VOLTERI …

VOLTERI

autoriteti shpirtëror më i madh i Evropës iluministe shekulli XVIII në Evropë u quajt shekull i Volterit

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 21 shkurt 2022

Volteri jetoi në Francën e shekullit XVIII, në kohën e mbretit Luigji XV (Louis XV). Është shekull i iluminizmit, në të cilin mbizotëron mendimi filozofik. Letërsia është antifeudale dhe antireligjioze. Mbizotërojnë motivet qytetare (borgjeze) dhe kritika e shoqërisë dhe e politikës. Proza e zëvendëson poezinë. Në çdo trajtesë të iluministëve bëhet fjalë për njeriun dhe për natyrën njerëzore. Iluministët francezë luftuan kundër absolutizmit, besëtytnive, paragjykimeve, kundër trysnive ndaj ideve dhe vetëdijes dhe për lirinë intelektuale e politike. Në këtë mes, rol të madh luajti Enciklopedia e drejtuar nga Deni Didëro e cila solli njoftime për shkenca të ndryshme, artikuj dhe polemika kundër koncepteve të vjetra, rendit të vjetër, bindjeve apo besimeve të vjetruara. Afirmoi pikëpamje filozofike të reja dhe frymën e pavarësisë. Mohoi autoritetet dhe traditat e fesë. Afirmoi besimin ndaj arsyes dhe përparimit. Bashkëpunëtor i Enciklopedisë ishte edhe Volteri. Ishte i pari në Francë që e përcaktoi drejtimin e filozofisë iluministe. Krijoi lloje letrare të ndryshme: tragjedi, vargje epopeje, epigrame, vepra historike. Ironizoi sistemet filozofike dhe metafizike të filozofit, matematikanit dhe fizikanit francez Rene Dekart (René Descartes, 1596-1650), të filozofit holandez me prejardhje hebraike (sefard i Portugalisë) – Baruh de Spinoza (Baruch de Spinoza, 1632-1677), të filozofit dhe matematikanit gjerman Lajbnic (Leibniz, 1646-1716). I pranoi idetë e themeluesit modern të empirizmit – të filozofit dhe mjekut anglez Xhon Lok (John Loock, 1632-1704) dhe të deistëve anglezë.

Filozofia iluministe ushtroi ndikim mbi Revolucion francez (1789) si dhe në ndërtimin e Evropës qytetare. 

*   *   *

Volteri (emri i vërtetë Fransua-Mari Arue – François-Marie Arouet; Paris, 21 nëntor 1694 – Paris, 20 maj 1778) është shkrimtar, historian dhe filozof francez. Figurë qendrore e iluminizmit në Francë. Krahas Deni Didëroit*, d’Alamberit* (d’Alembert), etj.,ishte pjesëtar i rrethit francez të enciklopedistëve. Renomenë e autoritetit shpirtëror kryesor të Evropës iluministe e fitoi qysh në të gjallë.

Lindi në një familje të pasur të Parisit. Ishte fëmija i katërt i pesë fëmijëve të prindërve të tij. Ndoqi në Paris gjimnazin prestigjioz jezuit Lycée Louis-le-Grand. Këtu mori një arsimim humanist të shkëlqyer. Filloi të studionte drejtësinë, por pas një kohe i la studimet. Si shkrimtar i talentuar i epigrameve, kozer spiritual dhe satirik, herët hyri në sallonet mondane të Parisit, në qarqet mondane të disidentëve të kohës, sidomos në strehën e libertinëve (koteria Société du Temple*). Krenohej me përkatësinë qytetare të vet. Ishte mbështetës i ndërmarrësisë. Ithtar i të drejtës mbi pronën. Nuk u shmangej fitimeve të majme. Herë-herë ushtronte edhe veprimtari monetare të dyshimta. Me sukseset e para letrare e entuziazmoi aristokracinë e ngeshme. Tragjedia “Edipi” (Oedipe, 1718) e dëshmoi lidhjen e tij me temat klasore.  

Te Volteri herët u shfaq tendenca për marrëdhënie të lira, të papenguara si dhe për pikëpamjen skeptike mbi botën.

*   *   *

Për fyerjen e regjentit Filipit të Orleanit*, e mbyllën në qelitë e Bastijës, ku i kaloi 11 muaj. Në qeli e shkruan tragjedinë “Edipi” (Oedipe). U popullarizua që me shfaqjen e parë. Që tani nisën ta konsiderojnë si trashëgimtar të dramaturgëve francezë Pjerë Kornej (PierreCorneille, 1606-1684))dhe Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699). Në vitet 1717-1726 përjeton në Paris suksese të mëdha letrare. Nëpër oborre dhe në popull është nderuar si poet i parë i Francës. Ra në konflikt me kalorësin de Rohan*. Ky i urdhëroi lekejtë e vet që ta rrihnin. Shkrimtari u detyrua të largohej nga Franca.

*   *   *

            Qëndrimi në Angli (1726-1729) – Në vitin 1726 shkon në Angli ku njihet me idetë filozofike të poetit dhe të kritikut anglez Alikzandër Pëup (Alexander Pope, 1688-1744), të Isak Njutnit* (Isaac Newton), të Xhon Lokut* (John Loocke) dhe të Shaftsberit* (Shaftesbury). Në Anglientuziazmohetme pozitat e larta që zënë atje artistët, filozofët dhe dijetarët. Më vonë, në çdo rast do të theksojë se në Angli Xhon Loku (Loock) dhe shumë të tjerë kanë ushtruar funksione shtetërore të rëndësishme dhe kanë gëzuar respekt të madh, ndërsa në Francë, shkrimtarët kanë jetuar nga lëmosha e mjerë që e kanë marrë prej mbretërve dhe oborrtarëve. Filozofët ndërkaq, pothuajse gjithmonë kanë qenë nën syrvejimin e policisë.

Në këtë kohë e shkruan veprën filozofike “Letra për anglezët” (Lettres sur les Anglois) të cilën gjykata e Parisit e shpalli si një libër skandaloz që e skandalizon religjionin, që është në kundërshti me të dhe që nuk tregon respekt ndaj pushtetit. Gjykata urdhëroi që libri të digjet.

Në Angli realizoi botimin e plotë të epit “Henriada” (La Henriade) në të cilën flet për luftërat fetare të kohës së mbretit të Francës Henriku IV. Botimi i parë i epit, i vitit 1723 ka  titull tjetër. Është një ep heroik polemizues i drejtuar kundër fanatizmit fetar. Në këtë ep e ngre lartë Henrikun IV*, i cili ishte mbështetës i tolerancës dhe prototip i sundimtarit “të arsimuar”.

I lartësuar në qarqet politike dhe letrare, qëndrimin e vet në Angli, Volteri e shfrytëzoi për studimin e një qytetërimi tjetër, d.m.th. të shoqërisë moderne. U përgatit për të shkruar edhe shumë vepra të tjera lëmenjsh të ndryshëm, siç janë tragjeditë e llojit shekspirian “Bruti” (Brutus, 1730), “Zaire” (Zaïre, 1732), studimi historiografik tejet i dokumentuar “Histoia e Karlit XII” (Histoire de Charles XII, 1731), vepra e njohur “Letra filozofike” (Lettres philosophiques, 1734) e njohur edhe me titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises). Botimin e këtij reportazhi anglofil, të guximshëm dhe të shkruar me spiritualitet, Volteri e ka përgatitur me kujdes. Në vitin 1733 doli në Londër kopja e tij me titullin “Letra për kombin anglez” (Letters Concerning the English Nation).

Në Angli, Volteri u entuziazmua nga racionalizmi praktik i filozofisë angleze, nga toleranca fetare dhe nga organizimi i shoqërisë   liberale të re. Njëherazi Volteri sulmon këtu çdo gjë që është franceze, që nga kartezianizmi (filozofia karteziane), shqyrtimet fetare deri te parazitizmi i shtresave të privilegjuara.

*   *   *

Formimi filozofik, Sirej (Cirey) – Në vitin 1729 kthehet në Paris. Ishte pa të ardhura    dhe e kishte të ndaluar hyrjen në pallatin në Versajë (Versailles). Qëndrimi në Angli e nxiti transformimin e Volterit si shkrimtar dhe si mendimtar, saqë disa thanë se “nga Franca u largua si poet, ndërsa u kthye si mendimtar”. Në vitin 1733 shkruan epin spiritual-frivol (të lehtë) për Joanën e Orleanit*, “Virgjëresha” (La Pucelle),  me plot skena të vogla erotike në të cilat vihet në rrezik virgjëria e heroinës.

*   *   *

 Pas djegies së veprës “Letra filozofike për anglezët” (Lettres philosophiques sur les Anglais), qëndrimi në Paris përsëri iu pamundësua. Volteri shkon në Sirej (Cirey), në kështjellën e zonjës dë Shatële (de Châtelet)* në krahinën Shampanjë (Champagne). Me markezen e arsimuar, ishte në lidhje dashurie. Aty ndenji dhjetë vjet. Qëndrimi në Sirej (Cirey) është periudha më e frytshme e krijimtarisë së Volterit. Këtu u mor me studime historike, filozofike dhe të shkencave të natyrës. Pasojnë veprat dhe trajtesat, si: “Elemente të filozofisë së Njutnit” (Éléments de la philosophie de Newton); “Trajtesë për metafizikën” (Traité de Métaphysique), „Diskurs për njeriun“ (Discours sur l’homme). I shkruan tragjeditë e veta të njohura „Zaire“ (Zaïre), „Alzire“ (Alzire), “Merop“ (Mérope) , Muhamedi“ (Mahomet).

Ishte i entuziazmuar me Isak Njutnin (Isaac Newton), me sprovat shkencore dhe me shfaqjet teatrore të pjesëve të veta, si “Vdekja e Cezarit” (La Mort de César, 1735); “Muhamedi” (Mahomet, 1741); “Meropa” (Mérope, 1743); “Tankred” (Tancréde, 1760). Volteri e popullarizon filozofinë natyrore të Njutonit (Newton), “që është e kapshme për çdokënd”, siç figuron në nëntitullin e veprës “Bazat e filozofisë së Njutonit” (Éléments de la philosophie de Newton, 1738). Krahas kësaj, Volteri gjithnjë më tepër i kthehet studimit të historisë së përgjithshme dhe historisë së Francës.

Këmben letra me mbretin e Prusisë, Frederikun e Madh (Friedrich der Große, 1712-1786). Në vitin 1743 qëndroi në Berlin tek mbreti. Në vitin 1744 përsësri kthehet në Paris, ku emërohet si poet dhe si historian oborri i mbretit Luigji XV (Louis XV). I rrethuar nga favoret e oborrit dhe nga kurtizanat, shkruan libretin për operën “Princesha e Navarës” (La princesse de Navarre). Edhe pse këtë vepër e kishte quajtur farsë (gjë qesharake) panairi,  në qarqet aristokrate ajo i solli famë më të madhe se veprat artistike më të mira të tij. Në vitin 1745 u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze.

Së shpejti, për shkak të natyrës së vet liberale dhe sarkastike, u ballafaqohet me probleme. Ra në mosmarrëveshje me dashnoren e mbretit, markezen dë Pompadur* (Pompadour), e cila dikur ishte mbrojtëse e tij. Ngatërrestarët ia kishin përcjellë asaj do batuta të Volterit në llogari të saj, ndaj në vitin 1750 përsëri iu desh të largohej nga Parisi. Po këtë vit, me ftesë të mbretit të Prusisë, Frederikut II (Frederikut të Madh – Friedrich II) vajti në Potsdam, në pallatin Sans-Souci (Pa Brenga), ku qëndroi deri në vitin 1753, si mentor retorike i mbretit. Aty takoi bashkatdhetarët e vet, iluministët Mopertyi* (Maupertuis) dhe Lametri* (Lamettrie). Këtu Volteri luante rolin e këshilltarit shpirtëror të Frederikut të Madh. Me mbretin iluminist kishte një miqësi të ngushtë. Shpesh shkonin në shëtitje dhe në darka. Mbreti i kërkoi Volterit t’ia korrigjonte shkrimet. Por, marrëdhëniet midis tyre shpejt u ftohën. Pas përndjekjes nga Frederiku, Volteri rreth një muaj qëndroi i mbyllur në Frankfurt. Me sarkazëm, këtë e quajti “mikpritje tipike gjermane”. Në vitin 1753, Volteri u largua nga Potsdami. Pasi u largua nga Frederiku II, jetoi në Gjenevë. Prej vitit 1758 u vendos në Fernej (Ferney), në kufi të Zvicrës dhe të Francës.

Në vitin 1778, tre muaj para vdekjes, Volteri triumfalisht kthehet në Paris. Parisienët e presin me lule dhe me duartrokitje. Gjatë shfaqjes së tragjedisë së tij “Ierna” (Iréne), busti i tij në skenën e hapur ishte mbështjellë me kurorë dafine.

Më 17 shkurt 1778, në praninë e 250 vëllezërve masonë, hyn në lozhën e masonëve të Parisit “Les Neuf Soeurs” (Nëntë Motrat). Me këtë rast mjeshtri i madh i lozhës iu drejtua Volterit me fjalët: “Shumë i dashur im vëlla, ju keni qenë murator i lirë, para se ta merrnit këtë simbol dhe ju i keni plotësuar detyrimet përkatëse, para se t’i merrnit prej nesh”.

Tre muaj më vonë, më 30 maj 1778, vdes. Për t’iu shmangur protestave, e varrosin fshehurazi. Por, në vitin 1791 revolucionarët trupin e Voleterit e mbartin në Panteon (Panthéon). Qysh i gjallë, fitoi famën e autoritetit shpirtëror më të madh të Evropës iluministe.        

*   *   *

            Qëndrimin e vet kundër klerit katolik e shpreh haptas, si në veprat e veta, ashtu edhe në publik. Deklaron se “krishterimi është një bishë e egër që ia thith gjakun bashkëmendimtarëve të vet.” Është e njohur klithma e tij “Dërmojeni ndyrësirën!” (Écrasez l’imfâme!) që u shfaq për herë të parë më 23 qershor 1760 në letrën që ia dërgonte d’Alamberit në të cilën thotë: “…kjo çështje ka rëndësi vendimtare (…) dhe ky është shërbimi i madh që mund t’i bëhet gjinisë njerëzore”. Volteri edhe letrat nisi t’i nënshkruajë me fjalët Écr. l’inf. Për këtë shkruan: “Të gjitha letrat e mia i përfundoj me fjalët Écr. l’inf, siç ka thënë Katoni* “…Kartagjenën duhet rrënuar”.

            Shënim: Duhet dalluar rolin e Kishës apo të klerit në shekullin e iluminizmit, nga roli i saj në periudhën pas Revolucionit francez. Me ndarjen e fesë nga shteti, Kisha do të merret kryesisht me punët shpirtërore.  

*   *   *

Pikëpamjet raciste të Volterit Në pjesën hyrëse të trajtesës “Ese për traditat”, Volteri thotë: “…vetëm njeriu i verbët mund të dyshojë se të bardhët, zezakët, albinët, hotentotët, laponët, kinezët, amerikanët janë raca plotësisht të ndryshme”. Volteri mbron teorinë poligjenetike sipas së cilës racat e ndryshme njerëzore rrjedhin nga stërgjyshër të ndryshëm, që u ka shërbyer “evropianëve, kuptohet edhe francezëve, që në kontinentin e Afrikës të vendosin sistem skllavopronar. Nuk kemi të drejtë natyrore t’i prangosim banorët e Angolës, por kemi të drejtë dakordimi…” Në trajtesën e sipërthënë filozofi shpreh do pikëpamje që s’i merr dot letra.  

*   *   *

Volteri me cinizëm përqeshte mbarë Evropën, mbretërit e pushtetshëm, klerikët, filozofët që besonin se kjo botë është më e mira nga të gjitha botët e mundshme (teori e Lajbnicit), pseudomjekët me tituj akademikë. Por, Volteri tallej edhe me veten, me ëndrrat dhe marrëzitë e veta rinore. Ishte kundërshtar i paepur i Kishës. Klithma radikale e tij “Dërmojeni ndyrësirën!” (Écrasez l’infâme!)ushtoi fuqishëm gjatë tërë shekullit XVIII.

Megjithëkëtë, Volteri duke mbetur deist jokonsekuent, konsideronte se Zoti dhe religjioni janë të nevojshëm: “Po të mos ekzistonte Zoti, do të duhej të sajohej”.

Pozita paradoksale e Volterit shihet edhe në ecurinë e jetës dhe të veprës së tij: I urrente mbretërit dhe njerëzit e pushtetshëm, ndërsa një pjesë të madhe të jetës e kaloi nëpër oborre mbretërore dhe në apanazhe (prona) të pasanikëve, ndërkaq vetë ai blinte prona anembanë Francës; luftonte bashkë me enciklopedistët, por vetë mbeti kundërshtar i materializmit.  

*   *   *

Nga opusi voluminoz i tij në të cilin janë përfaqësuar të gjitha gjinitë, krahas tregimeve filozofike, dallohen edhe sprovat historike, në të cilat historiografia e atëhershme i është afruar asaj që më vonë do të quhet histori e civilizimit. “Shekulli i Luigjit XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752, Berlin 1768) është e para vepër historike e rëndësishme në të cilën figurë qendrore është kombi dhe jo sundimtari dhe në të cilën, interesimi për traditat ka qenë më i madh se interesimi për betejat historike. Qëllimi kryesor i Volterit ka qenë të përshkruajë “shpirtin e njerëzve” dhe shoqërinë në të cilën këta njerëz kanë jetuar dhe kanë vepruar, duke paralajmëruar kësisoj historinë e mentalitetit. Shkrimin “Sprovë për historinë e përgjithshme dhe për traditat dhe për shpirtin e kombeve” (Essai sur l’histoire générale et sur les moeurs et l’esprit des nations, 1756) e shkroi për t’ia lehtësuar markezës du Châtelet të kuptuarit e historisë. Në rrëfimin, përkatësisht në romanin filozofik i përmblodh përvojat e oborrtarit të dëshpëruar, të skeptikut dhe të filozofit.

Veprat “Zadig” (1748), “Mikromegas” (Micromégas, 1752), kryevepra “Kandid” (Candide, 1759) – roman filozofik dhe parodi* e shkëlqyer e romanit aventuristik-sentimental, “I padjallëzuari” (L’ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768) – janë ilustrime të qëlluara të pyetjes: si ta gjejmë fatin te vetvetja”.

Volteri u bë i njohur edhe me esenë “Traktat mbi tolerancën” (Traité sur la tolérance, 1763), i frymëzuar nga rasti Kalas* (Calas), me shembullin e fanatizmit fetar. Forma e shkurtër e artikullit enciklopedik i mundësoi që si filozof dhe praktik moralist të flasë me një stil të qartë dhe thelbësor. Në artikujt e Volterit që kanë të bëjnë me ateizmin, me karakteret, me fanatizmin, me përndjekjet dhe tolerancën, me lirinë dhe tiraninë, e më së shpeshti me sulmet e ashpra ndaj kishës dhe klerit, si dhe ndaj rendit jokushtetues – dallojmë shpirtin luftarak të iluministit dhe stilin e gazetarit me përvojë.

“Fjalor filozofik ose Arsyeja në rendin alfabetik” (Dictionnaire philosophique ou la Raison par alphabet, 1764) është një vështrim i thuktë i filozofisë volteriane. Si mjeshtër i ironisë dhe i polemikës,në vitet 1745-1750 ishte historiograf imbretit të Francës, Luigji XV*.Në vitet 1750-1753 ishte mentor për retorikë i mbretit të Prusisë, Fridrih II (Friedrich II) ose Friedrich der Große. Pas një qëndrimi jo të mirë në Potsdam, gjeti strehim në Republikën Helvetike konservatore. Suksesi i shfaqjes në Paris të pjesës “Irena” (Irène) tre muaj para vdekjes si dhe kthimi në traditën e teatrit klasicist, e mbyllën shtegun letrar dhe jetësor të tij.

Volteri ishte ithtar i publikimit të qartë të të vërtetave të rëndomta, armik i veprimeve të fshehta apo tinëzare, i mistikës dhe i mitologjizimit. Me stilin e thuktë dhe me inteligjencën lucide (të mprehtë) tregoi një interesim të veçantë për një shoqëri të denjë për njeriun.

Me veprimtarinë e vet të gjatë, fitoi autoritet në mbarë Evropën. Për këtë arsye, periudha e iluminizmit apo shekulli XVIII u quajt “shekull i Volterit”.                                

*   *   *

Mëshumë rëndësi ka kontributi i tij për filozofinë e historisë: Këtë term e krijoi Volteri. Përpos kësaj, krijoi konceptin me ndikim të historisë, si një proces i përparimit të gjithanshëm dhe të pandalshëm që bazohet në ligjshmërinë natyrore, fillon me përparimin e shkencës dhe të teknikës, që pikësëpari ndikon në zhvillimin e tregtisë, në rritjen e begatisë së përgjithshme dhe në fund, në përmirësimin juridik dhe politik të institucioneve si dhe në përsosjen morale të njeriut.

Vepra e parë historiografike e Volterit është “Historia e Karlit XII” (Hitoire de Charles XII, 1731), ndërsa vepra kryesore e tij nga ky lëmë është “Shekulli i Luigjit XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752). Njëherazi, kjo është e para vepër e rëndësishme e këtij lloji, në të cilën figurë qendrore është kombi dhe jo sundimtari dhe në të cilën traditat pasqyrohen po aq sa edhe betejat dhe oborri mbretëror. Për të përshkruar frymën e epokës, në mënyrë specifike paralajmëron historinë e mentalitetit. Këtë qëndrim e ka përpunuar në trajtesën “Ese për historinë e përgjithshme dhe për traditat dhe shpirtin e kombeve” (Essais sur l’histoire générale et sur les moeurs et l’esprit des nations, 1756), në pasqyrën e historisë që nga rënia e Perandorisë Romake Perëndimore, “Historia e Perandorisë Ruse nën Pjetrin e Madh” (Hisoire de l’empire de Russie sous Pierre lë Grand, I-II, 1760-1763), “Filozofinë e historisë” (Philosophie de l’histoire, 1765).

I rëndësishëm është edhe kontributi i tij për Enciklopedinë të drejtuar nga shkrimtari dhe filozofi francez Deni Didëro (Denis Diderot). Për Enciklopedinë, midis tjerash, i ka  shkruar artikujt Shpirti, Eleganca, Imagjinata, Historia, Elokuenca.

Idetë filozofike, në mënyrë alegorike dhe figurative i ka paraqitur në novela dhe në romane që janë shembuj paradigmatikë të stilit të tij elegant dhe klasicist të përmbajtur, të përshkuar nga ironia, pastaj të përdorimit të litotave, të eufemizmave, të elipsave, të insinuatave: “Memnoni, tregim oriental” (Memnon, histoire orientale, 1747), “Zadig” (1748), “Vizioni i Babukut” (Vision de Babouc, 1748), “Mikromegas” (Micromégas, 1752), “Kandid ose optimizmi” (Candide ou l’Optimisme, 1759), “E bardha dhe e zeza” (Le Blanc et le noir, 1764), “I padjallëzuari” (L’Ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768).

Në to ka ironizuar dhe ka satirizuar filozofinë e optimizmit,sidomos filozofin dhe matematikanin gjerman, Lajbnicin (Leibniz), rigjiditetin (ngurtësinë) religjioze, duke përdorur formën e përgjithshme të zhanrit pikaresk dhe shkencor-fantastik, përkatësisht të romancës aventuriere-fantastike, të cilën po ashtu e ka parodizuar, sidomos dimensionin utopist të saj. Në këtë vështrim, shembull kulmor është romani filozofik “Kandid” ose Optimizmi, njëherazi edhe vepër e tij me pranim më afatgjatë. I shkruar me ton sarkastik dhe parodik, kjo vepër është kritikë e filozofisë së optimizmitLajbnicit (Leibniz).  

*   *   *

Volteri konsideronte se më e natyrshme është që filozofia të pasqyrohet në vepra letrare. Në këtë mënyrë, u bë filozofi i parë dhe më i gjithanshëm i iluministëve të shekullit XVIII i cili bashkoi në vete filozofinë dhe letërsinë, duke e shndërruar si njërën ashtu edhe tjetrën, në publicistikë iluministe spirituale që i ka cilësitë e të dyja sferave të shpirtit njerëzor.

Veprat  

„Ese mbi poezinë epike“ (Essay on Epic Poetry); tragjedia “Edipi” (Oedipe, 1718); epi heroik ”Henriada” (La Henriade, 1728), botimi i parë i veprës, i vitit 1723 doli me titull tjetër; tragjeditë “Bruti” (Brutus, 1730); “Zaire” (Zaïre, 1732); studimi historiografik “Histoia e Karlit XII” (Histoire de Charles XII, 1731); vepra “Letra filozofike” (Lettres philosophiques, 1734) e njohur edhe me titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises); në vitin 1733 doli në Londër kopja e tij me titullin “Letra për kombin anglez” (Letters Concerning the English Nation); dramat “Vdekja e Cezarit” (La Mort de César, 1735); “Muhamedi” (Mahomet, 1741); “Meropa” (Mérope, 1743); “Tankred” (Tancréde, 1760); trajtesa “Bazat e filozofisë së Njutonit” (Éléments de la philosophie de Newton, 1738); “Shekulli i Luigjit XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752, Berlin 1768) vepër historike; trajtesa “Sprovë për historinë e përgjithshme dhe për traditat dhe për shpirtin e kombeve” (Essai sur l’histoire générale et sur les moeurs et l’esprit des nations, 1754-1758); veprat “Zadig” (1748); “Mikromegas” (Micromégas, 1752); „Filozofia e historisë“ (Philosophie de l”histoire, 1756); kryevepra “Kandid” (Candide, 1759) – roman filozofik dhe parodi e romanit aventuristik-sentimental; “I padjallëzuari” (L’ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768); trajtesa “Traktat mbi tolerancën” (Traité sur la tolérance, 1763); “Fjalor filozofik ose Arsyeja në rendin alfabetik” (Dictionnaire philosophique ou la Raison par alphabet, 1764); përmbledhja e eseve “Letra filozofike” (Lettres philosophiques, 1734), i njohur edhe me titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises); tragjedia e fundit “Irena” (Irène);

Shënime për krijuesit, për personalitetet dhe për nocionet

Agnosticizëm– doktrinë filozofike idealiste e cila mohon mundësinë e njohjes së botës objektive. Këtë pikëpamje e sqarojnë filozofët Dejvid Hjum (Hume), Xhorxh Berkli (Berkeley), Imanuel Kant (Kant), Ogyst Kont (Comte), Herbert Spenser (Spencer). Në të vërtetë nuk ka asgjë që nuk mund të njihet; ekzistojnë vetëm gjëra dhe dukuri të natyrës të cilat në shkallën historike të caktuar të zhvillimit të shkencës, ende nuk janë të njohura; përvoja historike, parashikimi dhe studimi shkencor i forcave të natyrës, njeriut ia hedhin poshtë agnosticizmin. Sipas agnosticizmit, ekzistimi i Zotit, i hyjnores apo i mbinatyrshmes është diçka e panjohur dhe diçka që nuk mund të njihet. Arsyeja e njeriut nuk ka aftësi për të siguruar baza racionale të duhura që do ta arsyetonte bindjen se Zoti ekziston, apo bindjen se Zoti nuk ekziston.   

Antuan, Mark (Marc Antoine) djali i Zhan Kalasit.

Bardhi, Frang (1606-1643) shkrimtar i letërsisë së hershme shqiptare.

Berkli, Xhorxh (George Berkeley, 1685-1753), i njohur edhe si Peshkopi Berkli, është filozof anglo-irlandez. I takon shkollës së idealizmit dhe të empirizmit.

Budi, Pjetër (1566-1622) shkrimtar i letërsisë së hershme shqiptare.

D’Alamber (Jean-Baptiste le Rond d’Alembert, 1717-1783) matematikan, fizikan dhe filozof francez. Deri në vitin 1759, bashe me Deni Didëronë drejtuan Enciklopedinë*.

Dë Pompadur (Jeanne-Antoinete Poisson, marquise de Pompadour, e njohur si Madame de Pompadour, 1721-1764) anëtare e oborrit mbretëror francez. Ishte dashnorja kryesore zyrtare e mbretit të Francës, Luigji XV (Louis XV, 1710-1774), trashëgimtar i fronit mbretëror të stërgjyshit të vet Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715).

Dë Roan (Kalorësi dë Roan)(Guy Auguste de Rohan-Chabot, 1683-1760) i njohur si Chevalier de Rohan, ishte një fisnik francez (më poshtë se baroni), që vinte prej familjes së vjetër dhe fisnike të Bretanjës (Huos of Rohan), që datonte nga shekulli XI.

Didëro, Deni (Denis Diderot, 1713-1784) filozof, kritik arti dhe shkrimtar – francez. Ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe bashkëpunëtor i Enciklopedisë.

Dy Shatëlet (Markeza dy Shatële) (Gabrielle-Émilie Le Tonnelier de Breteuil, marquise du Châtelet, 1706-1749) filozof i natyrës dhe matematikane franceze. Në vitin 1725 u martua me markezin Florent-Claude du Chastellet-Lomont, me të cilin kishte katër fëmijë. Ishte nën ndikimin e Iasak Njutnit dhe të Vilhelm Lajbnicit. Në vitet 1733-1749, ishte në lidhje intime me Volterin. Vdiq nga komplikimet gjatë lindjes së fëmijës.

Enciklopedistët– ishin një grup autorësh francez të shekullit XVIII që e kanë hartuar enciklopedinë (Encyclopédie). Është botuar në periudhën qershor 1751 – dhjetor 1765 përkatësisht 1780. Kryeredaktorë ishin Deni Didërot dhe d’Alamberi. Enciklopedistët nxitën përparimin e shkencës dhe të mendimit shekullar, mbështetën tolerancën, mendimin racional, mendjen e hapu dhe elementet e rëndësishme të periudhës së iluminizmit.

Filipi i Orleanit (Philippe d’Orléans, 1674-1723) ose Duka i Orleanit (Duc de Orléans) ishte anëtar i familjes mbretërore franceze. Pas vdekjes së të atit, mbretit të Francës dhe Navarës, Luigjit XIV (Louis XIV),u bë regjent.

Hemp, Erik Pret (Eric Pratt Hamp, Londër, 16.11.1920 – 17.02.2019) linguist britanik/amerikan.    

Henriku IV (1553-1610) mbret i Francës. E quanin “I Madhi” (Le Grand) ose “Le Vert Galant”, në anglisht “Good King Henry”.

Hjum, Dejvid (David Hume, 1711-1776) – filozof, historian, ekonomist, eseist skocez i iluminizmit, i njohur për sistemin e empirizmit filozofik, të skepticizmit dhe të natyralizmit.

Joana e Orleanit (Jeanne d’Arc, 1412-1431) e njohur si Virgjëresha e Orleanit, prijëse ushtarake franceze; u bë heroina kombëtare më e madhe e Francës. Shenjtore e Kishës Katolike të Romës.

Kalas (Rasti Kalas – Calas)– Në kohën e Volterit, d.m.th. në Francën e para revolucionit, protestantizmi konsiderohej sakrilegj (mallkim). Fanatikët fetarë të proveniencës katolike s’e kishin vështirë ta fajësonin çdokënd që do të kishte pikëpamje ndryshe mbi botën. Rasti i Zhan Kalasit (Jean Calas), për të cilin flet Volteri, është vetëm një prej shembujve. Në tetor të vitit 1761, djali më i madh i Kalasit, Mark Antuan (Marc Antoine) u gjet i varur në tregtizën e prodhimeve tekstile të Zhan Kalasit  (Jean Calas) në Tuluz (Toulouse). Sapo u gjet trupi, në mjediset katolike shpërtheu një histeri. Ndaj protestantit Zhan Kalas (Jean Calas) vërshuan akuzat, duke e fajësuar për varjen e të birit ngase ai paskësh kaluar në katolicizëm apo qenkësh konvertuar në katolik. Më 9 mars 1762, Gjykata rajonale në Tuluz e shpalli fajtor Zhan Kalasin dhe e dënoi me torturim në rrotë, deri në vdekje. Zhan Kalasi vdes më 10 mars 1762, me trup dhe gjymtyrë të thyera. Me të mësuar për rastin, Volteri ndërmori një fushatë për anulimin e aktgjykimit, për arsye se i pandehuri ishte dënuar vetën në bazë të paragjykimeve fanatike ngase i përkiste një religjioni tjetër dhe jo në bazë të provave materiale. Provat tregonin se djali i Zhan Kalasit, Mark Antuan (Marc Antoine) kishte varur veten, për shkak të humbjeve në kumar, borxheve dhe studimeve të papërfunduara. Ndërhyrja e filozofit pati jehonë të madhe në Francë, ndaj në vitin 1764, d.m.th. tre vjet pas ekzekutimit të dënimit, aktgjykimi u anulua. Zhan Kalasi, tanimë i vrarë nga torturat, u lirua nga akuza, për t’u bërë viktimë simbolike e jotolerancës fetare.  

Kalas, Zhan (Jean Calas, 1698-1762).

Kant, Imanuel (Immannuel Kant, 1724-1804) – filozof gjerman, një prej mendimtarëve qendrorë të iluminizmit. Me veprat e tij në epistemiologji, metafizikë, etikë dhe estetikë u bë figurë me ndikim në filozofinë moderne të Perëndimit.

Katon (MarcusPorcius Cato censorius, 234 para K. – 149 para K.) politikan, orator dhe shkrimtar romak. Njihet edhe si Katoni i Vjetri (Cato Maior). Konsiderohet si i pari prozator romak.

Kont, Ogyst (Isidore Marie Auguste François Xavier Komte, 1798-1857) – filozof dhe shkrimtar francez. E formuloi doktrinën e pozitivizmit. Konsiderohet filozof i parë i shkencës në kuptimin modern të këtij nocioni.  

Lajbnic, Gotfrid Vilhem (Gottfried Wilhelm Leibnitz, 1646-1716) filozof dhe matematikan, dijetar dhe diplomat gjerman. Janë të njohura tri letrat e Lajbnicit. Më 24 janar 1705 i dërgoi një letër një bibliotekisti të Berlinit në të cilën thotë se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave. Më 10 dhjetor 1709, pasi kishte vënë në dorë një libër në gjuhën shqipe dhe një fjalor të shqipes, shkruan një letër tjetër ku thotë: “…kjo është gjuhë e ilirëve të lashtë…”. Linguisti britanik/amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt Hamp) thotë se librat që i ka pasur në duar Lajbnici, janë “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum, Romë 1635) i Frang Bardhit si dhe vepra e Pjetër Budit

Lametri (Julien Offray de La Mettrie, 1709-1751) fizikan dhe filozof francez, një prej materialistëve më të hershëm francez të iluminizmit. Pas largimit nga Potstadmi, Volteri qëndroi një kohë në Gjenevë. Në vitin 1758 bleu një kështjellë në qytezën franceze Fernej (Ferney). Deri atëherë dhe pas kësaj lindën romanet e tij “Zadig” (1747), “Mikromega” (Micromega, 1752) dhe “Kandid” (Candide, 1759). Në këtë periudhë shkruan pamflete dhe letra, lufton me tërë fuqinë kundër fanatizmin të Kishës dhe i mbron të dënuarit e pafajshëm (rasti Kalas – Calas). Trajtesat e veta antiklerikale i shkruan me pseudonime: Rabin Akiba, Aleksej, Kryepeshkopi Novogorski, Abati Basin dhe nipi i tij, Klerikët e mbretit të Prusisë etj.

Lok, Xhon (John Loock, 1632-1704) filozof dhe mjek anglez. Është konsideruar si një prej mendimtarëve ilumist më me ndikim. Është quajtur “baba i liberalizmit”.

Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715) mbret i Francës.

Luigji XV (Louis XV, 1710-1774) mbret i Francës. Në moshën 5-vjeçare e trashëgoi stërgjyshin, Luigjin XIV . Derisa nuk e arriti pjekurinë në vitin 1723, mbretërinë e administroi Filipi II, Duka i Orleanit (Philippe II, Duc d’Orléans), si regjent i Francës.

Mopertyi (Pierre Louis Moreau de Maupertuis, 1698-1759) matematikan dhe filozof francez.

Njutni, Isak (Isaak Newton, 1643-1727 filozof, matematikan, astronom anglez. Tre muaj para se të lindte, i vdiq babai. Nëna iu rimartua, e rriti gjyshja.

Parodi (greqisht – parodeo – këndoj në mënyrë tallëse, tallem) – imitim tallës apo qesharak i ndonjë vepre letrare, duke ruajtur formën e jashtme dhe tonin e saj; imitim i jashtëm, duke shtrembëruar thelbin; shëmtim, shtrembërim, deformim, prishje e formës, gjymtim; parodizoj – të shkruash parodi letrare për dikë, për diçka; përqesh, paraqes në formë qesharake, shëmtoj, deformoj, shtrembëroj.

Pëup, Alikzandër (Alexander Pope, 1688-1744) poet dhe kritik anglez. 

Société du Temple (Shoqëri e Tempullit) ka qenë një shoqëri letrare dhe filozofike, që u paraqit në Francë në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII.

Spenser, Herber (Herbert Spencer, 1820-1903) – filozof, biolog, antropolog dhe sociolog anglez, i njohur për hipotezën e darvinizmit social, sipas së cilës historinë e harton fuqia fizike superiore.  

Sheftsberi (Anthony Ashley-Cooper, 3rd Earlot Shaftesbury, 1671-1713) filozof anglez.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura