SHKRIMI
e hënë, 09 dhjetor 2019

Gjekë Gjonaj: 37 vjet më parë vdiq Kolë Rroku Gjokaj Arsimtar i dalluar në Malësi e Kosovë me vlera njerëzore e profesionale

Ulqin, 12 nëntor 2019: Të gjithë e dimë që do të vdesim një ditë, por më të mirët janë ata që lënë diçka për t’u kujtuar, edhe për shumë kohë pas largimit të tyre fizik. Kolë Rroku Gjokaj nga fshati Muzhek i Trieshitka ikur vetëm fizikisht, para 37- vitesh në moshën 33 vjeçare. Iku një mësimdhënës i dalluar. Një koleg i dashur. Një mik i shtrenjtë me të cilin ndamë shumë kujtime të kohës. Herë – herë të gëzuara, herë-herë të hidhura. Një njeri i shkëlqyer për të gjithë ne, që patëm privilegjin ta kishim mik, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Një djalë shembull. Modest. Ndryshe nga të tjerët. Gjithmonë i buzëqeshur. Me prindër. Me vëllezër e motra. Me farefis. Me shokë. Me kolegë. Me nxënës. Me miqtë. Në shpirt ishte fisnik. I sinqertë. Si i tillë gëzonte respekt të merituar kudo ka jetuar e ka punuar, në Triesh, Malësi e Kosovë.

Kola ishte fëmiu i parë i çiftit Rrok e Mri Gjokaj. Lindi më 21 nëntor 1949. Prej fëmijërisë së hershme jetoi një jetë të vështirë në majën e lartë të Sukës së Grudës. U përballë me shumë halle e probleme. Në moshën 13 vjeçare, për shkak të rrethanave familjare, Kolës i takon detyra shumë e rëndë e kryeshtëpijakut të familjes prej shtatë anëtarësh, nënës , tre vëllezërve dhe dy motrave. Të gjithë më të vegjël se ai. Ishte kjo një barrë shumë e rëndë për Kolën, duke ditur moshën e mitur të tij.



Mësimin fillor e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në Shkollën Fillore ‘’Gjergj Kastrioti Skënderbeu’’ në Triesh.Mrija, nëna e Kolës, edhe pse jetonte shumë vështirë, në varfëri të madhe, e kushte të mjerueshme, ishteshumë e preokupuar që Kola gjithsesi ta vazhdojë shkollimin. Ajo për t’ia arritur këtij qëllimi i drejtohet për këshillë Gjon Gjekë Lucajt (ish-mësues në Triesh) i cili ia jep asaj një letër të shkruar për t’ia dërguar drejtorit të shkollës normale në Gjakovë, duke kërkuar nga ai që ta pranonte në këtë shkollë djalin e saj Kolën edhe pse kishte kaluar afati i regjistrimit. Kur Mrija shkoi në Gjakovë , drejtuesit e shkollës normale e kundërshtojnë pranimin e djalit të saj ( Kolës), duke e bindur me fjalë se ka kaluar afati i regjistrimit dhe se nuk ka vend të lirë. Por Mrija këmbëngul, duke ua shpjeguar ( pasqyruar) atyre situatën e familjes në të cilën gjendet, dhe gjithnjë kërkon e insiston me çdo kusht që t’ia mundësojnë regjistrimin e Kolës në shkollë. Në fund ata ( drejtoria) për demonstrim mbushin një kovë me ujë dhe i japin edhe një filxhan plotë me ujë duke i thënë: “Nëse e hedhim edhe ketë filxhan në kovë uji do të derdhet!”. Mrija u përgjigjet : ,, Atë filxhan mund t’ia vini kovës pas vekshit dhe uji nuk do të derdhet’’. Të habitur me përgjigjen urtake të Mrisë, ata shikuan me habi njëri – tjetrin dhe e pranuan Kolën në shkollën normale.

Kola shkollën normale e kreu në afat dhe me sukses të shkëlqyeshëm. Duhet theksuar (veçuar) ndihmën e pashoq të dajës së Kolës, të ndjerin Vat Marash Tomën me familje (kushëriri i Mrisë) që i bëri Kolës gjatë shkollimit, por edhe të vëllait të tij Zefit, i cili më vonë kreu shkollën e tregtisë në Gjakovë.

Pas kryerjes së shkollës normale Kolë Gjokaj punësohet në shkollën fillore në Zym të Hasit, fshat i bukur i Komunës së Prizrenit. Në të njëjtën kohë vazhdon studimet në shkollën e lartë pedagogjike për histori dhe gjeografi. Këtë hap Kola e bën jo vetëm për të vazhduar shkollimin e vet, por edhe për të shkolluar edhe vëllain Zefin, i cili po ashtu atje me sukses dhe në afat e kreu shkollën e mesme të tregtisë.

Kola,pas përfundimit në afat rekord dhe me sukses të shkollës së lartë pedagogjike, kthehet në vendlindje dhe punësohet në Shkollën Fillore ‘’Gjergj Kastrioti Skënderbeu’’ në Triesh, ku punoi deri në vitin 1978, kur punësohet në Shkollën Fillore ,,Jedinstvo” ( Bashkimi’) në Skorraq– Hot. Dy vjet më vonë punësohet në Shkollën Fillore ,,Mahmut Lekiq’’ në Tuz, ku punoi deri në vdekje në vitin 1982. Krahas misionit të tij të shenjtë si arsimtar shumë i dalluar ai tregon edhe një përkujdesje shumë të madhe për prindërit e tij, sidomos për motrat dhe vëllezërit e vegjël.

Roli i Kolë Gjokajt ishte shumë i madh në ndërthurjen e vlerave edukativo – arsimore sidomos për vëllezërit e tij të vegjël. Ai kultivoi në familjen e Rrok Gjokës vlera të larta njerëzore dhe arsimore. Falë këtij përkushtimi, vëllezërit e tij përfunduan studimet akademike. Dhe jo vetëm kaq, por familja Gjokaj krijoi një traditë familjare për arsimimin e brezit të ri, ashtu sikurse i edukoi ai vet. Prandaj, çdo sukses i kësaj familjeje është meritë e Kolës, për ç ’gjë vëllezërit, motrat, nipat dhe mbesat e tij i janë mirënjohës dhe gjithherë e kujtojnë me mall dhe admirim të posaçëm.

Ashtu siç e kishte shprehur ndihmesën e pakursyer, dëshirën e madhe dhe shpresën e zjarrtë, për t’i arsimuar vëllezërit e motrat e tij të dashur, kjo ëndërr e bukur, për fat të mirë, u realizua. Gjatë veprimtarisë së shkurtër, por shumë të begatshme edukativo – arsimore, Kolavazhdoi edhe studimet në fakultetin e Prishtinës në degën e gjeografisë, por vdekja e parakohshme e ndau nga diploma e profesorit të kësaj lënde.

Arsimtar Kolën sa e kam njohur unë e ka karakterizuar etja e madhe për dije e kulturë dhe puna e palodhur plotë pasion, Ai do të mbetet i paharruar si për kolegë ashtu edhe për të gjitha gjeneratat e të gjitha shkollave ku ka punuar si në Zym ashtu edhe në Malësi. Sepse dinte të respektonte çdokënd për punën krijuese. E shihte punën e kolegut me dashuri, duke thënë fjalë miradije aty ku e shihte të nevojshme. Ishte këmbëngulës në punën e vet, por edhe nxitës i krijuesve të rinj. Në nderim të këtyre vlerave njerëzore e profesionale të Kolës gjenerata e tij e studimeve në Gjakovë sivjet e përkujtoi atë me rastin e 50 – vjetorit të kryerjes së normales dhe 37 – vjetorit të vdekjes.

E them me bindje se Kolë Rroku Gjokaj edhe pse jetëshkurtër ka lënë kujtimin e një arsimtari të palodhur, me horizont të gjerë, të njeriut të ndershëm e fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizon, ia kushtoi përgatitjes së brezit të ri.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks