Pashtriku, 22 qershor 2020:
Rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut
Afrim Zhitia është i lindur më 14 shkurt të vitit 1965 në fshatin Llugë të komunës së Podujevës. Ishte një nga aktivistët dhe organizatorët e Lëvizjes Popullore për republikën e Kosovës të viteve të 80-ta. Fahri Fazliu – Fatmiri u lind në vitin 1963 në Llaushë të Besianës. Me 2 nëntor 1989 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, forcat serbe rrethuan drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Qëndresa e këtyre dëshmorëve ishte inkurajim dhe ngritje e moralit për të rinjët dhe për shumë prej tyre ishin idolë dhe shembull si të mbrohej atdheu. Banesa ishte rrethuar nga shumë policë, tanke e helikopterë, dhe ka zgjatur tërë ditën. Pas një lufte dhjetë orëshe që bënë me serbët, të dy u vranë nga dora e këtyre të fundit. Prandaj më 2 nëntor të vitit 1989, ranë heroikisht dëshmorët, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Ata ranë për të mbrojtur atdheun e tyre, duke mos e parë asnjëherë të ndarë Kosovën nga Shqipëria.
Fadil Vata dhe Afrim Zhitia
Rënia e veprimtarit të LPRK-së, Ali Ajeti
Më 31 maj të vitit 1989 bie heroikisht, veprimtari i LPRK-s, Ali Ajeti, i burgosur politik atdhetar dhe revolucionar i njohur i kohës. Lindi në vitin 1957 në fshatin Sfeçël të komunës së Besianës. Ai i takonte një grupi të organizuar dhe të armatosur të cilët kryenin sulme kundër milicisë vrastare serbe. Më 30 maj të vitit 1989 ishte organizuar një demonstratë masive e shqiptarëve liridashës në Besianë, meqë gjatë atyre ditëve Kosovën po e vizitonte një delegacion diplomatësh nga Parlamenti Evropanë, mbase me qëllim për t’u njohur për së afërmi me rrjedhat në Kosovë, pas pezullimit të Autonomisë së Kosovës nga regjimi kriminal i Milosheviqit. Ali Ajeti i armatosur printe në ballë të demonstratës masive e cila mori përmasa të mëdha. Më 31 maj të po atij viti, militanti i lirisë, komandanti i “Çetës heroike të Llapit” Ali Ajeti bie duke luftuar trimërisht e heroikisht kundër milicisë së Milosheviqit, në fshatin Shtedim të Besianës, (ish-Podujevë). Jeta dhe veprimtaria atdhetare e Ali Ajetit u bë burim frymëzimi jo vetëm për bashkëveprimtarët e tij të ilegales, por edhe për tërë rininë militante të kohës.
Ali Ajeti
Në manifestimin e Gazimestanit Millosheviqi paralajmëroi luftën që po vinte
S.Millosheviqi në tubimin serbomadh në Gazimestan me rastin e shënimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës më 28 qershor 1989, ka dhënë porosi të qartë për gjithë Jugosllavinë e atëhershme: “Përsëri jemi para betejave dhe në beteja. Ato nuk janë të armatosura, mirëpo as ato nuk janë të përjashtuara”.
Në këtë ceremoni, sipas zyrtarëve serb, kishte mbi 2 milion pjesëmarrës, ndërsa sipas agjencisë “Reuters”, kanë marrë pjesë rreth 300.000 qytetarë. Ata kryesisht janë sjellë në mënyrë të organizuar nga Serbia. Aty kanë qenë prezentë edhe anëtarët e Kryesisë së RFSJ në krye me Janez Dërnovshekun, mirëpo përfaqësuesi kroat Stipe Shuvar ka refuzuar të merrë pjesë. Pastaj aty ka qenë edhe Millan Pançevski, kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Komitetit Qendror të LKJ, ndërsa fjalimin qendror e ka mbajtur Sllobodan Millosheviq, kryetar i atëhershëm i Kryesisë së RS të Serbisë.
Në këte ceremoni kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të shumë vendeve të huaja në Jugosllavi, derisa ambasadori i SHBA Warren Zimmerman dhe ai i Turqisë kanë refuzuar të marrin pjesë. Vlen të përmendet se me rastin e këtij fjalimi atëbotë ka komentuar edhe Ibrahim Rugova, intelektuali dhe kryetari i atëhershëm i LDK.
“Gazimestani është një manifestim shovinist. Nuk kanë luftuar vetëm serbët kundër turqve, në betejë kanë marrë pjesë edhe shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët. Kjo është ngjarje me rëndësi për gjithë popujt e Jugosllavisë. Përshtypja ime është se në Jugosllavi ekzistojnë forcat të cilat gati i dëshirojnë aksionet terroriste në Kosovë. Unë mund vetëm t’i paralajmërojë serbët se gjithmonë kur një popull i vogël, e serbët janë popull i vogël, është përpjekur ta imponojë superioritetin e tij në Ballkan, ajo gjithmonë ka përfunduar me tragjedinë e tij personale”, ka deklaruar Rugova në vitin 1989.
Me rastin e shënimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, Sllobodan Millosheviqi në fjalimin e tij e ka shfrytëzuar fuqinë simbolike të mitit të Kosovës për të mbledhur masën rreth politikës së tij. Në fjalimin e tij, ai për herë të parë e quajti Kosovën zemër të Serbisë, gjë që më vonë u pranua nga masat e gjëra si parullë nacionaliste. Fjalimi i Millosheviqit në Kosovë ka shënuar fundin e idesë së Jugosllavisë së përbashkët, ndërsa ai u shndërrua në liderin e gjithëpushtetshëm serb, derisa nuk përfundoi në burgun e Sheveningenit si kriminel lufte, ku edhe i kaloi vitet e fundit të jetës. Mirëpo, nxënësit e tij të atëhershëm, siç janë Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vuçiq, edhe sot janë në pushtet në Serbi, të cilët me adhurim flasin për të dhe politikën e tij.
Gjatë kësaj kohe, unë po mbahesha në “izolim” në burgun e Mitrovicës. Këtu më kishin sjellur nga burgjet serbe të Leskovcit dhe Zajeçarit. Në këtë burg kam patur fatin të takohesha dhe me disa nga minatorët e minierës së “Trepçës”, me të rinjë demonstrues etj. Nga ky burg kam dëgjuar lëvizjen e panumërt të trenave që po bartnin pjesmarrës për manifestimin famëkeq të Gazimestanit, ku për fat të keq ka patur dhe udhëheqës shqiptarë të pushtetit të KSA të Kosovës dhe mjaft aktivist të lidhjes së komunistëve të jugoslavisë. Nga ky “izolim”që ka vazhduar nga 28 marsi i këtij viti, jam liruar më 12 korrik 1989.
Më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës
Në krye të saj u vu Dr.Ibrahim Rugova, e që pranë saj tuboi pjesën më të madhe të popullit në Kosovë. Ajo u përkrah dhe nga simboli ynë i rezistencës Adem Demaqi dhe nga intelektualë të tjerë kudo nëpër Kosovë. Në kryesinë e LDK-ës ishin futur edhe disa shokë tanë ish të burgosur. Edhe ne u futëm në këtë subjekt politik, për të shfrytëzuar metodat legale të luftës tonë për liri, duke mos e braktisur asnjëherë organizimin dhe veprimtarinë tonë ilegale në LPK. Në Kosovën Lindore u themelua, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia për Veprim Demokratik.
Shpërbërja e Federatës jugosllave
Federatës jugosllave, që nga viti 1990 filluan t’i dridheshin themelet, u bënë ndryshime të ndjeshme kufijsh shtetërorë e administrativ. E para filloi Sllovenia e cila në vitin 1990 përmes referendumit kërkoi Pavarësi dhe shkëputje nga ish Jugosllavia, pastaj Kroacia dhe Maqedonia mbajtën referendum më 1991. Në vitin 1992 edhe Bosnja dhe Hercegovina organizoi referendumin për shkëputje nga Jugosllavia. Në vitin 1991 edhe shqiptarët e Kosovës mbajtën refundimin, për pavarësinë e Kosovës. Përderisa Republikat tjera organizonin referendumet për shkëputje nga ish Jugosllavia, Mali i Zi në atë kohë mbajti referendum për mbetje në Jugosllavi. Rrjedha e të gjitha referendumeve, veç Maqedonisë, ka shkuar me luftëra prej të cilave fituan edhe pavarësitë shtetërore.
Në Kosovë dhe në Kosovën Lindore u organizuan referendumet
Më 1 dhe 2 mars 1992 u organizua referendumi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Qytetarët e tri komunave të banuara me shqiptarë vendosën që t’i bashkohen Republikës së Kosovës. Qytetarët e tri komunave të banuara me shqiptarë janë deklaruar për autonomi politike territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, ishin parakushte për zgjedhjet e para shumë partiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës të cilat u mbajtën më 24 maj 1992.LDK-ja fitoi shumicën dërmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicën dërmuese të votave.
Fadil Vata vdiq si pasojë e torturave mizore në burgjet serbosllave
Fadil Vata ka lindur më 10 janar 1962 në fshatin Sallagrazhdë të Therandës. Si 17 vjeçar burgoset për shkak të shpërndarjes së literaturës ilegale në vitin 1979. Në kohën e demonstratave të vitit 1981, Fadil Vata ishte ushtar në Pozharevc. Më 1 maj të këtij viti ai me shumë ushtarë shqiptarë arrestohet. Në ndërkohë gjykata ushtarake e dënoi me 6 vjet burg të rëndë, të cilin e vuajti në burgun famëkeq “Zabela”. Nga keqtrajtimet dhe kushtet e rënda në burg, Fadili sëmuret rëndë. Pas një kohe ai dërgohet në spitalin e burgut qëndror në Beograd, ku do të operohet dhe përsëri e këthejnë në Pozharevc. Në vitin 1987 lirohet nga burgu dhe bie në lidhje me shokët e organizuar në OMLK dhe të LPRK-së. Dhe pavarësisht sëmundjes që po ia hante mushkëritë, ai me shokët nuk po i ndalte aksionet drejt luftës së armatosur kundër okupatorit serboçetnik. Prandaj Fadili si njëri ndër veprimtarët më të dalluar të LPRK-së, sërish do të bie në sy të hienave antishqiptare, prandaj në shtator të vitit 1989, kalon në ilegalitet të thellë. Në ndërkohë ai shtrohet në spitalin e Bazelit, mirëpo sëmurja e rëndë, tashmë e kishte bërë të veten, prandaj më 25 prill 1990, pushon së rrahuri zemra e viganit të Lirisë Fadil Vata.
Helmimi i nxënësve nëpër shkollat e Kosovës
Në Pranverën e vitit 1990, filloi helmimi i mijëra nxënësve shqiptarë nëpër shkolla në gjithë territorin e Kosovës. Qeveria jugosllave doli me komunikatën se kjo ishte një gjoja inskenim i separatistëve shqiptarë” sepse në Kosovë nuk kishte helmim! Ndërsa të helmuarit u quajtën aktorë të Kanës. Mjekët serb e thyen kodin e etikës dhe betimin e Hipokratit duke refuzuar mjekimin e nxënësve shqiptarë! Ndërsa, se kishte helmim u konstatua edhe nga eksperti Kroat Franjo Pllavshiq, toksikolog dhe biokimist nga Zagrebi, mjeku Francez Benedetti dhe Bernard Couchner të cilët i vërtetuan dhe konstatuan se helmimet e nxënësve ishin krim i cili ishte organizuar dhe ishte bërë nga agjentët e shërbimit ushtarak të Beogradit!
Helmimi i nxënësve në vitin 1990 (Lajmet TVP)
https://www.youtube.com/watch?v=MRqWkgIfLyU
VIJON …
______________
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (8)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10186