SHKRIMI
e hënë, 09 dhjetor 2019

HAZIR MEHMETI: NË VJENË U PROMOVUA LIBRI 'FITORJA DIPLOMATIKE E UÇK-së' I DIPLOMATIT DR.SABRI KIҪMARI

Vjenë, 11 Nëntor 2019: Në Vjenë nisi shënimi i Nëntorit Historik Shqiptar me promovimin e librit më të ri të Dr.Sabri Kiçmarit, “Fitorja diplomatike e UÇK-së. Salla e bukur ku qytetarit vjenez i ofrohet art, letërsi e kulturë “Kunstraum”, në qendër të qytetit, si asnjëherë më parë ishte e mbushur me bashkatdhetarë të ardhur nga e gjithë Austria. Melodia në harfë bashkëdyzonte me ambient arti të cilave sonte iu shtua ngjyra kuqezi shqiptare me tri shkronja emblematike UÇK. Aty, jehona e tyre në diasporë që nga koha kur skuqej dheu shqiptar për liri. Dr. Sabri Kiçmari u prit nga mërgimtarët në kryeqytetin austriak me nderim e respekt ashtu siç u prit në Austri si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës. Një vazhdimësi në kohë, aty ku ishte caktuar njëzet vjet më parë në përcjellje të zërit të luftës së UÇK-së për liri, tani do kthehet me Fitoren diplomatike të saj.

Mbrëmjen e nderoi me praninë e tij Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri dhe e diplomatëve të tjerë nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Raland Bimo përshëndeti të pranishmit në emër të institucionit që ai drejton dhe e përgëzoi autorin e librit, Sabri Kiçmarin për librin e tij të radhës.



Në emër të organizatorit, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Aleksandër Moisiu” në Austri, të pranishmit i përshëndeti Anton Marku, kryetar. “Ndihemi të nderuar me praninë e juaj sonte kur po promovojmë veprën e radhës të mikut tonë, studiuesit dhe diplomatit Dr.Sabri Kiqmari. Ai është një personalitet i njohur për diplomacinë dhe studiues duke botuar vepra me vlera për shkencën, artin dhe historiografinë kombëtare. Dr.Kiçmari ishte mbështetës i aktiviteteve të Lidhjes sonë sa shërbeu në Austri si Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës. Lidhja jonë e falënderon për mbështetjen e vazhdueshme”, tha mes tjerash ai.

Pjesë nga biografia e tij lexoi Besim Xhelili, kryetar nderi i Lidhjes, kurse një vështrim rreth librit e mbajti Hazir Mehmeti, publicist në Vjenë. “ Libri i ri “Fitoren diplomatike të UÇK-së“, për nga rëndësia, cilësohet me vlera të mëdha historike, një lloj letrar, e shkencor i rrallë në traditën tonë. Shkrimi i natyrshëm me gjuhë të fakteve i shton vlerat e tij përtej një vepre kujtimesh apo ditari personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda për vendin”.

Bisedën me autorin e librit, Sabri Kiçmari e udhëhoqi me përkushtim, Vlora Jonuzi. Publiku bëri shumë pyetje rreth librit, motiveve, rrethanave të përfaqësimit të UÇK-së, bisedimet e Rambujesë, bombardimet e NATOS, politika e deritanishme. Në të gjitha pyetjet autori, Sabri Kiçmari, u përgjigj hapur dhe me gjuhë bindëse. “Jam kyçur në politikë që të ndihmoj vendin tim, e jo për përfitime tjera. Vendi ka nevojë për ndryshime të ngutshme pozitive. Kemi ngecur shumë, falë paaftësive të politikës sonë, kjo është indikativë këto dy viteve të fundit”, tha ai mes tjerash. Programin e drejtoi me profesionalizëm Kaltrina Durmishi.

Në fund, për të pranishmit nga organizatori u shtrua koktej rasti.

Sabri Kiçmari në faqen e tij për publikun shkruan: “Një organizim i shkëlqyeshëm, në një ambient të përzgjedhur kulturor, me rastin e përurimit të librit tim “Fitorja diplomatike” në Vjenë. Falënderime të përzemërta udhëheqjes së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri Anton Markut, Besim Xhelilit dhe Hazir Mehmetit, të cilët folën për librin dhe punën time si studiues dhe diplomat si dhe Vlora Jonuzit, e cila e udhëhoqi bisedën plot përkushtim dhe Kaltrina Durmishit, për udhëheqjen profesionale të programit. Falënderim të veçantë Ambasadorit të Shqipërisë SHT z. Roland Bimo për fjalën e tij, që më nderon, si dhe diplomatëve dhe zyrtarëve tjerë nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, që ishin të pranishëm. E ndjeva veten të nderuar, që shumë nga pjesëmarrësit kishin ardhur edhe nga vise të largëta të Austrisë për të marrë pjesë. Takimi me bashkëveprimtarë, kolegë dhe miq të shumtë, në një ambient të tillë, lë gjurmë të pashlyeshme”, përfundon z. Kiçmari mbresat nga përurimi i veprës së tij në Vjenë.

***



Fitorja diplomatike e UÇK-së, vështrim

Hazir Mehmeti, Vjenë, 8 nëntor 2019

Të nderuar të pranishëm!


Sonte ndihem i nderuar që mu dha rasti të paraqes para jush librin e radhës të mikut tonë, ambasadorit të parë të Republikës së Kosovës në Austri, zotit Sabri Kiçmari, Fitorja Diplomatike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Libri “Fitorja Diplomatike e UÇK-së” është një margaritar në mësimin e rrjedhave të rrugës së vështirë deri në realizimin e idealeve për liri në fundshekullin e kaluar. I shkruar natyrshëm me gjuhën e fakteve e bënë librin vepër me vlera përtej një vepre kujtimesh apo ditari personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda për vendin e pushtuar nga Serbia dhe Jugosllavia.

Akademik Regjep Qosja në rezymenë e tij rreth librit me tjerash shkruan: “Libri i diplomatit dhe i studiuesit tonë tashmë të njohur e të çmuar, Sabri Kiçmari, me titullin domethënës, Fitorja diplomatike, është libër i rrallë në krijimtarinë tonë letrare e shkencore, në të cilin janë bashkuar, shumë pajtueshëm, veçanti të kujtimeve dhe të ditarit”.

Duke qenë bashkë drejtues të ilegales që nga viti 1989 autori na sjell kujtime nga koha e demonstratave kundër pushtuesve serb e jugosllav, atëherë kur autori përjeton rëndë vrasjen e bashkëluftëtarëve të tij të ilegales, heronjtë e kombit: Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazlia, dhe vdekja e Fadil Vates si pasojë e kushteve torturuese të burgut që kishte mbajtur. Ishte kohë kur Lëvizja Popullore për Çlirimin e Kosovës e sheh rrezikun nga arrestimi, dhe merr vendim që Sabri Kiçmari të vepron jashtë vendit në Evropën Perëndimore. “U gëzova shumë që në përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit Organizativ tek heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha jashtë vendit” , shkruan Sabri Kiçmari. Ky veprim ishte i mençur dhe me efekte pozitive të shumanshme të cilat i dokumenton libri që po promovojmë sonte. Ishte me rëndësi Mbledhja e Katërt e Lëvizës Popullore për Çlirimin e Kosovës, në gusht të vitit 1993, kur edhe vendoset për organizimin e luftës së armatosur, dhe, përcaktohet koncepti teorike, filozofik e politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo filozofi e drejtë dhe e arsyeshme do të prezantohet me sukses dhe vendosmëri nga grupi i përfaqësuesve politik të UÇK-së në Evropë. Në shtatorin e vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak i UÇK ës emëron zyrtarisht grupin e përfaqësuesve të saj për marrëdhënieve me jashtë i përberë nga Sabri Kiçmari, Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Rexhë Ibërdemaj, Agush Buja, Mujë Rugova, Bilall Sherifi dhe drejtuesi i grupit, Bardhyl Mahmuti.

Zonja e zotërinj!

Diplomacia evropiane ruante koncepte të vjetra, jo të drejta, lidhur me shqiptarët, rrjedhat në Jugosllavi dhe veçanërisht vuante nga paragjykimi ndaj UÇK e cila po rritej çdo ditë, dhe jo pa arsye në çarqe analitike ushtarake botërore, cilësohej si ushtria më rritur dhe shkruar në shtypin botëror në fundshekullin e njëzet.

Kjo rritje u shumëfishua veçanërisht pas Epopesë së UÇK-së me 5,6,7 mars të vitit 1998, në Prekaz, kur bie heroikisht Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari, pikërisht, atëherë kur Serbia propagandonte shuarjen e saj. Kjo datë shënon kthesën e madhe veç tjerash, në interesimin botëror për luftën e drejtë të UÇK-në. Ky moment shënon nisjen e fazës intensive të aktiviteteve të grupit përfaqësues me jashtë të UÇK-së në kontaktet me diplomat dhe shtypin botëror. Rënia heroike e Fehmi Lladrovcit, Xhevë Lladrovcit, Xhemajl Fetahajt ishte sa humbje e madhe, shumë herë më tepër, ishte krenari e frymëzim në fuqizimin e luftës për liri. Këto sakrifica frymëzim kishin idealin për liri të lagur me gjak nga dëshmoret e kombit mes tyre Zahir Pajaziti që në hapat e parë të formësimit dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për nga rrjedha e ngjarjeve në libër mund të vërejmë dy faza aktivitetesh: faza e ndërtimit të botëkuptimeve dhe koncepteve për liri brenda faktorit shqiptar dhe faza e ndërtimit dhe mbështetjes të së drejtës për liri të garantuara me konventat ndërkombëtare në të cilat ishte e konceptuar filozofia politike dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu mësojmë sa e vështirë dhe e mundimshme ishte të bindet Evropa mbi të drejtën tonë për liri, në rrethanat e kohës, kur dihet se diplomacia e vendeve evropiane dhe vendeve tjera vuanin nga sindromi i koncepteve të të ashtuquajturit “shtetit sovran” edhe kur ai shtet është kolonizator e vrasës masiv i popujve siç ishte Serbia dhe Jugosllavia. Argumentet e shtruara në takime me burra shtetesh, diplomat, media e shkruara dhe elektronike tregojnë për sukses të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e faktorit të jashtëm mbi nevojën e përkrahjes së luftës për liri të UÇK-së, si formë e imponuar nga veprimet kriminale të pushtuesit i cili kishte qellim shfarosjen e shqiptarëve me pasojë pastrimin etnik, si akt i vazhdueshëm gjenocidi shekujve sipas programeve të memorandumeve të Akademisë Serbe të Shkencave, Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë serbe si zbatuese e tyre.

Sabri Kiçmari qe nga intervista e tij në gazetën “Der Spiegel” (12 tetor 1998) dhe më tutje argumenton luftën e drejtë të UÇK-së, demanton propagandën serbe dhe argumenton mbështetjen vullnetare nga mërgimtarët për UÇK-në. Në intervistat dhe takimet me diplomat e zyrtarë do bëhet prezantimin e krimeve serbe kundër civilëve shqiptarë; argumentimin e shkeljeve nga ana e Serbisë të rezolutave të ndryshme që ishin në fuqi; në periudhën e pas Marrëveshjes Rambujesë, përkatësisht në kohën e fushatës ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë, si faza vendimtare e epilogut të luftës në Kosovë. Tani UÇK-ja kishte ndërtuar struktura komanduese dhe Drejtorinë Politike të drejtuar nga Hashim Thaqi, i cili do jetë edhe drejtues i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujes, Angazhimi i Simbolit të Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçit, si përfaqësues i UÇK-së dhe Akademik Regjep Qosjes i dha fuqi popullaritetit të UÇK-së duke forcuar pozicionet e saj në planin e brendshëm dhe të jashtëm si faktor pa të cilën nuk mund të vendoset asgjë për të ardhmen e Kosovës.

Sabri Kiçmari së bashku me grupin përfaqësues njoftonin vazhdimisht opinioni publik, diplomatik, politik e ushtarak ndërkombëtar me gjenocidin që po zhvillohej kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe argumentimi i shtruar i humbjes së vlefshmërisë së Marrëveshjes së Rambujesë në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe vetë UÇK-së, duke e mbrojtur në këtë rast qëndrimin se zgjidhja e statusit duhet kërkuar përmes referendumit ku do vendoste populli. Me këmbëngulje u argumentua mos çarmatosja e UÇK të si nevojë e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie. Në shtypin gjerman do shkruhet me theks të veçantë rreth vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, duke e cilësuar një fitore diplomatike të UÇK-së.

Autori me respekt të matur dhe të një diplomati të arsyeshëm rrëfen mbi realizimin e takimeve me personalitet të njohura të kohës: Wolfgang Ischinger, Cem Özdemir, Pier Churi, Doris Pack, Wolfgan Schüssel, Jozias van Aartsen, Louise Arbour, Erich Rathfelder, Hans Koschnik, Tim Judah, Erchard Eppler, Gerhard Jandl, Laszlo Nagy, Jeffrey Fleishman, Alvaro Guitian Garcia, Larry Rossin, Lawarence G. Rossin, Roland Schleicher, H.Hunor, Albert Rohan, Wolfgang Petritsch, Wieland Schneider etj

Zonja e zotërinj!

Vjena ishte dhe mbetet në përgjithësi qendër me peshë në historinë tonë kombëtare dhe veçanërisht qendër diplomatike. Këtu vepruan shumë figura të njohura kombëtare, mes të cilëve: Hasan Prishtina, Faik Konica, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri, Eqrem bej Vlora, në përpjekjet e tyre për liri dhe shtet. Këtu veproi edhe Sabri Kiçmari me grupin e veprimtarëve të devotshëm nga radhët e mërgimtarëve tanë: Xhevat Xhemajli, Abdullah Abdullahu, Rifat Buzuku, Eset Berani e shumë tjerë që organizuan demonstrata në përkrahje të gjithanshme për UÇK-në dhe protesta në gjithë Austrinë në mbështetjen e luftës për liri të në të gjitha format e nevojshme.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri e pa alternativë për mbrojtje të kombit shqiptarë në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Iliridë. Ajo lindi nga populli, u formësua nga populli, u ushqye nga populli dhe do mbetet gjithmonë emër i shenjtë për secilin qytetar. Idealet e saja ishin dhe do mbesin liria e barazia për të gjithë pa dallim etnie, bindje apo gjinie.

Emri i autorit, Sabri Kiçmari, këtu bashkëjeton në të gjitha rrethanat që nga ilegalja e Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeverisë së Përkohshme pas Rambujesë, Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga të cilat Sabri Kiçmari do caktohet në rolin e tij diplomatik si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Evropë, detyrë kjo aspak e lehtë, por e kurorëzuar me fitore diplomatike e cila për rrjedhojë solli fitoren ushtarake dhe lirinë e Kosovës. Në këto rrjedha vendimtare për liri, Sabri Kiçmari ishte nga ato personalitet që me dinjitet kreu këtë obligim patriotik kombëtar. Ai me modestin e tij mes tjerash në emisionin direkt të ARD në Bon, datë, 5 shkurt 1999 deklaron: “Jam vetëm një përfaqësues i një populli që lufton për liri dhe pavarësi”.

Dhe në fund më lejoni që në emër tuaj ta përgëzoj mikun tonë të nderuar, Sabri Kiçmari duke i dëshiruar shëndet e suksese në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij!

Kjo audiencë dhe ky ambient ju dëshiron dhe fton përsëri!

Faleminderit!



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks