VAXHID SEJDIU: NË FILOZOFINË POLITIKE TË UKSHIN HOTIT NUK KISHTE VEND PËR KOMPROMISE POLITIKE NË DËM TË POPULLIT SHQIPTAR

St.Gallen, 16. 05. 2014 – (“Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe në të drejta”, Po shqiptarët? – Ukshin Hoti) – Më ka ra rasti të lexoj libra apo vepra të llojeve të ndryshme letrare, të shkruara gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, por edhe pas saj. Libra përplot poezi, tregime, romane, drama, shkrime publicistike apo edhe libra të llojeve tjera letrare dhe joletrare, por asnjëra nuk më ka bërë përshtypje sa Filozofia politike e çështjes shqiptare të Ukshin Hotit. Ky libër lë mënjanë të gjithë autorët të cilët shkruan dhe botuan për Kosovën dhe rreth Kosovës. Asnjëri nuk arriti ta bëj më të shenjtë, më të shtrenjtë dhe më shkencore këtë rrugë për popullin shqiptar sa vetë Ukshin Hoti. Një filozofi politike që ka në thelb idealin për lirinë e një populli të përvuajtur, i cili luftoi me shekuj, sepse në traditën e tij ekzistonte vetëm një ideal, një vizion për të sotmen dhe për të ardhmen. Të urtët gjithmonë kanë thënë: lufta për liri ruan fytyrën dhe tokën, kurse lufta për pushtet i njollos të gjitha.
Në filozofinë e tij nuk kishte vend për kompromise politike në dëm të popullit shqiptar, në filozofinë e tij politike nuk kishte vend për interesa të ngushta partiake, në filozofinë e tij politike nuk kishte vend për rrëmujë dhe anarki politike me qëllim përfitimi, në filozofinë e tij politike nuk kishte vend për aleancë me të keqen, me të zezën, me krimin… Ky këndvështrim individual pasqyron idealet e tij të lirisë dhe të mbijetesës në sipërfaqen e kolektivitetit shqiptar.

Gjatë leximit të Filozofisë politike, padyshim lexuesi arrin në një pikë mjaft të ndjeshme, të takohet dhe të bashkëbisedoj me të urtin, me të madhin me të vetmin politikan shqiptar të përmasave kombëtare – Ukshin Hotin. Prandaj, ky libër mund të lexohet, të vështrohet dhe më shkurt të shndërrohet në tekst shkollor për të gjitha gjeneratat ndër shqiptarët. Ky libër për kuptimin dhe mesazhin që ka, është libër i shkruar me një strukturë shkencore dhe ofron një pamje reale për Kosovën dhe shqiptarët rreth saj, sot e njëqindvjet. Ai lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të shtypur nën thundrën e hekurt të pushtuesit e sheh në kontestin e lirisë me Evropën, pjesë të së cilës janë edhe vetë shqiptarët. Ai iu qaset problemeve politike drejt dhe drejtpërdrejtë pa zbukurime, pa kthesa politike duke i mbajtur gjallë brenda strukturës së problemeve kërkesat dhe parimet themelore të vetëvendosjes së një populli. Këshillat e tij ndaj demokracisë dhe shpjegimet e tij për shtetin janë parime themelore të organizimit të një shteti demokratik në interes të gjithë popullit pa dallime, gjë që ka qenë, është dhe mbetët ëndërr kombëtare e të gjithë shqiptarëve. Këtë ideal kombëtar Ukshini e zbërthen në shpjegimet e tij për rolin e shtetit në funksion të demokracisë, si dhe në funksion të interesave vitale kombit.
Është ndër politikanët e rrallë, për mos me thënë i vetëm që nënvizoi rolin e mërgatës (diasporës) shqiptare, rëndësinë e projektit kombëtar për një politikë gjithëshqiptare. Është ndër politikanët e rrallë që nënvizoi Luftën si mundësi reale për të arritur deri te dyert e lirisë, por është i vetmi që nënvizoi me shkronja të mëdha “Luftën për të përfunduar luftën”. Ai i kishte të qarta proceset integruese, të cilat sot e kësaj dite një kolonë politikanësh flasin përditë për to edhe pse nuk kanë as njohuri elementare për proceset e tilla. Qëndrimet e tij politike përmbanin parime, rregulla, këshilla dhe sugjerime, të cilat shihen qartë në artikullin “Shqiptarët në kontekst të interesave aktuale strategjike”. Po sikur këtë punim ta kishin lexuar politikanët në IRJM, sot e kësaj dite nuk do t`i kishin punët rrëmujë siç i kanë sot.
Ç`bëri klasa politike shqiptare për kryepolitikanin shqiptar!
Parashtrohet pyetja pse klasa politike në Shqipëri, Kosovë, IRJM dhe më gjerë nuk bëri asgjë për Ukshin Hotin? – Po sikur të ishte gjallë Ukshini! – a do të jetonte më mirë populli shqiptar, sepse një udhëheqës i mirë padyshim hap rrugë dhe shtigje të reja për ndërtimin e lirisë. Po sikur të ishte gjallë Ukshini, parashtrohet pyetja a do të kishte vend për kompromise të dëmshme për popullin shqiptar? -Natyrisht se jo.
Po sikur të ishte gjallë Ukshin Hoti, a do të kishte vend në skenën politike shqiptare për të gjithë këta analfabetë? – të cilët me dekada e kontaminojnë jetën politike shqiptare.
Liria – është e vetmja shprehje që në rrethanat më të rënda mban gjallë një popull të robëruar, mban gjallë një popull me shpresa të thyera, ringjall edhe më të lodhurit, më të sakatosurit, të plagosurit për jetë. Vetëm fjala liri e ringjall popullin e robëruar dhe vë në lëvizje një popull për t`i bërë ballë pushtimit dhe pushtuesve.
Dhe këto procese mund t`i bartin vetëm ata që nuk bëjnë kompromis në dëm të lirisë.
Por ja që u bënë 15 vjet dhe ne dëgjojmë po të njëjtën tragjedi, një nga tragjeditë më të rënda shqiptare: Më 16 maj, bëhen 15 vjet që nuk dihet asgjë për vendndodhjen dhe rrethanat e zhdukjes së politikanit e filozofit tonë të shquar – UKSHIN HOTIT. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, (më 16 maj 1999), Ukshin Hoti, derisa po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, befasisht pranon vendimin nr.24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirim me kusht” nga burgu (!!!), pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren – në shtator të vitit 1994. Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) rreth orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës dhe sot e asaj dite nuk dihet fati i tij i gjallë apo i vdekur?
Që 15 – vjet me dhjetëra e dhjetëra institucione në Shqipëri, Kosovë, në IRJM dhe në të gjitha trojet shqiptare heshtin. Sa rëndë, sa keq sepse heshtja flet. I urti, i madhi Ukshin Hoti flet në bibliotekë, në amfiteatër të universiteteve të Prishtinës, Prizrenit, Tiranës, Shkupit…

Një ligjëratë për filozofinë nuk mund të filloj pa emrin emblematik të Ukshin Hotit. Shumë njerëz kanë folur dhe flasin për filozofinë politike, por nuk dinë nga t`ia fillojnë. Filozofia politike e çështjes kombëtare nuk është interes, por armë e fortë për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe politik të një populli.
Dhe fare në fund, në këtë datë përkujtimi përkujtojmë njeriun që nuk u thye para proceseve të montuara politike, njeriun që nuk u dorëzua para injorancës dhe kompromiseve në dëm të popullit shqiptar, njeriu që nuk heshti para mashtrimit politik, por kritikoi me guxim intelektuali dhe me qëndrim burrëror politikën pushtuese, terrorin e saj mbi shqiptarët autoktonë si dhe axhamillëkun politik të shqiptarëve.
– Autori është magjistër i shkencave Filologjike, jeton dhe punon si mësues i shkollës shqipe në Zvicër më se dy dekada. Është kryetar i Këshillit të Arsimtarëve në kantonin e St.Gallenit dhe kryetar i Shoqatës Atdhetare “Liria Kombëtare” në Zvicër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura