SHKRIMI
e enjte, 18 korrik 2019

DILAVER GOXHAJ: 'BETEJA E KOSHARES' - FAKTET E DËSHTIMIT NUK PUSHOJNË SË EKZISTUARI, POR INJOROHEN (VII)

Tiranë, 13 Qershor 2019: Në serinë e shkrimeve, për të ashtuquajturën “Beteja e Koshares”, midis të tjerave kam theksuar, se tre janë çështjet që zotërinjtë drejtues të njësisë taktike GO-3 u largohen si djalli nga thimjani: Detyra e dhënë për GO-3 nga SHP i UÇK-së; Vendimi luftarak i Komandantit të GO-3, dhe mënyra e zhvillimit të veprimeve luftarake sipas atij vendimi.

Përsa i përket Detyrës së dhënë nga SHP i UÇK-së e kemi sqaruar dhe dokumentuar në serinë e 6-të të këtyre shkrimeve, e cila ka qenë: Hapja e korridorit të furnizimit në drejtimin më të shkurtër: Koshare - lumi Drini i Bardhë, për ardhjen nga Shqipëria të furnizimeve me armatim, municion, ushqime dhe materiale të tjera për luftën dhe popullsinë brenda në Kosovë.

Pasi bëmë edhe krahasimin midis Br.138 (GO-3) me Br.121 të UÇK-së, lidhur me detyrat e vëna atyre prej SHP dhe mënyrën e zbatimit të atyre detyrave po prej tyre, në këtë shkrim do trajtojmë se cili ka qenë vendimi i marrë nga komandanti i GO-3 (Br.138), z.Rrustem Berisha, për zbatimin e detyrës së dhënë nga SHP, dhe shkaqet e dështimit.

Deri tashti, si nga intervistat e dhëna nga drejtuesit kryesorë të GO-3 (Br.138), si dhe nga shumë kuadro të kësaj njësie taktike, ashtu edhe nga reagimet e disa prej këtyre kuadrove përmes shkrimeve ose komenteve në fejsbuk, si dhe në ato çka na pasqyron gazeatri M. Çetta te libri i tij me tre vëllime “Me UÇK-në në Koshare”, nuk na jepet në asnjë lloj mënyre vendimi i marrë prej komandantit dhe shtabit të GO-3 (Br.138) dhe se si u zhvillua ai. Por, në intervistat e dhëna dhe në reagimet e ndryshme prej tyre, na thonë: “Shihni dokumentat dhe hartën që pasqyrojnë vendimin”. Dhe, në të kundërt, nuk na japin asnjë dokument dhe asnjë lloj harte ku të pasqyrohet me shkrim ose grafikisht vendimi i kësaj komande të GO-3 (Br.138”Agim Ramadani”) dhe realizimi i tij!

Po çfarë është Vendimi Luftarak?

Nëse i referohemi Artit Ushtarak të Luftës Popullore të Republikës së Shqipërisë, për të sqaruar se çfarë është Vendimi Luftarak, mësojmë: “Organizimi i operacionit (luftimit) përbën detyrën e parë kryesore të komandave e të shtabeve dhe përfshin marrjen e vendimit dhe organizimin e zbatimit të tij. Marrja e vendimit është veprim me përgjegjësi të madhe në organizimin e operacionit (luftimit), sepse ka të bëjë me jetën e njerëzve, me suksesin e operacionit (luftimit) dhe ndikon drejtpërsëdrejt në zhvillimin e luftës në tërësi. Vendimi merret pasi vlerësohet me hollësi e me kujdes dhe peshohet mirë gjendja…Vendimi është diçka shkencërisht e përmbledhur, e koncentruar, që u kujton të gjithve problemin që është studjuar, rëndësinë e tij, detyrat kryesore që duhen kryer si dhe kur do të zgjidhen, caqet që duhet të arrihen, si dhe disa nga masat më të rëndësishme që duhen marrë… Vendimi duhet të përmbajë: rajonet dhe objektet më të rëndësishme ku do të përqëndrohen forcat dhe mjetet kryesore në mbrojtje ose ku do të jepet goditja kryesore në mësymje; ndërtimin operativ; idenë e betejës vendimtare në operacion; detyrat luftarake të njësive e të reparteve dhe kohën e zbatimit të tyre, format e manovrës që duhen përdorur; mënyrën e bashkëveprimit për plotësimin e detyrës luftarake. Komanda, para se të marrë vendimin, këshillohet gjerësisht me shtabin dhe vartësit, ose me një pjesë të tyre.”1)



Por mendoj të mos zgjatem shumë me doktrinën shqiptare, se mos na mërzitet Gjenerali Hysen Berisha, i cili, në reagimin e tij të datës 2 maj 2019, në përgjigje të pohimit tim, se: “Br.138 Agim Ramadani, nuk e realizoi detyrën e ngarkuar prej SHP të UÇK-së”, midis të tjerave më thotë: “Kolonel Dilaver Goxhaj…po më kujton Gjeneralët famëkeq të shokut Tito, Aleksandër Rankoviqi, Ivan Millutinovic dhe Llolla Ribar, të cilët ju ende i mbani në listën e heronjve kombëtarë shqiptarë.”(!!!) Me këtë shprehje, gjeneral Hyseni, keni bërë një dështim dhe jo një figurë të përkryer prej gjenerali. Unë të falënderoj për këtë “lëvdim” që na bën ne oficerave nga Shqipëria. Por nuk ta fal që nuk na e ke thënë më herët, o gjeneral?! Se po të na e kishe thënë, do të mbanim edhe ne gjatë luftës në vend të kapeles, “beretën blu”, dhe nuk do na qenë vrarë as Indrit Cara dhe as Tahir Sinani. Mirë ne, se jemi nga Shqipëria, por si nuk gjete një “beretë blu” t’ia jepje autorit të atij plani luftarak në Koshare, që të mos e kishin shënjestruar snaiperistët serbë; apo, je nis nga fakti, se edhe ai, si puna jonë, nuk kishte lindur në Gjakovë?

Në atë përgjigjen e datës 2 maj 2019, ti gjeneral Hyseni lëvdohesh se keni “luftuar nën shembullin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti.” Por, me sa shoh, ju, nuk e njihni historinë e Skënderbeut, se po ta njihnit, do të kishit vepruar edhe ju siç veproi gjenerali i Skënderbeut, Moisi Golemi. A e di ti, gjeneral Hyseni, se edhe Moisi Golemi dezertoi, si puna juaj në 1998, por pastaj u pendua dhe u kthye? Dhe luftoi siç luftojnë trimat, i cili “edhe i vdekur, i tmerroi armiqtë me sy”, thotë historia. Ndërsa ju, me t’u vrarë Agim Ramadani, u strukët në transhe dhe nuk dolët prej saj derisa erdhën forcat e NATO-s, më 19 qershor 1999. Kështu sikur na the në atë intervistën e datës 16 prill 2019. Me sa kptojmë, nuk ishit bindur akoma që forcat serbe ishin larguar nga Kosharja.

Dhe tashti, le të kthehemi tek vendimi luftarak.

Ti, Gjeneral Hyseni, në reagimin datës 2 maj 2019 sqaron se, ti dhe shokët e tu, e keni përgatitur planin e lufimit në Koshare mbështetur “në formimin dhe përgatitjen në bazë të doktrinave moderne të NATO-s.” Atëherë, që të mos infektoheni nga Doktrina Shqiptare, po i referohemi Doktrinës së NATO-s, për të sqaruar se ç’është vendimi luftarak, mbase nuk ngjason doktrinën shqiptare, që të mos mërziteni.

Dhe ja konkretisht si e formulon doktrina e NATO-s: “Themelore në procesin e vendimmarrjes është vlerësimi që i është bërë situatës, misionit (detyrës) dhe gjithë informacionit në dispozicion.... Vendimi për përcaktimin e përpjekjes kryesore do të varet nga misioni (detyra) e dhënë, nga liria e veprimit që i jepet komandantit, fuqia luftarake përkatëse dhe informacioni në dispozicion… Vendimi i komandantit duhet të mishëroi vullnetin e tij për të siguruar udhëheqjen e operacionit... Planet dhe urdhërat operacionalë janë shprehje e vendimit dhe konceptit të komandantit. Ato duhet të jenë të thjeshtë, të qartë dhe sa më konçizë. Planet për operacionet zakonisht përgatiten me shkrim. Edhe urdhërat kur është e nevojshme përgatiten me shkrim.”2)

Sikundër shihet, edhe nga komandantët e NATO-s vendimi luftarak “varet nga detyra e dhënë dhe duhet të mishëroi vullnetin e komandantit”, dhe si vendimi edhe urdhërat luftarakë “është e nevojshme përgatiten me shkrim”, njësoj siç thotë doktrina shqiptare. Besoj se nuk do mërziteni për këtë. Dhe ju na thatë se kishit kohë në dispozicion, kishit 40 ditë që e vëzhgonit armikun. Atëhere, ku i keni, zotërinj oficerë profesionistë të GO-3(Br.138), këto dokumeta luftarake që duhet të përgatiten me shkrim? A na i keni rekomanduar shpesh herë që t’i shohim? Pse nuk na i paraqesni?

Përgjigjia e këtyre pyetjeve është e qartë: Këto dokumenta nuk do të tregohen kurrë nga ju, pasi hartuesi i atij plani nuk besoj se do të ketë shkruar, se gjoja detyra e dhënë njësisë GO-3 nga SHP i UCK-së, do të ketë qenë “heqja me luftë e kufirit”, (sikundër na u thanë në atë simpoziumin e datës 9 prill 2000, në Gjakovë), por hapja e korridorit të furnizimit.

Në atë simpozium na është bërë me dije edhe se kush e ka hartuar planin e mësymjes për njësinë GO-3. Atëhere na lejoni ta sqarojmë, se kush e merr vendimin luftarak: komandanti apo shtabi njësisë?

Ja se cfarë na thotë Doktrina e NATO-s: “Me të marrë dhe analizuar detyrën, komandanti duhet të bëjë një vlerësim të plotë të saj… Pasi komandanti prononcohet për qëllimin (idenë) e tij dhe shpalos konceprin e tij të operacionit (luftimit) në formën e një vendimi, shtabi i tij fillon menjëherë punën për përpilimin e një versioni përfundimtar të planit me detajet e nevojshme. Nga ky plan përpilohet gjithashtu edhe urdhëri i operacionit (luftimit)…”3) Në rastin e njësisë taktike GO-3, e cila do të sulmonte në një territor të kontrolluar nga armiku, pa asnjë lidhje direkte me një forcë tjetër, vendimi duhej patjetër që të përcaktohej nga Komandanti.4)

Pra, e sqaruam, vendimi është detyrë parësore e komandantit të njësisë.

Po, vendimin luftarak, për kalimin në mësymje të njësisë taktike GO-3 (Br.138), kush e ka përpiluar e shpalosur? Përgjigjen na e jep vetë komandanti i kësaj njësije, z. Rrustem Berisha: “Shtabi i Grupit të Tretë Operativ, nën udhëheqjen e shefit të shtabit, Agim Ramadani, përpiloi planin operativ për heqjen me luftë të kufirit, të cilin e miratova unë, si komandant i këtij formacioni.”5)

Po të njëjtin pohim, z.Rrustem Berisha e ka theksuar edhe pas 14 vitesh, në intervistën e dhënë në datë 8.4.2014, te TVDukagjini: “Vendimin e miratova unë vet si komandant i atij operacioni. Ky plan, ishte një plan i përgatitur mirë, ku i kishte objektivat e qartë si në fazën afat shkurtër e afat gjatë. Planin e kanë përgatit njerëz profesionalë.”

E shoh të arsyeshme të theksoj, se Brigadës së Këmbsorisë (BrK) nuk i jepen detyra “afat shkurtër e afat gjatë”, pasi BrK kryen detyrë të shkallës taktike e jo operacion; detyra “afat shkurtër e afat gjatë” jepen në operacione të shkallës operative, operatovo-strategjike dhe strategjike, e që janë masa të Komandës së Përgjithshme. BrK, sipas mundësive që ka, i caktohet brez mësymjeje me gjerësi 4-6 km, me detyrë të afërt rreth 5 km dhe detyrë e largët 10-15 km thellësi, në mënyrë që të realizohet në një kohë sa më të shkurtër, mundësishtë brenda ditës; (bazuar në normat e BrK së ushtrisë shqiptare, ndërsa BrK e ushtrisë jugosllave, gjerësinë e brezit mësymës e ka 8-10km, detyrën e afërt 6-8 km, të largtën 15-20 km).

Por, duke qenë se, njësia taktike GO-3(Br.138) vepronte në një territor të kontrolluar nga armiku dhe pa asnjë lidhje direkte me një forcë tjetër të UÇK-së, patjetër që këto detyra do të ishin më të kufizuara, si në madhësi e hapësirë edhe në kohë. Këtë duhet të ketë pas parasysh hartuesi i këtij plani, Agim Ramadani, prandaj dhe pat deklaruar se mbritja në Malishevë do të mund të arrihej për 10 ditë, të cilën na e konfirmon komndanti i një kompanie i Br.138, z.Rahim Samiu-Zogu, në intervistën e dhënë gazetarit Muhamet Çetta: “E di se komandant Agim Ramadani ka punuar dy muaj rresht për këtë projekt aq të rëndësishëm për thyerjen e kufirit, sepse kjo ishte e vetmia shpresë, e vetmia rrugë që të nisej puna nga e mbara. Projekti i komandant Agim Ramadani ishte, pra, thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe shkuarja në Rrafshuin e Dukagjinit dhe në pjesët e tjera të Kosovës. Ai bile na thoshte: Për 10 ditë do të futemi në Malishevë.”6)

Si është e mundur atëhere, që këta oficerë profesionitë “të formuar dhe përgatitur në bazë të doktrinave moderne të NATO-s”, mendojnë se marrja e vendimit luftarak nuk i përket aspak komandantit, por shefit të shtabit të njësisë?!

Kjo që ka ndodhur në njësinë taktike GO-3 është e pafalshme. Madje këtu duhet kërkuar shkaku i dështimit nga kjo njësi luftarake. Pse është e pafalshme? Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep gjenerali anglez i Luftës II Botërore, Bernard Montgomeri, komandanti i betejës së El-Alamfit, në Afrikë, (23 tetor-4 nëntor 1942), dhe i fushatës në Sicili, (10 korrik-17 gusht 1943): “Plani operacionit duhet të përgatitet gjithmonë nga komandanti dhe jo të ndikohet shumë e të veprojë me forcë sipas të dhënave të shefit të tij… Ai, njëkohësisht duhet të dijë e të llogarisë mirë, se çfarë është strategjikisht e përshtatshme për të, çfarë është taktikisht e mundshme për forcat që ka në dispozicion. Kështu, ai, patjetër që do të fitojë.”7)

Dhe më tej ai thekson: “Një komandant duhet të jetë shumë i përpiktë në përgatitjen e planit të tij taktik, duhet të jetë shumë i vendosur në plotësimin dhe përmbushjen me sukses të detyrës që ka marrë përsipër për ta kryer.”8)

Si është vepruar për përmbushjen e atij vendimi?

Duke mos vepruar sikundër e thekson gjeneral Montgomeri, prandaj komandat Rrustemi gjithça e pat lënë në duart e shefit të shtabit, Agim Ramadani; prandaj, me vrasjen e Agimit pas 48 orësh si ka filluar sulmin njësia GO-3, mësymja jonë ndaloi. Në këtë moment komandant Rrustemit dhe gjithë shtabit të tij, u ka ikur nga duart inisiativa (nisma). Këtu fillon mosvijimi më tej i sulmit. Shkaku? Mos njohja me hollësi e planin të luftimit.

Duke mos e përpiluar vetë planin, nuk e njihnin atë, dhe nuk kish sesi të dallonin rastin për të kapur situatën; kjo ka bërë që të mos ishin në gjendje të ndryshonin vendimin kur e vërejtën se armiku e kishte parashikuar atë; duke mos e ditur se cilat objekte duhej të kapeshin në ato momente e të anashkalohej rezistenca e armikut, tanët kaluan në mbrojtje, duke e zgjeruar frontin e duke i shpërndarë forcat. Si rrjedhojë, e filluan mirë sulmin por nuk e vijuan atë, gjë që ka qenë për mangësi të komandanit dhe shtabit, e jo të luftëtarëve.

Këto janë arsyet pse komandantit dhe shtabit të Br.138 u ka ikur nisma nga duart; këto janë shkaqet pse armiku ka mundur t’u impononte vullnetin e vet, duke e përballuar më pas sulmin tonë. Ishte ky hutim i komandantit dhe shtabit që armikut iu dha mundësia të përballoi hovin e parë të sulmit tonë; prandaj tanët e patën të vështirë t’ia impononin vullnetin e tyre armikut; prandaj këta tanët e patën të vështirë më pas ta mposhtnin mbrojtjen e tij. Këtë gjë thotë edhe B. Montgomeri: “Udhëheqja, e cila është paraqitur si jo e mirë dhe e papërshtatshme, gjithmonë mban me vete forcën e humbjes dhe të dështimit.”9)

Dhe kjo është mangësi e komandantit dhe shtabit të Br.138 dhe jo e luftëtarëve të saj. Kyçi i suksesit, si në nivel operativ dhe në nivel taktik, pavarësisht nga teatri i luftimeve apo lloj i konfliktit, është kapja e hershme e nismës dhe mbajtja e saj. Këto janë arsyet kryesore pse u kalua në mbrojtje pa u konsultuar dhe pa marrë miratim nga Shtabi i Përgjitshëm i UÇK-së.

Përgjegjësinë e dështimit të asaj mësymjeje në Koshare, duhet ta pranojë me ndershmëri ushtaraku komandanti i Br.138, të cilën e thekson edhe shefi i Logjistikës së saj, z.Gani Gjukaj, kur thotë: “detyrë të caktuar nuk kanë pasur shumica prej nesh, apo urdhëresa për vendosje. Dhe, kjo është mungesë e Rrustem Berishës.”10) Gjë të cilën e përforcon parimisht edhe B.Montgomeri, kur thotë: “Çdo komandant, në çdo moment, sado pak të vështirë, duhet t’ia kaloi të gjitha informatat e tij oficerave dhe ushtarëve të njësisë.”11)

Dhe ngaqë komandanti dhe shtabi i njësisë taktike GO-3 dështuan në realizimin e detyrës së vënë nga SHP i UÇK-së, prandaj z.Rrustem Berisha, për t’iu larguar kësaj përgjegjësie tëë madhe, në simpoziumin shkencor të organizuar prej tij, në 9 prill 2000, justifikohet duke na lënë të kuptojmë se gjoja sulmin në Koshare e kanë ndërmarrë në kokë të tyre, si formacion ushtarak i pavarur dhe, si rrjedhojë nuk ka pse t’I japin kujt llogari, ngaqë gjoja nuk kanë pas vartësi nga asnjë lloj komande: “por vie nga vetë fakti që si ushtarakë të organizuar në formacione të rregullta ushtarake iu futëm luftës që në qershor të vitit ’98.”12) Kjo është arsyeja pse ky komandant e mohon vartësinë nga SHP i UÇK-së dhe Zona III Operative, duke e pohuar pa ndrojtje: “Vemdimit (të tyre D.G), nuk i parapriu asnjë urdhër konkret nga cilado anë që thirrej në drejtimin e luftës.”13) Me këtë shprehje shpërfillen jo vetëm luftëtarët e Br.138, por edhe UCK-ja. Dhe unë ankohem për faktin, i cili nuk duhej të më bënte njohës të këtij luftimi.

Vetëm kemi një lutje: Amani, mos urdhëroni ndonjë tip tjetër, si ai tek “Bota sot”, i datës 6 qershor 2019, se na ka mbyllur gojën me ato arsye që nuk kanë arsye.

FUND

_____________

REFERENCAT:

1.Arti Ushtarak i Luftës Popullore, Tiranë, 1985, f.83-84

2. Doktrina Taktike e Forcave Tokësore të NATO-s,ATP-35(B),Sh.B.Ushtarake,Tiranë, 1999, f.45,46,48,49

3. Po aty, f.45, f.125

4. Po aty, f.264

5. Muhamet Çetta “Me UÇK-në në Koshare”, Prishtinë, 2002, v.2,f.261

6. M. Çetta, vepër e cituar, v.2, f.221

7. Bernard Montgomeri “Fushë beteja”, Sh.B.Ushtarake, Tiranë, 1994, f.71

8. Po aty, f.73

9. Po aty, f. 76

10. Muhamet Çetta “Me UÇK-në në Koshare”, Prishtinë, 2002, v.2,f. 80

11. Bernard Montgomeri, vepër e cituar, f.73

12. Muhamet Çetta “Me UÇK-në në Koshare”, Prishtinë, 2002, v.2,f.162

13. Muhamet Çetta “Me UÇK-në në Koshare”, Prishtinë, 2002, v.2,f.261-162

Tiranë, 12 qershor 2019


__________________

DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): NUK KA AKADEMI USHTARAKE MË TË MIRË SE LUFTA (VI)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8840


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks