(Pashtriku.org, 19. 05. 2012) – Në kujtesën e shqiptarëve janë të njohura format e veprimit dhe krijimi i preteksteve për vrasje, ekzekutime dhe shfarosje në masë të shqiptarëve nga pushtuesi serb në periudhën nëntëdhjetëvjeçare të okupimit të Kosovës.
Masakra serbe në Burgun e Dubravës është krim që nuk harrohet. Numri i saktë i të burgosurve dhe i pengjeve shqiptarë, që përjetuan atë golgotë, ende nuk dihet, por, duke u bazuar në disa të dhëna nga bisedat midis gardianëve, ky numër, në periudhën kritike prill-maj 1999, ishte mbi 950 veta. Vërtet, Masakra e Dubravës u zhvillua nëpër tri shkallë. Periudhën deri më 18 maj e karakterizoi shkalla e lartë e torturave, e përcjellë edhe me likuidime individuale (Mr. Ukshin Hotin, më 16 maj 1999); periudha treditore, 19-21 maj, i përket krimit ndërkombëtar përmes bombardimeve të NATO-s nga ajri – si uverturë për plojën serbe të planifikuar, dhe periudha triditore tjetër, 22-24 maj, shënoi realizimin e projektit me ekzekutimin kolektiv të të burgosurve dhe të pengjeve shqiptare.
Në mungesë të burimeve të shkruara për zhvillimet, për numrin e të vrarëve dhe të të plagosurve, jam përpjekur të evidencoj thënie nga bisedat e personelit të burgut, të përgjuara dhe të dëgjuara nga të burgosurit gjatë dhe pas ngjarjeve tragjike.
Nisemi nga 30 prilli 1999, kur të burgosurit nga Burgu i Gjilanit u transferuan në Burg të Dubravës, pikërisht në pavijonin C. Aty, në një kënd të korridorit të pavijonit, pas një kohe, u bë evidencimi i pazakontë. U kërkuan të dhëna që ishin më të plota në dosjen e akëcilit të burgosur dhe evidencimi i gjësendeve që mbanin të burgosurit.
Pas vendosjes në pavijone ndaj të burgosurve nisi të zbatohet një trajtim i egër, çnjerëzor dhe barbar. Kushtet e fjetjes dhe të higjienës ishin të shkallës së kushteve në llogore të përqendrimit nazist për shfarosje të një race tjetër. Preteksti për Masakrën e planifikuar u paraqit pikërisht më 19 maj, sapo ndodhi bombardimi i parë i NATO-s në pavijonin C. Midis të vdekurve nga ky bombardim ishin edhe veprimtarët politikë emblematikë të çështjes kombëtare: Abdullah Tahiri e Enver Topalli dhe Gjokë Ndrecaj, ndërsa midis të plagosurve rëndë: Agim Thaçi, Gjergj Karaçi dhe Kamer Hima.
______________________________
DOKUMENTAR KUSHTUAR DËSHMORIT ABDULLAH TAHIRI
___________________________________________
Këtu duhet theksuar faktin se të burgosurit jashtë pavijonit C i thyen dyert e dhomave dhe i nxorën jashtë të burgosurit e ngujuar. Fakti se nuk pësoi asnjë gardianë dhe serbë të tjerë nga personeli i burgut tregon se ata ishin të informuar për bombardimet dhe ishin strehuar me kohë në vende të sigurta. Në ndërkohë u kthyen gardianët, i rreshtuan të burgosurit e pavijonit C në oborr dhe ua bënë me dije se do t’i kthejnë, prapë, në objekt të mbyllur. Me gardianët tashti komandonte një person i panjohur për të burgosurit. Ai i urdhëroi gardianët që të burgosurit “t’i vendosnin në korridorin e shkollës…!” Një gardian do t’i ndërhyjë: “Si, janë mbi 250 veta, qysh do të rrinë në korridor…!?”. Eprori ia ktheu prerazi: “Unë thashë se duhet të vendosen në korridorin e shkollës dhe kështu duhet të bëhet, a u kuptuam…?!”
Ditën e 20 majit 1999, të burgosurit në Burgun e Dubravës e kaluan në ankth, ndërkaq bombardimet e NATO-s të 21 majit e rritën pasigurinë edhe më shumë. Numri i të vdekurve dhe i të plagosurve tashti ishte i madh. Natën e 21/22 majit 1999 shumica e të burgosurve natën e kaluan nën qiellin e hapur në fushën e sporteve dhe pranë pavijoneve. Në mëngjesin e hershëm të 22 majit 1999 një gardian, nga dritarja e karakollit verior të burgut, u urdhëroi të burgosurve: “Ngrihuni dhe rreshtohuni se së shpejti do të arrijnë autobusët dhe ne, për të mirën tuaj, do t’u transferojmë për në Nish, por duhet të shpejtoni…!”
Urdhrit nuk mund t’i bishtërohej. Pa vonuar, u krijuan katër rreshta të gjatë në drejtimin perëndim-lindje. Nga tri anë të rreshtit të të burgosurve mbi rrafsh të murit ishte vërë paraprakisht pusia e ekzekutorëve me armatim automatik e shpërthyes. Në një moment, me shpejtësi marramendëse, filluan bataretë nga dy anët e mureve dhe nga karakolli në kënd të mureve, nga kishte ardhur komanda për rreshtim. Predhat dhe bombat korrën mbi tetëdhjetë dhe mbi njëqind të tjerë plagosën rëndë dhe lehtë.
Dita dhe nata e 22 majit u përballuan me përpjekje maksimale të djalërisë ademjashariane përreth Bislim Zogajt dhe Nait Hasanit, për të ndihmuar dhe kuruar të plagosurit. Ankthi me vdekje të përgjakshme para syve të secilit të burgosur do të thellohet në orët e hershme të mëngjesit të datës 23 maj 1999. Tashti paramilitarë e personel me uniforma ushtarake hynë brenda në objekte dhe ekzekutuan, duke i zgjedhur disa dhjetëra të burgosur.
Tmerri sa vinte dhe po thellohej. Ekzekutori priste pretekstin për t’i ekzekutuar të gjithë. Ky pretekst duhej të ishte fillimi i ribombardimit nga aeroplanët e NATO-s në objektet e burgu. Për ta lehtësuar realizimin e këtij plani, të burgosurit nga të gjitha objektet i mbyllën në sallën e sporteve. Jashtë, nga dritaret, shiheshin ekzekutorë të armatosur me minahedhës dhe në gjendje gatishmërie për granatim brenda në sallë. Tashti ishte e qartë për akëcilin të burgosur se vuajtjeve të tyre po u vinte fundi. Vetëm një shpresë i mbante të fortë: “Liria e Kosovës është në prag. Ne jemi në themele të saj…!” – ishte pëshpëritja që pushtoi sallën ku pritej vdekja pa lemerisje, kurban për lirinë e Kosovës dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike.
Një ushtar, i cili, me gjasë, duhej të ishte brenda derës në sallë deri në sinjalin e dhënë, të burgosurve ua përcolli porosinë e eprorëve: “Nëse gjuajnë aeroplanët e NATO-s ju ulni kokat…!”. Kjo, me fjalë të tjera, do të thoshte: “Mbyllni sytë të mos i shikoni ekzekutorët e vërtetë!” Për fat, më nuk ndodhën bombardimet, nuk u krijua preteksti për ekzekutime të tjera.
Kohë pas kohe në Sallën e Sporteve vinin gardianë e ushtarë dhe dilnin. Më në fund hyri një ushtar dhe një gardian me fytyrë të mbuluar. Ushtari i ndau të burgosurit në pesë grupe, përafërsisht nga njëqind veta. Midis ushtarit dhe gardianit në sallë, para të burgosurve, do të zhvillohet një dialog që meriton të dihet: Ushtari, sapo e përfundoi numërimin, i tha: “Këtu, përafërsisht janë pesëqind…!” Ndërsa, gardiani, pa hezitim, ia ktheu: “Mirë, atëherë gjysmën i paskemi…!?!” Ushtari pyeti: “Sa kanë qenë…?”, kurse gardiani iu përgjigj: “Kanë qenë 954…”
Dinte gardiani për numrin e saktë të të përqendruarve në Burgun e Dubravës, në këtë kohë, kjo duhet të vërtetohet me burime të shkruara, me statistika. Faktori Ndërkombëtar i Vendosjes duhet ta detyrojë Serbinë të ofrojë dosjet dhe dokumentet e tjera për të burgosurit në këtë kasaphane serbe ndaj shqiptarëve dhe të masakruarve. Më në fund, në agimin e datës më 24 maj 1999, një gardianë të burgosurve u solli sihariqin me plot ankth: “Tash do t’ju dërgojmë për Mitrovicë (të Kosovës), ndërsa gjatë rrugës, pranë ndonjë mali, mund të zbritni vetëm një herë, për nevoja tuaja…!”
Zhvillimet në burg për pesë ditë me radhë, ekzekutimet pa asnjë pretekst nga të burgosurit dhe informata paraprake se të burgosurit “mund të zbritni vetëm një herë”, për nevoja fiziologjike “pranë ndonjë mali”, nuk kishte se si të mos kuptohej si kurth i ri për ekzekutime të tjera. Sidoqoftë, urdhri nuk mund të kundërshtohej, duhej pritur fundin me stoicizëm.
Vërtet, transferimi ndodhi, por në Burgun e Lypjanit, e prej andej, nga fundi i bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë ushtarake serbe në Kosovë e gjetkë, u bë transferimi në burgjet e Serbisë. Kjo, e tëra, është temë për ndriçim të veçantë.
– Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor, ‘Masakra në Burgun e Dubravës 19 – 24 maj 1999’, e mbajtur më 23 maj 2004.