ZEQIR HAJRIZI (1940 – 2012)

Në 10 vjetorin e vdekjes

ZEQIR HAJRIZI (1940 – 2012)

Nga Mehmet Hajrizi, Prishtinë 10. 09. 2022

(Në foto Zeqir Hajrizi me vëllain e tij Mehmetin, 1968)

Si sot, dhjetë vjet më parë, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë, më 10 shtator 2012, veprimtari Zeqir Hajrizi u nda nga jeta.

Zeqiri ka lindur në vitin 1940 në fshatin Strofc të Vushtrrisë, në një familje të njohur për bujari, ndershmëri dhe atdhedashuri të pashuar. Shpirti i saj kryengritës kundër pushtuesve, persekutimi dhe therorizimi i disa burrave të kësaj familjeje, Zeqirin e edukuan që në fëmijëri, në frymën e luftëtarit të lirisë, të guximit e të sakrificës sublime.

Ai si i ri entuziast, që më 1960 organizohet në radhët e Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të cilin e udhëhiqnin patriotët dhe veprimtarët e shquar, Kadri Halimi dhe Ali Aliu. 

Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, u organizua dhe veproi në rrethana tepër të rënda historike. Ai brenda një kohe të shkurtër arriti të ndërtonte strukturën organizative të shtrirë gjithandej në tokat e pushtuara shqiptare. Komiteti veproi sipas programit politik e kombëtar për bërjen e Shqipërisë, mbështetur në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Roli historik i Komitetit qëndron në forcimin e Lëvizjes sonë Kombëtare, në vlerat e reja që i solli asaj dhe në virtytet që mishëronin anëtarët e saj vetëmohues.

Zeqir Hajrizi zgjeroi organizatën, kryesisht në rrethin e Vushtrrisë, nëpërmjet të veprimtarëve të shquar Zenel Hajrizi, Selman Hasani etj., por edhe në trevat e rrafshit të Kosovës. Në Artakoll të Vushtrrisë, Komiteti organizoi dy njësite të armatosura, të gatshme për veprime luftarake, nën komandën e tribunit popullor, Zenel Hajrizi. Organizata kishte vendosur lidhje zyrtare me Tiranën dhe për këtë qëllim, në Shqipëri ishin dërguar veprimtarët  Zeqir Hajrizi e Banush Ademi.

Udhëheqësi i Komitetit Revolucionar, intelektuali i shquar, Kadri Halimi, në veprën e tij ”Shkëndijë e Lirisë”, Prishtinë, 1995, ka shkruar: “Zeqir Hajrizi nga Prishtina dhe Banush Ademi nga Henci, poashtu kishin grupet e tyre… Njëri sish ishte pagëzuar me emrin ‘Rifat Berisha’. Këta dy në atë kohë të rinj, aktivitetin e vet nuk e ndërprenë deri në burgosje. Vepronin me vetëdije të lartë patriotike dhe ishin të gatshëm të flijojnë edhe jetën e vet në altarin e atdheut.”  

Zeqiri, me trupin e tij të njomë, u përballoi stoikisht torturave çnjerëzore të xhelatëve të Rankoviqit. Një nga hetuesit e zemëruar për shkak se nuk po nxirrte fjalë prej tij, në kulmin e torturës, ia kishte futur duart në gojë Zeqirit për t’ia shqyer. Djaloshi i mbështetur për muri, me kokë të përgjakur, kishte mbledhur forcat dhe e kishte përplasur kriminelin në dysheme. Ky veprim i guximshëm i kushtoi shtrenjtë atij në vijim të hetimeve. Bashkëveprimtari i Zeqirit, Hasan Dumani në librin e vet memoristik, „Shënime nga jeta ime“, ka shkruar: „…Zenel Hajrizi mua shpeshherë ma jepte copën e mishit që të përmirësohesha pak.

Pas disa ditëve në dhomën tonë e sollën edhe Zeqir Hajrizin. Ishte dobësuar aq shumë sa që vetëm eshtrat i kishin mbetur. Tashti unë dhe Zeneli me radhë ia jepnim copën e mishit Zeqës për t’u përmirësuar. Zeneli dhe unë bëheshim sikur nuk e njihnim Zeqirin, sepse mund të na ndanin nëpër dhoma tjera.“

Zeqirit iu kishte rrënuar shëndeti, jo vetëm nga torturat barbare, por edhe nga tuberkulozi që kishte marrë në burg.  Sëmundja e  patrajtuar, nga mushkëritë i kaloi edhe në veshkë, të cilat e munduan tërë jetën. Katërmbëdhjetë vitet e fundit me veshka të bllokuara, jetoi në dializë.

Zeqir Hajrizin që mezi mbahej në këmbë, më 1961 e dërguan në Burgun famëkeq të Goli Otokut, ku gurët e bluar ua gërryenin mushkëritë të burgosurve, kurse barra e një guri të rëndë që duhej të bartnin çdo ditë ua kërruste boshtin kurrizor të rinjve shqiptarë që kërkonin liri për popullin e vet.

Zeqir Hajrizi, tërë jetën ia kushtoi çështjes së lirisë së Kosovës. Ai mori pjesë aktive edhe në demonstratat kundër pushtuesit serb, që nga viti 1981 e në vijimësi.

Gjatë veprimtarisë së tyre, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, shfrytëzonin si bazë të sigurt shtëpinë e familjes Hajrizi, kurse Zeqirit, disa herë i kishin sjellë trakte dhe shtypin ilegal për ta shpërndarë te qytetarët.

Edhe pas  mbajtjes së dënimit, Zeqiri u arrestua disa herë, u keqtrajtua dhe u torturua fizikisht, madje edhe në vitet e pleqërisë.

Zeqir Hajrizi u nda nga jeta më 10 shtator 2012.

Familja Hajrizi i dha Lëvizjes Kombëtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhjetëra veprimtarë dhe ushtarë. Në ballë të Demonstratave në Prishtinë, më 2 prill 1981, si organizator dhe militant i Lëvizjes për çlirim, ra dëshmor nipi i Zeqirit, Naser Hajrizi, kurse në Luftën e UÇK-së, me armë në dorë, përballë hordhive serbe, në altarin e lirisë ra edhe kushëriri Hamdi Hajrizi.

Zeqir Hajrizi është dekoruar nga presidentja Atifete Jahjaga, më 17 shkurt 2014 me Urdhrin e Lirisë, për kontributin e tij të lartë për liri të Kosovës. Emri dhe vepra e tij, shembulli jetësor i tij, kurrë nuk do të vdesin as do të harrohen ndër breza. Zeqir Hajrizi la pas vetes një gjerdan vlerash në thesarin e madh politik, kombëtar, patriotik e moral të këtij vendi e këtij populli. Le të na shërbejnë si burim edukimi për brezat tanë të sotëm e të ardhshëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura