XHEVAT BISLIMI: NEXHMEDIN ARIFI NUK ËSHTË KANDIDAT I PDK’së – PËR KRYETAR TË VITISË! AI DOLI NGA ZARFA E KADRI VESELIT DHE E KQZ’së!

Viti, 21. 09. 2013 – (Vitia e vetmja Komunë pa kandidat për Kryetar nga PDK’ja) – Anëtarësia dhe zgjedhësit e Partisë Demokratike të Kosovës, por edhe opinioni i gjerë publik, brenda dhe jashtë vendit, tashmë është njoftuar me komplotin që është bërë kundër Degës së PDK-së në Viti dhe kundër vetë Vitisë, e cila është e vetmja Degë dhe e vetmja komunë në Kosovë pa kandidat për kryetar komune !! Kandidati për kryetar komune, Nexhmedin Arifi, doli nga ZARFA e Kadri Veselit dhe e KQZ-së më 17 shtator 2013, prandaj nuk është kandidat i PDK-së në Viti. Ky njeri gjatë katër viteve të qeverisjes në Viti u bë i “famshëm” për shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, persekutimin, diferencimin, denoncimin, ndëshkimin dhe dhunën sistematike ndaj anëtarëve dhe dashamirëve të PDK-së në Viti (sigurisht me lejen nga lartë). Me emrin e tij në Viti lidhet korrupcioni, krimi, uzurpimi dhe trafikimi i pronës dhe parasë publike. Me emrin e tij lidhet edhe “prostitucioni” politik e partiak në Viti. Me emrin e tij lidhet edhe «ura e shenjtë» e Vitisë, afera e pashembulltë e Digës (pendës), afera e projektit të qendrës dhe shumë e shumë afera të tjera me të cilatë drejtësia do të ketë punë edhe shumë vite.
Emri i tij, siç dihet, nuk ishte përmendur në asnjë organ dhe nivel të PDK-së. Ky veprim i shëmtuar, i ulët, ilegal, kundërligjor dhe komplotist ndaj Vitisë u bë në bashkëpunim të ngushtë me KQZ-në! Deri më sot askush në PDK nuk e ka marrë “autorsinë” e këtij komploti, por mund ta them me sigurinë më të madhe se autor i këtij komploti është Kadri Veseli! Ky njeri dhe shërbëtorët e tij kanë ndërhy dhe kanë dhunuar edhe listën e Degës së PDK-së me kandidatë për këshilltarë komunal pa pëlqimin e kësaj Dege!! Kryetari i Partisë, Hashim Thaçi (me funksionin që mbanë në Parti), është përgjegjës para Degës së PDK-së, para Vitisë dhe para PDK-së që nuk e ka penguar këtë komplot ndaj Vitisë.

Kandidati për kryetar komune, Nexhmedin Arifi, doli nga ZARFA e Kadri Veselit dhe e KQZ-së më 17 shtator 2013, prandaj nuk është kandidat i PDK-së në Viti.

*  *  *

Mbi qiellin e Vitisë, në mendjen e çdo anëtari dhe votuesi të PDK-së dhe në mendjen e çdo qytetari të Vitisë qëndron pezull pyetja: 
Me cilën të drejtë u ndëshkua Vitia?
Me të drejtën hyjnore?
Jo, sepse ky ose këta nuk janë përfaqësues të Hyut (Zotit) në tokë.
Me të drejtën partiake-statutare?
Jo, sepse këto veprime janë në kundërshtim me statutin, normën, programin dhe moralin e PDK-së (të paktën të asaj PDK-je që kishim themeluar, sepse sot nuk po e njohim më PDK tonë).
Me të drejtën kushtetuese-ligjore?
Jo, sepse këto veprime janë antikushtetuese dhe antiligjore (pavarësisht se te ne ka edhe sot njerëz që janë mbi kushtetutën dhe mbi ligjin).
Me të drejtën kanunore (zakonore)?
Jo, sepse edhe kanuni dhe zakoni do t’i dënonte këto veprime të ulëta.
Atëherë, po del që ky veprim komplotist është bërë me të drejtën dhe me ligjet e xhunglës, me të drejtën e më të fortit, Tarzanit!
Ata që do të duhej të dëshmoheshin përditë me angazhimin, përkushtimin dhe veprimtarinë e tyre për ruajtjen dhe fuqizimin e lirisë, pavarësisë, demokracisë, institucioneve partiake e shtetërore, po bëjnë të kundërtën! Mbetet që organet e Partisë, strukturat, veprimtarët dhe anëtarët e saj (të gjithë ata që kanë investuar në këtë Parti dhe që kanë besuar në idealet e saj…) t’u dalin përpara, nëse nuk është tepër vonë, këtyre praktikave rrënuese, antidemokratike, antiparti, ilegale dhe të kundërligjshme… Të mos mendoj askush që nuk e di që ky është problemi më i vogël në Kosovë, por ama nga këto probleme të «vogla» dhe nga këto praktika është krijuar kjo gjendje në PDK dhe në Kosovë. Sepse, siç i kemi partitë politike, i kemi edhe institucionet tjera, e kemi edhe Republikën e Kosovës.
– Autori është njëri nga themeluesit e PDK-së dhe anëtari Kryesisë qendrore të PDK-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura