Shkup, 12 shkurt 2021: Antidrama ose drama e absurdit është drejtim në krijimtarinë dramatike që u paraqit në Francë në vitet ’50 të shekullit XX. Përfaqësues të dramës së absurdit ishin dramaturgu francez me prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugéne Ionesco, 1912-1994), romancieri dhe dramaturgu irlandez Semjuel Bekei (Samuel Beckett, 1906-1989), dramaturgu francez me prejardhje armene Artur Adamov (Arthur Adamov, 1908-1970) dhe poeti, romancieri e dramaturgu francez, i cili prindërit e vet nuk i pa kurrë Zhan Zhenet (Jean Genet, 1910-1986). Më vonë drama e absurdit u shtri edhe në vende të tjera.
Krahas termit dramë e absurdit, përdoren edhe termat drama avangarde, antidrama, teatri i ri (në analogji me termin “romani i ri”, metateatër, teatër i protestës.
Drama e absurdit ka një traditë të afërt dhe të largët. Shembull i dramës së absurdit konsiderohet “Mbreti Yby” (Ubu roi, 1888) i dramaturgut, romancierit dhe poetit francez, të kualifikuar si poet dekadent Alfred Zhari (Alfred Jarry, 1873-1907); drama surrealiste “Gjinjtë e Tiresias” (Les mamelles de Tirésias , 1917) e poetit francez, i cili Faik Konicën e quajti enciklopedia që ecën, Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire, emri i vërtetë Wilhelm Apollinaris de Kostrowitzky, 1880-1918); drama “Viktori ose fëmijët në pushtet” (Victor ou les Enfants au pouvoir, 1928) e poetit dhe dramaturgut francez Rozhe Vitrak (Roger Vitrac, 1899-1952).
Pasojnë dramat ekspresioniste, futuriste, dadaiste dhe surrealiste. Këtu bëjnë pjesë dramat “Në xhunglën e qyteteve” (Im Dickicht der Stade, 1923) dhe “Njeriu është njeri” (Mann ist Mann, 1925) të dramaturgut, poetit dhe tregimtarit gjerman Bertolt Breht (Bertolt Brecht, 1898-1956).
Shfaqja e dramës “Këngëtarja tullace” (La Cantratice chauve, 1950) të Joneskos, e dramës “Invadimi” (L’Inavasion, 1950) të Adamovit dhe e dramës “Duke pritur Godonë” (En attendant Godot, 1952, shfaqur më 1953) të Beketit – shënon lindjen e dramës së absurdit si drejtim teatror.
E lindur në klimën e pas luftës, drama e absurdit i ka rrënjët në filozofinë e ekzistencializmit, postulatet thelbësore të së cilës vërehen te shumë dramaturgë: absurditeti i ekzistencës, paqëndrueshmëria e vlerave, mungesa e komunikimit, dykuptimësia e ndjenjave, gjestet e paarsyeshme dhe mekanike, shndërrimi i gjuhës në formula të privuara nga domethënia, tjetërsimi etj. Në dramat e sipërthëna ndjenja e absurdit shprehet njësoj, si në përmbajtjen ashtu edhe në formën e dramës së absurdit, në gjuhën e skenës dhe në gjuhën në përgjithësi.
* * *
EKZISTENCIALIZMI – është drejtim dhe doktrinë filozofike që pati një jehonë të thellë në letërsi dhe në art. Ekzistencializmi modern fillon me shkrimtarin dhe filozofin danez Seren Kierkegor (Soren Kierkegaard, 1813-1855). Pas tij vijnë: filozofi gjerman Martin Hajdeger (Martin Heideger, 1889-1976) dhe filozofi e psikiatri gjermano-zviceran Karl Jaspers (1883-1969). Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ekzistencialistë janë: romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), filozofi francez i fenomenologjisë Merlo-Ponti (Maurice Merleau-Ponty, 1908-1961) i ndikuar nga themeluesi i fenomenologjisë, filozofi gjerman me prejardhje hebraike, Edmund Huserl (1859-1938) si dhe nga Martin Hajdegeri. Këtij grupi i takon edhe romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960).
* * *
ROMANI PSIKOLOGJIK – Ky lloj romani është i përqendruar në botën emocionale dhe në jetën e brendshme të heroit kryesor. Për këtë arsye, shpeshherë shkruhet në vetën e parë (ich-Form) ose në formën epistolare (në formë letrash). Në romanin e tillë veprimi i nënshtrohet përjetimit të brendshëm, motiveve dhe reaksioneve shpirtërore të heronjve kryesorë. Preokupimi me jetën shpirtërore dhe emocionale, historikisht është i ndërlidhur me romanin moralist të klasës borgjeze.
Të parat romane psikologjike klasike konsiderohen veprat e prozatorit anglez me arsimim modest Semjuel Riçërdson (Samuel Richardson, 1689-1761) “Pamela” (1740) dhe “Klarisa Harlou” (Clarrisa: or The History of a Young Lady, 1748-49).
Pasojnë: romani “Eloiza e re” (Julie ou La Nouvelle Héloïse 1761) i shkrimtarit dhe filozofit francez, pa shkollim sistematik Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778); romani “Tristram Shendi” (The Life and Opinions of Tristram Shandy, Gentleman, 1759-67) i romancierit anglez të shkolluar në Cambridge Lorens Stern (Laurence Sterne, 1713-1768) dhe romani epistolar “Vuajtjet e djaloshit Verter” (Die Leiden des jungen Werthers, 1774) i shkrimtarit gjerman Gëte (Johann Wofgang Goethe, 1749-1832).
Në të gjitha këto romane bota e brendshme e heroit kryesor mbizotëron në vepër dhe shprehet në formën në të cilën mbizotëron perspektiva e vetës së parë.
Një zhvillim të veçantë në drejtim të depërtimit më të thellë në motivimin e nënvetëdijes dhe në reaksionet e psikës njerëzore, ky roman arrin në shekullin XIX sidomos te romancieri dhe novelisti rus Dostojevski (Fjodor Mihajloviç Dostojevski, 1821-1881).
Janë tipa dhe lloje të ndryshme të romanit të ri në të cilët psikologjia e irracionales dhe e nënvetëdijes, shpeshherë e ndërlidhur edhe me psikanalizën, paraqet bazën e tematikës dhe të organizimit formal. Kështu lindi romani i përroit të ndërgjegjes dhe romani i ri.
Lindja e këtij romani ndërlidhet me romanin “Ambasadorët” (The Ambassadors, 1903) të romancierit, novelistit dhe kritikut amerikan Henri Xhejmz (Henry James, 1843-1916) në të cilin tërë veprimi është dramatizuar nëpërmjet pikëpamjes unike, d.m.th. është paraqitur përmes ndërgjegjes së heroit kryesor dhe transformimit të kësaj ndërgjegjeje përgjatë rrjedhës së romanit.
Krijues të mëdhenj të shekullit XX si: romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922), poeti dhe prozatori irlandez Xhejmz Xhojs (James joyce, 1882-1941), prozatorja dhe eseistja angleze, me arsimim joformal Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941), prozatori amerikan Uillijam Fokner (William Faulkner, 1897-1962) – me të madhe e kanë përdorur dhe e kanë zhvilluar teknikën e vetës së parë, sidomos monologun e brendshëm, si dhe disa mënyra dhe mjete të tjera të paraqitjes së vetëdijes së njeriut në veprën letrare.
Prosedeun e ri të stilit, d.m.th. përroin e ndërgjegjes dhe monologun e brendshëm e përdori me mjeshtri prozatori dhe poeti irlandez Xhejmz Xhojsi (James Joyce, 1882-1941) në përmbledhjen e novelave “Dublinasit” (Dubliners, 1914) si dhe në romanin autobiografik “Portreti i artistit në rini” (A Portrait of the Artist as a Young, Man, 1916). Me këto dy vepra Xhojsi ua hapi rrugët prosedeve të reja të stilit: rrjedhja e pandërprerë e mbresave dhe e asociacioneve në vetëdijen e njeriut është temë kryesore e krijimit artistik. Nuk kemi fabul as të dhëna për personazhet apo për ngjarjet. Tanimë nuk synohet paraqitja objektive dhe sa më e plotë e veprimit. Lexuesi i njeh personazhet e veprës drejtpërsëdrejti nga preokupimet e tyre të nënvetëdijshme. Prosedeun e tillë të stilit Xhojsi e përdori në mënyrë të plotë në romanin “Uliksi” (Ulysses, 1922).
Në këtë mes, interpretimet e jetës shpirtërore të njeriut sipas psikanalizës së neurologut austriak me prejardhje hebraike Sigmund Frojdit (Sigmund Freud, 1856-1939), zënë një vend fundamental.
* * *
Këtu bëjnë pesë edhe përfaqësuesit e “ROMANIT TË RI” (NOUVEAU ROMAN). Kjo shkollë e romanit lindi në Francë në vitet ’50 të shekullit XX. Paraqet formën më të rëndësishme të romanit psikologjik evropian më të ri. Përfaqësuesit e “romanit të ri” përdorën teknikën e përroit të ndërgjegjes dhe aktualizuan konceptin kafkian për njeriun si një qenie e sendërzuar. Duke i lidhur këto elemente me përjetimin vetanak të historisë moderne dhe të njeriut, krijojnë botën e vet artistike të veçantë.
Përfaqësues të “romanit të ri” janë: prozatorja, eseistja dhe dramaturgia franceze me prejardhje ruse Natali Sarot (1902-1999), romancieri dhe eseisti francez Alen Rob-Grije (Alain Robbe-Grillet, 1922-2008), romancieri dhe dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes franceze Semjuel Beket (Samuel Becket, 1906-1989), romancieri, poeti dhe eseisti francez Mishel Bytor (Michel Butor, 1926-2016), prozatorja franceze e lindur dhe e rritur në koloninë franceze afër Sajgonit (Ho-Shi-Minn) Margaret Dura (Marguerite Duras, 1914-1996) dhe romancieri francezi i cili studioi në Paris, Oxford dhe Cambridge Klod Simon (Claude Simon, 1913-2005). Viti 1953 merret si vit i lindjes së “romanit të ri”, kur u botua “Gomat” (Les Gommes, 1953) i Rob-Grijesë. Për këtë roman teoricieni i letërsisë, filozofi, kritiku dhe semiotiku francez Rolan Bart (Roland Barthes, 1915-1980) shkroi me entuziazëm në revistën Critique të Parisit.