ZOTËRINJ, DËGJOJENI ZËRIN E MASËS!

Në 42 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981

ZOTËRINJ, DËGJOJENI ZËRIN E MASËS!

(referat i lexuar në demonstratën e LRSSHJ-së në Vjenë, më 24 prill 1982)

Nga Osman Osmani, Pashtriku 25. 03. 2023

Kaloi viti që kur populli shqiptar e shtroi kërkesën para Lidhjes së Komunistëve dhe Qeverisë së Jugosllavisë, që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës së federuar.

Kjo kërkesë u shtrua edhe më parë nga intelektualët kosovarë dhe udhëheqja krahinore, por nuk u përfillë nga qeveria federative. Kj o mospërfillje e shtyri popullin tonë dhe forcat e tij të organizuara që të merrnin pjesë përgjithësisht në demonstrata.

Edhe para demonstratave të vitit të kaluar (1981), udhëheqjes Krahinore të Kosovës dhe asaj federative i është bërë e njohur, se populli shqiptar nuk është i kënaqur me ritmet e zhvillimit të ekonomisë, se ai nuk mund të pajtohet me shitjen e rrymës, qymyrit dhe mineraleve të çmuara me çmime tejet qesharake, se ai më nuk do të durojë ndarjen e viseve dhe të popullit shqiptar në tri republikat jugosllave, se nuk pajtohet me trajtimin e tij si pakicë kombëtare. Jo njëherë është kërkuar në mbledhjet e ndryshme zhvillimi i Kosovës, korrigjimi i kontratave të njëanshme të bëra nga spekulatorët serbo-maqedono-malazezë në kurriz të ekonomisë së Kosovës.

Disa herë para 11 Marsit të vitit 1981 u tubuan studentët në sallën e mensës së Universitetit, dhe kërkuan nga drejtori dhe kompetentët tjerë përmirësimin e standardit të studentëve, por në vend të dëgjimit të fjalëve të tyre, udhëheqësit partiak në fletoret e tyre shënonin vetëm emrat e atyre që guxonin të lypin bukë. Punëtorët të cilët ankoheshin për padrejtësitë që u bëheshin nëpër organizatat punuese, që kritikonin familjarizimin dhe që kërkonin rritjen e pagave, etiketoheshin dhe ndaj tyre hapeshin procedura penale.

Lidhjes Komuniste dhe Qeverisë Jugosllave i është tërhequr vërejtja si nga klasa punëtore, ashtu edhe nga forcat e organizuara, që të merrnin masa për ndryshimin e situatës dhe të merrnin iniciativën për zgjidhjen e barazisë klasore e nacionale të klasës punëtore dhe të popullit shqiptar në Jugosllavi, respektivisht që Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi t’u njihet statusi i Republikës. Përndryshe nëse kjo çështje nuk rregullohet, klasa punëtore dhe populli shqiptar do të detyrohen që të drejtat e tyre të ligjshme t’i fitojnë me rrugë revolucionare.

Ndaj grevave dhe demonstratave tona paqësore u përdor dhuna e egër. Masat popullore duke përfshirë edhe fëmijët u sulmuan me breshëri automatikësh, u shkelën me tanke dhe u helmuan me gazra të hedhura nga helikopterët. Menduan që me këtë egërsi ta frikësojnë popullin shqiptar, por me këtë sjellje vetëm sa e zbuluan fytyrën e tyre të okupatorit. Ndërsa udhëheqja e Kosovës, me qëndrimin e vet, tregoi se është qeveri kuislingësh. Ajo me këtë rast u distancua nga populli si tradhtare e interesave të tij.

Kush mbeti pa u akuzuar apo kush iu shpëtoi akuzave që vinin nga Beogradi për vlimin revolucionar në Kosovë?! Akuzat në adresa të gabuara dhe inskenimet e poshtra të trashëguara nga krajlët e carët e tyre të mëparshëm dështuan me turp, dhe ato në vend që të arrinin qëllimin e dëshiruar të serbomëdhenjve, iu kthehen atyre (“politikanëve të mëdhenj të Beogradit”) si bumerang. Të zënë ngushtë nga kërkesat e drejta të popullit tonë shqiptar, forcat antipopullore dhe antisocialiste jugosllave hodhën në veprim kartën e njohur, të cilën e përdorën edhe qeveritë fashiste: ndërsimin e njërit popull kundër popullit tjetër. Por edhe në këto pika këto forca kanë dështuar, sepse këto forca reaksionare me veprimin e tyre janë të rrezikshme për të gjithë njësoj.

Shkaqet dhe shkaktari i krizës në Jugosllavi dhe i gjendjes në Kosovë dihen: Moszgjidhja me kohë dhe në mënyrë të drejtë e çështjes së pavarësisë dhe e barazisë së plotë klasore e nacionale, masat degjeneruese e shkombëtarizuese, shtypja dhe terrori që u ndërmorën më se dyzet (40) vjet me radhë në kurriz të popullit shqiptar, gjendja e mjeruar sociale dhe ekonomike në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në Jugosllavi, marrëdhëniet shoqëroro-ekonomike dhe marrëdhëniet tjera kapitaliste të trashëguara nga Jugosllavia e para Luftës së Dytë Botërore, në njërën anë, dhe në anën tjetër depërtimi i forcave shoviniste, kolonial-hegjemoniste dhe unitariste jugosllave në të gjitha organet shtetërore të Jugosllavisë dhe deri në udhëheqësi të LKJ-së, të cilat u rafinuan dhe vunë në përdorim metodat shfarosëse kundër shqiptarëve. Sot kemi shumë serbomëdhenj të verbuar nga ndjenja e shovinizmit, të cilët shpeshherë nuk dinë ta fshehin këtë ves të keq, duke e manifestuar edhe hapur, që nga bashkësia më e vogël e deri te organet më të larta të qeverisë, ushtrisë dhe Lidhjes Komuniste, qëllimin e errët të tyre.

Klasa punëtore dhe populli shqiptar luftojnë dhe do të luftojnë deri në fund për realizimin e të njëjtave qëllime, për të cilat luftoi krah-përkrah me popujt tjerë të Jugosllavisë gjatë LDB-së. Lufton që të realizohen marrëveshjet që u bënë gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Popullit shqiptar në Jugosllavi atëherë iu premtua se pas mbarimit të luftës, ai do të ishte i lirë, i pavarur dhe i barabartë, marrëveshje dhe premtime këto të cilat nuk u mbajtën pas LNÇ-së, nga ana e qeverisë jugosllave. Pas LNÇ-së, Jugosllavia u rregullua mbi bazat e një sistemi federativ të përbërë prej shumë shtetesh apo republikash socialiste, të cilat formuan edhe partitë e tyre politike nacionale që do t’i mbronin interesat, dhe do t’i përfaqësonin kombet dhe punonjësit e tyre në Federatë. Ndërsa popullit shqiptar as kjo nuk iu lejua. Përkundrazi, ai edhe viset e tij, u ndanë në mes tri republikave jugosllave. Kuadrot shqiptare të cilat i kishin prirë popullit në LNÇ u ekzekutuan në mënyra të ndryshme, ca u shpërndanë e ca të tjerë përqafuan tradhtinë. Populli shqiptar mbeti ta përfaqësojë Dushan Mugosha, Svetozar Vukmanoviq-Tempo e “komunistë” të tjerë serbë, malazez e maqedonas.

Sot popullin shqiptar në Jugosllavi të bashkuar në kërkesë dhe veprim si një grusht i vetëm, nuk ka forcë që mund ta ndali. Ai ka vendosur që ta çojë gjer në fitore luftën e tij të drejtë, pa marrë parasysh ndjekjet, arrestimet, vrasjet dhe sakrificat tjera. Populli shqiptar s’ka çka humb. Ai në këtë luftë vetëm do të fitojë. Klasa punëtore dhe populli shqiptar në Jugosllavi, në mënyrë të qartë, siç e ka shprehur disa herë deri më sot, kërkon trajtimin e barabartë me popujt tjerë në Jugosllavi. Në Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, do të jetojnë të barabartë me popullin shqiptar të gjithë pjesëtarët e popujve tjerë që jetojnë në këto vise.

– Republika do të ketë Partinë e vet politike: Lidhjen Komuniste Shqiptare me Komitet Qendror, i cili do të thërret kongreset.

– Republika Socialiste Shqiptare në Jugosllavi të mos ketë as më të voglin ndryshim nga republikat tjera të Jugosllavisë, respektivisht të jetë e barabartë me to si në të drejta, ashtu edhe në obligime ndaj Federatës Jugosllave.

– Të lirohen të gjithë të burgosurit shqiptarë të dënuar pa baza ligjore, të cilët vuajnë dënimin për kërkesën Kosova- Republikë.

– Të kthehen të gjithë të burgosurit në Kosovë që deri më tani i vuajnë dënimet në republikat tjera në Jugosllavi, dhe t’u lejohet kthimi i të gjithë atyre që u arratisën jashtë Kosovës për shkak të kërkesës – Kosova Republikë.

– Të dënohen autorët e dhunës e gjenocidit në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare si në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

– Deri sa të mos të realizohen këto kërkesa, populli shqiptar në Jugosllavi nuk do të qetësohet.

24. 04. 1982, Vjenë

(Botuar në gazetën “Zëri i Kosovës”, organ i LRSSHJ, Nr. 1, Qershor 1982, faqe 11 dhe 12)

Ilustrimet nga arkivi © Pashtriku.org

______________

OSMAN OSMANI: ORGANIZATA PËR REPUBLIKË SHQIPTARE NË ISH’RSFJ

***

ORGANIZATA PËR REPUBLIKË PKMLSHJ

Fakte, dokumente dhe dëshmi

Autori: Osman Osmani

https://pashtriku.org/wp-content/uploads/2017/04/osman%20osmani%20PKMLSHJ.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura