VAXHID SEJDIU: MËRGATA SHQIPTARE, EDHE NJË HERË SFIDOI PARTITË POLITIKE SHQIPTARE NË IRJM!

Walenstadt (Zvicër), 07. 05. 2014 – Për të dytën herë, mërgata shqiptare sfidoi partitë politike në IRJM duke ua bërë me dije se ata nuk e meritojnë votën e mërgimtarëve shqiptarë… Janë me mijëra fakte që dëshmojnë se partitë shqiptare ishin pjesë të skenarëve politike, gjatë të cilave shqiptarët u diskriminuan në të gjitha sferat dhe në vazhdimësi… Ata në vend që të merren me të drejtat e shqiptarëve, ato pasuruan veten duke lënë në baltë kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar…. Pra, qe 24 vjet shqiptarët në IRJM nuk ka kush t`i mbroj; ata diskriminohen në vendet e punës, ata nënçmohen dhe përbuzen, ata rrahën dhe helmohen në shkollë, në rrugë dhe në shtëpi… Deri tani ka pasur mjaft deputetë në parlamentin e IRJM, por mjerisht në vazhdimësi, ata janë shndërruar në masha të pushtetit, në mjete pune të koalicioneve qeveritare në dëm të popullit shqiptar…në vitin 2014 shqiptarët nuk kanë për kë të votojnë!
***

Edhe në këto zgjedhje të zhurmshme, me paraqitje banale dhe të çoroditura, pa kurrfarë programesh politike, me një bagazh të turpshëm, duke mos realizuar asgjë për shqiptarët gjatë më se dy dekadave, partitë shqiptare ia mësynë për të dytën herë për të kërkuar votën e mërgimtarëve shqiptarë.
Por, mërgata shqiptare edhe njëherë dëshmoi jo vetëm që nuk voton por edhe nuk përkrah parti politike të cilat gjatë mandateve të kaluara plotësisht kanë dështuar.
Ata janë zgjedhur me votat e shqiptarëve dhe deri tani asnjë ligj nuk kanë miratuar në dobi të shqiptarëve, por përkundrazi janë me mijëra fakte që dëshmojnë se partitë shqiptare ishin pjesë të skenarëve politike, gjatë të cilave shqiptarët u diskriminuan në të gjitha sferat dhe në vazhdimësi. Prandaj ajo pa zhurmë, por me një vendim unanim dëshmoi edhe njëherë se kjo klasë politike në IRJM nuk meriton të votohet sepse ka dështuar në të gjitha proceset e deritanishme. Ata në vend që të merren me të drejtat e shqiptarëve, ato pasuruan veten duke lënë në baltë kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar.

Qe 24 vjet shqiptarët në IRJM nuk ka kush t`i mbroj!!

Pra, nuk mbahet mend në këto njëzet e katër vjet të pluralizmit politik në IRJM (1991 – 2014), që partitë shqiptare të kenë realizuar në Kuvendin e saj një ligj të vetëm në dobi të shqiptarëve, por në vazhdimësi kuvendi dhe qeveritë kanë qenë në funksion të proceseve të montuara politike mbi shqiptarët e pafajshëm, si dhe pjesë të projekteve antishqiptare.
Gjatë, shtatë mandateve politike prej se ekziston Kuvendi i IRJM:
1991 – 1994,
1994 – 1998,
1998 – 2002,
2002 – 2006,
2006 – 2008,
2008 – 2011 dhe
2011 – 2014. 

shihet qartazi se partitë politike shqiptare në IRJM, kanë qenë të paorganizuara, të përçara dhe asnjëherë nuk kanë folur me një zë dhe më kërkesa të njëjta. Por përkundrazi në vend që të organizohen dhe t`i parashtrojnë kërkesat për realizim, ato kanë vepruar të përçara dhe në luftë të hapur me njëra – tjetrën, kështu që kërkesat e shqiptarëve kanë qenë fjalë të thata vetëm për fushata zgjedhore.
Gjatë këtyre viteve në Kuvendin e IRJM nga partitë shqiptare, në emër të votuesve shqiptarë janë ulur më se 169 deputetë dhe dhjetëra grupe parlamentare dhe dhjetëra përfaqësues shqiptarë nëpër komisione parlamentare dhe asnjëherë të vetme si grup parlamentar apo si parti politike nuk ka marrë vendim në dobi të kërkesave legjitime shqiptare. Paraqitja e tyre në kuvendin e IRJM ka qenë si zakonisht nën çdo nivel dhe gjendja e sotme e shqiptarëve në IRJM është rezultat i punës, sjelljes dhe angazhimit të tyre. Pra, qe 24 vjet shqiptarët në IRJM nuk ka kush t`i mbroj; ata diskriminohen në vendet e punës, ata nënçmohen dhe përbuzen, ata rrahën dhe helmohen në shkollë, në rrugë dhe në shtëpi, kërkesat e tyre për punë nuk merren parasysh, ata të cilët punësohen në administratë mbahen në shtëpi – jashtë vendit të punës etj.
Mërgata shqiptare sfidoi partitë politike në IRJM
Pas votimit të datës 26 Prill, një numër i caktuar “gazetarësh”, “analistësh” dhe gjoja “intelektualësh”, të cilët populli shqiptar i njeh gjithmonë si hiena të pushtetit, padrejtësisht i ranë në qafë mërgimtarëve shqiptarë, duke thënë se dështoi siç e quajnë ata, Diaspora shqiptare.
Jo, zotërinj mërgata shqiptare nuk ka dështuar por ajo është e vetëdijshme dhe në rrugë të drejtë, ajo nuk pranoi kërcënimet dhe shantazhet, gënjeshtrat dhe trillimet në emër të një patriotizmi të rrejshëm, të cilët gjatë dy dekadave jo vetëm që nuk bënë asgjë për këtë popull, por ndihmuan haptas edhe pas shpine të gjitha projektet antishqiptare të qeverisë sllavo-maqedone.
Ata me vëmendje dhe kujdes përcjellin të gjitha lëvizjet në vendlindje dhe të vetëdijshëm për rolin e tyre nuk iu nënshtrohen fushatave antishqiptare.
Deri tani ka pasur mjaft deputetë në parlamentin e IRJM, por mjerisht në vazhdimësi, ata janë shndërruar në masha të pushtetit, në mjete pune të koalicioneve qeveritare në dëm të popullit shqiptar.
Mërgata shqiptare nuk i harron masakrat mbi shqiptarët, nuk i harron diskriminimin dhe nënçmimin e shqiptarëve me dekada. Më se 25 vjet nga këto parti politike, në vend të të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar – shqiptarët kanë përfituar vetëm mashtrimin politik.
Pjesa më qesharake e kësaj loje ishin misionarët duke vrapuar nëpër lokale, klube dhe xhami shqiptare, pastaj bajraktarët dhe udhëheqësit e partive shqiptare. Qëllimi i tyre ishte nëpërkëmbja e mërgatës shqiptare, njollosja e saj, dëshira e tyre madhe për ta futur mërgatën në llomin e vet.
Dhe nga e gjithë kjo fushatë vlen të përmendet se BDI ka fituar 2816 vota. Ky është verdikti i mërgatës shqiptare. Kaq njerëz ka vetëm një qytet në Zvicër dhe lëre më në të gjitha shtetet e Evropës.
Partitë politike jo vetëm që deri më tani nuk kanë bërë asgjë për mërgimtarët shqiptarë por ata janë viktimë e lojërave të pushtetit që publikisht bëhen gjatë shërbimit për dokumentet personale. Plaçkitja dhe maltretimi janë dukuri e zakonshme në sportelet e qyteteve ku jetojnë shqiptarët. Përveç kësaj që 24 vjet thirren në ligjin për gjuhën shqipe dhe simbolet kombëtare, dhe shih për çudi as këto dy ligje nuk i kanë bërë.
Sloganet patriotike “fluturojnë” vetëm gjatë fushatave zgjedhore, sepse pas saj fillon jarania për ta pasuruar veten apo grupin që i përket.
Terrori shtetëror ka vazhduar dhe po vazhdon që nga Kumanova deri në Manastir kurse përfaqësuesit e partive shqiptare “hapin dhëmbët” dhe asnjëherë nuk kanë dalë në mbrojte të fshatarëve, qytetarëve shqiptarë, por kanë shikuar se si të pasurohen dhe se si të përfitojnë me djersën e të tjerëve. Kompromiset e tyre politike në dëm të popullit shqiptar janë veprat më të shëmtuara në historinë e shqiptarëve, gjë që u shndërruan në një dekor më të neveritshëm në IRJM. Prandaj, vendimi i mërgatës është shumë i drejtë, do të kishim pas dëshirë që këtë vendim ta marrë edhe populli në trojet shqiptare në IRJM, sepse është e qartë në vitin 2014 shqiptarët nuk kanë për kë të votojnë.

………………………………………

Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni fillon që në çerdhe.!!!

______________________________

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura