VERA ISTREFAJ: VESHUR ME VJESHTË KJO DHIMBJE (CIKËL ME POEZI)

Kukës, 27 tetor 2017:

 

 

 

 

 

VESHUR ME VJESHTË KJO DHIMBJE
*1
Do ta marrim shpesh këtë udhë
nëpër kujtime duke shkelur,
jetësosur do mbërrijmë,
dëshirë patretur

 

Hap mendimi duke hedhur
e ndjesitë gjeth më gjeth,
fëshfërima e mendimi
bëhen bashkë, shpirti na ther

 

Pikëlon dhe dhimbja-vesë
hap i çalë, pa siguri,
vetëm koha s’di të presë
gjithë të tjerat janë aty

 

*2
Ky mëngjes
me ëmbëlsi
më pëshpëriti në vesh

 

Me rreze dielli
më puthi

 

Ndryshe,
krejt ndryshe
ky mëngjes i ri

 

Planet e ditës
më varen supeve
e mendja
më vrapon tek ti

 

E paskan harruar veten
në ëndërr,
fjetur në ty

*3

Degët e shelgut
puthen me valën e ujit
e pikojnë lot të dehur

 

Dhimbja ime e bukur
s’ka të prehur

 

Gurët e përroit
janë fjalët që s’ti thashë,
e puhiza e erës
jemi ne, bashkë

 

Ka kohë
që asnjë pranverë nuk po mund
gonxhet e shpirtit të mi çelë

 

Vijon
me valën të puthet shelgu,
e nëpër lumë
rrjedh pengu

 

Përplaset brigjeve
pengu i dhimbjes,
brigjeve të shpirti*
Mall e shi
me gjethet e vjeshtës
kacafyten,
ankthi e dhimbja
rriten

 

çdo hap i hedhur
si udhë pa kthim,
mysafiri i pritur
mbeti harrim

 

Mall e shi,
shpirti stuhi

*4

Fjala e pathënë
mbeti hënë,
por hënë prapa reje
e fshehur prej meje

 

Dhimbja m’u bë qiell
e shpresa
mbeti zog në fluturim

 

Fjala e pathënë
pikon trishtim

 

Netët e heshtjes
zhytur në terr,
gjumin e harresën
çdo natë m’i merr

 

Nuk po tretet dhimbja
në lotin e trishtimit

*5

E kam veshur me vjeshtë
dhimbjen time

 

Mantel gjethesh
për dritherima

 

Kupën e shpirtit
plot aromë frutore

 

E kam thirrur erën
të m’i shpërndajë mendimet,
e shiun
të m’i zbusë plagët e shpirtit.

 

Më përpëlitet frika
në pritje të dimrit

Vera Istrefaj, tetor 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura