XHEVAT BISLIMI: POLIFONIA E DËMSHME E OPOZITËS!

Prishtinë, 07. 02. 2016: Bashkimi i tri subjekteve kuvendare (parlamentare) për t’i kundërshtuar dy marrëveshjet e dëmshme dhe me rreziqe të paparashikueshme për Republikën e Kosovës ngjalli shpresën e popullit shqiptar në Kosovë për një shtet të pavarur nga Serbia dhe Sovran në marrëdhënie me shtetet e huaja. Qartësia politike dhe qëndresa e vendosur e këtyre subjekteve në Kuvend dhe në sheshet e Republikës rriti besimin e qytetarëve-shqiptarëve te këto subjekte. Por, ai që ngjalli shpresën, besimin dhe mobilizimin e qytetarëve tanë ishte BASHKIMI i këtyre tri subjekteve kuvendare në kërkesa, qëndrime dhe veprime. Besimi dhe shpresa se këto tri subjekte (VV-AAK-NISMA) janë bashkë dhe unike në kërkesat, qëndrimet dhe veprimet e tyre bashkoi dhe mobilizoi qytetarët-shqiptarët pa dallim partie, komune e rajoni në Republikën e Kosovës edhe në protestën e 9 janarit. Propaganda politike dhe mediale e koalicionit qeverisës antikushtetues se Opozita nuk e ka mbështetjen e qytetarëve (të popullit) më 9 janar 2016 ra në ujë. Atë ditë qeveria ilegjitime dhe e dhunshme (bashkë me mediet e saj të korruptuara…) pa protestën më të madhe që ishte mbajt ndonjëherë në Prishtinë. Mirëpo, ata dhjetra mijëra qytetarë nuk kishin dalur në protestë për sytë e bukur të kryetarëve të subjekteve opozitare, por për ta mbrojtur Republikën, për ta mbrojtur pavarësinë, lirinë dhe sovranitetin e shtetit të tyre të fituar me lumenj gjaku. Kundësrhtimit të Opozitës dhe protestës mbarëqytetare i kishte dhënë ligjitimitet edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e saj kundër marrëveshjes së 25 gushtit 2015. Në protestën e 9 janarit kam parë shumë anëtarë e simpatizantë të PDK-LDK-së dhe nuk habitesha aspak, sepse e kuptoja shqetësimin e tyre të drejtë për fatin e Republikës sonë. Prandaj, Opozita e bashkuar nuk do të duhej kurrë ta tradhtonte këtë shpresë shqiptare, të paktën pa u anuluar marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi dhe pa u garantuar shkëputja e plotë e Kosovës nga Serbia!
Paralajmërimi i mbajtjes së protestës më 17 shkurt ka trembur koalicionin qeverisës kundërkushtetues, LDK-PDK. Kjo kuptohet fare lehtë edhe nga deklaratatë dhe veprimet e tyre të pa kontrolluara dhe të papeshuara. E shqetësuar po duket se është edhe prania ndërkombëtare. Kryetarja në ikje, Atifete Jahjaga, është e angazhuar më shumë se kurrë që të mos ik, por të mbetet edhe një mandat! Për këtë ka fjalë se e ka përkrahjen e atyre që e kanë sjell aty, të miqve tanë të “përjetshëm”! Qëndrimi i saj gjatë kësaj krize nuk ishte institucional, kushtetues dhe dinjitoz! Ajo, Kryetarja e Republikës, mbajti dhe po mbanë qëndrim të anshëm, duke u rreshtuar në krah të qeverisë së Isë-Hashimit, në vend se të rreshtohej dhe të mbante anën e kushtetutshmërisë dhe të interesave të Republikës!!

Ftesat e saj për ulje të pozitës dhe opozitës në tryezën e dialogut në fakt ishin dhe janë ftesa për ta përkrahur qeverinë e dhunshme dhe për t’i pranuar marrëveshjet që kjo qeveri kuislinge ka bërë me Serbinë dhe me Malin e Zi! Kryetarja në ikje e Republikës, Atifetja, i ka ftuar partitë e pozitës dhe të opozitës në tavolinën e bisedimeve edhe të hënën, më 8 shkurt. Konfirmimi se edhe Ambasadori amerikan do të marrë pjesë në këtë takim tregon qartë se është fjala për një tryezë më serioze! Angazhimi i Ambasadorit amerikan për marrëveshje (“pajtim”) të Opozitës me Pozitën mund ta ketë vënë në siklet ndonjërin prej subjekteve të opozitës! Në takimin e djeshëm të subjekteve opozitare është biseduar për këtë ftesë të Kryetares, por nuk pati marrëveshje ose qëndrim përfundimtar të përbashkët, gjë që është krejt normale. Ajo që nuk ishte normale është dalja para kamerave dhe prononcimi para medieve i disa “personaliteteve” të këtyre subjekteve!! Madje kishte deklarata kontradiktore të “personaliteteve” të të njëjtit subjekt!! Kjo “polifoni” e Opozitës na ka dëmtuar në sytë e publikut vazhdimisht. Opozita do të duhej të ndërtonte qëndrime unike për të gjitha çështjet dhe të dilte me një zë para opinionit publik. Edhe atëherë kur nuk mund të ketë qëndrim unik për një çështje të caktuar do të duhejë të heshtnin, të mos prononcoheshin deri sa të merren vesh. “Polifonia” e djeshme e Opozitës për punën e (mos)shkuarjes në takimin e ftuar nga Kryetarja ishte irituese dhe e shëmtuar!
Ka më shumë se një vit që politikat, qëndrimet dhe veprimet e opozitës ndërtohen dhe bashkërendohen nga Këshilli politik dhe koordinues i Opozitës. Këto politika, qëndrime dhe propozimveprime paraqiten dhe miratohen në takimin e përbashkët me kryetarët e subjekteve opozitare. Është interesant që anëtarët e këtij Këshilli politik dhe koordinues të Opozitës, të cilët janë përfaqësuesë të subjekteve të tyre opozitare, janë të përmbajtur dhe nuk prononcohen për punën e Këshillit dhe të Opozitës, ndërsa “personalitete” tjera të këtyre subjekteve, që nuk janë përgjegjës dhe nuk kanë mandat për t’u prononcuar vrapojnë të dalin para kamerave dhe të deklarohen në të shumtën e herave dëmshëm dhe duke shkaktuar huti e kaos në opinion!! Prandaj, Këshilli politik dhe koordinues i Opozitës, në bashkëpunim me kryetarët dhe kryesitë e subjekteve opozitare, duhet të merren edhe më seriozisht me këto “mosmarrëveshje” dhe me këtë “polifoni” të këtyre “polipersonaliteteve”!
Shkuarja në takimin e ftuar nga Kryetarja në këtë situatë është e papranueshme, e dëmshme, dobsuese dhe zhgënjyese! Edhe më e dëmshme dhe më zhgënjyese do të ishte shkuarja vetëm e një subjekti opozitar (pa marrëveshje) në takimin e ftuar nga Jahjaga! Ata që nuk janë vetë të bashkuar mos të presin t’u bashkohen qytetarët dhe subjektet tjera! Opozita ka para vetes detyra dhe përgjëgjësi më të mëdha se kurrë. Ajo do të duhej që këto ditë të angazhohet intenzivisht për përgatitjen e protestës së 17 Shkurtit. Krahas këtyre përgatitjeve, Opozita duhet të përgatitet edhe për shndërrimin e kësaj opozite në një Front Demokratik për Republikën e Kosovës, sepse numri i personaliteteve, shoqatave dhe partive joparlamnetare që duan të bashkohen me Opozitën për ta mbrojtur Republikën është në rritje. Opozita e shndërruar në një Front demokratik duhet t’i intensifikojë përgatitjet edhe për zgjedhje dhe për marrjen e pushtetit me votën e lirë dhe demokratuke të qytetarit. Dikush mund të na akuzoj se po duam pushtet, por s’ka dert. Duhet ta themi zëshëm dhe pa ekuivoke, nëse besojmë në këtë Çështje (kauzë), se pushtetin e duam dhe e kemi të domosdoshëm për të ndaluar zbatimin e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë dhe me Malin e Zi dhe për t’i “vrarë” përgjithmonë ëndërrat, ambicjet dhe pretendimet e Serbisë hegjemoniste për t’u kthyer në Kosovë përmes pakicës dhe kishës serbe… Ky do të ishte një shërbim dhe një kontribut i jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, por edhe për qëndrueshmërinë, paqen dhe sigurinë në Kosovë e në rajonin e Ilirisë (Ballkanit). Vetëm kështu do të liroheshin energjitë e pashterrshme të popullit shqiptar për arsim, shkencë, kulturë, integrim, zhvillim e përparim ekonomik, shoqëror e kombëtar…
(Autori është Sekretar për Marrëdhënie me Publikun në NISMA dhe përfaqësues i NISMA-s në Këshillin Politik dhe Koordinues të Opozitës së Bashkuar)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura