BESNIK KRYEZIU: GËZIM, KOMANDANTËT E UҪK’së SOT PO I HAMË VETË!

Pashtriku.org, 28. 05. 2013 – (Letër mikut tim, Gëzim Mekuli) – Shumë i respektuar Gëzim,
Shkrimin e fundit të publikuar gjithandej nëpër media, e lexova me kënaqësi, si edhe shumë e shumë shkrime të tjera që i keni shkruar ju deri më tani (është fjala për shkrimin “Komandantët e UҪK-së nuk u arrestuan mbrëmë!” – ShB). Arsyeja që ju kam lexuar dhe do të vazhdoj të ju lexoj edhe në të ardhmen është kjo: Ju shkruani për publikun dhe jo për interesat e pushtetit aktual. Kosova dhe e tërë bota shqiptare në përgjithësi ka mungesë të tmerrshme për analistë dhe ekspertë të niveleve kulmore, analistë që flasin kur e do interesi publik, dhe jo për të tillë që dalin si kërpudhat pas shiut në sipërfaqe e lehin si zagarët për interesa të pushtetit. Të pakët ishin ata si ju që me shkrimet e tyre u munduan të thonë se e kemi devijuar rrugën, bile shumë keqas. Por, e din ti, makina propagandistike e pushtetit, na sulmoi me lloj – lloj shpifjesh e etiketimesh, shkuan aq larg sa na thanë se jemi njerëz të shitur e antiamerikan e anti krejt botës!

Ndjehem keq (besoj se edhe ju gjithashtu) që parashikimet tona po dalin të vërteta, sikurse po del në dritë të Zotit dashuria e pastër si loti, nga ana jonë, për këtë tokë e këtë vend shqiptarie. Në shkrimin tënd mund të lexohen shumë gjëra, sepse ai është i thukët në përmbajtje dhe i saktë në parashikimin e asaj që do të vijë në ditët e ardhshme. Padyshim se nuk mund të ecnim më tutje si popull dhe si shoqëri në këtë ecje që e kemi bërë deri më tani. Jemi në një situatë delikate dhe nuk duhet të heshtim para kësaj gjendje që përditë e më shumë po e çon Kosovën në theqafje politike dhe kombëtare.

Politikanët Majmunë të sojit “Pronto”, në Kuvendin e Kosovës!

Sa e sa herë në vetvete, heshturazi kam pyetur se a ka ky vend intelektual që guxojnë të flasin për të gjitha këto të këqija që po ndodhnin para syve në pikë të ditës. Natyrisht, përgjigjja, më dilte JO. Intelektualët e shumtë (natyrisht jo të gjithë), proceset politike i matnin me prapanicën e vet. Nëse ju rrezikohej ajo atyre, ata dilnin dhe thoshin se Kosova është në rrezik, e nëse e kishin rehat, thoshin se Kosova është si kurrë më mirë. 
Pse jemi kështu, ka shumë arsye, por një e cila po më duket si shumë e shëmtuar është se në vazhdimësi po besojmë symbyllas. Është koha e zgjimit të madh. Është koha e vetëdijesimit të domosdoshëm. Është koha për të thënë me zë dhe me shpirt MJAFT MË, kështu nuk shkon, na duhet ndërrim i kursit politik dhe institucional.
Fatkeqësisht njerëzit e mëdhenj e të ndritshëm i kemi hëngër vetë. Edhe komandantët e UÇK-së sot po i hamë vetë.
Ti e ke të freskët harresën dhe injorimin që kjo shoqëri dhe klasa politike e asaj kohe ia benë Ukshin Hotit. Këtu është pikënisja e stërkeqjes sonë në proceset politike dhe kombëtare. Edhe kur Serbia me aparatin e vet shtetëror e zhduki pa varr e nishan, këta e përmenden sa për sy e faqe, kur e donte interesi i tyre politik dhe klanor. Ti e din, e ka thënë Kadare shumë mirë: “kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret”. Për fatin tonë të keq, majmunët u bënë mbretër. E, ne si shoqëri kemi heshtur përballë kësaj të keqe të madhe.
Dhe e keqja edhe më e madhe se pse kemi heshtur, është se kemi besuar verbërisht se po e mbrojmë Kosovën dhe luftën e lavdishme të UÇK-së. Duhet ta themi se disa nga këta komandantë lirinë e fituar shpeshherë kanë ditur dhe guxuar të na mbajnë peng, sikurse të ishte vetëm e tyre. E gjithë kjo po ma ngjan me atë njeriun që miu i kishte kaluar nëpër mustaqe. Ai nuk ishte shqetësuar aq që miu e kishte bërë këtë herë rrugën nëpër mustaqet e tij, por po shqetësohej tmerrësisht se ai mund ta bënte këtë punë rrugë. Ne nuk kemi reaguar që në fillim si duhet për akuzat për krime lufte kundër ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, sepse më shumë se dëmtimi i luftës së pastër të UÇK-së disave i ka interesuar interesi partiak dhe klanor.
Ndërkombëtarët kanë shkuar duke prekur si thotë populli, dhe kanë vazhduar edhe më shumë, dhe më vrullshëm kur e kanë parë heshtjen tonë kolektive për komandantët e UÇK-së . Ata që vërtet e bënë luftën e UÇK-së janë në harresë dhe duke u përballur me vështirësi të panumërta për të mbijetuar në këtë gjendje shumë të rendë socio-ekonomike. Kjo, Gëzim, më ka prekur gjithmonë dhe po vazhdon të më dhemb shumë edhe tani. Ata që në UÇK pas përfundimit të luftës u lëshuan me parashuta nga Zvicra dhe hotelet luksoze të Tiranës, nuk janë as komandantët e UÇK-së e as nderi dhe lavdia e këtij vendi, sepse, siç edhe u pa, ata janë shefat e shefave, që një populli të tërë ua ‘kajnë’ nënën. Politika e “Prontos” dhe e rehatimit të “dajëve dhe tezeve” do të burgos edhe shumë komandantë të lavdishëm të këtij vendi, sepse kjo politikë nuk mund të vazhdojë ndryshe.
Gëzim, ti vazhdo kështu. Nëse dje ke qenë një, sot je me qindra, e nesër do të bëhesh i tërë populli, sepse errësira po zhduket nga drita që po e mbush horizontin shqiptar.
Ky popull në historinë e tij ka ditur t’i bëj rrugët edhe aty ku nuk kanë qenë fare, dhe do të dijë edhe tani, sepse e ardhmja do të jetë ndryshe nga kjo që është tani.
Miqësisht, Besniku.
28. 05. 2013

========================
– LEXONI –


GËZIM MEKULI: KOMANDANTËT E UÇK-së NUK U ARRESTUAN MBRËMË!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1649

…………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura