mbështeste kryengritjen. Ai bujti Millan Maton, Irfan bej Ohrin etj në Elbasan dhe i nisi në kohën e duhur për në Dibër, që të merrnin pjesë në kryengritje. Gjithashtu, në letrën që i shkruante I.Qemali, e porosiste Aqif Pashën “për të rrëfyer lehtësitë që të dërguarit HalimTetova dhe Muin Beu, bijtë e Mehmet Pashë Dërrallës, që duhet të kalojnë nga Elbasani për në Tetovë e Gostivar, për t’u bashkëngjitur me atdhetarët në luftë kundër pushtimit serb në fushën e Pollogut”. 1 (AQSH, Fondi 271, dosja 144, v.1913)
Po ashtu, nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Luigj Gurakuqi, shkruante për kryengritjen e Dibrës: “Me të madhin gëzim po marr vesh fitoret e vëllezërve tanë, pse sot po lahen turpet që hëngrëm nga të huajt. Më vjen shumë keq që nuk ndodhem në mesin e luftëtarëve.” (AQSH, Fondi 68 Dosja 55 korrespondenca e L.Gurakuqit)
Sipas raportit të Naçallnikut të Dibrës, Çirkoviç, dërguar qeverisë serbe në Beograd, shqiptarët filluan më 1 shtator 1913 lëvizjen antiserbe në afërsi të Pogradecit. Më 3 shtator shqiptarët sulmuan patrullën serbe në fshatin Rinakaj. Më 5 shtator u bë proklamata e aneksimit serb të Dibrës. Më 7 shtator sulmuan komandot serbe tek Ura e Arasit. Më 8 shtator shqiptarët me forca të mëdha prej 1200 luftëtarësh sulmuan Peshkopinë dhe e morën atë. Prej Peshkopisë u nisën drejt Dibrës dhe Zherovnicës. Më 9 shtator, ora 10.30, u çlirua Zherovnica dhe po më 9 shtator ( 22 shtator- me kalendarin e ri), në mesditë, u çlirua qyteti i Dibrës. (DASIP.PO .VIII dIp/6-VII, Raporti i N.Çirkoviç, 8 tetor 1913).
Më 19 shtator, kishte shpërthyer një revoltë e malësorëve të Lusnisë, ku serbët lanë dhjetë të vrarë dhe lusnakët dy. Dibranët u ngritën në protesta. Ushtria serbe dogji shtëpi dhe persekutoi banorë të Peshkopisë e të fshatrave përrreth. Vetëm në Shehër u arrestuan 48 shqiptarë, pesë nga të cilët u ekzekutuan. Dibra dha kushtrimin. Kryengritësit morën Peshkopinë më 21 shtator 1913 dhe u nisën drejt Dibrës së Madhe, e cila ishte ngritur e gjitha në këmbë. Në Shehër u ngrit flamuri kombëtar, u liruan të burgosurit dhe u zunë 400 robër ushtarë serbë.
Kryengritja e Dibrës nuk ka qenë një kryengritje spontane, siç është përkufizuar shpesh, por një kryengritje popullore e organizuar, siç theksova, e frymëzuar nga idetë e lirisë, e shpërthyer nga rreziku i shkëputjes së Dibrës dhe aneksimit të saj nga Serbia, e nxitur nga represioni serb, terrori dhe masakrat, si edhe nga gjendja e mjeruar ekonomike, ndalimi i lëvizjes etj.
Sipas raportit të naçallnikut serb Çirkoviç, kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga prijës kryesorë si Elez Isufi e Mersim Dema dhe komandantë popullorë: Sefedin Pustina, Selman Alia, Haxhi Llani Kaloshi, Isuf Xhelili, Mersim Dema, Iljaz Hoxha, Haziz Lila, Elez Koçi, sheh Sula, Dan Cami etj, organizuan sulmin e mëtejshëm të ndarë në disa kolona si në drejtim të Strugës e Ohrit, të Mavrovës e Gostivarit. Dhe nga betejat e njëpasnjëshme luftëtarët shqiptarë çliruan: Gostivarin, Tetovën, Strugën, Ohrin…, ndërsa forcat serbe u tërhoqën me shpejtësi duke lënë 1000 ushtarë të vrarë, 300 ushtarë u zunë rob si dhe u kapën 12 topa e materiale të tjera të shumta luftarake. (Po aty)
Që kryengritja e Dibrës ishte e organizuar e tregon edhe fakti se menjëherë pas çlirimit të Dibrës së Madhe, kryengritësit formuan Këshillin Administrativ dhe ngritën administratën në qytete e fshatra. Në raportin e datës 8 tetor 1913, theksohet:”Me të hyrë të kryengritësve në qytet, bejlerët e këtushëm menjëherë e formuan qeverinë:Sefejdin Pustina, Rizah Begu, dhe Sheh Latifi, ku për kryetar të asaj qeverie është zgjedhur: Sejfedin Pustina” . (Po aty)
Rol të rëndësishëm në këtë kryengritje ka luajtur myftiu i Dibrës, Sherif Langu, i cili u zgjodh kryetar i Këshillit për Shehrin..
Në raportin serb që cituam, tregohet edhe për mirësjelljen e kryengritësve shqiptarë ndaj të plagosurve dhe robërve serbë. Ai shkruan:”Shqiptarët menjëherë e rregulluan telefonin në mes të Peshkopisë dhe Dibrës, e vënë në përdorim aparatin që nuk përdoret në ushtrinë tonë. Menjëherë e themeluan spitalin dhe filluan për t´i shëruar të plagosurit tanë(serbët). Shqiptarët ndaj të plagosurve dhe të zënëve robër janë sjellë me një korrektësi humane…” (po aty)
Edhe gazeta “Obzor” e Zagrebit shkruante se kryengritja si duket është e organizuar mirë dhe në luftimet në Dibër dhe më gjerë janë vrarë mbi 1.200 ushtarë serbë dhe janë zënë rob mbi 300 veta, operacionet luftarake në Dibër, udhëhiqeshin nën komandën e Sefedin Pustinës. (Gazeta “Obzor” Zagreb 8 tetor 1913).
Sefedin Pustina, luajti rol të rëndësishëm, jo vetëm në kryengritje, por edhe në organizimin e mbrojtjes nga mësymja e ushtrisë serbe, veçanërisht në betejat e Mavrovës dhe të Petrinjës. Ai u ndërlidh e bashkëpunoi me sheh Vehbi Dibrën, kryetar i Kuvendit të Vlorës si edhe Aqif Pashë Elbasanin, Elez Isufin, Millan Maton, Irfan Ohrin etj. Ja sesi e informon ai Aqif Pashë Elbasanin për kryengritjen e Dibrës: “Armiku u tërhoq në mënyrë të çrregullt. Kështu, shyqyr Zotit, u dërmua krejt”. S Pustina i kërkon prefektit të Elbasanit, dhe nëpërmjet tij qeverisë së Vlorës, ndihmë në armatime: “Në rast se qyteti ynë kalon përsëri në dorë të armikut, kjo do të vijë vetëm nga mungesa e armëve dhe e municioneve”. (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e Saj).
Natyrisht, për shkaqe të jashtme dhe të brendshme, kryengritja dhe qëndresa shqiptare në atë kohë nuk mund të përfundonin me çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Mësymja serbe e mëse tre divizioneve me afër 70.000 ushtarë e armatime të rënda, në një vijë fronti prej 100 km në tre drejtime: Dibër-Strugë-Ohër-Pogradec; Lugina e Drinit të Zi-Dibër-Peshkopi-Lumë; Malësi e Gjakovës- Rrafshi i Dukagjinit, solli shtypjen e përgjakshme të kryengritjes, terror e masakra të papara ndaj popullsisë shqiptare dhe një gjenocid me përmasa të mëdha me motive etnike, politike dhe fetare, që tronditi botën. Atdhetari Sotir Kolea ka botuar te Kalendari Kombiar i vitit 1914 masakrat e ushtrisë serbe në Dibër, po ashtu u publikuan në gazetën “Corriere dela Puglie” emrat e fshatrave dhe banorët e masakruar të këtyre trevave. Gjithashtu, miku i Shqipërisë, Herbert paraqiti në Konferencën e Ambasadorëve masakrat serbe në Dibër e gjetkë.
Vetëm në vijën Strugë-Dibër-Gostivar-Tetovë u dogjën dhe u shkatërruan tërësisht 180 katunde, ndërsa në Ohër 30 katunde. Në qytetin e Ohrit u varën në tel telegrafi tetë shqiptarë. Më 5 tetor qyteti i Dibrës ra. Ky qytet i lashtë dhe historik, dikur me 18-20.000 banorë, në fund të vitit 1913 mbeti me vetëm 2000 banorë. Pasi dogjën dy lagje të jashtme, ushtritë serbe u vunë zjarrin gjithë fshatrave të Dibrës. Me mijëra shqiptarë u shpërngulën dhunshëm nga trojet e tyre për në Shqipëri, Turqi e vende të tjerë. Ata që mbetën u burgosën dhe u persekutuan.
Për barbarizmat e ushtrisë serbe në Dibër, është shkruar, ndaj nuk po ndalem. Por, mendoj se edhe shifrat për katundet e djegur, për të vrarët, të masakruarit dhe të shpërngulurit nga Dibra në vitin 1913, duhet pasur kujdes që të merren nga burime të besueshme e të dokumentuara, sepse edhe shifra 180 katunde të djegur në vijën Strugë- Tetovë, është e diskutueshme, ndërsa diku tjetër thuhet se vetëm për në Selanik u shpërngulën 350 000 vetë, për në Bullgari 50.000, për në Shqipëri 35.000 etj.
Dëshiroj të trajtoj edhe një aspekt tjetër të kryengritjes së Dibrës, që lidhet me luftimet në zonat e Pogradecit, Kolonjës dhe Elbasanit. Në Pogradec, në Strugë dhe në fshatrat rreth liqenit të Ohrit u formuan çetat e para kryengritëse kundër pushtimit serb, si ato të Jashar bej Starovës, Irfan bej Ohrit, Avdulla Rushitit- Gojëdrinit, Millan Matos, Riza Ajros, Demir Lenës etj. Luftëtarët e Strugës u tubuan tek vendi i quajtur “Plepat e Teferiçit”, formuan batalionin, që më vonë e mori emrin “Tabori i Strugës”, me komandant Riza Ajron dhe nënkomandant Demir Lenën nga Ladorishti dhe iu bashkuan kryengritësve të Ohrit e të Dibrës. Kur nisi mësymja ushtarake serbe, qeveria e Dibrës caktoi Millan Maton, i krishterë nga Struga, për organizimin e mbrojtjes së krahinave të Ohrit e Strugës. Ushtria serbe, superiore në numër dhe në armatime, sulmoi në drejtimin Manastir-Resnjë-Ohër-Strugë-Qafë e Thanës. U bënë disa përpjekje, por beteja më e madhe u organizua në Petrinjë, 28 shtator-2 tetor 1913. Në malin e Petrinjës zunë vend çetat e Avdulla Rushitit, Irfan bej Ohrit, Riza Ajros, Demir Lenës, Dan Canit etj. Luftimet më të ashpra u bënë në qafën e Bukovës, ku u vendos çeta e Demir Lenës, që qëndroi për pesë ditë rresht, deri më datën 2 tetor, kur kryengritësve u mbaruan fishekët. Në këtë betejë u vranë shtatë ladorishtarë: Baftjar Ajro, Nurimehmet Hoxha, Elez Ajro, Hali Klenja, Bilal Çollaku, Maksut Ajro dhe Zylyftar Klenja, ndërsa u plagosën Riza Ajro dhe Demir Lena. Sipas të dhënave dokumentare, u vranë 500-600 ushtarë serbë. Demir Lena, i plagosur, kaloi në Pogradec, në shtëpinë e Jashar bej Starovës, ku u mjekua dhe u kthye sërish në Ladorisht, ku rezistenca vazhdoi deri më datën 7 tetor. Edhe atje u bënë masakra në popullsinë e pafajshme.
Koloneli austriak, Mitzel, anëtar i komisionit të caktimit të kufijve, shkruan në ditarin e tij të datës 29 tetor 1913: “Në fshatin Ladorisht, komisioni u ndal aty nga mesi i vitit 1913, kur para syve të anëtarëve të tij u shfaq një pamje e tmerrshme: Nga 320 shtëpi që kishte Ladorishti, 300 shtëpi u dogjën nga serbët dhe nga 1500 banorët, kishin mbetur vetëm 100 vetë”. (AIH, Ditari i Kolonelit MItzel, 29 tetor 1913)
Pjesa më e madhe e luftëtarëve të Taborit të Strugës kaloi në Shqipëri dhe nën komandën e Demir Lenës, mori pjesë, në bashkëpunim me çetat e Sali Butkës, Jashar bej Starovës, Shaban Blloshmit, në luftimet kundër serbëve e grekëve, dhe bashkëpunëtorëve të tyre Etem bej Starovës dhe Esat Pashë Toptanit.
Në betejën e Nikolicës, 24 prill 1914, organizuar nga kapedani Sali Butka kundër ushtrisë greke, që vinte për të pushtuar Korçën, mori pjesë edhe Tabori i Strugës, që luftoi trimërisht dhe la në fushën e luftës, dy dëshmorë: Bajram Coma dhe Demisha Hoxha, eshtrat e të cilëve prehen në varrezat e Nikolicës, fshat kufitar i Korçës. (M.Kurtishi, Ladorishti, histori dhe tradita).

———————————–

Total
0
Shares
2 comments
  1. First off all I would like tto say wonderful blog! I had
    a quick question that I’d like to ask if you don’t mind.
    I was curious to know how you center yourself and clear your thoughts before writing.
    I’ve haad difficulty clearing my mind in getting myy ideas out.
    I do take plpeasure in writing however it just seems like the first 10 tto 15 minutes are generally lost just trying to figure out how to
    begin. Any ideas or hints?Appreciate it!

    My web page; http://Www.adtgamer.com.br

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura