Tiranë, 6. 7. 2016: 1. Përshëndetje, mike edukatore dhe krijuese, Vjollca Myftari! Është kënaqësi për mua që jam njohur, sadopak, me punën dhe profesionin tend. Së pari, kjo gjë nisi para pak ditësh, kur në kryeqytetin tonë u organizua tubimi për zgjedhjen e kryesisë së re të Shoqatës së Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj, ku ishim pjesëmarrës…Pra, ka disa vite qe ti je edukatore dhe drejtoreshë kopshti, në qytetin e Fierit…Çfarë ndiesishë përjeton në këtë detyrë, sa të bukur, por dhe kaq delikate?
– Profesioni im është mëuese në arsimin parashkollor. Është profesion i projektuar në ëndrrat e fëmijërisë sime. E dashuroj shumë punën me fëmijët,. E shikoj si sfidë çdo nismë ose përgjegjësi, të ndërmarrë në interesin e tyre.Gjithmonë më ka pëlqyer që ta vlerësoj punën në institucion, si një mundësi e mirë për të krijuar një mjedis shumë të ngrohtë miqësor,social bashkëveprues, me familjet e fëmijëve dhe shumë nxitës, në procesin e edukimit. E them këtë nga pozicioni, mësuese dhe drejtuese në kopësht,aktualisht në kopshtin nr 9 te qytetit të Fierit. Të marrësh përsipër procesin e edukimit dhe krijimit të personalitetit të fëmijëve parashkollorë, me kosto për gjithë zhvillimin shumëplanësh në fazat e mëtejshme,,unë mendoj se është përgjegjësi e madhe.Jam përpjekur, sistematikisht, që të kërkoj më të mirën e mundshme te vetja,që pastaj atë ta jap me shumë dashuri te fëmijët. E them shpesh,se fakti, që jam në një profesion të pëlqyer dhe e bëj me dashuri punën, më ka ndihmuar ta ruaj të pastër fëmijërinë time.Edhe gabimet, që mund të bëj,e ndiej që mbajnë “vulën” e pafajësisë së tyre.
Vjollca Myftari
2. Sa dhe si ka ndikuar kjo punë e përkushtuar në njohjen e botës së pasur të të vegjëlve, gjë që ti e ke shprehur qartë edhe në krijimtarinë tënde? Cila është tematika kryesore e librave, që ke botuar, deri tani?
– Fakti që unë kaloj shumë kohë me veprimtari të ndryshme me fëmijët, më ka dhënë mundësinë që të njoh më nga afër çdo cilësi dhe përjetim të tyre, në raport me veten,shokët,familjen e mjedisin, që i rrethon,botën në tërësi. Përpiqem të jem e vëmendshme ndaj mesazheve, që ata përcjellin në mënyrén e tyre, aq të pastër dhe të vërtetë. Pasi i kam evidentuar ndjesitë e tyre,jam përpjekur t’i trajtoj ato, seriozisht, nëpërmjet veprimtarisë së përditëshme.Gjithmonë vlerësoj se mendimi i sinqertë i çdo fëmije nuk duhet anashkaluar, për asnjë arsye. Madje, ai është shumë i rëndësishëm për të njohur veten,realitetin. Fëmijët janë shëmbëlltyra e së vërtetës.
Unë, duke qenë e ndjeshme ndaj gjithçkaje, që ka të bëjë me mirërritjen dhe mirëedukimin e tyre, jam përpjekur t’ua përçoj më tej mendimin e tyre,(sidoqoftë i i bukur ose i trishtuar), duke i dhënë jetë në librate e mi. Kjo, me qëllim që zëri i tyre të dëgjohet më tej, në një mjedis më të gjerë shoqëror , i cili ka gjithë përgjegjësitë për ta.
Nuk lodhem të bëj gjëra të bukura për fëmijët,sepse gjithmone besoj që e bukura brenda del vetëm nëpërmjet së bukurës. Vërtetësia e fëmijëve nuk duhet të manipulohet ,për t’i përligjur gabimet tona. Më shqetësojnë nënëvlerësimi dhe papërgjegjshmëria institucionale ose shoqërore, si dhe polarizimi ekonomik për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve. Sepse, në fund të fundit, treguesi më i mirë për nivelin e zhvillimit të një shoqërie ,është mirëqenia e fëmijëve. Thjesht, dua t’i jap fuqi fjalës së tyre, në mënyrë që të ndërgjegjësohen për të drejtat dhe detyrat që ata kanë, për të mos i lejuar të tjerët të abuzojnë me naivitetin, që e dallon këtë moshë.
Përmbledhurazi, po u tregoj se, deri tani, kam botuar këta libra, me titujt: “Dua të flas”,”A e dini çfarë?”,”Ah,sikur bota të ishte plastelinë!”, Ndërsa, tematika kryesore e tyre është realiteti ynë, në këndvështrimin fëminor.
3. Kam lexuar edhe në profilin tend, në Internet, se librat tu janë mirëpritur nga lexuesit…A ke gjë për të shtuar, për këtë fakt?
– Po duke qënë pranë fëmijëve në mënyrë shumë aktive,në të gjitha veprimtaritë,ndihem e miqësuar me ta dhe familjet e tyre. Në mënyra. të ndryshme, përpiqem t’iu ofroj risira, me kreativitetin tim, në disa fusha. Ata janë mësuar, tashmë, dhe mirëpresin gjithçka të re.Kam kuptuar se fëmijët e kesaj moshe, përveç përrallave, pëlqejnë shumë të gjejnë veten në situata konkrete.Edhe prindërit, të cilët do t’ua lexojnë këta libra fëmijëve, do të ballafaqojnë pergjegjësitë e veta ndaj fëmijëve. Ndoshta, ata analizojnë edhe sjelljet dhe qëndrimet e tyre, në raport me ta. Librat e mi ,nëpërmjet zërit të fuqishëm të fëmijëve, përcjellin mesazhe të qarta për gjithë shoqërinë, që sjell në jetë fëmjë, rritë dhe edukon, sipas vizionit të saj.
Ballinat e librave për fëmijët, me autore edukatoren Vjollca Myftari.
4.Më ke treguar se, me edukatoret e fëmijët, në bashkëpunim me prindërit, keni marrë pjesë e keni planifikuar projekte me interes…A mund të tregosh diçka më konkrete, rreth tyre?
– Po,është e vërtetë…Jam shumë aktive në veprimtari të larmishme edhe me bashksinë e prindërve. Familja është përberësi më i rëndësishëm në rritjen e shëndetshme dhe edukimin cilësor të fëmijëve.Sigurimi i një bashkëveprimi produktiv: me frymën e dashurisë,ndihmës,respektit, miqësisë e mirëkuptimit, me institucionin (kopshtin), që i kanë besuar fëmijët e tyre, është një nga standartet e funksionimit të kopshtit. Por është edhe një mënyrë e mirë për ta forcuar infrastrukturën tonë sociale,si kusht për rritjen dhe edukimin cilësor të fëmijëve. .
Në planifikimin vjetor të drejtorisë, sëbashku, përfshijmë disa veprimtari ose projekte me tematika te ndryshme . Çdo veprimtari përpiqemi që ta organizojmë sa më mirë, me vlera edukuese e argëtuese dhe ta dokumentojmë.
5.Le t’i kthehemi përsëri krijimtarisë tënde…Kam vërejtur se shkruan e publikon pandërprerje, sidomos në Internet…A ke ndonjë parashikim, për një libër tjetër dhe çfarë do të përmbajë ai?
– Po,është e vërtetë që unë jam shumë aktive në rrjetin social facebook. Publikoj. mendime, qëndrime, esse, në lidhje me problematikat shoqërore të fémijëve,aspekte nga veprimtari të ndryshme dhe krijime ,kryesisht në vargje.Kam nëpër duar materiale,të cilat dua t’i botoj. Më pëlqen që libri i radhës të jetë prozë,duke mos hequr dorë nga vjershat, që kjo moshë i pëlqen shumë. Studioj me vëmendje interesat e fëmijëve,me qëllim që një krijim i ri të ketë edhe aktualitet brenda.
Gjatë tërë kohës jam duke menduar dhe bërë diçka, që iu vlen edhe praktikisht fëmijëve,,në përditshmërinë e tyre. Kam kuptuar që, sa më shumë materiale të botosh ,aq më shumë kritike bëhesh me veten.Do t’ia lë kohës projektet e mia,duke qenë gjithmonë në përpjekje e sipër, për më të mirën e mundshme.Kësaj udhe të krijimtarisë nuk i jam nisur, si një person “i talentuar” në fushën e letërsisë. Jo, aspak! Thjesht kam materializuar, në mënyrën time, përvoja të larmishme në jetën e fëmijëve, si dhe ide të ndryshme të tyre, në lidhje me konceptimin e botës dhe realitetin.
Kënaqësi e frymëzim, kur ndodhesh pranë të vegjëlve…
6.Një pyetje, që mund ta bëja dhe në fillim të bisedës sonë: A dëshiron të na thuash diçka, për jetën tuaj familjare?
– Jam rritur në një familje të thjeshtë, me prindër punëtorë. Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, me shumë dashuri e lojëra pafund.Kam qenë mjaft aktive në konkurse e shfaqje, që organizonte shkolla,”komandante çete” e shkollës,e zgjedhur disa herë, në mbrëmjet e mëdha për Vitin e Ri. Jam e martuar dhe kemi dy djem,njëri student në një nga degët e inxhinjerisë së UT dhe tjetri gjimnazist e përfundoi vitin e dytë. Kam një familje të shëndetshme dhe me bashkëshortin, që ushtron profesionin shofer-mekanik, përpiqemi që të edukojmë fëmijë sa më të denjë e të aftë, si për veten ,familjen dhe shoqërinë.
7. Ndoshta, u bënë pyetje shumë (ha,ha)…Megjithatë, a dëshiron të shtosh diçka tjetër, në mbyllje të kësaj bisede?
– Kur ne u tregojmë përralla fëmijëve, ata i zë gjumi,dhe lumturohemi për këtë gjë. Ndërsa, kur ata na thonë një të vërtetë, e cila nuk na pëlqen, ne nuk duhet të na zërë gjumi!?
-Faleminderit për përgjigjet tua korrekte dhe të urojmë punë të mbarë, krijimtari të suksesshme, kushtuar botës së pafundme e të bukur të fëmijëve, si dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!
Nga: Prof.Murat Gecaj – publicist e studiues. Tiranë, 2 korrik 2016