XHAFER DURMISHI – SKENDERI: IBRAHIM KELMENDI – ‘NUK JAM DUKE E KUPTUAR JUSUFIN PËR KËTË LLOJ DEZINFORMIMI'(4)

Pashtriku, 18 Korrik 2019:
11.Lajthitje e mendësi skandaloze!

Ibrahim Kelmendi: ”Lajthitje e mendësi skandaloze! Po e përsëris edhe një herë, edhe shumë herë: Nëse kjo letër dësh¬¬mohet se është autentike bëhet i pashmangshëm rivlerësimi i figurës së JG dhe do parë ku ndahen miti dhe realiteti deri te dekorimi me titullin e Heroit!” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Jusuf Gërvalla: “Tani sapo e lexova letrën tënde (e treta me radhë që morëm këto kohët e fundit pa të dhënë përgjigje) të datës 14 gusht, me të cilën arriti edhe mendimi yt lidhur me I.K. Mendimet që shfaq ti lidhur me këtë person, janë jo vetëm të urta, po edhe shumë të njerëzishme. (Një fakt e ke lanë anash në përfundimin që ke nxjerrë duke analizuar sjelljen e këtij personi nga vërejtjet e mia për të: gatishmërinë e tij që të hyj vetë dhe t’i fusë edhe shokët në shërbim të forcave më reaksionare e mercenare të Perëndimit, siç janë ballistët dhe zogistët, madje duke u bërë vetë mercenar i tyre, pra mercenar i mercenarit). Megjithatë, pas analizash edhe më të thelluara, pasi të kemi mbledhur edhe ndonjë fakt për sqarimin e punës dhe të personalitetit të tij, nëqoftëse ai e meriton edhe pas kësaj kujdesin tonë për së mbari, atëherë nuk do të ngurrojmë edhe sa i përket punës lidhur me të. Të shpresojmë se ai e meriton. Sot për sot nuk po zgjatem më shumë lidhur me këtë çështje, sepse vetë kjo letër, për shkak të kohës së kufizuar, është vetëm njëfarë kapari për një përgjigje më të gjatë e më të thelluar.” Letër SN, 20 gusht 1981; botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451-452
12.Kush ishin këta dy njerëz
Jusuf Gërvalla: “Tani sapo e lexova letrën tënde (e treta me radhë që morëm këto kohët e fundit pa të dhënë përgjigje) të datës 14 gusht, me të cilën arriti edhe mendimi yt lidhur me I.K. Mendimet që shfaq ti lidhur me këtë person, janë jo vetëm të urta, po edhe shumë të njerëzishme. (Një fakt e ke lanë anash në përfundimin që ke nxjerrë duke analizuar sjelljen e këtij personi nga vërejtjet e mia për të: gatishmërinë e tij që të hyj vetë dhe t’i fusë edhe shokët në shërbim të forcave më reaksionare e mercenare të Perëndimit, siç janë ballistët dhe zogistët, madje duke u bërë vetë mercenar i tyre, pra mercenar i mercenarit). Megjithatë, pas analizash edhe më të thelluara, pasi të kemi mbledhur edhe ndonjë fakt për sqarimin e punës dhe të personalitetit të tij, nëqoftëse ai e meriton edhe pas kësaj kujdesin tonë për së mbari, atëherë nuk do të ngurrojmë edhe sa i përket punës lidhur me të. Të shpresojmë se ai e meriton.” (Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981)
Ibrahim Kelmendi: ”Ta zëmë se është autentike kjo letër. Atëherë, vërtet kush ishin këta dy njerëz dhe çfarë kompetencash kishin që bënin pazare për mua dhe në çfarë relacioni superior ishin? Me këto broçkulla as Jusufi dhe as Sabriu nuk i krijojnë lavdi vetës se tyre.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Sabriu dhe Jusufi nuk shkëmbejnë mendime për ekzistencën e Ibrahim Kelmendit si njeri në përgjithësi, por vetëm për çështjen e qëndrimeve të Lëvizjes së Jusufit, ndaj tij si një person i jashtëm politik. Këtu nuk ka asnjë risi, çdo organizatë vepron në këtë mënyrë, pra i diskuton qëndrimet e brendshme që duhet të merren ndaj personave të jashtëm me të cilët ndeshen në shkallë të ndryshme gjatë veprimtarisë politike. Si shembull mund të mirret qëndrimi dhe pastrimi i historisë së OMLK-së prej Ibrahim Kelmendit të shprehur shumë qartë në librat: Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981 të Mehmet Hajrizit, Vrasje në Shtutgart të Apostol Dukës dhe Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës të Mehmet Hajrizit e Gani Sylës. Ata pra, në tri libra e pastrojnë me themel historinë e tyre nga Ibrahim Kelmendi edhe pse kanë qenë të bashkuar me te, dhe prapë se prapë I. K. më shumë e mundojnë disa rreshta me të cilat vendosen gurët në kufirin e Lëvizjes së Jusufit, se tre librat e Kalasë së mbyllur hermetikisht të ”Marksistë-leninistëve” të Kosovës.
13.Parullat e demonstratave kanë një përmbajtje thellësisht marksiste-leniniste
Jusuf Gërvalla: ” Parullat e demonstratave kanë një përmbajtje thellësisht marksiste-leniniste dhe përkrahin deri në fund kërkesat e rinisë heroike të Kosovës për republikë (që nënkupton edhe përfshirjen e tokave dhe të popullsisë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi). (Letër Sabri Novosellës, 14 prill 1981; Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010, faqe 260)

Faridin Tafallari (djathtas me plis) në një demonstratë në Evropë në pranverën e vitit 1981. Pas tij duket parulla në gjuhën frengjishte: VIVE LE MARXISME LENINISME! (RROFTË MARKSIZËM LENINIZMI!)
Ibrahim Kelmendi: ”Nuk jam duke e kuptuar Jusufin për këtë lloj dezinformimi, nëse e ka bërë për t’i hyrë në qejf eprorit të tij, rrobaqepësit SN, apo nëse ka menduar se letrat e tilla përfundojnë edhe te Sigurimi shqiptar dhe ai duhej të kishte prova pozitive për “komunistin” JG.
Parulla e vetme që ishte e shkruar në banderolë dhe që thirrej e që mund të kuptohej si marksiste-leniniste ishte: “Hoch die interantionale Solidarität!” [Lart solidariteti ndërkombëtar]. Tjetër banderolë ose parulla, që mund të vlerësoheshin si marksiste-leniniste, nuk ka pasur.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)

Faqja e parë e revistës Liria (nr. 3, maj 1981, Shtutgart). Pikturë e ”komunistëve” hegjemon. Krahasojeni raportin e madhësisë së flamurit të marksizëm-leninizmit me madhësinë e parullës Kosova Republikë!
Lidhur me demonstratën e Bonit të 3 prillit 1982, Nuhi Sylejmani shkruan si më poshtë:
“E pyeta nëse do të ishin si ato të mëparshmet, apo ndryshe. „Sikur ato të mëparshmet“, – më tha disi i hutuar. Në demonstratat e mëparshme ishte praktikuar që gjatë pushimeve të shkurtra, mes dhe gjatë leximeve të referateve, të brohoriteshin parullat, si: „Kosova Republikë!“, „Republikë Kushtetutë!“ etj., prandaj edhe në këtë demonstratë, kur ma mori mendja se duhej thirrur, përmes megafonit thirra tri herë: „Kosova Republikë!“, dhe dy herë „Lavdi Marksizëm-Leninizmit“, por për të tretën herë nuk thirra dot, sepse Xhafer Durmishi, me pseudonimet Skënder e Shpend, u afrua pranë dhe më qortoi me zë të lartë, duke më thënë: „Çka po bërtet ashtu, a? Le, boll e mos bërtit mâ!…“ U ndjeva shumë i fyer! Gjaku më vloi ethshëm nga zemërimi, por e mbajta vetën! Nuk fola asnjë fjalë, por e ula kokën sikur të kisha bërë ndonjë faj të pafalshëm!” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, f.133)
14.Të le pa tekst kjo frymë e komunikimit
Ibrahim Kelmendi: ”Të le pa tekst kjo frymë e komunikimit. Poeti, gazetari, publicisti, këngëtari JG me rrobaqepësin gjysmanalfabet SN dhe dëgjueshmëria poshtërue¬se prej skllavi që, vetëm në bashkëveprimtarit të vullnetshme midis të të barabartëve nuk mund të ngjante! Kush duhet t’ia ketë shkruar letrat SN që të fascinohej Jusufi deri në atë shkallë vetëmohuese e vetëpëruljeje!? Kjo është çështja!?” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Jusuf Gërvalla: “Materialet e numrit të ardhshëm të “Z.K.” janë pothuaj të gjitha të gatshme. Për pjesën e tyre më të madhe, unë, Shpendi (Xhafer Durmishi-shën im) e Besniku (Bardhosh Gërvalla -shën i Xh. D.) jemi të kënaqur. Morëm zemër edhe nga fakti se ju kishin pëlqyer edhe juve ato punime që ua dërguam edhe juve për t’i shikuar. Përveç kësaj, unë personalisht tani jam në pozitë shumë më të lehtë, për shkak të mendimeve, porosive e sugjerimeve nga ana juaj dhe për shkak të një ndihme, sado të vogël në fillim, nga ana e Shpendit, e Besnikut dhe e shokut të “Lirisë”, që këta më dhanë me disa artikuj të mirë. Edhe Shpendi edhe Besniku, për sa duket kanë afinitet për shkrim, i cili do të rritet bashkë me punën tonë e me ne. Tani pas hartimit të dy artikujve që kanë mbetur pa u kryer, menjëherë po i hyjmë shtypjes së revistës. (Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981; Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451)
15.Bashkimi i çoroditur i shtruar nga Kadri Zeka
Ibrahim Kelmendi: ”Pra, ose Jusufi vërtet nuk i ka kuptuar “tezat”, ose paskësh qenë i kapur aq keq nga SN, sa të detyrohej që të katandiset në këtë farë nënniveli mjeran.” (Gjurmë dhe fërkem, Prishtinë 2019)
Mehmet Hajrizi: “Fillimisht duhet thënë se organizimi në Shqipëri i Luftës Nacionalçlirimtare, që për veprimtarët e kohës, në saje të literaturës që vinte nga Shqipëria, ishte në detaje i njohur, u bë modeli më i afërt, për ta zbatuar në kushtet e çlirimit të Kosovës. Atje ka pasur një Front Nacionalçlirimtar, që bashkonte forcat antifashiste të bindjeve të ndryshme, por Partia Komuniste në të RUANTE ROLIN HEGJEMON.” (Histori e një Organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f. 97)
Jusuf Gërvalla: “Nga e gjithë kjo, tash mbeti vetëm dëshira. A ka vend të ndruhemi se s’paska ardhur ende çasti i pritur i bashkimit? Ende po dua të shpresoj që qëndrimi i shokut Z. (Kadri Zeka – shën im) ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme nuk është edhe qëndrimi i shokëve të tij, aq më pak vija e tyre dhe përfytyrimi i tyre për bashkimin.
Pasi kuptova si është shtruar kjo çështje në takimin tuaj (e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z. [në panair, në Frankfurt, më 17 tetor – shën i Xh. D.]), ishte e vetëkuptueshme të pajtohesha plotësisht me qëndrimin që ke marrë ti atje. Të njoftoj se, që kur mbaj kontakte me atë, asnjëherë, as rastësisht, nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të ÇORODITUR, siç e kishte shtruar çështjen shoku Z. (Kadri Zeka – shën im.)
Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por MEGALOMANINË e arrivistëve të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe tendencën për DOMINIM ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 274)
VIJON …
(Shkëputur nga libri i autorit Xhafer Durmiashi – Skenderi: Ti ia ke besuar arkivin e Jusufit)
__________________________
XHAFER DURMISHI – SKENDERI: “IBRAHIM KELMENDI – ‘JUSUFI KISHTE PËRCAKTIME TEPËR STRIKTE KUNDËR EMIGRACIONIT ‘REAKSIONAR’!” (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8968

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura