Zvicër, 30. 05. 2016: (Në IRJM, edhe pse ekzistojnë parti politike shqiptare, asnjëherë çështja shqiptare nuk është vënë në rend dite.) – Nuk mbahet mend që në këto 26 vite të pluralizmit politik në IRJM të kishte filluar ndonjë seancë parlamentare, apo të kish filluar punën ndonjë komision parlamentar në emër të kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar. Në IRJM, të drejtat e shqiptarëve jo vetëm që shkelen me të dy këmbët nga pala sllavo-maqedonase, por anashkalohen apo nuk kemi nevojë të flasim me gjuhë metaforike sepse edhe ato shkelen me të dy këmbët nga klasa politike shqiptare. Ato këmbehen me interesa personale dhe grupore, ku përfitojnë një grup i vogël njerëzish dhe populli shqiptar nga të njëjtat institucione shpërblehet me dhunë dhe terror shtetëror, që i detyron ose të lëshoj vendin ose të heshtin. Kjo formulë çubrilloviqiane e shoqëron popullin shqiptar në IRJM edhe pas periudhës diktatoriale të komunizmit jugosllav. Me mijëra shqiptarë që ikin çdo ditë, duke e marrë botën në sy, të rijë dhe të reja nga të gjitha qytetet shqiptare mundohen të gjejnë një strehë mbi kokë sepse dhuna dhe terrori shtetëror është i papërballuar. Me mijëra shqiptarë (ortodoksë) të asimiluar, të cilët sot e kësaj dite nuk kanë arritur ta prekin identitetin e tyre origjinal të përkujtojnë historinë e tmerrit të shek. XX. Dhe në këto mënyra vendbanimet shqiptare zbrazen, identiteti shqiptar tkurret për ta mbajtur gjallë krijesën e ashtuquajtur IRJM. Parashtrohet një pyetje, që përgjigjen e ka ende pa përfunduar!
Klasa politike shqiptare vepron kundër interesave të popullit shqiptar.
O tempora o mores!
Na kujtohet si sot, regjistrimi i popullsisë dhe pronës në IRJM më 2002 ku shqiptarët i nxjerr me një përqindje qesharake prej 23% dhe merret vendim se në IRJM shqiptarët të gëzojnë të drejtën e tyre kombëtare me një 25%.
Dhe ç`bënë partitë shqiptare? – u strukën nën hijen e vendimeve antishqiptare. Sot kësaj dite e hanë bukën me të njëjtin turp. Prandaj këtij teksti po ia bashkëngjis edhe disa vargje të shkruara nga dëshpërimi i madh pas regjistrimit të vitit 2002 dhe mosreagimit të klasës politike shqiptare.
Njëzetepesëpërqind
(bashkatdhetarëve në IRJM)
Njëzetepesëpërqind marrin frymë
e shtatëdhjetëepesëpërqind kanë probleme me frymëmarrjen e lirë.
Njëzetepesëpërqind jetojnë si njerëz
dhe shtatëdhjetëepesëpërqind jetë “kafshe“…
A thua ka të bëj kjo me demokracinë?
Njëzetepesëpërqind nën hijen e flamurit
e shtatëdhjetëepesëpërqind pa flamur mbi kokë!
Njëzetepesëpërqind e flasin gjuhën e lirisë
e shtatëdhjetëepesëpërqind të pagjuhë.
Njëzetepesëpërqind nuk është numër i thjeshtë
por numër me të cilin etiketohen shqiptarët e shek. XXI
Njëzetepesë nuk është numër i ndonjë lojtari anonim
por nen i “Kushtetutës“
me të cilin mohohen të drejtat elementare.
Njëzetepesëpërqind është temperaturë ballkanike
apo thënë troç: meny qeveritare.
Njëzetepesëpërqind kemi drejtë të shijojmë diellin, jetën
dhe shtatëdhjetëepesëpërqind terrin, natën, …
njëzetepesëpërqind tarifë doganore
shtatëdhjetëepesëpërqind “ëndërr e bukur“,
njëzetepesëpërqind në raport me shtatëdhjetëepesëpërqind
quhet demokracia me vulën IRJM.
Njëzetepesëpërqind jetojmë dhe pjesën tjetër vuajmë
në heshtje se do të bëhet mirë….
njëzetepesëpërqind jetojmë nën lëkurë njeriu,
dhe shtatëdhjetë e pesë përqin nën lëkurë qeni
dhe pjesën tjetër mendojmë se të tjerët do të ngopen me ne.
Njëzetepesëpërqind ëndërrojmë
kurse pjesën tjetër e kanë mbuluar ëndërrat e vrara.
Njëzetepesëpërqind e bukës është për ne
dhe shtatëdhjetëepsepërqind është për “ata“.
Njëzetepesëpërqind na është bërë si numri i të burgosurit
në mes “lirisë“ dhë „ëndërrës për liri!
Kumanovë, 2004