VISAR YMERI: E VËRTETA E ‘PËRAFRIMEVE’ THAҪI – DAҪIҪ PËR SEKTORIN E ENERGJISË(VIDEO)

Prishtina, 30. 08. 2013 – Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje më çështjen e Energjisë dhe pasojat e pritshme nga negociatat që po zhvillohen në Bruksel në lidhje me këtë sektor. Në këtë konferencë qëndrimet e shqetësimet e VETËVENDOSJE!-s i paraqiti, Visar Ymeri, drejtues i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!
Më poshtë mund të lexoni fjalën e tij të plotë…

* * *
Këtu do të flasim për vazhdimin e dialogut mes Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë si dhe për dimensionet që pritet t’i marrë ky dialog dhe çfarë realisht pritet të shkaktoj, çfarë efekti pritet të ketë ky dialog.
Në vazhdim, përveç çështjes së fletëvotimeve, stemës së KQZ-së, negociatat janë përqendruar në dy tema kryesore që janë bartur tashmë nga dialogu teknik në atë politik dhe që kanë të bëjnë me telekomunikacionin dhe energjinë. Këto dy tema, janë temat e para, marrëveshja për të cilat do ta hapë ose do ta definojë atë që në marrëveshjen e 19 prillit në njërën prej pikave, ose të kompetencave të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka qenë dhe është kontrolli strategjik përmbi zhvillimin ekonomik që do ta ketë si përgjegjësi ky asociacion. Si dhe temat për telekomunikacionin, energjinë si dhe tema të tjera ekonomike për resurset e Kosovës që do ta definojnë se çfarë nënkupton ky kontroll strategjik përmbi zhvillimin ekonomik.

Natyrisht nuk mund të ketë kontroll mbi zhvillimin ekonomik një entitet i cili nuk ka kontroll edhe mbi resurset e zhvillimit ekonomik. Pra, përmes të cilave mundësohet kontrolli ekonomik dhe këto resurse në pjesën veriore e dimë që janë të shumta, nuk përfundojnë vetëm në resurset minerare, por kanë të bëjnë edhe me resurset e shpërndarjes së energjisë elektrike me resurset e shpërndarjes së valëve të komunikimit, me ujin që ndodhet atje, pra me liqenin e Ujmanit, pra me kapacitetet energjetike të liqenit të Ujmanit dhe të gjitha ato resurse tjera gjinden në pjesën veriore të Kosovës.
Çështja e energjisë, e cila është diskutuar në disa raunde të bisedimeve dhe në të cilat për aq sa është biseduar, pra e dimë se janë dy pozicione të cilat sipas Kryeministrit Thaçi tash janë përafruar. Pozicioni i parë është ai i Kosovës, në të cilin Kosova e ka pranuar se për sa i përket mbledhjes pra, inkasimit të energjisë elektrike të faturuar për pjesën veriore dhe po ashtu leximit të njësorëve, KEDS-i Kompania që e privatizoi Rrjetin e Distribucionit të Kosovës ta ketë një Kompani kontraktuese që do ta kryej këtë punë për KEDS-in në veri.
Pra, nominalisht, apo formalisht KEDS-i do të mbetet si pronar i këtij rrjeti, por realisht, punën në praktikë do ta kryej kjo kompani e licensuar, e cila do të jetë kompani e asociacionit. Ndërkohë që pozicioni i Serbisë është që kompania që do të licencohet për distribuimin e energjisë elektrike të jetë distributor, e jo vetëm kompani virtuale që merret me inkasimin e faturave dhe si distributor ajo ta pronësojë edhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, ta ketë në pronësi edhe në agjendë edhe hidrocentralin e Ujmanit, pra të jetë edhe kompani që merret me gjenerimin e energjisë elektrike. Ky është pozicioni i Serbisë. Kryeministri Thaçi, të vetmen informatë që e ka dhënë deri më tash është që pozicionet janë përafruar dhe ky përafrim nuk dihet se për çfarë është.
Mendoj se është e udhës, që të kemi një kuptim më të qartë të dy pozicioneve dhe të shohim se çfarë realisht ato nënkuptojnë.
Sa i përket pozicionit të Serbisë është shumë e qartë, Serbia e do rrjetin e do nënstacionin e Vallaqit, e do hidrocentralin dhe e do tërë liqenin e Ujmanit. Ndërkaq pozicioni i Kosovës, ky formalitet i pronësisë së KEDS-it përmbi asetet e distribuimit të energjisë atje, kompania virtuale e cila do të merr përsipër faturimin e energjisë elektrike, do ta merr përsipër edhe blerjen e energjisë elektrike, edhe furnizimin me energji elektrike, edhe do të ketë pronësi asetet, dhe si e tillë pra do ta merr çështjen e energjisë në duar të veta, për sa i përket asaj pjese.
Njëra prej arsyeve se përse Serbia po insiston që ta ketë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, por edhe gjenerimin e energjisë elektrike në pjesën e liqenit të Ujmanit, është që ta shtrijë kontrollin ekonomik përmbi atë pjesë të Kosovës, si dhe t’i përdorë resurset që gjenden në atë pjesë të Kosovës. Pra, e keni parë disa herë se qeveria e Serbisë ka planifikuar se do ta ndërtoj një shkritore të re për resurset e Trepçës në pjesën veriore të Kosovës dhe kjo shkritore e re është planifikuar nga Serbia që të furnizohet me energji elektrike, përmes kësaj kompanie të re që do ta krijoj Serbia në Kosovë dhe përmes hidrocentralit të Ujmanit, të cilin po ashtu dëshiron ta fut në duar të veta.
Ndërkohë që oferta e Qeverisë së Kosovës, për zgjidhjen e kësaj çështje, nuk është se e ndryshon shumë pozicionin apo këtë plan të Serbisë, meqenëse është komplementar me planet që i ka Serbia. Ky përafrim tash, duke u nisur nga historiku i negociatave e dimë pra në çfarë mënyre ka shkuar, është shumë lehtë të supozohet që Kosova ka qenë ajo që ka lëshuar pe edhe në këtë përafrim, duke iu afruar pozicionit të Serbisë sa i përket kësaj çështje.
Janë dy gjëra që i mundësohen Serbisë, përveç kontrollit të resurseve të Kosovës që i mundësohen nga ndarje e rrjetit të energjisë elektrike që po shkaktohet nga këto negociata.
E para, është se kjo e pamundëson praktikisht pavarësinë e rrjetit të Kosovës nga Serbia në aspektin e energjisë elektrike. Ju e dini se edhe pas luftës, edhe pas vitit 1999, Kosova ka qenë e varur për energji nga Serbia për shkak të mosndarjes së rrjetit, pra për shkak të unitetit të rrjetit që ka ekzistuar dhe që kurrë nuk është prishur si unitet edhe në ditët e sotme. Ndërkohë, që ky pamundësim i pavarësimit të Kosovës energjetikisht nga Serbia njëkohësisht ia pamundëson Kosovës edhe përafrimin apo bashkimin e rrjetit me Shqipërinë, që do të kishte me qenë zgjidhja më e mirë dhe më e mundshme e problemeve energjetike që i ka edhe Kosova edhe Shqipëria.
Pra, këto dy këto dy elemente e tregojnë në fakt se çfarë pavarësie është menduar të jetë kjo pavarësia e Ahtisaarit. Ajo është menduar dhe po zbatohet si e tillë që ia pamundëson Kosovës shkëputjen e plotë nga Serbia ndërkohë që në të njëjtën kohë ia pamundëson Kosovës përafrimin me Shqipërinë.
Edhe në aspektin e energjisë, sikurse në atë politik dhe në aspektet tjera, kjo po dëshmohet çdo ditë edhe me këto negociatat politike edhe po konfirmohet edhe po zbatohet.
Një distributor i ri në Kosovë, përveç tregut të brendshëm natyrisht se do ta rirregullojë edhe çështjen e transmisionit të energjisë elektrike. Janë bërë disa investime dhe disa përpjekje që KOST-i të konsiderohet si kompani publike që e menaxhon transmisionin e energjisë elektrike dhe këtë ta bëjë pavarësisht nga Serbia, dhe këto përpjekje kanë arritur një lloj suksesi deri diku viteve të fundit, mirëpo me këto mundësi për marrëveshje të reja për sa i përket energjisë edhe ky sukses minohet për shkak të çeljes së tregut dhe për shkak të ndarjes së rrjetit të brendshëm energjetik të Kosovës.
Nëse në këto negociata, Serbia pranon që qarkullimi i energjisë elektrike përmes Kosovës të konsiderohej si qarkullim ndërkombëtar, natyrisht që në çdo qarkullim ndërkombëtar, ajo kompani që e transmeton energjinë elektrike e paguan edhe një taksë tranziti që nënkupton barazimet e energjisë elektrike, bilancin e energjisë elektrike, në mënyrë që asnjë shtet të mos dëmtohet në këtë bashkëtransmetim të energjisë elektrike që ndodhë mes shteteve.
Mirëpo, në rastin e Kosovës edhe nëse Serbia e pranon këtë qarkullim ndërkombëtar, pra e pranon pavarësinë e KOST-it formalisht, realisht me ndarjen e tregut kjo pavarësi do të minohet, sepse distributori që do të licensohet për asociacionin, që do të konsiderohet nga Serbia si distributor i brendshëm nuk do të konsiderohet nga Serbia si qarkullim ndërkombëtar, por si qarkullim i brendshëm.
Në këtë mënyrë sistemi energjetik i Kosovës, do të jetë i hapur vazhdimisht karshi atij të Serbisë, dhe do t’ia lë kështu Serbisë në dorë ta keqpërdorë sa herë të dojë sic ka bërë prej vitit 1999 e deri sot. Pra, këtë po e lufton Serbia.
Këtu është ngjashmëria që ka edhe me telekomunikacionin ku e kemi parë se edhe nëse Kosova e fiton një kod telefonik të mëvetshëm, qoftë përmes një vendi të BE-së apo prej Serbisë, prapë se prapë ky kod nuk do ta ketë karakterin ndërkombëtar në relacionet Kosovë Serbi. Pra, do ta ketë karakterin ndërkombëtar në relacion me vendet tjera, por jo në relacionet Kosovë Serbi. Në relacionet Kosovë Serbi do të konsiderohet si kod i brendshëm, që nënkupton formalisht që Serbia për sa i përket telekomunikacionit dhe për sa i përket energjisë do ta mbajë formalisht sovranitetin mbi Kosovën, meqenëse të dyja këto çështje për të cilat po diskutojnë, pra edhe pavarësia e sistemit edhe pavarësia e kodit telefonik janë elemente të sovranitetit të një shteti, të cilat e pasurojnë sovranitetin e vendit dhe ia mundësojnë vërtetë vendit të sillet si sovran karshi resurseve të veta strategjike.
Në këto negociata po dëshmohet se si pavarësia e Kosovës është menduar të ndërtohet e tillë, të mos jetë pavarësi me sovranitet, jo vetëm sovranitet juridik dhe politik, por sovranitet karshi të mirave publike, të mirave ekonomike dhe pasurive të përgjithshme që i ka vendi.
Pikërisht në këtë pikë, Kosovë është duke u goditur më së shumti përmes këtij dialogu të cilit i është bashkangjitur, apo të cilit po i ndihmon në këtë luftë ndaj sovranitetit edhe procesi tjetër i udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, pra procesi i privatizimit, me ç’rast nga këto dy procese, Kosova edhe populli i Kosovës si burim i sovranitetit në këtë vend, po humb kontrollin mbi resurset e veta për zhvillimin ekonomik. (Lëvizja VETËVENDOSJE!, Prishtinë, 30 gusht 2013)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura